Ligjërata e 45-të nga Prof.Dr.Metin Izeti

Sureja Keuther

Të respektuar miq, sot do të themi disa fjalë përfundimtare në lidhje me suren Keuther. Nëse e bëjmë një retrospektivë të asaj që thamë deri tash do ta shohim se Allahu xh.sh.nëpërmjet të kësaj sureje e pasqyron personalitetin brendahistorik, brendakozmik të Pejgamberit s.a.v.s. që do të thotë personalitetin i cili zgjatet dhe është i zgjeruar historikisht që nga fillimi i njerëzimit por në të njëjtën kohë edhe nga aspekti kozmik, nga aspekti i masiva’së (çdo gjëje përveç Allahut xh.sh.). Pejgamberi a.s. është figura qëndrore në dimensionin jetësor edhe të njerëzimit edhe të jetës së Gjihësisë në përgjithësi. Nëpërmjet të kësaj sureje Allahu xh.sh. personalitetin e tij, brez pas brezi, e bart deri në ditët e sodit dhe nëpërmjet të leximit të kësaj suereje dhe tërë Kur’anit Famëlartë ne përballemi kartelën e identitetit të njeriut të vërtetë, të jeriut të përkryer, të njeriut të përsosur, që në realitet është edhe qëllimi i vetëm për të cilën jeton njeriu në këtë botë. Pa marrë parasysh cilat qëllime sekondare paraqiten në jetën e njeriut, qëllimi primar i njeriut është që të përkryhet, ndoshta hamendjet, dymendësitë, dyzimet, dilemat paraqiten atëherë kur njeriu habitet se ku duhet ta gjejë këtë përkryerje, ama të gjithë njerëzit qëllimin e kanë që ta përjetojnë përkryerjen, plotninë e vërtetë në këtë botë. Ka mendime të ndryshme në mesin e njerëzve në lidhje me çështjen se ku është përkryerja e vërtetë, për shkak se karakteret, natyrat e njerëzve janë të krijuara në forma të ndryshme rrethi, mjedisi, mënyra e të menduarit, veprimtaria e njerëzve ndikon, shprehitë ndikojnë që ato të profilizohen në mënyra të ndryshme dhe disa ta shohin lumturinë, përkryerjen në pasurinë, disa në pozitën, disa në dinjitetin, disa në përkushtimin e vërtetë në Allahun xh.sh., disa në përkushtimin ndaj njeriut, e kështu me rradhë, por të gjithë njerëzit qëllimin e kanë që t’a arrijnë një përkryerje të caktuar në këtë botë. Prandaj edhe Allahu xh.sh. në atë moment kur Pejgamberit a.s. i kanë thënë “Ti je fatprerë, je ebter” Ai u është përgjigjur “Ne ty ta dham Keutherin si kundërvlerë e kësaj”. Si falenderim për atë që ta dham ty Keutherin “Fe sal-li li rabbike venhar”- “Ti falu për Allahun xh.sh. dhe therre kurbanin”. Nëse iu kujtohet, ne e theksuam posaçërisht që këtu ka të bëjë me ibadetet të cilat Pejgamberi a.s. i ka patur obligim por të cilat për ne nuk janë obligime parësore, por nga aspekti i afrimit me Zotin kanë një vlerë të posaçme, venhar/ therr kurban. Therrja e kurbanit nuk e ka vetëm kuptimin e sakrifikimit të një kafshe në një periudhë të caktuar të vitit, por në të njëjtën kohë e ka edhe kuptimin e sakrifikimit të unit të njeriut. Njeriu shpeshherë duhet ta sakrifikojë unin e vet. Shumë më lehtë është të sakrifikoheni të vdisni vet se sa ta mbysni unin tuaj në brendi. Ju e dini që në të shumtën e rasteve në luftërat të cilat ndodhin, njerëzit shkojnë për një ideal të lartë në luftë, një pjesë e tyre vdes aty por një pjesë e caktuar e cila është ballafaquar me vdekjen (duhet me ua dhënë dorën), por kur kthehet edhe atë moment të ballafaqimit me vdekjen e keqpërdor për interesa të unit të vet. Ne kemi shembuj të shumtë në shoqëri të ndryshme, kemi edhe te muslimanët që kanë shkuar gjatë periudha të ndryshme në luftë për hir të Allahut xh.sh.. por kur janë kthyer benefitet e luftës i kanë përdorur