Doli në botim libri SHIFAU’L-ESRAR SEKRETET E RRUGËS SË SUFIUT nga autori Sejjid Jahja Shirvani përkthyer nga Metin Izeti
Vepra “Shifau’l-Esrar” e shkruar 550 vite më parë në Azerbajxhan, e autorit Sejjid Jahja Shirvani Bakuvi është një nga ilustrimet më të përsosura të kulturës sufike. Kjo vepër paraqet botëkuptimin filozofik, vijat material dhe kuptimore, metodat psikologjike dhe pedagogjiketë tarikatit të madh Halvetijje. Tarikati Halvetijje është njëra prej shkollave më të rëndësishme sufike të përhapura në botën islame. Ai nëpërmjet halifeve të Sejjid Jahja Shurvaniut, piri të dytë të këtij tarikati I cili ia dha formën përfundimtare kësaj shkolle të tesavvufit, është përhapur në Anadoll, Iran, Azerbajxhan, Afrikë Veriore dhe në Ballkan.
Vepra Shifau’l-esrar na pasuron me dituri dhe mendime të shëndosha nga rrëënjët tona, nga mendimet e drejta, nga besimet e vërteta, nga shpirtëria e pasur dhe nga trashëgimia e madhe historike e jona. Ai na lajmëron për qenësinë, karakterin dhe botën e brendshme tonën. Na tregon rrugët e pastrimit dhe filtrimit të shpirtit, zemrës dhe mendimeve tona, tregon rrugët e shpëtimit prej lakmisë, urrejtjes, dëshirave dhe hamendjes së unit dhe armiqësisë. Na fton që të bëhemi të dobishëm dhe konstruktivë për njerëzimin, na këshillon të ushqehemi me hallall, të flasim drejtë dhe të jemi të sinqertë. Na sugjeron dashurinë, respektin, shpirtëgjerësinë, ndihmesën dhe sinqeritetin.
Vepra “Shifau’l-Esrar”, flet për parimet që duhet të pranojë kandidati për sufi dhe numëron karakteristikat e besimtarit të vërtetë nga gjuha e Pejgamberit a.s. që nevojiten për një sufi. Sipas kësaj, një murid në fillim duhet të ketë iman (besim), teslimijet (dorëzim), ihlas (sinqeritet), seriozitet, përpjekje, adhurim, meditim, muxhahade (mund) dhe zhvillim.
Muridi në këtë rrugë duhet të mbërrijë 70 makame (gradë) kuptimore. Këto makame e çojnë sufiun drejt përsosurisë, e bëjnë njeri të përsosur. Obligimet që duhen bërë për t’u arritur këto makame nga ana e muridit përbëjne skeleton e veprës. Autori së pari makamet i sistematizon sipas rendit klasik, sheriati (ligji fetar), tarikati dhe hakikati (realiteti kuptimor). Ai sqaron se sheriati do të thotë të veprosh në kuadër të ligjeve fetare, tarikati në kuadër të zemrës, ndërsa hakikati në kuadër të sekretit (sirrit). Nëse sufiu e di dhe vepron sipas makameve të sheriatit, ngrihet në makamin e sheriatit, që do të thotë “të veprosh me rregulla kuptimore” (amel bi’l-erkan). Si rrjedhojë makamet e sheriatit plotësohen dhe shkelen në derën e tarikatit. Pas kësaj duhet të veprojë në bazë të makameve të tarikatit. Nëse i plotësohen këta, atëherë ngrihet në makamin e tarikatit, që do të thotë “të veprosh me rregulla zemre” (amelun bi’l-kulub). Nëse plotësohen edhe makamet e tarikatit, atëherë shkelet në përmasën e hakikatit. Më pas mëson dijen dhe merr pozitën “të veprosh me rregullat e hakikatit (realitetit qenësor)” (amelun bil-hakika). Në fund ngelin edhe 7 makamet shpirtërore. Nëse i përvetëson edhe këta, atëherë bëhet “veprues me shpirt (amelun bir-ruh)”. Si rrjedhojë personi që i plotëson këto makame, fiton të drejtën të bëhet shejh.