Ligjërata e 50-të nga Prof.Dr.Metin Izeti

Sureja Kurejsh

Javën e kaluar e filluam suren Kurejsh dhe thamë që kjo sure është ngushtë e lidhur me suren Fil, madje në disa transmetime thuhet që Hz.Omeri r.a. këtë sure e ka lexuar së bashku me suren Fil (në një rekat i ka lexuar të dy suret), për shkak se nga aspekti i kuptimit sureja Kurejsh nuk ka mundësi të kuptohet pa u kuptuar si duhet sureja Fil. Thamë që në suren Kurejsh Allahu xh.sh. u drejtohet mekasve për një pakt (marëveshje) të cilën ata e kanë pas me fiset përreth, posaçërisht në muajt në të cilat është e ndaluar lufta, që ata të bëjnë tregëti nga njëra anë me Jemenin dhe nga ana tjetër me Shamin (Sirinë) dhe këto janë dy udhëtime tregtare të rëndësishme, që e kanë mbajtur të gjallë Mekën. Përveç kësaj ne e kemi thënë edhe më parë që ajetet kuranore në të shumtën e rasteve ngërthejnë metafora që disa gjenerata nuk mund t’i kuptojnë por që ka mundësi t’i kuptojnë gjeneratat që do të vijnë më vonë. Pardje lexoja një tekst të Kafkës. Kafka e ka një stil ku emrat e personazheve të veta i përsërit shpesh me emër, ndërsa përkthyesit kur i përkthejnë, ata i zëvendësojnë me sinonime tjera dhe një prej kritikave kryesore që iu bëheshin përkthyesve të Kafkës është se ata emra që i ka përdorur Kafka (në një fjali për shembull emrin e Fridës e ka përdorur 3-4 herë) duhet të ngelin të tilla. Edhe Kur’ani ka një qasje metaforike të tillë që në periudha të caktuara ka mundësi të mos kuptohet, por në të ardhmen të kuptohet më mirë. Metafora kryesore e këtyre udhëtimeve të dimrit dhe të verës është që dimri kryesisht e paraqet sikletin, njerëzit kur është dimër veshen më tepër, nuk mund të dalin jashtë lehtë, ndërsa vera kryesisht është një stinë në të cilën njerëzit kanë pak më tepër rehati, fillojnë që të relaksohen. Në të vërtetë, Allahu xh.sh. në këtë rast flet edhe për një pakt, kontratë, marrëveshje të cilën e ka me njerëzit, që ata t’i bëjnë ibadet dhe ta falënderojnë Allahun xh.sh. edhe kur janë rehat edhe kur janë në siklet. Kjo është shumë me rëndësi për shkak se ta dini që njerëzit më tepër i largon prej Zotit rehatia se sa sikleti; atëherë kur kanë siklet njerëzit, atëherë janë më afër Zotit për shkak se një pjesë të madhe të sikleteve nuk kanë mundësi që ta zgjidhin vet, a kur janë në rehati atëherë mendojnë se e tërë rehatia vjen prej vetes tyre dhe në atë mënyrë dita ditës thellohen edhe më tepër në largimin dhe mënjanimin e vetes prej Allahut xh.sh..

Sureja Kurejshka shumë thellësi dhe urti të mëdhaja. Shikoni, fillon me “Li ilafi kurejsh”, kjo l-ja dhe b-ja në gjuhën arabe përdoren si parashtesa për t’u betuar në diçka dhe në këtë rast në Li ilafi kurejshin thotë Allahu xh.sh., për hirë të marrëveshjes dhe qëndrimit besnik ndaj saj dhe si pasojë e kësaj marrëveshjeje, të mbijetesës fizike të kurejshit. Pse mibjetesës fizike të kurejshit? Për shkak se kurejshi para kësaj sureje, te sureja Fil ballafaqohet me shkatërrimin fizik, për shkak se Ebreha niset prej Jemenit dhe vjen që t’a shkatërrojë kurejshin dhe Qaben. Kurejshin dhe Qaben kush i ka mbrojtur prej Ebrehas? I ka mbrojtur Allahu xh.sh. për shkak se i dërgon zogjtë ebabil të cilët e shkatërrojnë ushtrinë e Ebrehas. Kjo është ndihma e Zotit e cila vjen kur kërkohet në raste të vështirësisë dhe rezikut dhe e paraqet dimensionin e parë të këtij urdhëri hjynor. Ndërsa elementi i dytë është përkujtimi i Allahut në rehati. Krahas kësaj Allahu xh.sh. ia ka mundësuar fisit kurejsh që të bëj udhëtime tregëtie që të jetë i qetë në aspekt financiar, tregtia atyre u ka mundësuar që të jenë rehat, për shkak se Mekeja nëse nuk do të kishte tregti do të kishin ngelur pa fare furnizim. Pastaj thotë që nëse ju nuk ia dini falënderimin Allahut xh.sh. për shkak se juve u shpëtoj nga Ebreha, nga një zullumqar, atëherë së paku duhet të dini ta falënderoni Allahun xh.sh. për shkak se u ka mundësuar që ju të fitoni dhe bashkë me familjet tuaja të jetoni rahat.

