“A mendon njeriu se nuk do të përgjigjet?”
(Kur’an, LXXV: 36)
Qysh në fillim të krizës së vitit 2001 njëri më pat thënë se ekziston mundësia që pas përfundimit të saj qytetet ku popullata shqiptare është në numër të madh të shndërrohen në vende terrori dhe krimi të organizuar. Dhe ja që qëkur kriza kushtimisht përfundoi për çdo ditë lexojmë dhe dëgjojmë: një vrasje këtu, një plagosje atje, një grabitje këtu, një plaçkitje atje… E të gjitha viktimat janë shqiptarë. Vetë biseda rreth vrasjes, krimit të organizuar dhe “burrërisë” së dorasit/kriminelit, me të cilat “mburret” njeriu ynë në vete është shqetësuese. E kur ndodh ndonjë akt i vrasjes/vetëvrasjes/krimit, të gjithë me keqardhje e komentojnë dhe përpiqen t’ua hedhin fajin “të tjerëve”.
A thua fenomeni i vrasjes në mesin tonë është vazhdimësi e një mentaliteti të mëparshëm, mendoj të para krizës, apo është diçka që rezultoi nga ajo krizë, aq më tepër kur vazhdimisht pretendojmë të prezentohemi si njerëz me histori dhe qytetërim të lashtë, mbase më të lashtin në Ballkan. Atëherë ku qëndron problemi? Mos vallë na mungon kultura e përgjithshme, kultura e fesë dhe mungesa e qytetërimit? Me çfarë të drejte ne mëtojmë për një ardhmëri më të mirë?
U nënshkrua Marrëveshja Kornizë. Implikimet politike dhe kulturore të këtij akti edhe pas tre vitesh mbeten të ndërlikuara dhe të përbëra nga një varg detajesh cilësinë e të cilave mund ta problematizojmë deri në pafundësi. Në to pengohemi në përpjekjet tona për ta racionalizuar situatën, e cila pas kohës së manifestimit të iracionales i pushton hapësirat e jetëve tona të shkretuara. Të gjithë thonë se ky qe varianti i vetëm i paqes i cili askënd nuk do ta kënaqë, por as që do ta hidhërojë plotësisht. Rezultat dhe përpjekje e mjerë! Mirëpo, bota kështu dëshiroi, e ne si pjesë e saj atë e pranuam. Mbetën anash të gjitha përmbajtjet të cilat në projektimet tona naive i plotësonin shpresat tona të mbështetura mbi besimin në sistemet e vlerave të proklamuara pikërisht diku atje në atë botë. Mirëpo, cilësia shkatërrimtare e mashtrueshmërisë së atyre vlerave, të cilat kurrë më parë nuk i venim në dyshim, na mbuloi tani me tërë atë pashpirtshmërinë luksoze të saj. Tani, sërish, por mbi lëkurën tonë, e ndjejmë vërtetësinë e thënies se çdo krim është i pagueshëm. Mirëpo, marrëveshja në fjalë nuk ka mundur të parasheh se shqiptarët edhe pas saj do të vriten mes vete, dhe atë në numër shumë më të madh, e as atë se kush qëndron prapa kësaj, temë kjo që kohëve të fundit është bërë më aktualja. Vrasja është vrasje dhe ajo për çdokënd është e njëjtë, por meqë i takojmë fesë islame duhet cekur se ajo edhe fetarisht është çështja më e urrejtur dhe rreptësisht e ndaluar, dhe dorasin e akuzon si katil dhe mëkatar të përhershëm. Nëse nuk na pëlqen që nga ky aspekt ta vëzhgojmë këtë dukuri, atëherë le ta shikojmë nga ndonjë këndvështrimi tjetër “kulturor”, “etnik”, “patriotik”…
Diku në fillim të krizës së “luftës” tek ne shpreha frikën në vetvete nga mundësia që të vijmë në një situatë që ajo të rezultojë me një krizë në kohë të paqes. Në portat, kiosqet, madje edhe në spitalet dhe fakultetet do të gjenden njerëz të helmuar nga urrejtja. Euforia, e dirigjuar nga instancat më të larta politike se të gjithë “kriminelët” do të ndëshkohen, u hesht dhe u eliminua nga i njëjti vend nga i cili edhe rrodhi. Askush nuk kujdeset për traumat që do të lulëzojnë nga kjo në shpirtin tonë. E përse ta bënte këtë? Sepse shëndeti ynë, qoftë edhe ai mental, ose pikërisht ai, për botën kryesisht ishte një shtytje provokuese për disa eksperimente të tyre të reja. Vendi ynë, me tërë vuajtjen dhe mjerimin e vet u shndërrua në laborator në të cilin minjtë eksperimentues ishin krejtësisht të pambrojtur dhe atë dyfish: si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.
