Një yll ndriçues nga miqësia e Zotit Ali Efendiu i Tetovës

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Ligjëratat e para në xhamitë e Tetovës gjatë muajit të Ramazanit kam filluar t’i ndjeki në moshën gjashtëvjeçare. Asokohe, pra ishin vitet 1976-77, në xhaminë Eski ligjëratat i mbante Rafiz efendi Hoxha, në xhaminë e Çarshisë së Epërme, Garip efendi Beadini, ndërsa në xhaminë e Saatit, Ali efendiu. Si fëmijë kisha dëshirë që t’i dëgjoj që të tre, por pasi ligjëratat ishin pas namazit të drekës nuk kisha mundësi t’i dëgjoj vazhdimisht të tre, por shkoja një ditë tek njëri, ditën tjetër te i dyti, e të të tretën tek i treti.

Për Ali efendiun këdo që do ta kishe pyetur në Tetovë e thoshte të njëjtën fjalë: ai është mik i Zotit/evlia. Kjo bisedë shpeshherë bëhej edhe në familjen time, madje më kujtohet ndonjëherë kur si fëmijë sëmuresha, gjyshja ime, një grua sa shtatë burra, myslimane me vend dhe e devotshme, më merrte për dore dhe shkonim në shtëpinë e Ali Efendiut që të më fryjë. Ajo qëndronte jashtë ndërsa unë hyja brenda tek efendiu dhe ai pëshpëriste disa lutje dhe tri herë më frynte, pastaj  ktheheshim në shtëpi. Ky ishte shkaku pse shkoja të dëgjoj ligjëratat e Ali efendiut pas namazit të drekës në xhaminë e Saatit në Tetovë. Ai fliste me zë shumë të ulët dhe unë nuk kuptoja asgjë prej asaj që thotë, mirëpo çdoherë më tërhiqte atmosfera shpirtërore e kësaj xhamie dhe në veçanti qëndrimi i Ali Efendiut. Ai, krahas asaj që shumica nuk e dëgjonin çka thotë, e mbante ligjëratën, disa herë pasi që lexonte një ajet nga Kurani ose hadis të Pejgamberit a.s. fillonte të qajë dhe ne vetëm se e shikonim të habitur por edhe të mahnitur nga dalldia që e përjetonte gjatë komunikimit me brendinë e tij, pasi xhemati nuk kuptonte asgjë pse qante. Tash e kuptoj dhe ndjej fortë përjetimin e Ali Efendiut që fare nuk i interesonte se a e dëgjojnë xhemati ose jo. Ai në atmosferë lëshonte shpirtërinë e tij të bashkangjitur me ajetet e Kuranit dhe hadiset e Pejgamberit a.s.. Me një fjalë ai e frynte me frymën e tij miqësore xhaminë dhe lëshonte një frymë të bekuar/nefes rahmani për xhematin i cili kishte ardhur për dashuri dhe respekt ta dëgjojë atë.

Më vonë, pasi që e kisha kryer hifzin pranë hoxhës të nderuar Mahmud efendi Asllanit, Garib Efendiu shpesh më merrte me vete në mexhliset fetare në rrethinën e Tetovës dhe më gjerë, ku ai asnjëherë nuk shkonte pa miqtë e tij shumë të afërm, Hafiz Abdullahun e Zhelinës dhe Hafiz Selmanin e Reçicës. Njëherë së bashku me tre hoxhallarët e përmendur patëm vajtur në fshatin Gorancë, në kufirin me Kosovën, dhe aty ndejtëm dy a tre ditë. Për çdo ditë kishte nga një mexhlis ose dy  nëpër shtëpitë e ndryshme të fshatit. Ishte një atmosferë shumë e këndshme fetare, fshatarët na bënë shumë nder që kurrë nuk mund ta harroj dhe nuk më ikën prej para sysh. Aty gjatë bisedës, Garib Efendiu e tregoi një rast shumë interesant që për mua ishte sqarimi më i mirë se pse duhej dëgjuar Ali efendiu. Përderisa ishim nxënës tek myderrisi me emër i Tetovës Xhemil Efendi Jusufi, rrëfente  Garib Efendiu, ai na tha që disa muaj do të duhej të shkojmë dhe të ndjekim ligjëratat tek Ali Efendiu, në shtëpinë e tij. Ne vajtëm tek Ali Efendiu dhe pasi kaloi një muaj shkuam tek Xhemil Efendiu dhe i thamë që ne nuk kuptojmë asgjë prej asaj që tregon Ali efendiu. Ai nuk i sqaron problemet fetare vetëm na i lexon dhe aq. Atëherë Xhemil Efendiu na pati thënë: Djem! Unë ju dërgova tek Ali Efendiu ta mësoni ahlakun/sjelljen dhe mehabbetin/dashurinë fetare dhe jo dituri. Këto fjalë të Garib Efendiut ishin sqarimi më i mirë për përkapjen reale të ligjëratave të Ali Efendiut.

