Në afërsinë e Pejgamberit a.s. asnjëherë nuk mungon kaltërsia e qiellit. E kaltra është ngjyrë e seriozitetit. Ajo e simbolizon besnikërinë, urtinë, inteligjencën, të vërtetën, qetësinë. Ditën në plan të parë del e kuqërremta, që e bashkon energjinë e të kuqes dhe fatin e të verdhës. Është në raport të ngushtë me gëzimin dhe diellin
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Pjesa më e madhe e territorit ndërmjet Mekës dhe Medinës ta përkujton një hapësirë që nuk ka të bëjë shumë me këtë botë. Ndoshta edhe për shkak të ndjenjës së dashurisë dhe përkushtimit ndaj historikut metalëndor të kësaj hapësire, që i ngjall ndjenjat e besimtarit, ajo përjetohet si një hapërim në qiell. Afrimi drejt Medinës së ndritshme përjetohet si afrim me yllin ndriçues në natën e qetë shkretëtirore, i cili e përqafon shpirtin e besimtarit dhe ia tregon rrugën e përjetshmërisë.
Sa herë që i afrohem Pejgamberit a.s., edhe më tepër më kaplon ndjenja e drojës dhe mërzisë se si do të përshëndetem me yllin e gjithësisë dhe mëshirën e botëve. Kam drojë se si do të dal para tij me tërë atë barrë të lëshimeve dhe moskujdesit ndaj rrugës dhe trashëgimisë së tij. E përjetoj shpirtgjerësinë e tij, që më pranon në afërsinë e tij, që i hap dyert e shpirtit të tij dhe që lejon ta përshëndes e të drejtohem me përulësi në drejtim të mekamit të tij të bekuar. Këto ishin përjetimet e mia në çastet kur autobusi i afrohej xhamisë së Pejgamberit a.s.. Ishim duke ardhur prej Mekës, prej Qabes së bekuar. E kishim përfunduar haxhin, kishim qëndruar në Arafat, e kishim bërë tavafin, kishim ecur ndërmjet Safasë dhe Merves, e kishim goditur me gurë shejtanin në Mine, por kjo ndjenjë ishte diçka krejtësisht tjetër. Intensiteti i përshpirtshmërisë së Pejgamberit a.s. ndriçonte me tërë fuqinë e tij dhe këtë e përjetoja në shpirtin tim. Po, e ndiej, shpirti pjellor i Pejgamberit a.s. në çdo periudhë mbinë si bereqet i llojllojshëm, me qëllim që lulishtja e trashëgimisë pejgamberike ta ruajë koloritin e saj në të gjitha periudhat historike. Shpirti i tij përqafues nuk qëndron i qetë pa shpirtrat e ndjekësve të tij, jo vetëm për të përkryerit, por edhe për ata që kanë lëshime dhe mëkate, me qëllim që t’i pastrojë ata dhe t’i kthejë në hapësirat e veta me përforcimin e dashurisë pejgamberike. M’u kujtua rasti i Hazreti Bilallit.
Hazreti Bilalli ishte i dashuruar thellë në Pejgamberin a.s.. Ai përpiqej, gjithnjë, të qëndrojë në afërsi të Pejgamberit a.s.. Kur Pejgamberi a.s. ndërroi jetë, ai nuk mundi të durojë e të rijë në Medinë pa Pejgamberin a.s.. Krahas asaj që Ebu Bekri r.a. kishte insistuar që Hazreti Bilalli të qëndrojë në Medinë, ai nuk pranoi dhe i tha: “Nëse ti më ke liruar prej skllavërisë për hir të Allahut, atëherë më lejo të largohem prej këtu. E nëse më ke liruar për ta kënaqur egon tënde, atëherë më mbaj afër teje!” Si rrjedhojë, Ebu Bekri r.a. i kishte dhënë leje të shkojë ku të ketë dëshirë. Hazreti Bilalli vajti në Sham/Siri. Në vitet kur Hazreti Omeri (viti i 16 pas hixhretit) kishte vajtur në Siri dhe Palestinë, ai kishte dalë për ta pritur kalifin e myslimanëve dhe me insistimin e tij e kishte kënduar ezanin. Të gjithë sahabet/shokët e Pejgamberit a.s. i kishin përkujtuar ditët me Pejgamberin a.s. dhe namazet kur ezanin e thërriste HazretiBilallli.
