HAPËSIRA PAKUFI E SHPIRTIT

Shërbëtor i Kur’anit jam, gjersa xhani të m’jetë shuar

Pluhur pragu mbetem, për Muhammedin e nderuar

N’përcjellë ndokush diç tjetër nga kjo që kam pohuar

Kam hequr dorë prej tij dhe asaj që do ketë shkruar

(Mevlana Xhelaluddin Rumi)

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Çdo herë kur provoj të shkruaj diçka në lidhje me mënyrën e të menduarit dhe ngjarjet e hapësirës dhe kohës ku jemi duke e harxhuar frymën, e përjetoj një shtrëngim dhe ngushtim të brendshëm. Disa herë përpiqem ta kuptoj këtë shtrëngim si paaftësi ose pamundësi të shprehjes së krejt asaj që e ndiej në lidhje me mendimin dhe ngjarjet, por ama disa herë jam shumë i bindur që ky shtrëngim është rrjedhojë e pamundësisë së artikulimit të kuptueshëm të asaj që e përjetojmë ne si realitet dhe vetë realitetit origjinal.

Bota e ngjarjeve, edhe në kontekst të sqarimit të tyre, është e kufizuar rreptësisht në lëndoren, por më e rrezikshmja është se edhe mendimet që u paraprinë ngjarjeve dhe që pasojnë si analizë sistematike e tyre, janë të robëruara nga hapësira shqisore. Kjo ma zgjeron pak kraharorin, pasi jam i bindur se mendimi dhe ideja nuk mund ta ndjekë ngjarjen; ai është kandidati kryesor për ta krijuar atë. Ngjarja paraqitet si rrjedhojë e zbatimit dhe implementimit të plotë ose të mangut të mendimit ose, në skajshmërinë tjetër, si rrjedhojë e mosimplementimit të mendimit. Ta them të drejtën, më pengon shumë skllavërimi i skajshëm i qenies më të përkryer të dalë në hapësirën fizike, pra, njeriut (kjo e vërtetë e pranuar nga të gjithë: teistë, ateistë, agnostikë) për kufijtë e syrit, të veshit, lëkurës, hundës dhe gjuhës! Kjo është kështu, pasi pa shumë analizë e shoh që secili prej nesh, që nga fëmijëria e deri në pjekurinë më të madhe, mendon për gjëra që nuk janë në kufijtë e të sipërpërmendurave. Bile, edhe ata që skajshmërisht udhëhiqen nga kufijtë lëndorë, nuk mund të jetojnë pa menduar për gjëra që në kornizat e kohës dhe hapësirës ku jetojnë janë të pakapshme.

Kureshtjen për ta kuptuar drejt se mos vallë jam jashtë realitetit të kohës dhe hapësirës, ma shton edhe fakti se të gjithë përreth meje dhe më gjerë shumë më tepër joshen nga gjërat që nuk janë lëndore sesa nga ato lëndore, por ama lëri ato që botën e kuptojnë si lëndore – edhe fetarët, ëndërrimtarët, surealistët, futuristët, sihirbazët paraqiten me një dëshirë të flaktë që ta materializojnë dhe ta prekin fenë, ëndrrën, imagjinatën, ankthin, shtrëngimin e brendshëm.

A mos vallë është e vërtetë teoria për çmagjepsjen e botës dhe njeriut!?

Që të jem më i qartë, nuk mund ta kuptoj se si njeriu i skajshëm në lëndoren e parapëlqen artin abstrakt ose ekspresionin në vend të realizmit ose vizatimit teknik; si juritë me nam të botës së filmit e parapëlqejnë filmin pa zë në vend të atij ku dëgjohet biseda; si grafikët janë më të ekzaltuar nga portreti i deformuar/imagjinar dhe jo nga ai real; nuk i kuptoj edhe fetarët dhe folësit për fenë, që më tepër kënaqen kur e dëgjojnë leximin e bukur të Kur’anit sesa nga bisedat juridike ose apologjetike në lidhje me të vërtetat fetare. Shpesh e pyes veten: a mos ky koncept i sjelljes sonë është paradoks!? Apo, edhe në çështjen e mendimit dhe ndjenjës kemi vendosur që t’ia imponojmë vetes sjelljen dyfytyrëshe, të mendojmë dhe ndiejmë ndryshe dhe të shprehemi ndryshe, duke qenë të bindur, me një egocentrizëm dhe narcizëm demonik, se të tjerët nuk janë të përgatitur ta kuptojnë dhe ta jetojnë të vërtetën tonë ashtu si e dimë ne dhe, pikërisht për këtë, ata duhet që ne t’i përgatitim me dekada dhe shekuj që ta kuptojnë, ndërsa ndërkohë ne do t’i shijojmë të mirat dhe leverditë e të qenit padronë të tyre!? Mendoj që ky është realiteti në prapavijën e tërheqjes së kufijve me vizore dhe ndarjes së familjeve, kombeve, gjaqeve, pasi ata ende nuk janë të përgatitur ta kuptojnë realitetin si ne, andaj, si rrjedhojë, duhet t’i përgatitim për këtë!

