Sureja Fil
Miq të respektuar, sonte do të fillojmë me një sure të re dhe do të përpiqemi ta kuptojmë atë bashkërisht. Tek ne, në tasavvuf, ka një term “bashkimi i zemrave”, dhe ashtu siç të gjithë gjërat tjera të jetës janë në reciprocitet edhe të kuptuarit është në reciprocitet, edhe ai që flet edhe ato që dëgjojnë, bashkërisht i kuptojnë gjërat, për atë te ne nuk ka polemika për të mos u marrur vesh (munakasha), por te ne biseda kryesisht është përkujtim njëri tjetrit (mudhakere). Shpeshherë përkujtimi bëhet me fjalë, disa herë mund të bëhet edhe me heshtje. E keni vërejtur që ligjëruesit jo gjithëherë flasin njësoj, fizikisht ligjëruesi është i njejtë, i ka të gjitha elementet e njëjta, ama ndonjëherë përballë vetes kur ka një grup të njerëzve flet pak më mirë, kur ka një grup tjetër të njerëzve flet pak më ndryshe. Si rrjedhojë, përkujtimi nuk bëhet vetëm nëpërmjet të fjalëve, por mund të bëhet edhe nëpërmjet të heshtjes.
Ne sot do të bëjmë një mudhakere (përkujtim) të sures Fil (sureja dhjetë me rradhë që kur kemi filluar). Sonte ne nuk do të depërtojmë në analizën e sures Fil, por pak do të diskutojmë për fenomenin e kësaj sureje. Sureja Fil është një sure interesante, flet për një ngjarje e cila shumë më tepër nga dimensioni fizik i ka përmasat metafizike. Flet për një komandant ushtarak që quhet Ebreha i cili ka marrë një ushtri të fortë, të cilën e ka përforcuar edhe me elefantë të gjinisë më të madhe, me mamutë, dheme ato është nisur që ta shkatërrojë Qaben. Qëllimi i tij ka qenë që ta shkatërrojë Qaben si vend i cili u ka sjellë shumë të mira kurejshëve; ju kujtohet kur folëm për suren Kurejsh thamë që Allahu xh.sh. u thoshte atyre juve ju shpëtova prej Ebrehas dhe tash nuk keni dëshirë edhe këtë ta merrni parasysh që u kam mundësuar që të keni kontrata me dy shtete të rëndësishme që të bëni tregëti, do të thotë fizikisht u shpëtova prej Ebrehas dhe tash financiarisht u mbaj në këmbë, prandaj edhe duhet të më falënderoni mua. Do të thotë që Qabja/ Bejtullahi ishte vendi që i sillte mirëqenie botërore kurejshëve, por që i sillte edhe mirëqenie të Ahiretit, për shkak se ishte vend i ibadetit. Ebreha u nis me një ushtri që ta shkatërrojë Bejtullahin, mirëpo Allahu xh.sh. nuk e lejoi atë. Allahu xh.sh atij dhe ushtrisë së tij i dërgoi një lloj të shpezëve, të cilat janë të emërtuara si Ebabil. Komentatorët e Kur’anit nuk kanë konstatim të përpiktë se për çfarë zogjsh bëhet fjalë, vetëm se thonë që kanë qenë zogj që kanë patur madhësinë e lejlekëve, i kanë patur kthetrat e shqiponjave, sqepin e shqiponjave. Ata kur janë nisur që ta sulmojnë ushtrinë e Ebrehas, me vete kanë bartur nga tre gurë (dy në kthetra dhe një në sqep) të cilat i kanë lëshuar mbi elefantët dhe ushtrinë e Ebrehas. Në lidhje me këtë ngjarje ne do të flasim në javët e ardhshme inshallah se për çka bëhet fjalë, çka kuptojmë ne prej kësaj ngjarjeje. Mirëpo para se t’i hyjmë kësaj ngjarjeje duhet ta kemi të qartë se çka dëshiron Zoti të na sqarojë neve në Kur’anin Famëlartë nëpërmjet të një sureje të tillë, e cila nuk i drejtohet logjikës, racios por i drejtohet shpirtit (këtë njeriu vetëm mund ta besojë, nuk mund ta dijë) edhe argumentet të cilat përcillen deri tek ne nga aspekti historik janë të ndryshme (ata që lexojnë pak tefsir do ta shohin që edhe ngjarjet që na transmetohen në lidhje me çështjen e elefantëve të ushtrisë së Ebrehas janë shumë të ndryshme nga njëra tjetra). Allahu xh.sh. këtë e di, po neve na drejtohet me një ngjarje e cila shumë tepër nga ai fizik e ka dimensionin metafizik që neve të na tregojë diçka tjetër me siguri, jo të na tregojë se ai ka fuqi, ka mundësi ta shkatërrojë ushtrinë e Ebrehas, një ushtri për atë kohë jo shumë e rëndësishme, pasi Ebreha është një guvernator i Nexhashiut (mbreti i Etiopisë) në Jemen; por këtu sikur Allahu xh.sh. nëpërmjet sures Fil ka dëshirë të na tegojë neve diçka tjetër shumë të rëndësishme.