Na thonë, në rregull është, në të vërtetë ju fituat! Gjatë kësaj fitorja matet me kutin e mbijetesës elementare. Çdo gjë tjetër që do të paraqiste ndjekësit e detyrueshëm të situatës së ngadhnjimit mbi të keqen, pra edhe disfata e së keqes së tillë dhe ndëshkimi i saj, mbeti në sferën e të dëshiruarës.
Si duket asgjë më tek ne nuk është dhe nuk mund të jetë si më parë. Madje as “luftëtarët” e të dyja taborreve të transformuar në qytetarë “të sjellshëm” nuk mund të bëhen të tillë në plotkuptimin e fjalës. As edhe viktimat e mbijetuara. Apo pikërisht ata, respektivisht ne. Ajo që ndodhi këtu, çdo gjë që u bë në përpjekje të shkatërrimit tonë, la gjurmë mbi ne dhe në ne. Ndoshta të gjitha gjurmët e ndryshimeve tona nuk do të vërehen ose nuk do të mund të vërehen qartë: ato do të mbeten të fshehura për të gjithë vëzhguesit sipërfaqësorë, madje edhe për ata pak më radikalë. Mirëpo ekzistimi i tyre, që deri në fund është i njohur vetëm për ne, do t’i drejtojë jetët tona, veprat tona, mendimet dhe ndjenjat edhe në të ardhmen. Dhe atë jo në llojin e “kujtesës absolute”, si në rastin e një personazhi të Borgesit, por me vetëdijen e detyrueshme dhe nevojën e kujtimit për vuajtjen personale. “Vetë fytyra e tij në pasqyrë, vetë duart e tij gjithmonë i dukeshin si habi”. Për ne, për të cilët ajo që ndodhi paraqiste habi, tanimë pothuajse nuk ekziston, përkundër ndryshimeve edhe në fytyrat tona, edhe në shpirtat tanë. Habia nuk paraqet as atë që do të duhej të na habiste. E ky është sugjestioni dhe nevoja që përvojat dhe njohjet tona të konfliktit t’i mbrapsim, thuajse t’i harrojmë.
“Kujtesa absolute” është sëmundje, dhe atë jo vetëm në imagjinatën e Borgesit, por për më tepër në realitet. Rrezikun e “kujtimeve” të tilla të zhytura në mitiken dhe legjendaren e kemi ndierë mbi lëkurën tonë. Ata, për të cilët e tashmja paraqiste vokacion të së kaluarës, ndërsa ardhmëria nevojë për t’u përsëritur e kaluara, përmes krimeve mbi ne dhe kulturën tonë e shëronin sëmundjen e tyre. Nga ato kujtime, të vështira dhe të rënda, mbase do të dijmë si të nxjerrim përfundime. Nëse jo… atëherë vaj halli për ne.
Mirëpo me ardhjen e “paqes” gjërat tek ne ndryshojnë në mënyrë marramendëse. Njohja se paqja me vete sjell edhe përmbajtje të cilat gjatë krizës ishin të neglizhuara, shumicës u dha nxitje të mendojnë se mund të vazhdojnë aty ku ishin ndalur para saj. Përjetimet e pazgjidhura, traumatike, siç na mëson psikiatria, janë të përshtatshme për zhvillimin e sëmundjeve psiqike, të neurozave dhe psikozave (lexo: vrasjeve!). Dhe kështu, sërish vijmë deri te sëmundja, por në këtë rast jo deri te sëmundja e kujtesës së tepërt, por sëmundja e neglizhencës së saj. Cila sëmundje është më e keqe? Cila është më shkatërrimtare për ne? Vështirë mund të jepen vlerësimet tash, ad hoc dhe në këtë çast, mirëpo në çdo rast rreziku edhe nga njëra edhe nga tjetra na qëndron mbi kokë. Si t’u shmangemi atyre është një pyetje e cila në mënyrë të pazgjidhshme qëndron pezull mbi të drejtat tona të “sapofituar”, në një shtet që vetveten e ka tjetërsuar.