Antropologjia na mëson se njerëzit mendojnë në bazë të shprehive të tyre. Kjo është kështu për shkak se ata nuk kanë dëshirë të zgjerohen dhe shtrihen shumë dhe pasi kanë frikë nga ndryshimi. Ky ka qenë edhe shkaku kryesor i konfrontimit të pejgamberëve me popujt e tyre, por edhe shkaku i dënimit të Sokratit, si dhe ekzekutimit të shumë shkencëtarëve në mesjetë, ndërsa ne i kemi fajësuar pandërprerë ata që kanë qenë kundër avangardizmit dhe kërcimit andej gardhit. Bisedat tona më të shpeshta janë përplot me akuza ndaj konservatorizmit dhe pengimit të mendimit ndryshe. Po mirë, kjo vlen vetëm për rastet kur duhet të sulmohet ajo që ne kemi dëshirë ta imponojmë si mendësi që nuk e përjetojmë edhe vetë. Me fjalë të tjera, si dyfytyrësi ndaj vetes. Apo, vlen si parim i përgjithshëm? Nuk ka dyshim se çdo njeri pak i logjikshëm do të pajtohej se është parim i përgjithshëm. Atëherë, çka është avangarda e mendimit të njeriut që jeton sot: do t’i themi modernizëm, postmodernizëm apo postpostmodernizëm? A mos njeriu e ka skllavëruar veten e tij dhe sillet në trajtë inkuizicionale ndaj çdo gjëje që do t’ia kishte prekur, bile edhe pak, dyfytyrësinë e sjelljes në brendi dhe jashtë? Unë mendoj se po.

Ta bëj edhe një digresion: ndoshta për ta derdhur shpirtin tim edhe pak më qartë në lidhje me këtë çështje. Njeriu i sotshëm, kur bëhet fjalë për dukjen e jashtme, nuk ngurron të kthehet në të kaluarën dhe t’i rikthejë në modë gjërat që kanë qenë atraktive para dyzet viteve. Koleksioni Cruise, edhe në vitin 2018, si edhe në vitin e kaluar, i ka parapëlqyer mantelët e gjatë të gjashtëdhjetave dhe pantallonat e gjera; Louis Vuitton, Marni dhe Prada, në pothuaj të gjitha trendet e tyre të fundit, i kanë prezantuar pantallonat e gjera, një veshje vintage dhe mjaft elegante që krijon freski gjatë sezonit të verës. Ata, në reklamimin e tyre, thonë: “….në rast se akoma nuk e keni marrë vesh, vitet e ’70-ta janë rikthyer. Dhe fuqishëm madje….”. Si rrjedhojë, gjatë sezoneve të fundit, shumë nga emrat më në zë të modës kanë prezantuar koleksionet e tyre në pasarelat e njohura ndërkombëtare, duke u ndalur në detajet e viteve të ’70-ta.

Po, pantallonat dhe të brendshmet mund t’i rikthejmë, por ama urtësinë pereniale jo, assesi, pasi ajo është rigide, retrograde, e prapambetur…! Shpirti, që ngërthehet nga koha dhe hapësira, për ne është i vjetër dhe i mbyllur në kafazin e hekurt. Ai ka të drejtë të përdoret vetëm për poezi, për ndonjë fjali joshëse dashurie dhe në margjinat e shoqërisë. Ai nuk guxon të depërtojë në universitet, në teatër, në shkollë e mos të diskutojmë në organizimin dhe udhëheqjen e shoqërisë.