Para se të kaloj në këtë çështje , duhet të theksoj edhe diçka tjetër. Shekulli XIX dhe XX kanë ndikuar shumë që ngjarjet të cilat nuk hyjnë në kallëpin e logjikës tonë t’i përjashtojmë dhe mos t’i pranojmë fare. Ky është shumë rrezik i madh, për shkak se autoritet kryesor për vendosje në lidhje me realitetin, e kemi vendosur logjikën (kjo ndodh edhe te hoxhallarët); për shembull në të shumtën e rasteve njerëz të cilët nuk kanë formacion teologjik, një pjesë të madhe të dijetarëve të cilët ne i kemi te ne nuk kanë formacion të nevojshëm shkencor. Nuk mund të folni për një çështje e cila është fetare me logjikën tuaj, përderisa nuk i dini të gjitha tekstet të cilat flasin për atë ngjarje dhe që janë të transmetuara deri tek ne. Këtë nuk mund ta bëni për shkak se një qasje e tillë nuk është shkencore. Nuk tolerohet që intelektualizmi fetar të shprehet vetëm me fjalët: “Unë mendoj se kështu është”? Po nëse ka menduar edhe para teje dikush, domethënë ti nuk je i pari që mendon, dikush ka menduar në një mënyrë, dikush tjetër i ka dhënë përgjigje atij. Nëse nuk je i udhëzuar dhe nuk i ke të njohura këto çështje, atëherë nuk ke mundësi të mendosh drejtë, nuk është shkencore, e them unë, se ti mund të mendosh si të duash. Kjo është çështje shumë delikate dhe nuk guxojmë të veprojmë në këtë mënyrë, që logjikën tonë ta vendosim në platformën më të lartë dhe, në këtë rast për shembull, ajetet e Kur’anit, suren Fil ta analizojmë vetëm në bazë të kritereve të logjikës së drejtë pa u thelluar fare në trashëgiminë letrare, kulturore dhe metafizike të saj. Nëse suren Fil e vendosim në kriteret e logjikës, të kësaj mendjeje që është diskursive, atëherë të jeni të sigurtë se mendja nuk do ta pranojë, edhe ka të drejtë mos e pranojë; pyetje të shumta të paqarta për logjikën: me çfarë gurëz gjuajtën ebabilët, kush i çoi ata, pse sot nuk ka zogj të tillë, si ndodhi që u shkrinë elefantët? Pra kjo punë është kundër ligjeve të fizikës që ne kemi mundësi t’i përkapim, domethënë mentaliteti i cili nuk e pranon Ebabilin, nuk e pranon edhe ndëshkimin e varrit. Nuk ka dyshim se Allahu xh.sh. nëpërmjet të disa ajeteve të Kur’anit e provon edhe përkushtimin e njeriut ndaj Allahut xh.sh.. Ne për ngjarjet e të kaluarës njohtohemi në dy mënyra.Mënyra e parë është nëpërmjet të haber mutevatir, lajm i cili në çdo gjeneratë përcillet nga një numër i madh i njerëzve që s’kanë mundësi të bashkohen në gënjeshtër, për shembull, në një gjeneratë përcillet nga 5000 vetë, në grupin tjetër përsëri 5000 vetë e kështu me rradhë. Për shembull ekzistenca e Greqisë së vjetër të themi, ne nuk e kemi parë Greqinë e vjetër ama kryesisht prej gjenerate në gjeneratë kemi informata prej grupit të madh të njerëzve që nuk kanë mundësi të bashkohen në gënjeshtër për ekzistencën e një qytetërimi dhe qytetërimi grek. Mënyra e dytë është haber sadik / lajm i vërtetë, lajm të cillin e sjell Pejgamberi.