Ali Efendiu ishte shumë njeri modest, kur ecte rrugës asnjëherë nuk e çonte kokën të shoh se çka ka përreth. Sikur nuk interesonte se çka ndodh në botë. Ishim në një ndejë në një familje në Tetovë, ku kishte edhe shumë hoxhallarë të tjerë dhe aty ishte i pranishëm edhe Ali Efendiu. U hap biseda në lidhje me anomalitë e bashkëkohësisë, shthurjen e tepërt të rinisë, amoralitetin, mashtrimin e kështu me rradhë. Për këto çështje fliste Alinaxhi Rizai, babai i Dr. Husein Rizait, i cili asokohe ishte kryetar i këshillit të bashkësisë islame të Tetovës. Zotni Alinaxhiu e respektonte shumë Ali Efendiun, por edhe Ali efendiu e donte shumë atë. Është fakt se të dy ishin njerëz shumë pozitiv dhe të mirë me kuptimin e plotë të fjalës. Pas një kohe Ali efendiu tha: Zoti na ruajtë që mos ta mbërrimë  këtë kohë të keqe! Ajo kohë kishte ardhur , por Ali efendiu nuk ishte në modin e asaj që ishte duke ndodhur në aktualitetin kohor. Ai e kishte kohën dhe hapësirën e vete pa kohë dhe pa hapësirë.

Ali Efendiu ishte ashik i Pejgamberit a.s.. Në një drekë pas një mevludi në Tetovë, ku isha edhe unë si hafiz i ri, nikoqiri kishte bërë oriz në furrë/byrjan me mish. Ali efendiu e hante me ashk orizin. Njëri nga hoxhallarët e pyeti se a e pëlqeu orizin. Ndërsa i u përgjigj: Ah! E kam dëgjuar prej Bedaet efendiut (një myderris i ditur shumë i Tetovës dhe vëllau i Xhemil Efendi Jusufit) se Pejgamebri a.s. shumë e ka dashtë orizin prandaj jam duke ngrënë! Dhe ai nuk hëngri asgjë tjetër përveç orizit.

Ali efendiu ka pasur shumë kujdes mos t’i hyjë në hak dikujt. Një tipar i miqve të Allahut xh.sh. Më tregonte gjyshi im se një herë përderisa është kthyer nga fusha në këmbë, dikush prej bujqve ka kaluar pranë tij me karrocë me kalë dhe e ka lutur që të hipë në karrocë. Ai një herë nuk ka pranuar, por pas insistimit të tij ka hipur në karrocë me kusht që ta çojë deri tek dera e shtëpisë. Kur kanë arritur tek dera ka zbritur prej karroce dhe e ka lutur atë që të presë disa minuta. Ka hyrë në shtëpi, ka marrë pak zahire dhe e ka hedhur në karrocë. Pronari i ka thënë që s’ka nevojë ta bëjë këtë dhe se ai ka pasur kënaqësi që e ka shoqëruar hoxhën deri tek shtëpia e tij. Mirëpo Ali Efendiu i është përgjigjur: Ky është haku i kalit!

Në vitet e para të pushtetit komunist, veçanërisht në vitet kur është ndaluar me ligj burka/peçeja, Ali efendiun e kanë burgosur për shkak se ka qenë kundër ndalesës së burkës. Në Tetovë, të gjithë të moshuarit rrëfenin se gjatë periudhës së qëndrimit në burg, fare nuk ka marrë ushqim të burgut dhe shpirtin e ka mbajtur me ujë dhe bukë të thatë që ia kanë sjellë prej shtëpie. E kam dëgjuar edhe atë se një prej gardianëve të burgut ku ka qenë i burgosur Ali Efendiu, maqedonas, u ka rrëfyer miqve të vet se sa herë që ia kanë lidhur prangat në këmbë e duar, ata janë zgjidhur vetë. Dhe shpeshherë i dëgjoja prej moshatarëve të gjyshit tim fjalët e gardianit maqedonas i cili kishte pas thënë: Toj beshe svetec/Ai ishte shenjtor! Ndoshta për arsyen dhe logjikën tonë diskursive kjo është e pamundshme dhe vetëm se një legjendë, mirëpo edhe nëse është kështu pse kjo legjendë për Ali Efendiun dhe jo për dikë tjetër?!

Në vitin 1989 kur ishte i sëmurë e pata lutur zotni Alinaxhi Rizain që të shkojmë ta vizitojmë Ali Efendiun. Ai pranoi dhe vajtëm tek Ali efendiu për ta vizituar. Ishte i sëmurë mjaftë dhe plotësisht në botën e tij të miqësisë me Zotin. Ishte ulur në minder ndërsa ne karshi tij. Ndejtëm 10-15 minuta, e pyetëm si e kishte hallin? Me zë shumë të ulët tha: Elhamduli’l-lah! Dhe asgjë tjetër. Na shikoi pa thënë asgjë përderisa ishim aty dhe na ndoqi derisa dolëm prej dhomës së tij. Nga respekti nuk ia kthyem shpinën, por nga dhoma u larguam duke ecur me hapa prapa. Kjo ishte hera e fundit që erdha sy më sy me Ali Efendiun dhe kurrë nuk e harroj atë fotografi.

Në vitin 1990 isha ushtar kur e morra lajmin se kishte nderuar jetë Ali Efendiu, ishte shuar edhe një yll ndriçues i miqësisë me qiellin. Ai kishte vajtur tek Miku i tij. U mërzita shumë për shkak se nuk isha i pranishëm në namazin e xhenazes së Ali Efendiut dhe me të kthyer prej ushtrie e vizitova varrin e tij duke e lutur Allahun që të na e mundësojë shoqërimin e tij në ditën e ahiretit…