Është e qartë se bota nuk ka ndërmend të merret me ne, të paktën në mënyrë thelbësorë, sidomos me plagët tona të llojllojshme. Ne vetë duhet të kujdesemi për vetveten. Si? Përgjigje të drejtë dhe përfundimtare nuk ka, por ekzistojnë disa variante të cilat në këtë çast mund të na ofrojnë lehtësim afatshkurtër (apo afatgjatë?). Njëri nga ato është puna, ajo punë e cila sjell kënaqësi dhe fitim; ajo e cila akoma mungon tek ne dhe atë për më shumë arsye. E para është ajo, do të thonin shumica, se akoma nuk janë arritur kushtet për fillimin dhe zhvillimin e punëve vërtet të rëndësishme. Ndërsa tjetra, në këtë çast më e dukshme dhe më e rrezikshme për ne, është situata në të cilën ato punë që duhet t’i kryejnë njerëzit e kualifikuar dhe të aftë i kryejnë ata të tjerët. Ndërsa ata të tjerët kanë ardhur këtu pranë nesh në klasën e “profiterëve shpirtërorë, intelektualë”. Për zhvillimin e tyre pjesërisht kemi faj edhe ne, ne të munduar nga vuajtjet, nënçmimet dhe humbjet tona. Me këtë faji ynë është më i vogël ndërsa kundërvajtja e tyre më e madhe. Në vendin e përvuajtur dhe të plagosur tani udhëheqin disa njerëz « të zbrazët ». Deri kur? Deri kur mediokriteti, qoftë të jetë i krijuar edhe në kohëra të varfërisë, të mungesës së çfarëdollojshme (madje edhe të njerëzve cilësorë), do të jetë kismeti ynë? Ndërsa këtë kismet e kishim edhe para krizës. Asokohe për shkak të arsyeve krejtësisht të tjera, por që në rezultat e kishim të njëjtën: favorizimin dhe mbisundimin e mediokritetit dhe mbrapsjen e cilësisë.
Është dëshmuar se mediokriteti është forma universalisht më vitale e mbijetesës njerëzore. Mirëpo mediokriteti po ashtu është edhe gjenerator i ngecjes dhe shpërfytyrimit të çdo shoqërie në të cilën mbisundon. Për ne edhe një humbje « e identitetit » do të ishte shkatërrimtare. Kush është i gatshëm të luajë bixhoz me rolin e tillë? Zërat që flasin për këtë thonë: politika. Në përgjithësi politika, e në këtë rast ajo e qëndisur në fatin tonë. Mirëpo, zërat tek ne momentalisht janë të përzier. Në kakofoninë e tyre zbehen të gjitha ato të cilat në vete mbajnë shenjat e paralajmërimit. Ato tekefundit gjithmonë janë dëgjuar pa dëshirë. Janë shpallur si kobzeza, malicioze e madje edhe të rrezikshëm. Për heshtjen e tyre dikur, po mbase edhe sot, është përdorur edhe forca.
Në vendin tonë gjatë historisë shumë herë forca është përdorur kundër tij. Ata të cilët e kanë përdorur atë gjithmonë janë emëruar si “armiq të vërtetë”. Forcës i janë kthyer dhe atë e kanë përdorur edhe ata që janë angazhuar për mbrojtjen e përgjithshme të vendit. Të gjitha goditjet gjatë kësaj më së shpeshti i kanë marrë ata që kanë qenë më besnikët, ata të cilët më së qarti e kanë kuptuar ndërlikueshmërinë e pulsimit të tij.
“Mendja” dhe “kultura” jonë duhet në mënyrë të thuktë dhe me përgjegjësi intelektuale t’i prezentojnë dhe shqyrtojnë problemet që janë duke ndodhur, si të a.q. “patriotizëm”, “trimëri”, “burrëri” dhe atyre t’u përgjigjen në mënyrë efikase. Intelektualët e çfarëdo profili qofshin, e sidomos ata fetarë, duhet që fuqimisht ta dënojnë këtë paradoks (jo)kulturor, (jo)fetar dhe (jo)qytetërues, duke iu shmangur më glorifikimeve të panevojshme lodhëse në emër të kombit apo fesë, të cilëve fatkeqësisht nuk po i lëmë aspak njerëzi. Sa mirë do të ishte të jemi vetëm njerëz… por NJERËZ që e dijnë se do të përgjigjen!
Ismail Bardhi