Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Në vitet 1982-83 përderisa ende isha duke e bërë hifzin pranë Mahmud efendi Asllanit, shpeshherë, kur diskutohej ndonjë çështje e rëndësishme nga fikhu/jurisprudenca islame, e dëgjoja hoxhën e nderuar duke biseduar me bashkëbiseduesit e ndryshëm, të thoshte: këtë mesele/çështje duhet t’ia parashtrojmë Rushan efendiut prej Odri. Që atëherë emri i tij më tingëllonte këndshëm në veshin tim dhe gjithnjë kisha dëshirë ta takoj. Rushan efendiu asokohe ishte në moshë dhe nuk kisha shumë mundësi që ta takoja në mexhliset në Tetovë. Por ama, pasi e përfundova hifzin, si hafiz i ri, disa herë më patën ftuar në disa mexhlise në pjesën e katundeve në aksin rrugor drejt kufirit me Kosovën dhe aty dy a tre herë e kam takuar hoxhën e nderuar. Ishte shumë i vendosur në mendimet e tij dhe konkluzat i kishte të përpikta. Nuk më kujtohet ndonjë shembull i caktuar, por e di mirë që kur foltë ai, nuk e hapte askush gojën pas tij.
Rushan efendiu ka lindur në vitin 1892 në fshatin Odër të Tetovës. Pasi që i ka marrë mësimet e para tek Adem efendi Jonuzi nga fshati Përshefcë, me propozim të hoxhës së tij, është regjistruar në medresenë e Idriz efendiut në Tetovë. Idriz efendiu ishte ndër myderrizët/profesorët e shquar të periudhës ndërmjet dy luftrave botërore dhe mësimin e mbante në gjuhën shqipe. Në mesin e nxënësve të Idriz efendiut, përveç Rushan efendiut, kanë qenë edhe Aqif efendiu nga Përshefca e Tetovës, Mehmet Efendiu nga Xhepçishti dhe të tjerë. Aqif efendiu ka qenë myfti i Tetovës duke filluar nga viti 1952 e deri në vitin 1969.
Rushan efendiu së bashku me Aqif efendiun, krahas Idriz efendiut, i kanë ndjekur ligjëratat edhe pranë myderrizit/profesorit të njohur Bedaet efendiut në medresenë e xhamisë në Çarshi të epërme në Tetovë. Kjo e ka specializuar edhe më Rushan efendiun në çështjet e jurisprudencës islame. Rushan efendiu, për dallim nga një numër i konsiderueshëm i hoxhallarëve të tjerë, ka qenë i guximshëm në sjelljen e konkluzave fetare në lidhje me çështjet e reja.
Ai e ka njohur mirë metodologjinë e të drejtës islame/usul-i fikh, siç më ka rrëfyer njëri nga nxënësit e tij Nafi efendi Nesimi rahmet pastë (imam i xhamisë Muharemçe në Tetovë), gjithashtu, ka qenë ndjekës i përpiktë i aktualitetit kohor dhe si rrejdhojë e kësaj, situatat e reja ka ditur t’i analizojë mirë dhe të sjellë konkluza të drejta.
Rushan efendiu ka qenë i njohur, jo vetëm në Tetovë dhe rrethinë, por edhe në fshatrat kufitare në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Ai një periudhë ka shërbyer si imam në fshatin Pustenik të Kaçanikut, ndërsa më pas është kthyer në fshatin e lindjes dhe aty ka shërbyer si ligjërues në xhaminë e fshatit. Edhe pas kthimit në Odër ai ka qenë ndër hoxhallarët e preferuar të fshatrave të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë.
Odri, përderisa ka qenë gjallë Rushan efendiu, ishte një fshat ku gravitonte një numër i madh i hoxhallarëve të cilët vinin për t’u konsultuar me të. Shpeshherë në mexhliset e hatmeve dhe mevludeve në fshatin Odër ai i ka ftuar edhe hoxhallarët tjerë dhe duke filluar pas namazit të iqindisë e deri në namazin e jacisë, krahas këndimit të hatmes dhe mevludit, janë bërë biseda fetare shumë të sofistikuara. Nafi efendiu, rahmet pastë, e kishte traditë të thotë shpesh: xhemati i Rushan efendiut dinte më shumë për fenë se sa shumica e hoxhallarëve.
Rushan efendiu ka patur një autoritet të dukshëm në Tetovë dhe rrethinë. Autoritet ky që nuk arrihet dot vetëm me njohuri të thata juridike. Ai ka qenë i dashuruar në fenë dhe disiplinën e ibadetit. Këtë përvojë ua ka bartur edhe njerëzve që kanë qëndruar përreth tij. Shpeshherë, edhe pas kalimit të tij në ahiret, në shumë mexhlise fetare, kam hasur në njerëz që kur përmendej emri i Rushan efendiut, atyre sytë u mbusheshin me lot. Kishin një dashuri të flaktë ndaj Hoxhës së nderuar. Jam i bindur që ky element i dashurisë ndaj autoritetit fetar e ka mbajtur të gjallë gjenin fetar në mesin tonë gjatë viteve më të vështira të periudhës së komunizmit.
Rushan efendiu ka ecur drejt Hakut në vitin 1987, por në kujtimet tona do të ngelë si një alim dhe përcjellës i shkathtë i paradigmës tradicioanle në kushtet e reja jetësore.
Zoti e dashtë dhe e miqësoftë me të mirët.