Globalizmi-në dobi apo në dëm të njeriut

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (Huxhurat, 13)

Mr. Qani Nesimi

Historia e njerëzimit, e cila është e bazuar në burimet me të dhëna më të vjetëra historike siç është Kur’ani, Bibla, Libri i të Vdekurve në Egjipt, arkeologjia dhe disa tekste të zbuluara si ato të Tag Hammadit, Kumran etj., na mëson se gjatë historisë njeriu, I cili gjithmonë nëpërmjet të të dërguarve/pejgamberëve, apo nëpërmjet të meditimit ka qenë në dialog me Krijuesin e vet, gjegjësisht me Zotin, dhe se ai ka përjetuar momente të ndryshme të ndryshimit, zhvillimit, përmirësimit apo të keqësimit të gjendjes së tij. Kështu që, për t’i shprehur këto gjendje apo faza nëpër të cilat ka kaluar njeriu përdoren shprehjet si primitiv, modern, agresiv, tiran, i drejtë, i prapambetur, i avancuar, pagan, monoteist etj. e etj. Vetëm se, këto shprehje s’janë asgjë tjetër veç se rezultat i punës, i veprës së njeriut. Kurse Zoti njeriut gjithmonë ia ka bërë me dije se gjithçka që është e krijuar është krijuar për të, të cilën ai është I obliguar ta përdor vetëm për të mirën e tij, për të mirën e rrethit ku ai jeton dhe për të mirën e mbarë njerëzimit, I cili njëherit ka qenë edhe vullneti I Zotit. Por, kur njeriu është shprehur kundër këtij vullneti atëherë ai bie ndesh me dëshirën e Zotit. Ky konfrontim I dëshirës së krijesës me të Krijuesit daton nga koha kur Djalli/Shejtani I mallkuar, I cili I pari refuzoi që të çojë në vend urdhërin e Zotit, edhe atë duke thënë se është më I mirë se njeriu, gjegjësisht me këtë lind edhe ideja “unë” apo “ne” dhe ”të tjerët”, ose “unë” apo “ne” të përparuarit, më të mirët, të zgjedhurit dhe “ata” të prapambeturit, më të këqinjtë, të cilët janë të dorës së dytë.[1] Kjo teori më vonë ka marrë forma të ndryshme siç është rasti te grekët e vjetër te të cilët me të njëjtin kuptim është përdorur fjala barbaros-i huaji, gjegjësisht njeri I egër, I pakulturuar etj.[2] Edhe Huntington shprehet ngjashëm kur në librin e tij “Clash of Civilization” (Përplasje qytetërimesh) përmend fjalën e njohur të tij West and Rest (Perëndimi dhe të tjerët), gjegjësisht “ne” dhe “ata”, apo ne të përparuarit dhe ata të prapambeturit. Sipas këtij përjashtimi kategorik, thelbi dhe përmbajtja e “të tjerëve” paraqesin një variabël (vlerë jokonstante) pasiv, kurse ato të “Perëndimit” një variabël absolut dhe aktiv. Për këtë arsye pa dhënien e një propozicioni të përgjithshëm në lidhje me “Perëndimin”, është I pamudshëm përkufizimi I “të tjerëve”.[3] Kjo është një teori e cila edhe sot dominon në botë, qoftë në aspektin politik, kulturor, fetar apo atë ekonomik. Kështu pra, mendoj se, edhe në lidhje me globalizmin kemi të bëjmë me të njëjtën teori. Por para së gjithash të shohim se ç’është dhe çfarë kuptojmë me fjalën globalizëm, gjegjësisht çfarë dëshirohet të shprehet me anë të globalizmit.

Fjala “Globalizëm” (Globalization), është njëra prej fjalëve më të përdorura që nga vitet 1980 e këndej. Shprehja “Fshati global” u bë e njohur me botimin e veprës së M. McLuhan-it e titulluar Understanding Media/Të kuptuarit e Medias (Routledge, London 1964), në të cilën vepër autori flet për zvogëlimin e botës tonë, që është rezultat I zhvillimit teknologjik dhe mediatik. Ndërkaq globalizmi, në bazë të kuptimin me të cilin sot përdoret është një term I ri, edhe pse një pjesë e elementeve në zhvillimin e tij apo një pjesë e fenomeneve që ai I simbolizon janë të vjetëra sa edhe vetë historia e njerëzimit. Ky term është i lidhur ngushtë edhe me termat “Univerzalizëm”, “Modernizëm” dhe terma tjerë të ngjashëm.[4]

