Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Profesor Nuredin Ahmedi i takon gjeneratës më të vonshme të hoxhallarëve që kanë vepruar në hapësirat tona. Por ama ai dallohej nga të gjithë me një paradigmë tradicionale që shkëlqente edhe në fytyrën e tij. Ai ishte një ashik i vërtetë dhe atë e shprehte në të gjitha veprimet e tij shoqërore. Unë Profesor Nuredinin e kam takuar në medresenë Isa Beu kur isha nxënës. Ai neve na e ligjëronte lëndën e Historisë Islame, por jo vetëm që e ligjëronte, njëkohësisht edhe e përjetonte shkëlqimin e kulturës dhe qytetërimit islam gjatë shekujve.
Profesor Nuredin efendi Ahmedi ka lindur në vitin 1955 në fshatin Xhepçishtë të Tetovës. E ka kryer medresenë Alaudin në Prishtinë dhe më pas është regjistruar në universitetin el-Ez’her, të cilin me sukses e ka përfunduar dhe është kthyer në vendlindje. Pas kthimit, në vitin 1986, është punësuar në medresenë Isa Beu si profesor i Historisë Islame, detyrë që e ka ushtruar deri në çastet kur ka ndërruar jetë në vitin 2008.
Profesor Nuredini sapo i kishte përfunduar studimet dhe kishte një entuziazëm të madh për bartjen e të vërtetave të historisë islame në gjeneratat e reja. Si sot më kujtohen ligjëratat e para me Profesorin, rahmet pastë, që nga viti parë i medresesë. Ai asnjëherë nuk qëndronte besnik në tekstin e shkruar të librave, por gjithnjë e kishte traditë ta paraqesë një mendim ndryshe dhe pastaj të hap polemikë në lidhje me atë çështje në mesin e nxënësve. Për ato polemika, ta them të drejtën, më merr malli edhe tash. Ishin shumë të frytshme dhe me performancë të shkollave të larta. Veçanërisht e kishte traditë që të shtytë bisedë me nxënësit që ishin pak më të lexueshëm. Në klasën tonë kishte shumë nxënës të zellshëm, ishte Ali Pajaziti (aktualisht profesor ordinar dhe pedagog në universitetin e Evropës Juglindore), ishte Ismet Abazi (doktor shkence, aktualisht në Kanadë), ishte Adnan Sherif (profesor doktor, i punësuar në arkiv) dhe shumë të tjerë që aktualisht janë të punësuar në Bashkësinë Fetare Islame.
Profesor Nuredini historinë islame e sqaronte me ashk dhe dashuri të thellë. Ai kur fliste për ndonjërin nga personalitetet e shquara të historisë islame, si për shembull, për Ebu Bekrin r.a., Omerin r.a.. Aliun r.a., ose për Omer ibn Abdu’lazizin, Salahuddin Ejjubiun dhe të ngjashmit, i tëri shndërrohej në emocione dhe sikur kthehej në kohën e tyre dhe vepronte bashkë me ta. Ne të gjithë e përjetonim këtë sinqeritet të tij. Biseda e tij më tepër ishte me ndjenja se sa me fjalë, por ne e kishim shumë të qartë ndjenjën që ai kishte dëshirë ta përcjellë deri tek ne. Ai fliste për heronjë që janë universal dhe jo të vdekshëm. Ai nuk fliste për historinë islame historike por për atë që krijon arketipe dhe jeton e vepron në të gjitha periudhat historike.
Kultura dhe qytetërimi osman si dhe vendi e roli i shqiptarëve në kulturën dhe qytetërimin osman ishin nga temat më të preferuara të Profesor Nuredin efendi Ahmedit. Ai, veçanërisht e kishte inat që shteti osman të përmendet si pushtues i trojeve tona. Gjithnjë thoshte ne jemi çliruar edhe shpirtnisht edhe historikisht me ardhjen e perandorisë osmane. Më kujtohet një bisedë e tillë kur dikush prej nxënësve kishte parashtruar pyetjen se si ka mundësi osmanëve t’u themi çlirues, kurse gjermanëve okupues (gjatë luftës së dytë botërore). Asokohe ende kishte ndikim koncepti komunist dhe profesorët nuk ishin edhe aq të rahatshëm dhe nuk mundeshin që qartë t’i thonë mendimet e tyre në lidhje me komunizmin dhe socializmin. Atëherë, Profesor Nuredini, i pati thënë: Po mirë ne luftës së komunistëve i themi LNÇ (lufta nacional çlirimtare) e prej kujt na paskan çliruar këto far burra!? Të gjithë ngelëm të shtangur! Ende e ruaj në kujtesën time këtë konkluzë të tij dhe e kam përdorur edhe në disa shkrime.
Profesor Nuredini ishte shumë i shoqërueshëm me nxënësit dhe ai formonte një lidhje të prindit me fëmijën me ne. Ai nuk mbante ndonjë distancë të madhe, dinte të na ledhatojë, të sillet butë, të bëjë shaka, madje të sillet sikur është në moshën tonë. Ndaj tij, të gjithë ne nxënësit kishim dashuri të veçantë. E konsideronim si person që është nga ana e nxënësve. Madje, edhe në rastet kur ne bënim ndonjë problem, që është i zakonshëm për atë moshë, ai ishte personi që më së miri na kuptonte dhe na këshillonte me butësi.
Afërsia ime me Profesor Nuredinin ka vazhduar edhe pas përfundimit të medresesë, gjatë studimeve, si dhe pas përfundimit të studimeve. Ai kishte konsideratë të madhe ndaj shkencës dhe kulturës dhe gjithnjë kur na shihte na motivonte që të vazhdojmë studimet edhe pas fakultetit. Ai ishte edhe një avangardist që lexonte dhe preferonte edhe literaturë më të ndryshme nga të tjerët. Ai i preferonte edhe mendimet e Ali Sheriatit dhe na propozonte që ta lexojmë dhe ta përkthejmë atë në gjuhën shqipe. Mendimet e Ali Sheriatit ishin shumë të rëndësishme për vitet e nëntëdhjeta, kur popullata jonë ende kishte ngarkesa socialiste, ndërsa Ali Sheriati, një sociolog bashkëkohor fenomenal, kishte shumë përgjigje adekuate për rrënimin e koncepteve të socializmit.
Profesor Nuredini kishte një përshpirtshmëri të veçantë që mendoj se e kishte të trashëguar nga babai i tij Haxhi Ahmedrizai. Haxhi Ahmedrizai, përndryshe nxënës i Hafiz Muhammed efendiut të Tetovës, ishte një evlia me plotëkuptimin e fjalës. Kënaqësia më e madhe e tij ishte të shkojë në haxh. Ai punonte gjatë tërë vitit që në kohën e haxhit t’i vizitojë vendet e shenjta, Mekën dhe Medinën. Haxhi Ahmedriza vinte shpesh ta falë namazin në xhaminë e Saatit në Tetovë dhe uleshim në sofën e xhamisë për të biseduar. Ai nuk fliste shumë, por më mjaftonte heshtja e tij. Ishte shumë i këndshëm. Ashtu si ishte, ashtu edhe vajti tek Haku. Ra shehid në luftën e vitit 2001 në Tetovë.
Zoti, babë e bir, i dashtë dhe i shoqëroftë me të dashurit e Tij.