Kjo është kështu për kurejshin, por tash ta largojmë kurejshin dhe t’i vendosim në vend të tij të gjithë popujt tjerë të cilët janë në faqen e dheut si shqiptarët, turqit, boshnjakët e kështu me rradhë, të gjithë në periudha të ndryshme kohore Allahu xh.sh. i shpëton prej likuidimit fizik. Ne shqipëtarët dhe boshnjakët e kemi përjetuar shpejt këtë, turqit e kanë përjetuar në fund të perandorisë osmane, arabët e kanë patur njejtë në luftërat kolonizuese, për shembull Algjeria, Tunizia, Libia kanë qenë shtete të kolonizuara (Algjerinë Franca e ka konsideruar si shtet të vetin, për atë edhe një pjesë e madhe e filozofëve të ngritur francëz janë prej Algjerie; p.sh. Albert Kamy është prej Algjerie)pra secilin popull në një periudhë Allahu xh.sh. e ka shpëtuar prej likuidimit fizik. Vetëm ndihma e Allahut xh.sh. ka qenë ajo që kundër një superfuqie botërore siç ka qenë Perëndimi i ka shpëtuar muslimanët dhe pas asaj u ka dhënë rehati dhe nëse brenda kësaj rehatie edhe per hirë të kësaj rehatie nuk e falemnderojmë Allahun xh.sh., atëherë domethënë që ka një problem në ne.

Përveç kësaj fjala kurejsh ka dy kuptime kryesore gjuhësore. Një domethënie e fjalës kurejsh është peshkaqen dhe ka një transmetim se fisi kurejsh ka ardhur në Mekë prej brigjeve të Detit të Kuq, për atë edhe është konsideruar si peshkaqen. Kuptimi i dytë i fjalës kurejsh rrjedh prej fjalës k-r-sh ose kurush që do të thotë pará, t’i tubojsh gjërat (edhe në Turqi përdoret fjala kurush që e ka kuptimin e parave). Ky është stili i Kur’anit, pasi që flet për mirëqenie materiale atëherë e përdor një emërtim të fisit i cili ka kuptim të mirëqenies materiale dhe kjo është një harmoni e Kur’anit të cilën nuk kemi mundësi ta hasim në asnjë libër tjetër. Me një fjalë thotë: “Ju që Unë u shpëtova juve prej ushtrisë së Ebrehas, ju e harruat se Unë u shpëtova dhe tash për hirë të marrëveshjes, si pasojë e së cilës u kemi mundësuar të jetoni të rehatshëm duhet ta falënderoni Allahun xh.sh.”, “Rihletesh-shitai ves-sajf” të atyre marrëvshjeve që si pasojë e tyre ju i bëni tregëtitë verës dhe dimrit. Çka duhet të bëni? “Fel ja’buduu rabbe hadhel bejt” / “Ju duhet t’i bëni ibadet zotëriut të këssj shtëpie”. Do të thotë që sikur mos të ishte kjo shtëpi (flet për Mekën), atëherë ekzistenca juaj nga aspekti fizik nuk do të kishte asfarë kuptimi. Tash kjo është për kurejshët kështu për shkak se tregëti kanë bërë me Mekën jo se e kanë dashur shumë Mekën, por për shkak se Qabeja ka qenë aty dhe ai është konsideruar si një vend për ibadet nga ana e njerëzve. Raste të tilla ka shumë. Organizimi i muslimanëve, inkuadrimi i tyre në jetën shoqërore që në këtë rast si sinonim është paraqitur te Bejtullahi (shtëpia e Allahut xh.sh.) është një prej elementeve të rëndësishme. Mirë ama Bejtullahi a e dini si është? Është si ky libri, për shembull, paramendojeni përreth këtij librit njerëzit të gjithë të bien në sexhde, nëse e ngrejmë këtë libër në moment kur