Filozofia pereniale dhe tradicionalizmi në epokën moderne

Teksti diskuton idenë e filozofisë pereniale dhe pasqyrimet  terminologjike, kohore dhe hapësinore të saj  në botë. Duke filluar prej ditëve të para të jetës në këtë botë,  njeriu është përpjekur të gjejë rrugën më të mirë të përkapjes, përjetimit dhe emocionimit me Fuqinë Krijuese. Tradita e përgjithshme mendore dhe reveluese e historisë njerëzore është dëshmitare e shumë rrymave të cilat  janë përpjekur që t’i shërbejnë kësaj përvoje. Filozofia pereniale,  edhe pse si term paraqitet vonë,  në shekujt  XVI dhe XVII,  si ide ka ekzistuar pothuajse në të gjitha traditat spirituale religjioze dhe filozofike. Pothuajse të gjithë filozofët muslimanë e kanë diskutuar, disa prej tyre e kanë pasur bosht të filozofisë së tyre urtinë primordiale (hikmet-i halide),  e që është komponentë kryesore e perennis-it. Në vitet e para të shekullit XX ideja pereniale dhe kritika e racionalizmit të pastër kanë qenë mendim qendror në veprat dhe idetë e Rene Guenonit,  prej të cilit më vonë do të ndikohen Frithjof Schuoni, Titus Bruckhardti, Seyyed Hossein Nasri etj. Sot në të katër anët e botës diskutohen dhe përkthehen veprat e perenialistëve dhe ka një aktivitet të bujshëm të intelektualizmit ihsani. Ky tekst është një pikë uji në oqeanin perenial të gjithmbarshëm,  por që ka përmasën e gjuhës shqipe,  në të cilën kjo ide pothuajse është e panjohur.