Njeriu bashkëkohorë lajmit të Pejgamberit i ka ikur t’i besojë, pozitivizmi nuk ka pranuar t’i besojë lajmit të Pejgamberit. Është në gjendje që të pranojë lajmin e një grupi të njerëzve të cilët janë prej popullatës së thjeshtë, mirëpo mos ta pranojë lajmin e Pejgamberit edhe pse pa lajmin e Pejgamberit (ja unë po u them juve) ne nuk nuk do të kishim njohuri për periudhën parahistorike. E vetmja njohuri që ne e marrim për periudhën parahistorike është lajmi i Pejgamberit, është Tevrati, Inxhili, Kur’ani. Tash për shembull bëhen hulumtime arkeologjike, po mirë hulumtimet arkeologjike ku janë bërë? Pjesët në të cilët bëhen hulumtime arkeologjike janë tëpërcaktuara nga ana e shpalljes. Për shembull, Kur’ani, në trajtë metaforike, në disa vende, na e tërheq kujdesin për vendet në të cilat kanë ndodhur ngjarjet. Për shembull thotë anija e Nuhit a.s. u ndal në kodrën Xhudij; Ose për shembull thotë Musai a.s. u nda prej mikut të vet në mexhmeal bahrejn / në mes të dy detrave (ku bashkohen dy detra) dhe automatikisht në një mënyrë shpallja ka inicuar që njeriu të fillojë të analizojë ku ka ndodhur kjo. Pra, përcaktuesi, diagnostifikuesi i vendeve të cilat duhet të analizohen, prej periudhës parahistorike,është Kur’ani dhe lajmin e vërtetë në të gjitha aspektet e marrim prej shpalljes. Periudha bashkëkohore ka ndikuar që ne të mendojmë se shpallja na e sjell vetëm frymën e shpirtit, e ibadetit. Nuk është kështu. Shpallja neve na e sjell edhe frymën e dijes (këtu e kam fjalën). Do të thotë lajmi i cili vjen nga ana e shpalljes nuk është element vetëm i besimit, por është edhe element i dijes, është element në bazë të cilit ne konstatojmë se kjo ngjarje ka ndodhur.
Ka dy ajete kuranore të cilat neve na e sqarojnë këtë. Njëri ajet kuranor është “Fe nefahtu fihi min ruhi fekau lehu saxhidin” / “Unë i fryna prej shpirtit tim njeriut dhe pastaj iu thash melekëve që t’i bëjnë sexhde atij” thotë Allahu xh.sh.; kjo frymë është e fryma e fesë, asaj që i besojmë ne, ndërsa në një ajet tjetër thotë “Ve alleme ademe’l esmae kulleha…” / “Ne Ademit ia mësuam emrat në tërësi”. Do të thotë që Allahu xh.sh. në dy mënyra kontakton me njeriun: kontakton nëpërmjet të intelektit dhe kontakton nëpërmjet të shpirtit. Ajetet kuranore nuk i drejtohen vetëm intelektit, po i drejtohen edhe shpirtit, mirëpo informatat që i jep ajeti kuranor janë valide edhe për intelektin edhe për shpirtin e njeriut. Ky është një kontekst filozofik të cilin nuk mund ta hasin në asnjë libër tjetër. Shikoni, në suren Fil nuk flet vetëm për ngjarjen në trajtë të përrallës ose tregimit. Merreni analizojeni dhe shihni cilin tregim Kur’ani e fillon dhe e përfundon vetëm si tregim, asnjë tregim, që domethënë se krejt tregimet i ka pjesë-pjesë, prej të cilave dalin mesazhe të caktuara. Ne, ngjarjen e Hz.Jusufit, e dini, që nuk mund ta mësojmë në detaje prej Kur’anit, domethënë është e pamundur që ta bëjmë një film me Hz.Jusufin vetëm prej ajeteve të Kur’anit. Pra, pa e konsultuar Tevratin dhe i Inxhilin ne nuk mund ta zhvillojmë tregimin, për shkak se ka detaje që nuk përmenden në Kur’an. Për shembull Kur’ani nuk flet për relacionet të cilat i ka pas Jakubi a.s. me zonjën e tij, me vëllezërit e Jusufit a.s., se ato e kanë xhelozuar njëri tjetrin, Kur’ani nuk flet për këto në detaje; Kur’ani flet që e morën vëllezërit dhe e hodhën në pus dhe erdhi një karavan e nxjeri nga pusi, e çoi në Egjipt, atje gruaja e udhëheqësit (aziz), prej Tevratit e marrim vesh