“Edukoni fëmijët tuaj për kohën që do të jetojnë”. Hz. Ali
“Historia e njerëzimit është varrezë e kulturave të mëdha, të cilat kanë përfunduar me katastrofë për shkak të paaftësisë që në trajtë të planifikuar, racionalisht dhe vullnetarisht të reagojnë në sfidat”. Erich Fromm
Si rezultat i ndryshimeve politike, shoqërore dhe ekonomike në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në univerzitetet e ndryshme të Evropës dhe botës bëhen ndryshime dramatike të organizimit, udhëheqjes dhe përpilimit të kushteve sa më të volitshme për kryerjen e obligimeve të sistemit universitar. Këta ndryshime dallohen sipas sasisë dhe llojit, ndërsa koha për sendërtimin e tyre është shumë e shkurtë. Mjediset të cilat e kuptojnë domosdoshmërinë e ndryshimve dhe reformave shumë shpejtë tregojnë punë dhe veprimtari efikase, organizim më të mirë të studjimit dhe hulumtimit, përparim të programeve dhe proçeseve mësimore. Çerdhet arsimore me kualitete të këtilla formojnë qytetarë akademikë me ide përparimtare të përgaditur për t’u ballafaquar me kërkesat dhe sfidat e reja.
Me shpresë supozoj se kjo tryezë e rrumbullakët thërret-që d.t.th. edhe kërkon- të mendohet për sistemin edukativo-arsimor të bashkësive islame në trojet shqiptare, për konceptin, kualitetin, për shkaqet reale të ekzistimit të institucioneve arsimore dhe për kompetencat dhe pjekurinë e pjesëmarrësve në të. Jam më se i bindur se struktura e prezentëve është prej të tillëve që kanë vetëdije të përqëndruar dhe të cilët kanë parasysh se shumë para kuantitetit duhet të diskutojmë rreth kualitetit të mjediseve edukative dhe arsimore.
Tash më lejoni që në suaza të dy pikave kryesore të them disa fjalë në lidhje me këtë tematikë:
- 1. Pasqyra e arsimit Islam në të kaluarën
Historia e arsimit në bazë të parimeve islame fillon me Pejgamberin a.s.. Në fillim muslimanët nuk kishin sistem të vendosur edukativo-arsimor, por aktivitetet arsimore kryesisht ishin të përqëndruara në të mësuarit e parimeve të fesë së re të shpallur. Pejgamberi a.s. dhe rrethi i tij i ngushtë ishin arsimtarët e parë që në hapësirat e xhamisë, ithtarëve të fesë së re ua mësonin mënyrën e jetës në bazë të shpalljes hyjnore.[1]
Cytet e para të sistemit edukativo-arsimor Islam të hudhura në përmasat e shenjta shoqërore të Pejgamberit a.s. do të ndikojnë që në të ardhmen institucionet edukativo-arsimore të muslimanëve të ndërtohen ose në xhamitë ose afër tyre brenda komplekseve të njëjta. Thënë shkurt, parimi i parë i arsimit islam ishte sinteza e shpirtërisë dhe metafizikës me lëndoren, dukshmërinë dhe fizikën.[2]
Proçesi edukativo-arsimor i zhvilluar nëpër xhamitë e ndryshme të qendrave islame do të ruajë origjinalitetin e tij edhe në periudhat e emevitëve, abasidëve, selçukëve bile edhe të osmanlinjëve. Në raste të veçanta aktivitetet arsimore të zhvilluara në xhamitë kanë ndikuar edhe në tërhjekjen e kujdesit udhëheqësve të jetës shoqërore si sulltanëve, emirëve, kadive etj. Për pasojë parimi i dytë i arsimit islam është kujdesi dhe ndikimi i arsimit dhe reprezentëve të tij në kahjen pozitive të shoqërisë.[3]
Pas depërtimit të Islamit në kulturat dhe vendet e ndryshme të botës së atëhershme, pranë muslimanëve u paraqitën çështje të reja, filozofike, apologjertike, fetare, të cilat kërkonin qasje më studioze. Për rrjedhim në qendrat e ndryshme të botës islame, kryesisht përreth xhamive u themeluan shkolla të emërtuara si medrese.[4] Medreseja e parë e hapur dhe e kontrolluar nga ana e udhëheqësve shtetërorë , e finansuar nga vakëfet e saja është Medreseja Nizamijje e themeluar në Bagdat, nga ana e ministrit të shtetit selçuk Nizamu’l-Mulk, në vitin 459/1065. Praktika e këtillë e selçukëve u ndoq edhe nga udhëheqësit tjerë dhe mënyra e organizimit të proçesit edukativo-arsimor islam u bë e përbashkët për pjesën më të madhe të botës islame.