kanë rrënë krejt në sexhde, atëherë automatikisht sexhdeja nuk i bëhet objektit, po sexhdeja i drejtohet Allahut xh.sh.. Për atë Allahu xh.sh. iu drejtohet kurejshëve “Unë që iu shpëtova juve, ua mundësova që të mbijetoni fizikisht, ua mundësova që materialisht të keni një mirëqenie, prej jush kërkohet që ju ta adhuroni, t’i përkushtoheni ashtu siç duhet Zotit të kësaj shtëpie” që do të thotë mos mendoni se mirëqenia juaj, mbijetesa fizike, mirëqenia e juaj materiale vjen prej shtëpisë, prej gurit, prej elementeve tjera të cilat i ka krijuar Allahu xh.sh., po mirëqenia juaj materiale dhe mbijetesa juaj fizike rrjedh vetëm prej pronarit të asaj shtëpie, prej Allahut xh.sh.. Ne disa herë e kemi përmendur një prej poetëve i cili thotë që kur e ka vizituar Qaben dhe është ulur përreth gurit të zi (ata që kanë shkuar në haxh e dinë, ata që nuk kanë shkuar inshallah Zoti ua bën nasib të shkojnë) edhe i ka parë njerëzit se si rrotullohen,bëjnë tavaf përreth Qabes ka thënë: Ja Rabbi këtu shoh grupe të njerëzve të cilët kanë ardhur ta vizitojnë shtëpinë, ndërsa unë, kam ardhur ta vizitoj pronarin e shtëpisë”. Shtëpia pa pronarin nuk ka kuptim, nëse dikush vjen mysafir te unë, ndërsa unë nuk jam në shtëpi, ai nuk hyn në shtëpinë time dhe kryesisht në të gjitha të mirat të cilat i kemi në jetë si shkase duken gjëra të tjera, ama shkaku kryesor i mbijetesës tonë dhe shkaku kryesor i mirëqenies sonë është vetëm Allahu xh.sh. dhe për atë ne asnjëherë nuk kundërshtohemi si besimtarë me atë që e kërkon Allahu xh.sh. prej nesh, prej pasurisë tonë, prej familjeve tona e kështu me rradhë.

“El-ledhi et’amehum min xhuin ve amenehum min hauf” në një mënyrë Allahu xh.sh. edhe arabëve u thotë (kjo vlen edhe tash për arabët) Arabia Saudite po mos ta kishte Bejtullahin, nuk do të ishte aspak e rëndësishme ama edhe në atë kohë u ka thënë që “ju jeni të rëndësishëm për shkak se e keni Bejtullahin”. Kjo vlen edhe për çdo besimtar, se çdo besimtarë është i rëndësishëm përderisa e ka zemrën, nëse nuk e ka Bejtullahin (zemrën) si duhet, nëse nuk ka aty një konak ku mund të prezentojë Krijuesi i Gjithësisë, atëherë nuk është aspak i rëndësishëm; ai, kushdo qoftë, shkelet dhe shkon, e harron historia, e harrojnë krejt njerëzit, ndërsa nëse Bejtullahin (zemrën) e ka në rregull, atëherë për hirë të pronarit të kësaj shtëpie ai ka rëndësi në Gjithësi. Edhe Pejgamberi s.a.v.s. në një hadith thotë që në trupin e njeriut ka një copë mishi që nëse ajo është e mirë, i tërë trupi i njeriut është i mirë, nëse ajo copë e mishit është e keqe, atëherë i tërë trupi i njeriut është i keq dhe kjo pjesë është zemra. Njerëzit të cilët kanë zemër të mirë nuk bëjnë dëm, nuk janë egoist, pandërprerë përpiqen që veten ta rrotullojnë rreth orbitës së vet dhe Allahut xh.sh.. “El-ledhi et’amehum min xhuin” / “Ai juve iu ka ushqyer dhe nuk iu ka lënë të uritur” ne edhe më herët kemi fol për këtë kur kemi folur për cilësitë e Zotit, ka një cilësi të