Dy myderrizët/profesorët tetovarë Xhemil efendiu dhe Bedaet Efendiu

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Dy hoxhallarët që më së tepërmi njihen në Tetovë duke filluar nga periudha e pas luftës së parë botërore janë vëllezërit Xhemil dhe Bedaet Efendiu. Xhemil Efendiu që në moshë të re e ka përfunduar hifzin te njëri nga mual-limët e njohur të kohës Haxhi Jusuf efendi Lakushi, për të cilin gjithnjë ka thënë fjalë miradie. Më pas ka udhëtuar në Stamboll, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare dhe aty është diplomuar në medresenë e Fatihut. Më vonë, pasi që e ka kryer medresenë ka punuar në bibliotekën e medresesë, ndërsa pas rrëzimit të shtetit osman, gjegjësisht pas themelimit të Republikës së Turqisë, thuhet se është kthyer në vendlindje. Edhe pse për vëllaun e tij Bedaet Efendiun nuk ka shumë të dhëna, por dihet se edhe ai është shkolluar në Stamboll, ndërsa në vendlindje nuk është kthyer bashkë me Xhemil efendiun, por më vonë, me gjasa pas vitit 1925, prej Egjiptit ku kishte qenë i syrgjynosur. Djali i madh i Xhemil Efendiut, Haxhi Abdullahu (rahmet pastë) rrëfente se Bedaet Efendiu ka qenë anëtarë i organizatave shqiptare për pavarësi në Stamboll dhe për këtë është syrgjynosur. Ai, gjithashtu, thoshte se në bibliotekën e tyre familjare është edhe ftesa nga ana e Ismail Qemal Bej Vlorës për të marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë, por ama ai nuk ka vajtur për shkak se dëshira e tij ka qenë që flamuri i pavarësisë të valojë në Shkup dhe jo në Vlorë.

Në lidhje me kthimin e Xhemil Efendiut në vendlindje në Tetovë rrëfehen edhe ngjarje interesante. Thuhet që ai nuk është pajtuar me sistemin e ri të vendosur në Turqi nëpërmjet Mustafa Kemal Ataturkut dhe e ka kundërshtuar sistemin e ri në shumë çështje. Si pasojë, është ndjekur nga policia dhe në vendlindje është kthyer i fshehur në arkivol. Krahas asaj që kjo ngjarje mund të mos jetë e vërtetë, por është fakt se ajo e paraqet qasjen e Xhemil efendiut ndaj sistemit të rivendosur në Turqi. Ai pas kthimit me mish e me shpirt ka bërë përpjekje që të mos lejojë shpërnguljen e popullatës shqiptare për në Turqi.

Me të kthyer në vendlindje Xhemil efendiu e ka themeluar medresenë El-hidaje/Udhëzimi, në lokalet e xhamisë së Çarshisë në Tetovë. Më pas  Bedaet Efendiu e ka hapur edhe një medrese në hapësirat e xhamisë së Çarshisë së Epërme ku ka qenë i përqendruar vetëm në përgatitjen profesionale të kuadrove për imamë në Tetovë dhe më gjerë. Bedaet Efendiu ka qenë shumë njeri i devotshëm dhe i urtë dhe kjo urtësi e tij është përmendur me krenari nga tetovarët e vjetër si dhe nga nxënësit e tij që më vonë kanë qenë bartës të jetës fetare në Tetovë dhe më gjerë, veçanërisht pas luftës së dytë botërore.

Xhemil Efendiu theks të veçantë i ka kushtuar edukimit dhe arsimimit të kuadrove fetarë në trojet tona, të cilat tash kishin mbetur jashtë qendrave të rëndësishme islame të asaj kohe. Medresja el-Hidaje është bërë vatër e mësimit të shkencave islame në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit. Në mesin e hoxhallarëve që janë diplomuar në këtë medrese bëjnë pjesë: Veli efendi Nesimi (gjyshi i myftiut të Tetovës Qani efendi Nesimit) nga Dobroshti, Abdurrahim Efendi Mehdi nga Tetova ( përndryshe imam dhe vaiz në xhaminë Eski në Tetovë deri në vitin 1971), Shaban efendiu nga Forina, Kemal Efendiu nga Çegrani, etj.

Më kujtohet një rast interesant që ma ka treguar Hafiz Nurimani (rahmet pastë) i Çegranit, përndryshe djali i Kemal efendiut të Çegranit. Një person prej Çegrani ka kaluar nëpër Tetovë dhe ka vendosur që të shkojë tek Xhemil Efendiu ta pyesë për një çështje fetare. Ka vajtur tek Xhemil Efendiu dhe e ka pyetur për çështjen. Ndërsa Xhemil Efendiu para se t’i përgjigjet e ka pyetur atë se prej nga ishte? I ka thënë: Jam prej Çegrani. Atëherë, Xhemil Efendiu i ka thënë: Ti në Çegran e ke një hoxhë më të madh se unë, është Kemal Efendiu, shko pyete atë, pse ke ardhur të më pyesish mua. Personi është kthyer në Çegran dhe pa një pa dy ka vajtur te Kemal Efendiu t’i tregojë se çka i kishte thënë Xhemil Efendiu. Pasi që ia rrëfeu ngjarjen Kemal Efendiu i ka thënë: Jo, ai është mësuesi ynë, ai është hoxhë më i madh shumë se ne, por të ka dërguar te unë pasi unë e di se çfarë personi je ti! Ai e ka pasur traditë që kur dikush prej besimtarëve ka vajtur për ta konsultuar për ndonjë çështje fetare ta dërgojë te ndonjëri prej hoxhallarëve tjerë që kanë qenë të përgatitur profesionalisht dhe të merr përgjigjen prej tyre.  Kjo sjellje e Xhemil efendiut e tregon edhe strategjinë e tij për lobimin pozitiv për miqtë dhe njerëzit e përgatitur.

Xhemil Efendiu ka qenë i pari në mesin e të burgosurve nga ana e pushtetit komunist në rastin e ndalimit të burkës/peçes dhe sipas rrëfimeve të të afërmeve ka qenë më së tepërmi i maltretuar në burg.

Xhemil Efendiu ka qenë shumë i respektuar në Tetovë. Ai e ka pasur traditë që ditët e verës të ulet në një gur të madh para shtëpisë dhe çdoherë kur aty pranë kanë kaluar njerëzit atë e kanë përshëndetur me respekt të madh. Kjo sjellje me edukatë ndaj Xhemil Efendiut ka qenë element joshës edhe për fëmijët e vegjël. Veçanërisht, zonjat tetovare që tash janë në të shtatëdhjetat me entuziazëm flasin për çastet kur kanë kaluar, si fëmijë, pranë hoxhës së nderuar dhe kanë marrë temena (Përshëndetje në shenjë nderimi të thellë ose përuljeje të madhe, që bëhet duke vënë dorën më parë në zemër e pastaj në ballë dhe që shoqërohet zakonisht me përkulje të trupit). Bedaet Efendiu ka kaluar në ahiret në vitin 1950, ndërsa Xhemil Efendiu në vitin 1961, por ata përgjithmonë kanë ngelur në zemrat dhe kujtesën e tetovarëve. Zoti i shpërbleftë me begatitë e Tij.