për t’i shërbyer unit të vet. Prandaj çështja më e rëndësishme është të bëhet kurban uni i njeriut. Ka një hadithi kudsijj në të cilën Allahu xh.sh. nëpërmjet të fjalëve të Pejgamberit a.s. neve na thotë, (më duket që e tregova edhe një natë tjetër por do e përsëris edhe njëherë ndoshta ka të ri) trajta forma e shpalljes prej Zotit drejt njerëzimit është bërë në tre mënyra. Mënyra e parë është nëpërmjet të ajeteve të Kur’anit, ajetet e Kur’anit janë edhe fjalët edhe kuptimi nga ana e Allahut xh.sh., domethënë ashtu si është ajeti ashtu i është shpallur Pejgamberit a.s.. Forma e dytë e shpalljes janë hadithet kudsijj, kuptimi është dhënë nga ana e Allahut xh.sh. i prerë është kuptimi, i qartë edhe këto Pejgamberi a.s. i ka shprehur nëpërmjet të fjalëve të veta. Mënyra e tretë e komunikimit të Zotit me njerëzit janë hadithet e Pejgamberit a.s. për shkak se edhe ato e kanë dimensionin e shpalljes se në një ajet Allahu xh.sh. thotë “Ai nuk flet nga hamendja, po krejt çka flet janë shpallje nga ana e Allahut xh.sh.” por këtu nuk është i prerë kuptimi, është i dhënë kuptimi në përgjithësi në formë të një brumi ta them, pastaj Pejgamberi a.s. këtë e ka ndarë dhe e ka bërë bukë, pite ose bakllavë): “Men talebeni vexhedeni” / “Kush më kërkon mua, më gjen mua” , “Ve men vexhedeni arafeni” / “Kush më gjen mua, më njeh mua” , “Ve men arafeni ehabbeni” / “Kush më njeh mua, më dashuron mua” , “Ve men ehabbeni ashakani” / “Kush më dashuron mua, bëhet ashik te unë” (ashki është një term i cili e ka kuptimin e dashurisë e cila nuk ka të bëjë me dimensionin fizik të njerëzve. “Ve men ashekani fe ashektuhu” / “Ai që bëhet ashik te Unë edhe unë bëhem ashik te ai” , “Ve men ashektuhu fe kateltuhu” / “Dhe te ai që Unë bëhem ashik atë e vras” , “Ve men ene kateltuhu fe alejje dijetuhu” / “Dhe atë që Unë e vras, atëherë paratë e gjakut Unë ia jap atij” , “Ve men alejje dijetuhu fe ene dijetuhu” / “Dhe kujt unë i kam borxh pare gjaku Unë e paguaj me vetveten”. Këtu vrasja ose katli ka të bëjë me katli nefs, ka të bëjë me mbytjen dhe vrasjen e unit në brendinë e njerëzve (ky është një hadith shumë i thellë i cili edhe ndoshta është esenca e ibadetit dhe përgjërimit ndaj Allahut xh.sh. por unë e thash në pika të shkurtëra me atë që na intereson neve për sonte) dhe Allahu xh.sh.në mënyrë metaforike me këtë hadithi kudsijj na tregon se atëherë kur do të vritet uni në brendinë e njeriut ai do të zëvendësohet me të vërtetën që vjen nga Allahu xh.sh.. “Sen çıktın mı aradan orada kalır Yaradan” thotë një poet “Nëse ti hiqesh prej mesit atëherë ta dish që aty ngel Krijuesi” , në moment kur e heq vetveten atëherë ta dish që ngel Allahu xh.sh..

Analizoni ngjarjet të cilat gjatë historisë dhe sot më së tepërmi e çojnë njeriun që të largohet nga Zoti, uni i tij është shkaku në 99% të rasteve. Njeriu put/idhull më të madh e ka unin e vet, atëherë kur arrin që ta mbarështojë unin e vet atëherë i ka kryer punët edhe me çështjet tjera. Për atë kur thuhet venhar e ka kuptimin që duhet të mësohet të sakrifikojë, së paku të sakrifikohet kafsha brenda një njeriu, që njeriu për njeriun mos të konsiderohet si ujku (e dini në periudhën e humanizmit dhe renesansës njeriu për njeriun është shndërruar në ‘Homo hominis lupus est’ / ‘Njeriu për njeriun është ujk’ dhe për ta larguar këtë element të ujqërisë në mes të njerëzve gjithsesi se nevojitet të mbarështohet, edukohet si duhet uni i njeriut).