që ky ka qenë prefekti i Kajros, dhe kështu me rradhë. Domëthënë qëllimi i Kur’anit nuk është që neve të na tregojë hiqaje / tregime, po është që të na tregojë se mesazhi i Zotit nuk i drejtohet vetëm intelektit, po i drejtohet edhe shpirtit. A i vutë re që nëntë suret deri këtu kryesisht i drejtoheshin intelektit njerëzor. Krejt këto sure janë të zbritura në Mekë (suret për të cilat folëm deri tash) edhe sureja Fil i ka zbritur Pejgamberit a.s. në Mekë, por si duket prej te kjo sure Allahu xh.sh. thotë që ngadalë tash, kjo punë nuk kryhet vetëm me këtë. Po pse pjesa dërmuese e Kur’anit është e koncentruar në dimensionin fizik? Shpeshherë në këtë çështje akuzohet edhe tasavvufi. Për shembull, një fjalë e ka thënë Imam Xhunejd el Bagdadi, e ka thënë Muhjddin Ibni Arabiu, po a nuk mundeshte ta thotë Pejgamberi a.s.?Shpesh përballemi me pyetje dhe dilema të tilla. Periudha e Pejgamberit a.s., nëse analizohet mirë, është një periudhë në të cilën feja kishte botëkuptimin e bestytnisë, e kishte botëkuptimin e besimeve të kota. Besimet e kota armik më të madh e kanë intelektin. Si pasojë Kur’ani në fillim është përqëndruar në çrrënjosjen e tyre dhe kthimin e njerëzve në analizë të besimeve të kota të tyre. Pra, bestytnitë element kryesorë e kanë intelektin, me atë konfrontohen. Edhe Kur’ani është muxhize aklije, është mrekulli e jashtëzakonshme intelektuale që i ka ardhur Pejgamberit s.a.v.s., mirë ama nëse nëntë sure ka që i drejtohen intelektit, ka një sure e cila i tejkalon këto kufijtë dhe neve na tregon që nuk kryhet puna vetëm me këtë. Hz.Mevlana e tregon një rast, thotë ai: një herë disa milingona dhe insekte të tjera në dyshemenë e një shtëpie, përderisa pronari i asaj shtëpie dëshironte ta prish atë shtëpi prej jasht, bisedonin në mes vete se si është bërë ajo shtëpi, a është bërë vetvetiu, a e ka bërë dikush, pse kjo dërrasë është këtu, pse ai murri atje? Ndërsa pronari i ka shikuar prej jashtë dhe ka qeshur, pasi ai e ka ditur të tërën. Edhe ne kur flasim në këtë mënyrë ndoshta Allahu xh.sh. (la teshbih) metaforikisht ta them, e vë buzën në gaz me ne, por ama ne patjetër e kemi kështu ta diskutojmë çështjen që të arrijmë deri te e vërteta, ky është ligji të cilin Allahu xh.sh. e kërkon prej nesh.
Pse, për shembull, ajeti i parë me të cilin i drejtohet Allahu xh.sh. Pejgamberit a.s. është “Ikre/ Lexo” ? Nëse njëri është analfabet, a do të thotë se është pabesimtar? Nuk është, por pse thotë “Lexo”, atëherë ajeti i parë? Pse nuk thotë“Beso” ajeti i parë? Qëllimi i ajetit të parëme “Lexo” është që njeriut t’i tregojë se rruga e vërtetë e besimit, kalon nëpërmjet intelektit. Metoda e cila ty do të çojë deri te besimi i vërtetë në Allahun xh.sh. është metoda intelektuale. Më pas vazhdon “…bismi rabbikelledhi halek” / “Lexo në emrë të Zotit i cili ka krijuar” automatikisht çështja e krijimit është çështje që logjika e njeriut nuk mund ta pranojë. Si e ka krijuar njeriun, si i ka krijuar gjallesat Allahu xh.sh.? Edhe kjo është një informatë të cilën e marrim prej Zotit ne. Për shembull në Kur’an thuhet: “Inne methele isa indallahi ke metheli ademe halekahu min turabin thumme kale lehu kun fejekun”. Pra, thotë që mund të mendoni sa të doni, por ama nuk mund ta rrokni elementin e vërtet. Kur i kanë thënë Pejgamberit a.s. si e krijoi Isain a.s. pa babë vetëm me nënë, ajeti kuranor thotë“shembulli i Isait është si shembull i Ademit, atë e krijoi Allahu xh.sh. prej dheut dhe pastaj i tha bëhu dhe ai u bë.