Medresetë kanë qenur institucione qendrore të arsimit islam të mesëm dhe sipëror. Përveç tyre, përmasat specifike të arsimit janë zhvilluar edhe në departamentet e caktuara të emërtuara si daru’l-hadith, daru’l-kurra, etj..
Themelimi i medreseve dhe reformat e mënyrës së arsimit të bëra në to, posaçërisht në periudhën osmane nxjerrin në pah parimin e tretë me rëndësi të edukimit dhe arsimimit islam, e që është harmonizimi i sistemit arsimor me nevojat dhe kërkesat e kohës.[5]
Kuadri arsimor i medreseve në historinë islame ishte i përbërë prej dijetarëve dhe muderrisëve më me emër të kohës së tyre. Ata ishin persona që i kishin kaluar të gjitha fazat e arsimit duke filluar prej medreseve më të ulta e deri te më të lartat dhe vetëm ata që kishin diplomuar (ixhazetli-mulazemetli) kishin të drejtë të ligjërojnë në medresetë Për rrjedhim parim i katërt i arsimit klasik islam ishte përgaditja e lartë profesionale e kuadrit mësimor.[6]
Plan programi i medreseve tona klasike përbëhej prej dy grupeve të lëndëve, atyre përcjellëse (naklijje) dhe intelektuale (aklijje). Në medresetë mësoheshin lëndët e tefsirit, hadithit, fikhut, usulit, gjuhës arabe së bashku me gramatikën dhe retorikën, logjikës, historisë, në disa vende astronomisë etj.[7]
Kohë pas kohe në medrsetë, posaçërisht pas shekullit XIX janë mësuar edhe lëndë tjera, në veçanti gjuhët e huaja. Si rrjedhim mund të thuhet se parimi i pestë i arsimit tonë klasik ka qenë bartja e përvojës pozitive të të tjerëve në institucionet tona dhe ecja paralele e metodave klasike me ato më të rejat.[8]
Më lartë thamë se sistemi dhe parimet e arsimit islam kanë qenur në masë të madhe identike për një pjesë të madhe të botës islame. Strukturën e këtillë të arsimit islam e hasim edhe në mektebet, xhamitë, medresetë dhe departementet tjera të arsimit islam në trojet tona. Që nga depërtimi i pushtetit Osman, në viset shqiptare janë themeluar medrese në qendra të ndryshme si, në Shkup, Tiranë, Shkodër, Prizren, Mitrovicë, Tetovë etj. dhe ata deri në ditët e sodit nga njëra anë kanë shërbyer për përgaditjen e kuadrit fetar, kurse nga ana tjetër kanë kontribuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore të popullatës më të gjerë.
Gjysa e dytë e shekullit të XX dhe ndryshimet e shpejta në strukturën shoqërore të botës pas viteve të nëntëdhjeta na bëjnë të domosdoshëm që duke u thirrur në thënien e mësipërme të Fromit të planifikojmë arsimin tonë, e në këtë rast atë fetarë, duke patur parasaysh rrethanat shoqërore, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të kohës sonë, por edhe duke ruajtur elementet pozitive të sistemit edukativo-arsimor tonë klasik, për të cilin bëmë fjalë më lartë.
2. Perspektivat dhe ardhmëria e arsimit tonë fetar
Është fakt i pamohueshëm se Islami si fe dhe muslimanët gjatë historisë së tyre i kanë kushtuar rëndësi të veçantë arsimit dhe shkencës. Ata kanë ndërtuar institucione arsimore me peshë të cilat falë parimeve të tyre kanë ndikuar në ndryshimin e vetëdijes së përgjithshme botërore, posaçërisht në mesjetë. Megjihatë fakt është edhe ajo se shumica e sistemeve për shkak se nuk kanë qenur të aftë t’u qëndrojnë besnik parimeve të tyre primare, të ndryshohen dhe duke ndjekur nevojat jetësore që dita ditës janë rritur, të zhvillohen, janë harxhuar dhe e kanë humbur kuptimin e vërtetë të ekzistimit të tyre. Institucionet e këtilla bëhen korniza banale, barë antipatike dhe të pavlera për tërësinë të cilës i takojnë.
Si rrjedhim paraqitet fakti se për të mbijetuar në konceptet postmoderne bashkëkohore arsimi islam në përgjithësi dhe ai i yni në veçanti nevojitet të marrë hapa konkrete, siç kanë bërë të parët tonë progresiv, në disa fusha të arsimit.