Allahut xh.sh. prej cilësive vepruese që quhet terzik/Ai që i jep ni’metet dhe Ai që i jep riskun njerëzve, kjo cilësi është ekskluzive e Allahut xh.sh.. Ta dini që askush nuk ka mundësi njeriut t’ia jep rizkun, as që t’i jep begati në këtë botë përveç Allahut xh.sh., prandaj edhe këtu në mënyrë direkte i thotë kurejshëve të asaj kohe:“El-ledhi et’amehum min xhuin” / “Ai juve iu ka ngi dhe iu ka shpëtuar nga uria”. Tash nëse kthehemi pak më herët atëherë do ta shohim se ky vend është bërë me bereqet për shkak të lutjes së një pejgamberi, se ai vend ka qenë vend i thatë, ama një pejgamber e ka sjellë zonjën e vete dhe djalin e vet (poashtu ka qenë pejgamber), i ka lënë aty dhe i është lutur Allahut xh.sh. “Rabbena inni eskentu min dhur-rij-jeti bi vadin gajri dhi zer’in…” / “O Zoti ynë, unë i lash që të banojnë pasardhësit e mi në një luginë. Në një rrafshnaltë e cila nuk është pjellore, por afër shtëpisë tënde”, “Rabbena le jukimus-salate fexh’al ef’ideten…”/ “O Zot, që ata të të luten Ty, mundësouja që ata të edhe prej njerëzve tjerë dhe toka e tyre të bëjë bereqet, që ata të të falemnderohen Ty” kjo ishte lutja e Ibrahimit a.s. kur e la Haxheren dhe Ismailin a.s. në vendin ku është tash Bejtullahi dhe për hirë të kësaj lutjeje Allahu xh.sh. këtë vend e ka bërë me bereqet jo vetëm nga aspekti fizik, po edhe nga aspekti metafizik. Çka ka të bëjë me ne kjo punë, se me arabët ka të bëjë shumë, ama me ne çka ka të bëjë? E njëjta gjë është edhe me personin i cili bejtullahin e vet e konsideron si një vend në të cilën bën pjesë Allahu xh.sh., në të cilën vendoset Allahu xh.sh.. Në një hadith kudsijj Allahu xh.sh. thotë “Mua nuk më nxe Gjithësia, ama më nxe zemra e besimtarit” dhe kjo është realitet që Allahu xh.sh. zë vend në zemrën e një besimtari i cili është i sinqertë dhe këtë besimtar të sinqertë e mbron fizikisht Allahu xh.sh. po në të njëjtën kohë i jep edhe mirëqenie materiale, financiare. Këtë duhet ta dimë se shpeshherë ne mendojmë se mirëqenia materiale fizike në këtë jetë është vetëm te pasuria, jo. Besoni që shpeshherë njerëzit që kanë shumë pará kanë dëshirë të munden të flejnë natën ashtu si flen një argat që ka punuar ditën, domethënë edhe ai gjumi i rehatshëm i natës është një begati dhe një rizk që na e jep Allahu xh.sh.. Nëse do të ktheheni në ligjëratat e mëparshme do t’iu kujtohet që kemi thënë që rizku, begatia e Allahut xh.sh. nuk jepet vetëm me pará, dikujt i jep mend, dikujt i jep zemërgjërësi, domethënë ka shumë gjëra të cilat i dhurohen njeriut nga ana e Allahut xh.sh.. Një gjë është elementare, Ai është që juve u ka ngirë dhe iu ka larguar nga uria, për atë ne kur fillojmë të hamë bukë themi Bismillahirrahmanirrahim / Në emër të Allahut xh.sh. i cili është i gjithmëshirshëm dhe mëshirëplotë, për shkak se për hirë të mëshirës së tij ne kemi mundësi që të ushqehemi dhe ta mbajmë veten gjallë dhe kur e mbarojmë ushqimin themi Elhamdulillah e falemnderojmë Allahun xh.sh..