Edhe pse globalizmi është një term për të cilin është shumë vështirë që të jepet një definicion decid, “efradini xhami’ agyarini mani”, që do të thotë definicioni I dhënë të përfshijë të gjitha elementet përbërëse të tij e të përjashtoj të gjitha elementet që nuk I takojnë atij, prapëseprapë dijetarët dhe shkenctarët janë munduar që të japin definicione të ndryshme dhe të bëjnë përshkrime të ndryshme të tij. Kështu që, kur të shiqohet në aspektin gjeneral globalizmi paraqet një proçes ekonomik, një kapital, një shërbim I cili I tejkalon kufijt e mundësive teknologjike dhe shkencore dhe I cili është një proçes mjaft I përzier, I ngatërruar, I tollovitur, me batica dhe zbatica, ndonjëherë edhe kontradiktor, rezultatet e të cilit, qofshin ato pozitive apo negative, nuk mund që të definohen në mënyrë decide. Një zhvillim I këtillë, krahas që na ofron shumë mundësi të reja, ai na çpikë edhe me qindra probleme të reja me të cilat duhet të ballafaqohemi.[5]

Ata të cilët globalizmin e vlerësojnë si një zhvillim pozitiv parimet kryesore të tij I grumbullojnë në tituj kryesorë si sekularizëm, demokraci liberale, ekonomi e lirë dhe shteti ligjor e kushtetues. Kurse disa të tjerë të njëjtën mundohen ta shprehin duke u nisur nga një trinitet edhe atë, në aspektin ligjor e vlerësojnë si një revolucion “për të drejtat e njeriut”, në aspektin politik si një demokraci liberale, ndërkaq në aspektin ekonomik si një ekomoni të lirë dhe me një rivalitet në prodhim.[6]

Pra në këtë rast me globalizmin duhet të kuptojmë synimin për  transformimin e botës në një ekonomi të vetme, në një politikë të tërësishme dhe të përbashkët dhe në një jetë etike ku njeriu, pa marë parasysh vendin, do të ndjehet I lirë për të menduar, vepruar dhe besuar, por përsëri këtë e realizon në bazë të një kulture, tradite dhe besimi të caktuar pas së cilës, mendoj se, fshihet një kolonizim i ri, gjegjësisht një planifikim strategjik. Dhe këtë mundohet ta arrijë me përhapjen e informacionit në çdo skaj të botës, me zhdukjen graduale të kufijve për lëvizje të lirë të transportit të prodhimeve, shërbimeve, individëve, mendimeve, të dhënave, parave, format e veshjeve dhe të sjelljeve, etikës, kulturës etj.

Globalizmi peretndon dy fakte shumë me rëndësi. E para, ai dëshiron që edhe politikisht, edhe ekonomikisht, edhe në aspektin social të dominojë ndikueshëm në tërë botën. Kurse e dyta, globalizmi pretendon të shtojë ndikimin dhe varësinë dhe lidhjen reciproke në dhe mes shteteve dhe shoqërive në tërë botën. Varësia reciproke, e cila ritet bashkë me globalizmin, vazhdon kontinuitativisht që jetën e çdo njërit ta bëjë edhe më të varur prej vendimeve dhe lajmeve që vijnë aq largë sa që njeriu nuk ka mundësi që në një mënyrë tjetër t’i posedojë ato pranë vetes. Po bile edhe në fillim të shekullit XXI edhe shtetet më të përparuara dhe më të fuqishme ishin të detyruara të ballafaqohen me nevojën e varësisë reciproke. Shtetet nacionale, që në bazë janë shtete me kufij të caktuar, janë të detyruara të ballafaqohen me ndikimin pa kufij të teknologjisë së komunikimit, të qarkullimit të banorëve, të acarimeve dhe të konflikteve rajonale, shoqatave/organizatave multinacionale dhe të problemeve të tjera ekonomike.[7]

Një definicion tjetër në lidhje me globalizmin vijon si më poshtë:

Globalizmi është një term I përgjithshëm që shpreh ndërvarësinë në rritje të shoqërisë botërore. Do të ishte gabim, thotë Anthony Giddens, që “globalizmi të konsiderohej thjesht si një proçes I forcimit të unitetit botëror. Globalizmi I marrëdhënieve sociale duhet kuptuar para së gjithash si një risistemim I kohës dhe I hapësirës në jetën sociale. Me fjalë tjera jeta jonë është gjithnjë e më tepër nën ndikimin e ngjarjeve që ndodhin mjaft larg prej kuadrit social ku ne kryejmë veprimtaritë e përgjithshme. Me gjithë zhvillimin e sotëm të vrullshëm, globalizmi nuk është kurrsesi një proçes krejt I ri. Ai daton që prej dy ose tri shekujsh më parë kur filloi të shtrihej ndikimi perëndimor në botë (gjegjësisht kur filloi kolonizimi I botës nga ana e perëndimit-Q. N.)”.[8]