E para, në fushën e arsimimit duhet të shoshiten përvojat tona të mëparshme dhe të largohen trajtat joproduktive arsimore të cilat e pengojnë kreativitetin e njerëzve dhe e mundësojnë harxhimin iracional të energjisë, të cilat nuk e zhvillojnë përgjegjësinë, punën e përbashkët dhe besimin mes njerëzve. Shumica e teoricientëve bashkëkohorë të teorisë së përgjithshme të sistemit si William Glasseri, W. Edvards Demingu dhe Bred Greeni këtë hap do ta kishin emërtuar si standardizimi i arsimit me rrjedhat e reja botërore, mirëpo unë do ta kisha emërtuar si aplikim i përvojës bashkëkohore në standardizimin e arsimit tonë fetar me arsimin tonë klasik të filluar në ambient të përbashkët me ibadetin. Gjegjësisht, ngritja e standardeve për hirë të nevojave dhe përgjegjësia për aplikimin e tyre në trajtë të normave morale.
Për pasojë para nesh qëndrojnë tre konstanta me rëndësi që na diktojnë reforma dinamike në arsimin tonë islam edhe atë:
- Konteksti kulturor evropian
- Universalizmi Islam dhe
- Profilimi intelektual i dëgjuesve tanë.
E dyta, kuadri arsimor, ngjajshëm si në medresetë e mëparshme, i institucioneve arsimore të bashkësisë islame duhet të posedojë një kualitet të lartë shkencoro-kulturor dhe entuziazëm për ndjekjen e ndryshimeve dhe zhvillimeve botërore. Vetëm në këtë mënyrë do të ekzistonte mundësia e zënies së vendit të duhur në hartën kulturore të mjedisit ku jetojmë dhe më gjerë. Në të kundërtën do të na mjaftonte vrima e urrithit, që s’do mend çdo herë është i kënaqur me të.
Është fakt se personat të cilët e udhëheqin arsimin fetar, sot në institucionet pastër fetare ndërsa nesër edhe në shkollat tjera si ligjërues të kulturës fetare, dhe nuk janë të edukuar për këtë thirrje do të kalojnë nëpër etapa të biografisë së tyre personale përplot me paqartësi dhe pyetje të hapura.
Vizioni kualitativ i zhvillimit të një institucioni edukativo-arsimor nuk ka mundësi të sendërtohet si vizion individual i një personi por ai duhet t’i përkojë një grupi më të gjerë i cili do të mundësojë kalimin prej vizioneve individuale në vizione të përbashkëta. Mendoj se ky grup duhet të përbëhet pikërisht prej njerëzve të cilët janë bartës të arsimit tonë fetar.
E treta, fryma islame, trashigimia edukativo-arsimore e jonë, moderniteti dhe toposi geo-ekzistencijalo-historik evropian i ynë kërkojnë prej nesh që të mendojmë përkonstituimin e plan programeve të dy trajtave të institucioneve arsimore islame:
a) Përmasa institucionale e cila duke patur parasysh vazhdimësinë dhe kontinuitetin kulturoro-fetar tonë do të kultivonte me besnikëri dhe vetëdije për sot dhe për nesër Islamin dhe vlerat universale të tij. Plan programi mësimor i këtyre institucioneve parimisht do të bazohej në qelizën edukativo-arsimore tradicionale islame dhe mbi të do të ndërtonte botëkuptimin për tërërsinë e dijes. Në to do të orvatej të ndërtohet bashkëveprimi mes shkencave përcjellëse (ulum naklijje) dhe atyre intelektuale (ulum aklijje ). Dijes do t’i afrohej nga aspekti i zhvillimit edhe atë në të gjitha dimensionet kohore (klasike, të kohës së re dhe bashkëkohore). Trajta shkencore e plan-programeve të tyre do të ishte tradicionale, por organizimi, standardet, zhvillimi i senzibiletit shkencor, metodat, mjetet arsimore, interpretimi i përmbajtjeve mësimore do të ishin të standardizuara me arritjet relevante botërore të cilat nuk kundërshtohen me frymën e kulturës islame.
b) Përmasa institucionale e cila do të diskutonte dhe do t’i përgjigjej kërkesave të shumëllojshme, si individuale, kolektive, lokale, globale, të muslimanëve. Kjo përmasë do të ishte e organizuar në bazë të kërkesave të individit tonë musliman. Me të do t’i përgjigjeshim në trajtë islame moderne kërkesave edukativo-arsimore të përditshmërisë së muslimanëve. Nëpërmjet të kësaj përmase (institucioni) bashkësia islame do të kishte mundësi të jetë në rrjedhat e të tashmes. Për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre ata do të ishin fleksible, dinamike, funkcionale dhe të gatshme për ndryshime në bazë të kërkesave. Në to do të kishte mundësi të përgaditen kuadro për punë me të rrinjtë në aspekte të ndryshme të jetës shoqërore, për arsimim të kuadrove për zhvillim të mësimbesimit nëpër shkolla etj.
