Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Treshi i artë ishte emërtimi i tre hoxhallarëve të njohur të periudhës pas viteve të dyzeta të shekullit XX e deri në dekadën e nëntë po të këtij shekulli, i Garib efendiut, Hafiz Selmanit dhe Hafiz Abdullahut. Ata kishin respekt të madh ndaj njëri tjetrit dhe gjithnjë në mexhlise shkonin bashkë. Secili prej tyre ishte një karakter pozitiv në vete dhe atë e pasqyronte në vendin ku ishte prezent. Ata ishin treshi i artë i shkrirjes për fenë dhe ditët më të mira të popullsisë së Tetovës dhe më gjerë.
Unë, Hafiz Abdullahun, e kam takuar në mexhliset fetare në Tetove dhe rrethinë në të cilat më merrte Garib efendiu, si hafiz i ri, qysh në moshën 12 vjeçare. Hafiz Abdullahu fliste me zë të ulët por të vendosur. Kryesisht në mexhliset muhabetin e mbante Garib Efendiu, ndërsa kur do të vinte fjala për ndonjë çështje të rregullave gramatikore të gjuhës arabe apo për diçka në lidhje me të drejtën trashëgimore islame/feraiz aëherë thoshte me gjysëm shaka: Hafiz Abdullah! Ky është mejdani yt, ti je bash në këtë punë!
Me Hafiz Abdullahun jam takuar shumë herë edhe më vonë gjatë studimeve. Ai ishte njeri i përgatitur dhe ndjekës i përpiktë i aktualitetit. Hafiz Abdullahu me kujdes të veçantë e ndiqte shtypin ditor dhe ishte i informuar për të gjitha ngjarjet që janë duke ndodhur. Për çdo natë e dëgjonte BBC-në dhe ndonjë prej kanaleve të radios nga Egjipti, si rrjedhojë ai shpesh në bisedat na informonte edhe për ngjarjet që ndodhin në botë dhe në viset arabe. Biseda e tij përplot me informata të reja ishte shumë e këndshme dhe mua personalisht ende më tingëllon në vesh zëri i tij I hollë, prej të cilit zë kam mësuar shumë gjëra të reja.
Hafiz Abdullahu ka lindur në vitin 1914 në fshatin Zhelinë të Tetovës. Hifzin e ka kryer pranë mual-limit të njohur të periudhës ndërmjet dy luftrave botërore, Hafiz Rexheb efendi Sulejmanit, në Tetovë. Më pas ka vazhduar mësimet në medresenë e Xhemil efendi Jusufit dhe ka qenë prej nxënësve të dalluar të medresesë së tij. Ishte njohës i mirë i arabishtes dhe turqishtes së vjetër.
Hafiz Abdullahu së bashku me Garib efendiun duke e parë rrezikun e ardhjes së komunizmit janë inkuadruar në lëvizjen e Ballit Kombëtar, ndërsa më vonë edhe në lëvizjen NDSH ( Nacional Demokratike Shqiptare) për ta luftuar konceptin komunist. Hafiz Abdullahu maksimalisht është angazhuar edhe në tubimin e ndihmave për ushtarët e Arif Kapedanit i cili ishte ngritur në kryengritje të armatosur kundër sistemit të rivendosur komunist. Si pasojë e këtyre aktiviteteve ai është burgosur dhe në 18 gusht 1948 është dënuar me 20 vjet burg të rëndë për veprën “ veprimtari kundër popullit dhe shtetit”.
Flamurtarët e pushtetit të ri komunist kishin përdorur maltretimet dhe torturat më të panjerëzishme kundër tij dhe shokëve që ishin burgosur bashkë me të. Por ai asnjëherë nuk është penduar për idealin dhe veprimtarinë e tij. Më kujtohet në vitet e para të demokracisë, kur në hapësirat tona si parti e vetme shqiptare kishte filluar veprimin Partia për Prosperitet Demokratik, Hafiz Abdullahu ishte ndër të parët që e përkrahte mendimin e veprimit të pavarur politik dhe shoqërorë të shqiptarëve në Maqedoni. Ai edhe neve na këshillonte që të jemi vigjilent dhe ta ndjekim aktualitetin kohor.
Krahas anatemimit dhe kushteve shumë të vështira për ekzistencë ai e ka shkolluar djalin e tij i cili asokohe e ka kryer fakultetin teologjik në vendet arabe dhe është kthyer për të vepruar në Tetovë. Djali i tij Abdulhamid efendi Abdullahu ka punuar një periudhë të gjatë si referent fetaro-arsimor në myftininë e Tetovës.
Pas daljes së burgut në vitin 1960, si person i anatemuar nga sistemi, Hafiz Abdullahu ka shërbyer si ligjërues dhe imam në fshatin Veleshtë të Strugës. Pas qëndrimit tre vite në Strugë është kthyer në Tetovë dhe një periudhë ka shërbyer si imam dhe vaiz në fshatin Sellcë dhe më vonë fshatin Sllatinë të Tetovës. Unë kam vajtur disa herë për ta ndjekur ligjëratën e tij në fshatin Sllatinë ku i mbante ligjëratat e ditës së xhuma.
Ligjëratat e tij ishin përplot me informata dhe shembuj aktual nga përditshmëria. Shpesh herë në ligjërata përmendte edhe kuriozitete të ndryshme që asokohe edhe nuk kishte mundësi të dëgjohen nga ana e popullsisë më të gjerë për shkak të mungesës së mjeteve të informimit më të gjerë. Zëri i hollë dhe i ulët, koncepti dhe zhvillimi i temës ishin karakteristike për të dhe shumë produktive për auditorin që e dëgjonte.
Hafiz Abdullahu ishte një njeri i urtë, mësues i mirë dhe idealist që deri në frymën e fundit është shkrirë për ngritjen intelektuale kulturore dhe pozicionimin shoqëror të shqiptarëve në trojet tona.
Ka kaluar në ahiret në 07 Shkurt 2007 dhe është përcjellur në prezencë të një numri të madh të besimtarëve nga trojet shqiptare. Zoti e pranoftë në miqësinë e të mirëve.