Përveç kësaj, kemi edhe definicione tjera të bëra në lidhje me globalizmin si, Roland Robertson thotë se, globalizëm do të thotë ngushtim I botës dhe rritje e vetëdijes se ajo është një tërësi. Kurse Malcolm Waters shprehet kështu: globalizmi është një proçes I zhdukjes së kufijve gjeografik në rregullimin shoqëror dhe kulturor.[9]

Ndërkaq Prof. Dr. Mehmet Aydin, një intelekltual I botës islame I rangut botëror, globalizmit i bën një qasje trodimensionale, edhe atë dimensioni ekonomik, dimensioni politik e juridik dhe dimensioni kulturor. Në globalizëm, thotë prof. Aydin, proçesi ekonomik është njëri prej proçeve kryesore, pasi që ky proçes me vete sjellë edhe një background të zhvilluar informacioni dhe një teknologji të lartë. Poashtu proçesi ekonomik I globalizmit, që pretendon një ekonomi pa kufij dhe një jetë ekonomike mbinacionale, si përfundim ndikon në tërë jetën shoqërore. Kurse pretendimet kryesore të atyre që kundërshtojnë globalizmin, sipas prof. Aydinit, janë me sa vijon:

-Globalizmi ndjek një rrugë diktatoriale të një lloji kapitali dhe të patronëve, të cilët fitimin e shohin si vlerë kryesore, harxhimin si një ibadet kurse njerëzit I llogaritin si klient/mushteri.

-Globalizmi, bashkë me dobësimin e konceptit të një shteti të përparuar social, dobëson edhe ndjenjën e përgjegjësisë sociale.

-Aktorët e globalizmit ekonomik lojën e tyre dëshirojnë ta luajnë aq të madhe, sa që nuk kanë kohë të mendojnë se kjo lojë çfarë do t’i sjellë shoqërisë së gjerë njerëzore.

-Pretendohet se globalizimi është një proçes që nuk mund t’i dilet përpara dhe që nuk mund të pengohet. Nëse ky pretendim është I vërtet, atëherë do të thotë se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se çdo njëri duhet t’I përulet atij sistemi. Që do të thotë se njeriu nuk ka të drejtë fjale dhe vetvendosjeje, përndryshe ballafaqohet me fjalën, “mos kundërshtoni se ju shkelim”.

-Ekonomia e globalizuar, sipas disa teologëve, përgatit një sekularizëm të dëmshëm për ndjenjën fetare dhe moralin, pasi që forca shpirtërore në këtë rast është e bllokuar. Vetëm se, nuk duhet haruar që aksionet/veprimet globale, mund të krijojnë edhe plagë të mëdha etike.

Çdo sistem ekonomik parasheh edhe një rregull politik të përshtatshëm për vete. Për shembull, ekonomia e lirë e bën të nevojshme edhe një strukturë politike liberale apo neo-liberale. Një kritikë që I bëhet këtij lloj proçesi të globalizimit është në lidhje me dobësimin gradual që I bën ai fuqisë së shtetit nacional/kombëtar. Kurse, prof. Aydin thotë se, shtetet nacionale nuk kanë pse të frikësohen nga globalizmi. Ndërkaq acarimet që do të lindin në fushën sociale dhe politike duhet pranuar si normale, sepse kjo gjendje në historinë e njerëzimit është një fazë. Si në çdo fazë, ashtu edhe në këtë fazë ekzistojnë vështirësi, acarime, depresione, demoralizime, shpresa hiç të papëlqyeshme. Kurse globalizmi në vete nuk është as satanik e as hyjnor.[10]

Kurse dimensioni I tretë është dimensioni kulturor, sipas të cilit shkohet drejt formimit të një “kulture botërore”, gjegjësisht të një “kulture globale”. Vetëm se, këtu nuk globalizohen kulturat botërore, por globalizohen kultura të caktuara, në fund të të cilit proçes nuk fitojmë një pluralizëm kulturor, por një hegjemonizëm kulturor, apo del në shesh një lloj imperializmi kulturor.[11]

Një çështje tjetër serioze në lidhje me globalizimin është se a është me të vërtet globalizmi globalizëm, apo është glokalizëm, që do të thotë globalizim i lokalizmit?