Këta dy përmasa të organizimit të arsimit sipëror islam mund të jenë të përmbajtura si dy degë të fakulteteve teologjike, ose si institucione të veçanta, akademi pedagogjike.
E katërta, organizimi i mësimit gjegjësisht aplikimi i njësive të planprogrameve mësimore të marrë formën më funkcionale edhe atë:
-të zhvillohet arsimi interaktiv dhe puna në grupe që d.t.th. studenti të përgaditet për punë individuale të pavarur.
-planet mësimore të jenë të dizajnuara në atë mënyrë që të mos jenë banale dhe monotone, por më dinamike dhe produktive.
-studimet të lirohen prej numrit të madh të provimeve dhe iracionaliteteve
-që psikologjikisht dhe pragmatikisht studentët të kenë vullnet studjimi institucionet duhet të kenë të rregulluar statusin brenda sistemit arsimor të vendit.
E pesta, që institucionet arsimore islame të jenë të susksesshëm në punë kuadri arsimor i tyre në punë të përbashkët me studentët duhet të punojnë në projekte hulumtuese shkencore të kulturës dhe trashëgimisë tonë.
Rezyme
Sistemi edukativo-arsimor i bashkësive islame tek ne duhet të ndërtohet në një paradigmë të re e cila do të ishte bazuar në etikën vepruese të rehabilituar dhe të ripërtrirë dhe brenda përgjegjësisë së plotë për atë që bëjmë; në vetëdijen për parimet themelore të islamit të gjallë dhe koncepteve reale të tij; në njohjen dhe besimin e ndërsjellë dhe solidaritetin; në ndërtimin e vetëbesimit dhe përgjegjësisë; në normat morale për bashkësinë; në ndieshmërinë për nevojat dhe kërkesat e kohës; në dijen kompetente me rrënjë në të kaluarën dhe fryte në të tashmen dhe të ardhmen.
Brenda një sistemi të këtillë të bashkësisë islame do të kenë ardhmëri të gjithë pjestarët e saj, pasi do të ishin pjesëtarë të bashkësisë së shëndoshë, do të kishin të njëjtin qëllim dhe do të ndihmonin njëri tjetrin. Në të kundërtën institucionet tona arsimore islame do të ishiin rrezik për ekzistimin dhe vazhdimësinë personale.
Metin Izeti
[1] Lëndët e para arsimore të shoqërisë së Pejgamberit a.s. përbëheshin prej memorizimit të Kur’anit, tubimit të haditheve dhe konkludimit në bazë të këtyre dy burimeve. Shiko: Fazlur-Rahman, Islam, përkth. në turq. M. Dag-M. Aydin, Istanbul 1981, f.52; Atay, Huseyin, Osmanlilarda Yuksek Din Egitimi, Istanbul 1983, f.24.
[2] Mendoj se ka të drejtë Johns Pederdseni kur thotë se shkencat të cilat kanë lindur dhe janë kultivuar tek muslimanët kanë karakteristika evidente fetare. Shiko: Pedersen, Johns, “ Mesxhid”, Enciklopedia Islame, VIII/ 47; Nasr, Sejjid Husein, Islam ve Ilim, përkth. në turq. I. Kutluer, Istanbul 1989, f. 17.
[3] Çelebi, Ahmed, Islamda Egitim Ogretim Tarihi, përkth. në turq. Ali Yardim, Istanbul 1976, f.95-105.
[4] Medrese të tilla janë të themeluara në Nishabur nga ana e Ebu’l velid Hasan Muhammed Emevi, në vitin 349/960 dhe Ibn Habban Tejmi në vitin 354/965. Më gjerë shiko: Baltaci Cahit, XV-XVII Yuzyillarda Osmanli Medreseleri, Istanbul 1976, f.7-14.
[5] Në lidhje me reformat në medrsetë shiko: Baltaci, Cahit, po aty.
[6] Ortayli, Ilber, “ 18. Yuzyillda ilmiye Sinifinin Toplumsal Durumu Uzerine Bazi Notlar”, ODTU Gelisme Dergisi (1979-1980), Ankara 1981, f.155-159; Faroughi, Suraiyya, “Social Mobility Among the Ottoman Ulema in the Late Sixteenth Century”, International Journal of Middle East Studies, 4 (1973), f.204-218.
[7] Arif Bey, “ Devlet-i Osmaniyyenin Teessus ve Tetavvuru Devrinde Ilim ve Ulema”, Daru’l-Funun Edebiyat Fakultesi Mecmuasi, I (Istanbul 1332), f.132.
[8] Një veprim i tillë bëhet edhe në reformat e arsimit në medresetë brenda Mbretërisë Jugosllave në qershor të vitit 1938, ku në medresetë domosdoshmërisht mësohen të gjitha lëndët që mësoheshin në gjimnazet.