Shpirti është një burim i gjerë dhe përfshirës, që ka mundësi të zgjatet në të gjitha anët e jetës së njeriut. Si rrjedhojë, shpirti ashtu siç ka mundësi ta sistemojë fenë, metafizikën, filozofinë e artin, ashtu ka mundësi të ndihmojë, madje edhe t’i qetësojë relacionet ekonomike, arsimore e shoqërore. Në traditën perenniale, çështjet shoqërore zbatoheshin pas pjekjes në furrën e gnostikëve me urtësi dhe mençuri të thellë. Mendimi nuk udhëhiqej nga ngjarjet, por, përkundrazi, pa pasur mendim nuk kishte edhe zbatim. Brend-i paraqitej në kuadër të një mendimi ose shkolle të caktuar filozofike, artistike e fetare, ndërsa tash individët bëhen “idhuj” me një këngë, në të cilën përsëriten tre fjalë në 25 minuta! Praktika ishte reflektim i mendimit të pjekur me përvojë, ndërsa tash është rrjedhojë e konkluzioneve të nxjerra nga sjelljet të dala në pah nga statistikat. Ky është shkaku që edhe shumica e sëmundjeve shpirtërore/psikosomatike nuk kanë shërim, por mbulohen me hi nëpërmjet medikamenteve qetësuese. Kjo është kështu pasi psikologjia bashkëkohore nuk është më dije për shpirtin, por shkencë e cila i studion manifestimet e shpirtit.

Pse ende sot e kësaj dite ta lexojmë Hafizin, Sadi Shiraziun, Mevlana Xhelaluddin Rumiun, Platonin, Konfuçion, madje edhe të botojmë libra me tituj “Platoni i gjallë”, “Konfuçio në vend të punës”, “Zhvillimi individual dhe Tao”, “Dyzet ditë në halvet – ditari i halvetit i një psikologeje dervishe dhe zbërthimi shkencor i tij” (Michaela Ozelsel)?

Shpirti në konceptin e urtësisë perenniale, kështu edhe në mendimin tradicional islam, gjithnjë i ka paraprirë veprës. Kur’ani shpesh thotë: “ … që ta përkujtoni”; “ … a nuk persiatni?”; “… a mos vallë i keni të mbyllura me dry zemrat?”. Për fat të keq, kjo traditë e mendimit dhe shpirtërisë në kohën e re u zëvendësua me shenjtërim të aksionit dhe, si rrjedhojë, edhe në hapësirat ku duhet, doemos, të dominojë shpirti, u themeluan organizata që veprojnë vetëm duke i ndjekur ngjarjet. Kjo mënyrë e sjelljes shërben vetëm për ta futur në kafaz shpirtin dhe për të mos i lejuar atij që ta përjetojë kënaqësinë e lirisë jashtë trupit, jashtë lëndës.

Mos të flasim për politikën: aty fjala e parë do të jetë “Lëri këto ideale, sepse për ideale vdesin vetëm të marrët”, ndërsa fakti është se pa ideale lindin dhe jetojnë vetëm të retarduarit….

Qeniet, në gjithësi, nuk janë vetëm një grumbull i gjërave pa identitet dhe esencë; ato në “fytyrën e vërtetë” të tyre, pra subjektive, e kanë veten e tyre. Ato janë identitete individuale dhe e shfrytëzojnë identitetin e tyre për ta kompletuar funksionin e dukshëm, ngjashëm siç inxhinieri i shfrytëzon pjesët e ndryshme për ta kompletuar kompjuterin. Qeniet në gjithësi, njëkohësisht, janë edhe inxhinierë edhe makinë, pianistë dhe piano… Shpirti i fryrë në esencën e gjithësisë është prapavija që ua mundëson qenieve gjallërinë në ekzistencë dhe “ana e vërtetë” e saj është e përfaqësuar si fushë e vetëdijes. Sa më e sforcuar është vetëdija për origjinën e gjërave, aq më shumë qenia ka mundësi ta kompletojë kompozicionin e të vërtetës në ekzistencë. Pasuria e udhëzimeve për përbërjet e ndryshme – veçanërisht te njeriu, ku kujtesa artistike dhe kulturologjike i shtohet kujtesës biologjike – e mundëson që ta zbërthejë edhe atë që nuk mund të ndahet. Në këtë rast shpirti paraqitet si një inxhinier i njeriut shpirt në njeriun trup, i furnizuar me mijëra udhëzime për bashkime dhe ndarje, përmes të cilave del në dukshmëri arti esencial i gjithësisë. Për rrjedhojë, shpirti është shfrytëzues transcendental i përmasës imanente, ngjashëm siç pianisti që e shfrytëzon pianon e tij. Gnoza mbinatyrore, në këtë rast, imagjinon forma të gjalla dhe tejet të komplikuara, që në realitet edhe e paraqesin sfondin real artistik në gjithësi. Si pasojë e kësaj, shpirti është shndërruar në një qenie vetanake, e përbërë nga llojllojshmëria e bashkimeve dhe ndarjeve të mundshme, në të gjitha format ekzistuese në gjithësi.

Pashpirtësia prodhon kufij…

tvshenja.tv