“Inne shanieke huvel ebter” / “Ata të cilët ty të ofenduan duke të thënë që ti je fatprerë ta dish që ata janë fatprerë” me këtë ajet (në të vërtetë sonte desha të ndalem pak në këtë ajet) Allahu xh.sh. njerëzit i ndan në dy grupe të rëndësishme. Grupi i parë janë njerëzit të cilët janë me Pejgamberin s.a.v.s. janë ndjekës, ummet i Pejgamberit a.s. , ndërsa në anën tjetër janë njerëzit të cilët e kundërshtojnë Pejgamberin a.s. dhe e konsiderojnë se ideja e tij nuk është pjellore. Këto dy grupe të njerëzve nuk janë vetëm në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. , nga aspekti biologjik shoqëror është e vërtetë se këto janë në kohën e Pejgamberit a.s. , mirë ama nga aspekti i idesë njerëzit e tillë vazhdojnë deri në ditë të sodit. Sipas besimtarëve fatprerë janë të gjithë ata njerëz të cilët nuk lidhen nga aspekti i kësaj bote me Pejgamberin a.s. dhe nëpërmjet atij të lidhen me krijuesin e Gjithësisë; mënyra e vetme që ne të kemi mundësi të vendosim kontakt me Krijuesin e Gjtihësisë, me hallkën kryesore të ekzistencës është Pejgamberi s.a.v.s.. Ata të cilët nuk dinë të kontaktojnë me Pejgamberin a.s., ata assesi nuk kanë mundësi që t’i afrohen Allahut xh.sh. , ndërsa të tjerët të cilët nuk janë në ujdi me atë që e ka thënë Pejgamberi a.s. ata janë fatprerët e vërtetë për shkak se fati tyre ndërpritet me mbarimin e kësaj jete. Në moment kur mbaron kjo jetë atëherë njeriu që nuk është besimtarë, që nuk është ummeti i vërtetë i Pejgamberit s.a.v.s., që nuk është lidhur për atë hallkën e ekzistencës, ai i humb të gjitha shpresat prej të qenurit. Prandaj, të ndiqet Pejgamberi s.a.v.s. është fati më i madh. Me këtë fat neve na ka shpërblyer Allahu xh.sh., kemi lindur prej familjeve të cilët janë muslimanë, mirë ama ndjekja e Pejgamberit a.s. ta dini që nuk bëhet vetëm nëse njerëzit thonë që janë musliman ose nëse thonë që ‘jemi ummet i Pejgamberit a.s.’, por ndjekja e Pejgamberit a.s. bëhet me kuptimin e vërtetë të personalitetit të tij. Disa herë e kam potencuar, nëse e zbresim këtë çështje vetëm në dimensione formale, vetëm në dimensionet e fjalës, veshjes, dukjes, atëherë nuk ka kuptim personaliteti metahistorik i Pejgamberit a.s. (personalitet i cili shtrihet gjatë tërë historisë), ka kuptim vetëm personaliteti historik që ka jetuar në atë kohë. Që të jem pak më konciz do t’ua lexoj një tekst i cili flet për këtë dimension të Pejgamberit a.s. dhe për ato njerëz që kanë dëshirë të jenë me fat si kanë mundësi ta ndjekim Pejgamberin a.s.. “Muhammedi a.s. është karakteri i parë i krijuar nga Zoti (ne këtë e thamë javën e kaluar që nga aspekti historik Ademi a.s. është njeriu i parë, ama nga aspekti metahistorik ai kur shkoi në xhennet e lexoi emrin e Pejgamberit a.s. do të thotë ai ishte hakikati/realiteti i parë ekzistues dhe për këtë Allahu thotë “Botën e krijova si dashuri për ty, ndërsa ty të krijova mëshirë për botërat”; sikur të ishte një njeri i rëndomtë/zakonshëm Pejgamberi a.s. , atëherë nuk ka mundësi ta kuptoni këtë parim; nëse Pejgamberin e konsiderojmë vetëm si njeri të rëndomtë atëherë kjo logjikisht nuk mba, ama nëse e konsiderojmë si një person i cili është metahistorik atëherë përfiton një domethënie ky ajet i Kur’anit Famëlartë), pikërisht për këtë themi se Pejgamberi a.s. është i profilizuar deri në përsosuri shpirtërore dhe të mrekullueshme (Pejgamberi a.s. është i profilizuar. Njëherë kur e pyetën ‘Prej nga e ke përgaditjen?’ Pejgamberi a.s. tha “Eddebeni rabbi ve ahsene te’dibi” / “Mua më ka edukuar Zoti im, sa bukur që më ka edukuar”) si rrjedhojë ai është bërë partrajta shembullore për çdo krijesë të ardhshme”.