Pas kësaj ngjarjeje, një natë, Hazreti Bilalli e kishte parë në ëndërr Pejgamberin a.s. dhe ai me ashpërsi i kishte thënë: A nuk të mjaftoi më kjo ndarje, o Bilall? A ende nuk do të vish ta vizitosh varrin tim? I gjori Bilall ishte shqetësuar shumë. Ishte zgjuar i emocionuar dhe i kapluar me djersë. Zemra po i dilte nga vendi. Pa një pa dy i filloi përgatitjet dhe pas namazit të sabahut u nis për Medinë. Kur u afrua afër Medinës, e thithte ajrin, i ledhatonte guralecët dhe dheun dhe vazhdimisht qante. Në këtë gjendje i emocionuar hyri në Medinë. Njerëzit që i takonte rrugës e përshëndetnin duke thënë se “ja u kthye Bilalli, muezzini i Pejgamberit a.s.!”. Mirëpo, ai nuk e dëgjonte askënd dhe si një magnet që tërheq shkonte drejt varrit të Pejgamberit a.s.. Kur arriti në varrin e Pejgamberit a.s., këndoi disa ajete nga Kurani dhe e humbi veten pranë Pejgamberit a.s.. Kur erdhi në vete, i pa pranë vetes nipat e dashur të Pejgamberit a.s., Hazreti Hasanin dhe Huseinin, të cilët ia ledhatonin flokët. U gëzua shumë, i përqafoi të dytë dhe u tha: “Sokolat e mi! E keni aromën e gjyshit tuaj, Pejgamberit a.s.!”. Atëherë Hazreti Hasani i tha: “Gjyshi jonë të donte shumë ty. A do të kishe bërë diçka për hir të tij?” “Ç’është ajo fjalë, vetëm më urdhëroni unë e bëj menjëherë!”, tha ai. Atëherë ata dy së bashku i thanë: “Kemi dëshirë që ta dëgjojmë edhe një ezan me zërin tënd”. Të nesërmen në namazin e sabahut Hazreti Bilalli me zërin e tij të djegur dhe plot mallëngjim e filloi ezanin dhe kur arriti tek pjesa Eshheduennemuhammeden resulullah/Dëshmoj se Muhammedi është i dërguar i Allahut, përsëri e humbi veten dhe nuk e përfundoi dot ezanin. Kështu e donin Pejgamberin a.s. shokët e tij. Ata ishin djegur me dashurinë ndaj Pejgamberit a.s. dhe kjo dashuri u kishte dhënë forcë për ta bartur porosinë e tij në të gjitha anët e botës.
I zhytur në përjetimin e aromës së këndshme shpirtërore të afërsisë me Pejgamberin a.s. nuk e kisha vërejtur se autobusi ishte ndalur dhe njerëzit kishin zbritur. Shpejt e shpejt zbrita dhe së bashku me Mehmedin, mikun tim që ishim bashkë në haxh, vrapuam ta përshëndesim Pejgamberin a.s.. Ishte koha pas namazit të jacisë dhe në pjesën prej ku kalohet për ta përshëndetur Pejgamberin a.s. nuk kishte shumë njerëz. Me kënaqësi dhe pa rrëmujë e përshëndetëm Pejgamberin a.s. dhe u ulëm në pjesën e majtë të hapësirës jashtë xhamisë së Pejgamberit a.s.. E falëm namazin e jacisë dhe u ulëm aty, të qëndrojmë pak pranë Pejgamberit a.s., për ta thithur ajrin në afërsi të tij.
“ O gjyshi im,
Kur isha larg teje, në audiencën tënde e dërgoja shpirtin tim
Shpirti ishte veqili im dhe e puthte tokën në për mua,
por ja, tash, unë vetë jam në audiencën tënde,
Të lutem, ma zgjat dorën ta puth atë!”
Ishin këto vargjet e Shejh Ebu’l-Ferexhit në lidhje me Seyyid Ahmed er-Rifaiun, i cili kishte vajtur në Medinë për ta vizituar varrin e Pejgamberit a.s.. Ai ishte prej familjes së pastër të Pejgamberit a.s. dhe për atë i drejtohej me fjalët: “Gjyshi im”.
Sejjid Ahmed er-Rifaiu, me të arritur pranë varrit të Pejgamberit a.s., kishte thënë: Esselamu Alejke, o Gjyshi im!” Ndërkaq Pejgamberi a.s. i ishte përgjigjur: “Ve alejke’s-selam o biri im!” Sejjid Ahmed er-Rifaiu përnjëherë e kishte humbur veten dhe kishte rënë në tokë. Sipas transmetimeve, ku bëjnë pjesë edhe përcjelljet e Abdulkadir Gejlaniut, tërë xhemati i xhamisë e kishte dëgjuar zërin e Pejgamberit a.s., madje edhe melekët ishin emocionuar nga kjo ngjarje.