Erik Swyngedouw për të definuar fuqinë e globalizimit dhe të lokalizimit çpiku një term mjaft magjeps, glokalizmin. Ai pretendon se globalizimi dhe lokalizimi nuk janë dy proçese, por ato më tepër e formësojnë njëra tjetrën (mutually constitutive). Gjithashtu edhe Strassoldo i ka shprehur mendimet e tij në lidhje me idenë e globalizimit dhe të lokalizimit. Ai thotë se globalizimi dhe lokalizimi bashkëveprojnë në shkatërrimin e shtetit nacional/kombëtar.[12] Kështu që aktorët e fuqishëm të fushës politike dhe socio-kulturore, si rrugë të vetme  për të dalë në krye me zhvillimin teknik dhe ekonomik në aspektin e globalizimit synojnë globalizimin e asaj që është lokale.

Një ndikim tjetër me rëndësi I globalizmit, I cili shpreh edhe një dobësi në proçesin e globalizimit, është politizimi dhe plasja/shpalosja e disa subjektivizmave/e disa egove të  cilave ua  mundëson të posedojnë ndjenjën e “të qenurit ndryshe/diç tjetër” apo “të llogariturit/të lavdëruarit e vetvetes”. Ndjenjë kjo e cila njeriun e tillë e detyron që të kërkojë respekt nga të tjerët dhe ta mendoj veten në një statut të veçant dhe krejtësisht tjetër nga të tjerët.[13]

Në këtë proçes të gobalizimit, me dëshirë apo pa dëshirë, bën pjesë edhe feja, gjegjësisht, kushtimisht thënë edhe tre fetë e më dha të quajtura fetë e Ibrahimit a.s., për të cilat Turner thotë se, fetë kryesore janë të detyruara të bëjnë pjesë në proçeset e globalizimit.Vetëm se, për momentin bashkimi I feve globale është gati sa i pamundur. Bile edhe bashkëpunimi mes tyre duket I pamundur. Si për shembull, rasti i Palestinës, që është një argument i gjallë për këtë. Lëre bashkimin e feve të ndryshme, për momentin është i pamundur edhe bashkimi/globalizimi I frakcioneve brenda në fe, sidomos kur është fjala për Krishterizmin.[14]

Nëse do të bënim një krahasim, gjegjësisht një komparacion mes globalizmit dhe Islamit, apo në qoftë se globalizmit do t’i bënim një vështrim në aspektin Islam atëherë do të thonim me sa vijon:

-Islami si fe origjinale, hyjnore dhe univerzale nuk njeh “ne” dhe “ata”, gjegjësisht qendër-periferi, një vend të vetëm (single place) apo vetëm Lindje ose vetëm Perëndim, siç është rasti me kulturën dominuese në proçesin e globalizimit, e cila shprehet se, Perëndimi dhe Amerika Veriore janë qendra e botës, kurse të gjitha rajonet tjera paraqesin periferinë e kësaj fuqie kryesore. Por Islami deklaron: “Të All-llahut janë edhe Lindja edhe Perëndimi; kahdo që të kthehemi atje është ana e All-llahut.” (Bakare, 115). Qendra e kozmologjisë shpirtërore është sistemi I besimit dhe vlerave kolektive, të cilat nuk njohin kurrfarë kufiri material ose gjeografik.[15] Këtu mund të përmendet rasti i Tarik Ibn Zijadit kur kalon në tokat e Spanjës, i cili i dogji anijet sepse ishte I bindur se nuk ka shkelur në tokë të huaj por e gjithë toka është e All-llahut, falja e Hz. Omerit në shkallët e kishës e jo në brendi të saj, e sidomos me rëndësi është se muslimanët kudo që kanë shkuar kulturën vendase nuk e kanë shkatërruar e as e kanë plaçkitur por aty në atë vend e kanë ndihmuar, e kanë rizhvilluar apo ristartuar, ose atje kanë mbjellur një traditë të mirë.