Pejgamberi a.s. është arketip shembullorë, secili njeri i cili ka dëshirë ta kuptojë se si ka mundësi të bëhet njeri mund ta shohë te personaliteti i Pejgamberit a.s.. “Kultivimi i tij shpirtërorë është bërë pranë kujdesit të papërshkruar të Zotit (Allahu xh.sh. pandërprerë e ka ndjek Pejgamberin a.s.)”. E dini një ajet që në fraksione të ndryshme akidologjike është komentuar në mënyra të ndryshme Allahu xh.sh. i thotë Pejgamberit a.s. “Ja ejjuher-resulu bel-lig ma unzile ilejke. Fein lem tef’al fema bel-lagte risaletek…” / “O Pejgamber, ti komunikoje atë që të është shpallur ty. Nëse këtë nuke bën, atëherë nuk e ke çuar në vend obligimin tënd”, “Vallahu jasimuke mine’n-nasi.” / “Allahu xh.sh. ty do të mbrojë prej njerëzve” do të thotë tregon që ai pandërprerë është nën mbrojtjen dhe nën kontrolin e Allahut xh.sh.. Realiteti i kësaj edukate dhe kulture rezaton qartë si nga Shpallja ashtu edhe nga porositë e Pejgamberit a.s., domethënë edhe shpallja edhe porositë profetike neve na e bartin këtë dimension të personaliteti të tij. “Kur themi se Pejgamberi a.s. është përsosuria dhe karakteri i njerëzishëm i fesë dhe ligjit fetarë (nuk ka ligj fetarë pa Pejgamberin a.s. , për atë edhe sulmet kryesore i bëhen Pejgamberit a.s.; të gjithë njerëzit të cilët tregohen se janë shumë të logjikshëm, racional, intelektual dhe thonë ‘Neve na mjafton Zoti’ a nga ana tjetër e sulmojnë Pejgamberin a.s., ta dini që janë në rrugën e shejtanit; edhe shejtani e ka bërë të njejtën gjë, i ka bërë sexhde Zotit ama ka thënë Ademit nuk i bëj sexhde respekti; problemi nuk është te Krijuesi absolut por problemi është se si do të afrohemi deri tek Ai krijuesi).

“Atëherë kur themi që është shembull, atëherë e kemi për qëllim plotësinë historike të mirësisë, bukurisë, urtisë dhe dëshirës hyjnore të prezantuara nëpërmjet të shpalljeve të Zotit”- plotësia historike (këtu janë të përdorura disa terme që janë me domethënie të thellë) do të thotë prej te Ademi a.s. deri në ditën e gjykimit dhe karakteri i shpalljes dhe Pejgamberit a.s. është i shpërndarë në tërë këtë dimension historik duke filluar nga Ademi a.s. deri në ditën e kijametit, prandaj asnjëherë ai nuk është demode, jashtë kohës, por ai pandërprerë është në kuadër të elementeve të kohës dhe modernitetit, ai pandërprerë është bashkëkohorë. “Është më se e vërtetë se Pejgamberi a.s. këto dukuri i ka pranuar nëpërmjet të mëshirës hyjnore, mirëpo po aq është e vërtetë se ai ka kaluar nëpër një proces rrënjësorë të edukimit botërorë”- ai i ka pranuar këto prej mëshirës hyjnore, por është fakt që brenda shoqërisë së Mekes ai ka patur një edukim si shpirtërorë ashtu edhe fizik dhe përvojë të cilën e ka përjetuar së bashku me mekasit. “Kontinuiteti historik dhe universal i shpalljes së Zotit është i prezantuar në procesin edukativ të Pejgamberit”- shpallja kontinuitetin e vet historik e paraqet në personalitetin e Pejgamberit a.s. për atë Hz.Ajsheja thotë “Ai ishte një Kur’an i cili ec” për shkak se çdo element të Shpalljes ai e ka bartur në jetën e tij. E potencoj këtë element posaçërisht në këtë ajet, për shkak se një prej problemeve kryesore të periudhës bashkëkohore është personi i gjallë fetarë, është udhëheqësi i gjallë fetarë. Bashkëkohësia kryesisht është e koncentruar në ndjekjen e teorive prej vendeve të vdekura, prej librave. Pa person të gjallë nuk ka fé, pa