Kjo sure neve na e përkujton se pandërprerë duhet të jemi persona të cilët do ta falemnderojnë Allahun xh.sh.. Në një ajet tjetër në Kur’an thuhet “Le in shekertum le eziidennekum” / “Nëse ju falënderoni Allahun xh.sh., atëherë ta dini që Unë juve do t’ua shtoj të mirat” (ato të mira që ua kam dhënë, nëse ju mua më falemnderoni për ato të mira, atëherë të jeni të sigurtë se edhe Unë do t’ua shtoj ato të mira të cilat ua kam dhënë). Falënderimi ndaj të mirave të Allahut xh.sh. bëhet nga gjinia e atyre të mirave, që do të thotë, një pasanik Allahut xh.sh. nuk mund ti falënderohet vetëm me të thënur 99 herë Allahu Ekber, një i varfër që nuk ka të japë të holla i falënnderohet kështu, ama një pasanik i falënnderohet Allahut xh.sh. nëpërmjet të ndihmës të tjerëve me atë pasuri që Allahu xh.sh. ia ka dhënë atij; ose një dijetarë nuk mund të thotë që unë e falënderoj Allahun xh.sh. dhe bën zikër tërë ditën dhe kjo është e gjitha, assesi, një dijetarë e falënderon Allahun xh.sh. duke e ndarë diturinë e tij me të tjerët, duke u mundësuar që edhe të tjerët të ndriçohen me atë dije që Allahu xh.sh. atij ia ka dhënë si ni’met. Prandaj, Allahu xh.sh. thotë që ju t’i bëni ibadet, ta falënderoni, t’i përkushtoheni Zotit të kësaj shtëpie. Shtëpitë e Allahut xh.sh. metaforikisht ndahen varësisht nga madhësia, për shembull Gjithësia është Bejtullahi i të gjitha sistemeve tjera, toka është Bejtullahi i sistemit tonë diellorë, Qabeja e tokës është Bejtullahi, njeriu është një mikrokosmos dhe si qëështë Qabeja, toka brenda kësaj Gjithësie, në të njëjtën mënyrëështë edhe zemra e njeriut brenda trupit të njeriut. Shukri, falemnderimi, përkushtimi ndaj Allahut xh.sh. e pastron këtë element të njeriut dhe e bën atë me plotëkuptimin e fjalës njeri. “Ve amenehum min hauf” / “Jo vetëm që iu ngiu, por në të njëjtën kohë edhe iu bëj të sigurtë nga frika” edhe ky është një element shumë i rëndësishëm. Tash, për shembull, ne në këtë pjesë të botës kemi pak më pak probleme me urinë, ama një pjesë e botës ka më tepër probleme si që është Afrika, ama ne kemi pak më tepër probleme me frikën, (frika me modelet e ndryshme tësaj) ndash frikë prej luftërave, fatkeqësivee kështu me rradhë, ndash frikë prej mossigurisë ndaj vetvetes, humbjes së vetëbesimit, streseve, depresioneve të ndryshme. Allahu xh.sh. thotë “Une jam Ai që juve u bëj të sigurtë”. Më pyet një djalë një ditë: Profesor si ka mundësi ta largoj prej vetes hipokrizinë, dyftyrësinë të cilën nuk e dinë të tjerët, ama unë e di që e kam?” kjo është një anomali shumë e rrezikshme të cilën e ka njeriu dhe këtë anomali ato që janë të urritur nuk e kanë, ama ato që janë të ngimë, ato për ta ruajtur atë situatë të ngirjes së tyre, ata sillen me hipokrizi dhe dyftyrësi. Kjo ishte një pyetje shumë me vend e Allahu xh.sh. thotë “Unë juve ju bëj të sigurtë prej të gjitha frikave të cilat iu paraqiten juve në këtë botë”. Këtu te ne shpeshherë përdoret një fjalë, thonë që ndonjëherë ndonjë qengji mund t’i jepni të hajë sa të dojë, ama nëse ia hidhni një ujk aty afër, nuk shton ai qengji. Një pjesë e botës që nuk është e urritur e ka përreth vetes një ujk dhe brengat e brendshme të tij janë si ujku i cili e ha prej brenda atëdhe pandërprerë e shkatërron, nuk e le që të jetë i rehatshëm edhe pse pasuri ka në këtë botë. Pra, nëse do ta rrumbullaksojmë, sureja Kurejsh është sure e cila kërkon prej nesh që mos ta harrojmë Allahun xh.sh. atëherë kur jemi në rehati. Sureja Fil na tregon