Çështja e ebabilit, e atyre zogjve që i kanë mbajtur gurët me kthetra dhe qëi kanë shkatërruar elefantët dhe çështja e bëhu/s, janë elemente që i drejtohen shpirtit të njeriut; pa pasur shpirt, nuk kuptohet ebabili, pa u kuptuar ebabili, nuk ka fé. Konteksti i nëntë sureve deri tash është kontekst i rrugës, ndërsa konteksti i Filit, i ebabilit është konstekst i cakut. Pra nuk mjafton ta dishë rrugën dhe të mos ecësh në atë rrugë. Edhe Allahu xh.sh. thotë që çdo gjë në Gjithësi, duhet të të bartin në një platformë, në të cilën do të thuash: “Prit tash,ngadalë, ky është Zoti dhe pas kësaj më nuk ka kthim, çka të thotë Ai , ajo është ligj. Të thotë që Unë i kam çuar zogjtë të cilët kanë patur nga një gurë edhe kur e kanë lëshuar atë gurë mbi elefantin e ka shkrirë elefantin. Kjo është e vërtetë për shkak se e thotë Allahu xh.sh.. Nëse thua që mendja mua nuk ma merr se e ka shkrirë elefantin, atëherë ky është problemi: cilin kontekst do ta vendosësh si çështje elementare për ta konstatuar diçka. Me çka do ta masësh? Do ta masësh me shpalljen apo do ta masësh me logjikën, domethënë, a do ta vendosësh si element absolut shpalljen ose do ta vendosësh logjikën; a do të jetë shpallja shërbetore e logjikës ose do të jetë logjika shërbetore e shpalljes. Në besim, logjika është shërbetore e shpalljes. Nëse postullatet i vendos logjika, atëherë shpallja modifikohet sipas individit. Ka edhe një traditë intelektuale, fetare, e cila ka ardhur deri në ditë të sodit, të cilës assesi nuk kemi mundësi t’ia kthejmë shpinën ne. Kjo është tradita e autoritetit dhe respektit ndaj dijes dhe dijetarit. Nëse e krahasoni relacionin ndërmejt dijetarit dhe popullsisë në të kaluarën dhe tash do ta shihni që ka dallim të madh. Periudha e fundit e ka larguar në tërësi respektin ndaj autoriteti të dijes dhe në një mënyrë na ka profanizuar të gjithëve. Duhet ta kemi të qartë se fetarësia arrihet atëherë kur vendoset autoriteti. Pejgamberi a.s. është një autoritet dhe duhet të respektohet. Nëse thua që edhe ai është njeri si unë, atëherë humbet rruga. Tasavvufi ka një dallim prej të gjitha mendësive tjera fetare (këtë mbajeni në mend), në tasavvuf dija është e stolisur me ibadet; çdo dije të cilën do ta merrni, juve që nuk do t’ua shtojë ibadetin, nuk do t’ua shtojë kujdesin ndaj urdhërave të Allahut xh.sh. është dije e rrezikshme, për shkak se ajo i shërben unit, ajo shërben për tu lavdëruar me të.