trashëgimtarë të vërtetë të Pejgamberit a.s. feja është në krizë, për atë edhe vet kontinuiteti historik është mbajtur nëpërmjet të njerëzve të gjallë. A e keni parë se në çdo gjeneratë keni një zinxhir të dijetarëve të cilët e kanë marrë dijen prej njëri-tjetrit. Në traditën tonë, posaçërisht në traditën e tasavvufit është kështu, domethënë një shejh/udhërrëfyes shpirtërorë nuk ka mundësi të bëhet shejh përderisa nuk e ka silsilen shpirtërore (zinxhirin shpirtërorë) deri te Pejgamberi a.s.. Ju nuk keni patur rast t’i shihni diplomat e vjetra të hoxhallarëve tanë, ixhazetnamet, ata e kanë pasur edhe tërë zinxhirin e dijetarëve prej kujt kanë marrë mësim. Për shembull unë e kam parë ixhazetnamen e Abdyrahim Efendiut që ka qenë vaiz i xhamisë Eski, në ixhazetnamen e tij tregohet se prej kujt ka marrë mësim ai dhe thuhte “,… ka mësuar prej Xhemil Efendisë, Xhemil Efendiu ka mësuar prej filan efendiut në Stamboll, ai filan efendiu ka mësuar prej filanit…deri te Pejgamberi a.s. dhe kjo bartje e frymës hyjnore ka kaluar prej gjenerate në gjeneratë dhe gjallëria e fesë është ruajtur brenda elementit të përcjelljes prej brezi në brez.. Unë nuk e di a iu tregova juve, po më duket që ndodhi pas të hënës nuk e di a patët rast ta lexoni këtë tekstin e Mehmet Görmez/it kryetarit të Bashkësisë Islame të Turqisë, një tekst fenomenal (e keni te www.shenja.mk) tekst në të cilën flet për krizën të cilën është duke e përjetuar bota Islame dhe një element shumë i rëndësishëm që përmendet është se deri tash ne kemi patur problem me mbijetesën fizike të mulimanëve, kemi pasur problem se i kanë vrarë, prerë, malltretuar, ndërsa tash kemi problem në botë me mbijetesën fizike të Islamit, për shkak se muslimanët, tashmë duke bërtitur “Allahu Ekber” me armë e vrasin muslimanin. Paramendojeni një rini e cila do të rritet nesër brenda bombave të muslimanëve, ajo do të frikohet prej Islamit dhe ne gjithsesi se duhet të mendojmë për mënyrën se si i edukojmë njerëzit me Islamin, për këtë është shumë i rëndësishëm njeriu i gjallë. Të vdekurit neve na e mbështetën vdekjen dhe gjithsesi ata të cilët do t’i përgadisim që njerëzve t’ua tregojnë Islamin në të ardhmen, gjithsesi duhet t’i përgadisim me gjallërinë e fesë që është paraqitur në jetën e Pejgamberit a.s.. “Koncepti i çdo porosie hyjnore përfaqësohet në aktivitetin pedagogjik të cilën e ndërmer Allahu xh.sh. nëpërmjet personalitetit të Pejgmaberit a.s. “- nëse e analizoni të gjithë jetën e Pejgamberit a.s. është një sistem pedagogjik fenomenal, se kryesisht sistemet suksesin e tyre, janë ose nuk janë të suksesshëm, e paraqesin në rezultatet të cilat i kanë. Për shembull në akademinë e Pejgamberit a.s., personat të cilët janë edukuar, kanë dalur si dijetarët më të përgaditur të kohës së vet (këtë mund ta hasni edhe në shumë hadithe të Pejgamberit a.s. po ua tregoj një rast). Njëherë erdhën një delegacion prej fisit Beni Temim (është një fis i cili shumë vonë e ka pranuar Islamin, madje pas çlirimit të Mekes Pejgamberi a.s. ka luftuar me to dhe ka qenë edhe duke e humbur luftën; lufta Hunejnit për të cilën flet edhe Kur’ani është luftë e cila është bërë kundër fisit Havazin edhe Temim, ka patur afërsisht 40000 ushtarë musliman dhe kanë qenë duke e humbur luftën edhe Allahu xh.sh. në Kur’an thotë “ Ve jeume hunejnin idh a’xhebetkum kethretukum felem tugni ankum shej’a…” / “Deh