se Allahu xh.sh. ka mundësi nëse i përkushtohemi të na ndihmojë edhe kur jemi në të ngushtë nga aspekti i mbijetesës fizike, ama sureja Kurejsh neve na mëson se si duhet t’i përkushtohemi dhe t’i lutemi Allahut xh.sh. edhe atëherë kur jemi të rehatshëm. Mehmet Görmezi në një shkrim tij e ka theksuar këtë element: Ne dalngadalë jemi duke shpëtuar prej elementit të shfarosjes fizike të muslimanëve në botë, shumë vështirë më ka mundësi që dikush të merr një hap për shfarosjen fizike të muslimanëve në botë, vende vende bëhet ende sot e kësaj dite, ama në përgjithësi një gjë e tillë nuk mund të mendohet. Do ta lexoni Safahatin e Mehmet Akif Ersoj Pejanit, do ta shihni që në periudhën e viteve 1880-1890 muslimanët kanë qenë në krizë për shfarosje fizike. Në periudhën kur mongolët kanë ardhur prej lartë, kur Spanja ka kaluar në duart e krishterëve, muslimanët kanë pasur rrezik për shfarosje fizike në botë. Në Ballkan muslimanët për shembull në luftërat ballkanike, në Luftën e Parë Botërore kanë patur rrezik për shfarosje fizike edhe janë bërë gjenocide të mëdhaja edhe në Ballkan, mirëpo tash më kjo është e vështirë të ndodh për këtë periudhë që na vjen përpara. Kjo periudhë është periudha kur ne duhet pandërprerë ta përkujtojmë Li ilafi kurejsh-in, për shkak se kjo neve na përkujton t’i falemnderohemi Allahut xh.sh. atëherë kur jemi rehat. Besoni që nëse i krahasoni periudhat kur kemi qenë më në siklet dhe periudhën e tashme, besoni se në ato periudha më në siklet kemi qenë më musliman se sa tash. Periudha e rahatisë njeriun e relakson dhe e largon prej kujtimit të pandërprerë të Allahut xh.sh.. Edhe këtu Allahu xh.sh. i drejtohet kurejshëve të cilët kishin një mirëqenie dhe iu thotë që a mendoni se ju këtë mirëqenie e keni prej vetes. Ne e kishim një luftë të vockërr këtu, paramendoni në periudhën kur ishte lufta këtu njerëzit filluan të mos mendojnë më gjë tjetër përveç asaj se a do të mbeten të gjallë, pa marrë parasysh sa e vogël ishte lufta. Ajo periudhë kaloi edhe automatikisht u harru ajo punë, rahatia filloi njerëzit maksimalisht t’i largojë prej mendimit për këto realitete të cilat na paraqiten gjatë jetës.

Si përfundim mund të themi që Allahu xh.sh. duhet të përkujtohet, t’i bëhet ibadet, t’i falënderohet jo vetëm atëherë kur jemi në siklet, por më tepër ta përkujtojmë Atë kur kemi rahati, jo vetëm për ne, po edhe për gjeneratat e ardhshme, për shkak se feja ka sukses atëherë kur shëndërrohet në shprehi. Atëherë kur elementet fetare e përfitojnë dimensionin e shprehisë që nuk mund të rrini pa e bërë atë, kur falënnderimi ndaj Zotit e përfiton dimensionin e shprehisë që nuk mund të jetoni pa e bërë atë, atëherë ka sukses edhe për gjeneratat e ardhshme, atëherë kur bëhet tradicion, tradicion në atë kuptim kur bëhet një sjellje që do të kalojë prej një gjenerate në gjeneratën tjetër, do të jetë një urti e përhershme që do të bartet prej brezi në brez.
Sureja kurejsh neve sot dhe kurejshëve atëherë, u thotë ta dini dhe mos mendoni se tash keni këtë mirëqenie se ju jeni më të mençur se të Jemenit ose se ju jeni më të mençur se të Medines, po për shkak se Unë ua kam mundësuar këtë edhe atë ua kam mundësuar për shkak se e keni Bejtullahin aty, për shkak se e keni Pejgamberin aty, për shkak se aty ka ardhur Ibrahimi, Ismaili, Haxhereja dhe këto janë begati të cilat Unë ua kam dhënë juve si begati. Gjithnjë duhet ta falënderoni Allahun xh.sh. për këto begati të cilat ua ka dhënë. Faleminderit.