Në transmetime thuhet se Pejgamberi a.s. ia ka zgjatur dorën dhe Sejjid Ahmed er-Rifaiu e ka puthur atë. Kjo ngjarje konsiderohet si një nga qerametet/veprat e jashtëzakonshme, që Allahu xh.sh. ia ka mundësuar njërit nga miqtë e tij siç ishte Sejjid Ahmed er-Rifaiu.
Unë isha thelluar në halin tim, kur Mehmedi ma preku krahun duke ma përkujtuar se duhej të niseshim, pasi ende nuk ishim vendosur si duhet në hotel. U nisëm, edhe pse nuk është lehtë të ndaheni nga afërsia e Pejgamberit a.s.. Ne fizikisht ishim nisur, por shpirti nuk ndahej dot nga i dashuri.
Disa ditë me radhë, sa qëndruam në Medinë, vazhdimisht kisha dëshirë të qëndroj afër Pejgamberit a.s.. Afërsia me të dashurin bën pjesë në fenomenet që doemos duhet të përjetohet dhe vështirë mund të sqarohet. E tillë është gjendja e qëndrimit afër Pejgamberit a.s.. Kjo sepse kjo nuk mjafton vetëm të bëhet, por ka nevojë edhe të soditet, të përjetohet. Përjetimi subjektiv disa herë është vepër edhe më e madhe se vetë akti i veprimit. Shpeshherë ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë, por në momentin kur kemi bërë diçka që e tejkalon çastin e aktualitetit dhe thellohet në pafundësinë e qenies në trajtë të adhurimit, menjëherë e kuptojmë se kemi filluar të komunikojmë me dikë jashtë nesh, rrjedhimisht kemi kaluar përtej asaj që duket. Afërsia e Pejgamberit a.s. është gjëja e parë që duhet ta përjetojmë që ta kemi Pejgamberin me ne. Dashuria ndaj Pejgamberit a.s. na bën qenie të domosdoshme metafizike dhe të veçantë. Pikërisht në çastin kur e ndjeni afërsinë e tij, e këndoni një salavat ose e gdhendni një ndjenjë në shpirtin tuaj, do të thotë se jeni hapur në drejtim të botëve të tjera, drejt formave të tjera të të qenurit dhe krijesave jashtë jush. Kjo është ndoshta shtresa më e rëndësishme e adhurimit, është komunikimi i hallkës me vargun, por edhe motivimi nga mbinatyrshmëria dhe fantastika e metafizikës.
Pejgamberi a.s. është një mjeshtër shpirtëror, i cili e ka shtruar këtë shteg të qenies dhe në trashëgiminë e tij konstituive na ka lënë një kompozicion, i cili ec prej errësirës drejt dritës. Vija jetësore e tij i ka imponuar që ta përjetojë errësirën e kaosit shoqëror në vendlindjen e tij dhe më pas ajo të fillojë dalëngadalë të përfitojë në dritë kur është transferuar në Medinë. Sfondi ideor, si dhe koloriti i tij, në realitet, janë një mimezis i kësaj ndjenje, e cila është shndërruar në një qytetërim të urtësisë. Ai, me jetën e tij, e ka paraqitur një mënyrë të jetës, që ishte e panjohur për njerëzimin e asaj kohe dhe që i ka hedhur bazat e shoqërisë së sotme. Në realitet, ai përmes veprës së tij ka bërë një avangardë dhe ka kërcyer andej gardhit.
Jeta, për Pejgamberin a.s., fillon në një trajtë ekstremisht realiste, me vend dhe orë të saktë dhe ky realizëm i sforcuar e bën të mundshme brengën për problemet e realitetit. Realiteti është i pranishëm në veprën e tij për të treguar se e vërteta nuk është vetëm imagjinatë. Arsyeja dhe zbulesa përqafohen nga ai dhe ata përzihen si dy ujëra të ndryshëm për t’u bashkuar në një shtrat.
Ndjenja e afërsisë me Pejgamberin a.s. herë-herë transformohej edhe në abstraksion, në realitet, si një pjesë e botës që kundërshton t’i nënshtrohet ligjeve të logjikës. Ajo që ne pa menduar shumë e konsiderojmë si joekzistuese, pikërisht, është këtu, por mjaftueshëm diskrete, sa të mos e shohim. Kishte momente kur shpirti ishte i detyruar të përballet edhe me tragjedi të njëpasnjëshme. Atëherë kur tragjedia ndodh për herë të parë, e konsideron atë si ngjarje. Ndërkaq, kur përsëritet për së dyti e për së treti, atëherë shndërrohet në simbol. Tragjedia, që është simbol, e ngërthen përsëritjen. Tragjedia dhe rituali e plotësojnë njëri-tjetrin, pasi edhe rituali nuk mund të ekzistojë pa përsëritje. Sfondi shpirtëror i tij është hapësirë ku spiralja historike shndërrohet në spirale të prodhimit.