Një aspekt tjetër I vëzhgimit me sy kritik i Islamit ndaj globalizmit është mosdhënia përparësi disa individëve ndaj të tjerëve, gjegjësisht Islami mohon teorinë se, një grup njerëzish apo individësh, klasa apo kombe duhet sundojnë me njerëz tjerë, disa janë më të privilegjuar në krahasim me të tjerët. Poashtu mohon misionin e njeriut të bardhë, popullin e zgjedhur, siç është rasti me popullin gjerman, siç është rasti në Hebraizëm, Krishterizëm, në sistemin e kastave në Induizëm etj. Kështu që me këtë bie poshtë edhe teoria e globalizimit të ekonomisë, politikës dhe kulturës lokale. Në Kur’an thuhet:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht I njohur për çdo gjë”. (Huxhurat, 13)

Poashtu Islami duke mos shprehu gadishmëri për pajtimin me një sistem siç është laicizmi[16], me anë të së cilës tregon edhe një dobësi të globalizmit, dëshiron që për momentin të mbrojë botën nga një plagë etike që ende kullon gjak, kurse në të ardhmen të pengojë hapjen e plagëve të reja të asaj kategorie. Për këtë All-llahu xh. sh. thotë:

“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt, hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po I jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (Maide, 90-91)

“…kush e mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që ai të jetë i gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…” (Maide, 32).

Ndërkaq sa I takon fesë globale, gjegjësisht globalizimit të “feve qiellore”, Islami këtë e ka kërkuar që në fillim, ajo nuk ka qenë thirrje për dominim të ndonjërës fe mbi tjetrën, por ajo ka qenë thirrje që çdo fe ti kthehet burimit të vet, dhe kështu arrihet në origjinën e vërtetë e cila ka qenë fe e vërtetë e Hz. Ibrahimit. Prandaj në një ajet kuranor thuhet:

“Thuaj (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njërit-tjetrin zotër pos All-llahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)” (Ali Imran, 64).

Sa për fund, pasi që titulli I këtij shkrimi modest është “Globalizmi-në dobi apo në dëm të njeriut”, do të kisha theksuar se, me sa duket dhe me sa shohim dëmi I këtij proçesi të quajtur globalizëm apo glokalizëm është kah rëndon, por shpresojmë që ky proçes do të marë të mbarën drejt dobisë njerëzore, por tash për tash të tilla simptome as nuk shihen e as nuk duken. Prandaj si fjalë të fundit do të kisha përmendur fjalën popullore, për të cilën mendoj se, për situatën aktuale flet më shumë se sa edhe një shkrim shumë i gjatë se ky, e ajo fjalë popullore është:

Katundi që duket nuk ka nevojë për këllavuz!



[1] Shih, Edward Said, Oryantalizm-Somurgeciligin Kesif Kolu, Stamboll: Pinar 1991, f. 191.

[2] Ky koncept shpreh përjashtimin kategorik të qytetërimeve tjera, I cili në mendimin perëndimor në përgjithësi dhe në mendësinë politike në veçanti, shekuj me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Shih, Qani Nesimi, Arnavut Ortodoks Kilisesi, temë magjistrature e pabotuar, Samsun 2000, f. 21; Ahmet Davutogllu, Vetëperceptimet e qytetërimeve, Shkup: LogosA 2002, f. 37.

[3] Davutogllu, f. 37.

[4] Mehmet Aydin, “Kuresellesmeye Genel Bir Bakis”, Kuresellesme, Stamboll: Ufuk Kitaplari 2002, f. 11-12.

[5] Ibid, f. 12-13.

[6] Ibid, f. 13.

[7] Mustafa Erdogan, “Siyaset Ve Hukuk Perspektifinden Kuresellesme”, Kuresellesme, f. 28

[8] Anthony Giddens, Sociologjia, Tiranë: Çabej, Tetor 1997, f. 495.

[9] Suleyman Hayri Bolay, “Kuresellesme Ve Milli Kulturler”, Kuresellesme, f. 57.

[10] Aydin, f. 13-20; M. A. Muqtedir Han, “’Glokal’ Siyasette Kimlik Insasi”, Globallesme Bir Aldatmaca Mi?, Stamboll: Inkilab, Mars 2002, f. 94.

[11] Aydin, f. 22.

[12] Han, f. 102-103.

[13] Ali Yasar Saribay, “Kuresellesme, Postmodern Uluslasma Ve Islam”, Kuresellesme, Sivil Toplun Ve Islam, (ed.) E. Fuat Keyman dhe A. Yasar Saribay, Vadi Yayinlari, datë s’ka, f. 24.

[14] Bryen S. Turner, Orientalism, Postmodernism and Globalism, London and New York, 1994, f. 77-78.

[15] Davutogllu, f. 52.

[16] Më gjërësisht për Laicizmin shih, Urs Altermatt, Etnonacionalizmi në Europë, Tiranë: Phoenix 2002, f. 109.