Analizuar nga spektri i sodit çfarë simbolike ka në suren Fil? Sa i përket kohës së Pejgamberit Pejgamberit a.s. është fakt qëna flet për një ngjarje, nëpërmjet të cilës Allahu xh.sh. dëshiron të tregojë që Ai është autoritet, i cili nuk mund të futet në dyshim. Nga aspekti i sodit, sureja Fil na tregon se edhe sot, të gjithë njerëzit, sado që janë të mëdhenj, ata që e sulmojnë shtëpinë e Zotit, shtëpia e Zotit është zemra e njeriut, zemra e njeriut është metaforë e të mirës, sado të fortë të jenë ata që e sulmojnë të mirën, ata do t’i shkrijë Allahu xh.sh.. Ushtria e Ebrehas është metaforë për të gjitha dinastitë dhe perandoritë, të cilat kanë qenë dhe janë, atëherë kur kanë filluar mos t’i shërbejnë të mirës, atëherë janë shkrirë si elefantët e Ebrehas. Edhe tash, po posaçërisht në shekujjt XVII, XVIII, XIX bota ka pas një entuziazëm të madh në lidhje me shkencën dhe bereqetin e atij entuziazmi ne jemi duke e përjetuar tash, ndërsa periudha e shekullit XX është periudhë në të cilën, ky element, ky entuziazëm, ky ekzaltim, ky ngazëllim shkencorë, ka filluar të zëvendësohet me interes personal dhe ky interes personal, ka filluar ta rrezikojë gjininë njerëzore dhe ne tash jemi të rrezikuar prej vetvetes për shkak se çdo gjë që prodhojmë, nuk i shërben të mirës. E vetmja mënyrë e cila neve do të na afrojë me të mirën (edhe për fenë jam duke folur, edhe për fetarësinë, edhe për shkencën fetare), është elementi i përkushtimit shpirtëror dhe i pranimit të autoritetit absolut të Allahut xh.sh.. Ne, merret vesh që nuk kemi mundësi të pranojmë autoritet absolut përveç Allahut xh.sh. dhe pejgamberit a.s. në këtë botë, por na nevojiten njerëz që do të na e shtrojnë rrugën e metafizikës me kalldrëm të shëndoshë. Shpeshherë përdoret një frazeologji shumë e lirë që thonë “Pse a na duhet ndërmjetësues neve me Allahun?”. Nuk bëhet fjalë për ndërmjetësues, po bëhet fjalë për dy elemente të cilat nuk janë të të njëjtës gjini. Sikur të mos ishte kështu, nuk do të dërgonte Pejgamber Allahu xh.sh..
Ai neve, në të gjitha gjërat tjera, na e ka dhënë shembullin se na nevojitet autoriteti që duhet ta ndjekim. Për shembull, ne kemi dëshirë ta ndërtojmë shtëpinë, por nuk jemi mjeshtër, duhet ta gjejmë një mjeshtër që ta ndërtojë shtëpinë; ne kemi dhimbje të këmbëve dhe nuk mund ta shërojmë atë, ka mjeshtër që është për atë punë; domethënë edhe për ato punë që ne tash shumë u japim rëndësi nga aspekti fizik, biologjik edhe për ato Allahu xh.sh. thotë që duhet ta gjesh njeriun i cili duhet të të ndihmojë, që të kesh sukses dhe të të kryhet puna. Pra, ndjekja e personit të mirë dhe të ndritur, që posaçërisht tasavvufi dhe tarikati e potencon me të madhe, është e vetmja mënyrë e shpëtimit të njerëzimit. Në këtë rrugë ka edhe gjemba, nuk janë krejt trëndafila, ama kush nuk ia duron sikletin gjembit, nuk mund t’ia merr erën trëndafilit, për të marrë erë prej trëndafilit, duhet të shpohemi diku nëpër gjemba. Nëse feja është e rëndësishme, më e rëndëishme se paraja, atëherë të paktën aq sa lodhemi për paranë, duhet të lodhemi edhe për fenë. Kjo nuk është utopi, po kjo është mënyrë e mendimit që ne e kemi harruar. Njeriu për fat të keq ka harruar të mendojë kështu. Ne në 90% të rasteve kur mendojmë për fenë, mendojmë për organizimin botërorë të fesë, shumë pak mendojmë për shpirtërinë fetare, për botën tjetër. Ju dëgjoni ligjerata kudo, shumica e juve keni qenë studentë, një pjesë e madhe dëgjoni ligjerata nëpër xhami, ku është e koncentruar feja tash? Është e koncetruar në organizimin botëror të fesë. Qëllimi parësor i fesë nuk është ky, qëllimi parësor i fesë është që njeriut t’ia jep lumturinë e përhershme dhe kjo arrihet me koncentrimin në rrugën për botën tjetër, jo për këtë botë. S’ka fjalë që edhe kjo botë duhet të jetë e rregulluar, se personi i cili e ka botën tjetër të rregulluar, e ka edhe këtë botë të rregulluar, ashtu duhet të jetë, kjo botë është pasqyrë se si personi do të duket në botën tjetër, mirëpo qëllimi dhe caku final duhet të jetë mirëqenia e amshueshme.
Pra sureja Fil, është një mesazh për ne se fetarësi e vërtetë, arrihet atëherë kur e tejkalojmë rrugën e argumentimit/tahkik dhe konstatojmë që Zot ka. Konstatuam që ne duhet të jemi besimtarë dhe pas kësaj çdo gjë çka vjen prej andej, ne duhet t’ia hapim derën. Përderisa nuk ia hapim derën, atëherë kemi problem me fenomenin e besimit edhe me jetën tonë. Faleminderit.