Në këtë kontekst, shpirti gjithnjë është në dilemë se a do të kishte pasur mundësi të bëjë diçka më tepër. Impresionohet nga mundësia për të bërë më tepër dhe jo gjithherë e kënaq komplimenti. Ai, shumë më tepër, është bredhës andej e këndej sesa prezantues në një vend. Pikërisht për këtë edhe hapësira metafizike afër Pejgamberit a.s. paraqitet si ambient në të cilin njerëzit bisedojnë ndërmjet vete për ta kuptuar esencën e qenies dhe jo për t’u konfrontuar. Në momentin kur fillohet me konfrontimet, atëherë bllokohet shpirti. Kjo më së miri shprehet në ngjyrat dhe veshjet e njerëzve përreth. Lëvizjet brenda hapësirës adhuruese përngjasojnë me harmoninë e lëvizjes së trupave qiellorë. Ata janë të lira, por lirinë e përjetojnë brenda rendit dhe rregullit të jetës . Ndërkaq, nga ana tjetër, kaosi është aluzion për varfërinë kuptimore.
Ndoshta problemi kryesor i kësaj hapësire, si edhe shumë faltoreve bashkëkohore, është se fenomeni i adhurimit, në epokën bashkëkohore, për shkak të teknikës së reproduksionit, e gjen strehimin vetëm nën krahët e interpretimeve dialektike shterpe të modernizmit. Teoria e çbërthamizimit të adhurimit në bashkëkohësi, në realitet, e regjistron çastin kur adhurimi e humb bërthamën e saj, më drejt atributet e mospërsëritjes dhe origjinalitetit dhe, në këtë mënyrë, transferohet në “tjetërsinë teknike”, rrjedhimisht në medium të reprodukimit masiv. Por, ama, teknika nuk mund ta luajë rolin e mediatorit në çështjen e përgjegjësisë, që në realitet ka qenë imanente për adhurimin në ndërtimin e bërthamës fetare. Me këtë adhurimi profanizohet dhe teknika e luan rolin e bartësit të këtij transmisioni të sferës së përgjegjësisë. Por, asnjëherë nuk përgjigjet për të. Për pasojë, adhurimi duhet të na bëjë ta kuptojmë se ka mjete të sofistikuara, përmes të cilave mund të problematizohet çështja e përgjegjësisë.
Në afërsinë e Pejgamberit a.s. asnjëherë nuk mungon kaltërsia e qiellit. E kaltra është ngjyrë e seriozitetit. Ajo e simbolizon besnikërinë, urtinë, inteligjencën, të vërtetën, qetësinë. Ditën në plan të parë del e kuqërremta, që e bashkon energjinë e të kuqes dhe fatin e të verdhës. Është në raport të ngushtë me gëzimin dhe diellin.
Në të vërtetë, shpirti nuk e kërkon këtë lloj të thjeshtëzimit. Prirja e tij është që t’i shohë gjërat, si dhe gjithë botën, pa i adaptuar ato në perspektivat përfundimtare, pra as në atë të subjektivizmit e as në atë të objektivizmit. Kjo është ajo që e përbën vizionin metafizik të tij.
Shpirti nuk dëshiron edhe të ndahet prej atmosferës pejgamberike, por, ama, trupi disa herë e burgos atë me lëndoren dhe e tërheq pas vetes.
Përjetimi ka një veçanti – ai është individual. Rrjedhimisht, është gjuhë parimore për një njeri. Me këtë është e lidhur vështirësia e skajshme e komunikueshmërisë së kësaj gjuhe: të rrëfesh një përjetim është po aq vështirë sa të rrëfesh me fjalë një vepër muzikore. Pikërisht për këtë teksti hyjnor, nëpërmjet të tregimit më të bukur, atij për Jusufin a.s., e ka mundësuar që ëndrrës t’i përshkruhet një funksion i veçantë dhe kulturor tejet i rëndësishëm: të jetë rezervë e papërcaktueshmërisë semiotike, hapësirë e cila pret të mbushet me kuptim. Kjo e bën përjetimin të aftë të mbushet me interpretime të shumëllojshme..
Po përfundojmë me disa vargje nga Divan-i Kebir’i Mevlana Xhelaluddin Rumiut:
Njerëzit natën në gjumë u thelluan
Si peshku në ujë përfunduan
Syri i ashikëve tërë natën i zgjuar
Lot rrëke drejt mihrabit kulluar
Ka një shok për to në brendi
Sa dert, për shpirtin e ndarë nga Miku.