në ditën e hunejnit kur juve u habitët me numrin e madh që e kishit për pak sa nuk e humbët luftën” dhe e dini si e kanë shpëtuar luftën, luftën e kanë shpëtuar pikërisht me këtë që e thash unë pak më përpara, atëherë ka dalur Ebu Bekri dhe ka bërtitur “O ju që në Bedr ishit me Pejgamberin a.s., hajdeni se dushmani/armiku është afruar afër Pejgamberit” edhe fatin e luftës e kanë ndryshuar ato që kanë mbetur prej luftës së Bedrit, 300 ushtarë ka patur krejt deri atëherë kanë vdekur 100 dhe me ato 200 ushtarë e kanë ndryshuar fatin e një lufte në të cilën kanë marrë pjesë 40,000 ushtarë muslimanë) te Pejgamberi a.s., Pejgamberi i ka marrë brenda dhe u ka thënë “Do t’ua jap një sihariq lajm të mirë, a jeni gati ta pranoni?”. Ato kanë thënë që mund të pranojnë sihariq vetëm nëse iu jep ár, nëse jo atëherë nuk kanë punë me të, janë larguar nuk ka zgjatur shumë biseda. Pas atyre kanë hyrë banorët e Jemenit dhe kur e ka thënë Pejgamberi a.s. të njëjtën fjalë kanë thënë se janë gati ta pranojnë, por kanë dëshirë që t’ua dërgoj një person i cili atyre do t’ua tregojë fenë a edhe një çështje që është duke i munduar shumë nëse ka mundësi t’ua sqarojë atyre është ajo se prej çka e krijoi Zoti Gjithësinë. Pyetën një problem i cili ka të bëjë me ontologjinë, një problem filozofik, për krijimin e Gjithësisë, problemin e arche’së që e ka diskutuar shumë filozofia greke. Pejgamberi a.s. ka thënë “E krijoi prej ujit” edhe ato kanë thënë tamam dhe janë kthyer në vendlindjen e tyre . Mendoni se kjo është një bisedë kështu e shkurtë, pa diskutime. Jo. Të njëjtin problem e ka diskutuar shekuj me rradhë filozofia greke dhe është diskutuar se cilat janë elementet primare të krijimit të Gjithësisë. Disa kanë thënë se është ajri, disa kanë thënë është dheu, disa kanë thënë është zjarri dhe të gjitha këto që i ka përmendur Pejgamberi s.a.v.s. e kanë konotacionin e vet në Kur’anin Famëlartë dhe vërtetë funksioni i ekzistencës në Gjithësi është nëpërmjet të ujit, edhe në Kur’an thotë “Ve xhealna minel mai kul-le shehj’in hajj / “Dhe çdo gjë të gjallë ne e kemi bërë jo e kemi krijuar” që ka kuptimin (Allahu e di më së miri) e futjes në funksion, jo krijimit të parë. Krijimi i parë i njeriut është prej dheut ama vazhdimësia funksionale e njeriut është prej ujit, domethënë njeriu pas Ademit a.s. më nuk krijohet prej dheut, po krijohet prej ujit, lëngut. Për atë ky hadith i Pejgamberit a.s. ka një mesazh të thellë filozofk edhe jemenasit kanë thënë ‘Tamam e morrëm vesh këtë punë’ edhe janë kthyer prap, edhe ato që kanë shkuar ta pyesin nuk kanë qenë njerëz të zakonshëm, por kanë qenë njerëz të cilët e kanë martrë vesh këtë punë edhe ai kur u ka thënë që si është puna, janë kthyer të kënaqur prap në viset e tyre. Nejse kjo është një bisedë të cilën unë do t’ua jap pastaj ta keni ta lexoni, por vetëm për fund do ta lexoj një përshëndetje të Pejgamberit a.s. e cila është shkruar pak me frymëzim dhe do ta kryej.:
Ti o Lajmëtar (nebi) na solle shpëtimin, lutjen dhe mirësinë! Ti na mësove falënderimin, respektin dhe përkushtimin, o i Dërguar i Allahut! Në çdo ulje (ettehijjat) në namaz, që për ne është miraxh, dërgojmë përshëndetjet tona për ty, duke thënë:

“Selam për ty, o Lajmëtar (Nebi)”.

Të vërtetën dhe përudhjen na e solle ti. Ti na mësove drejtësinë plot me mëshirë, si dhe moralin plot me urtësi. Ti i përsose virtytet (mekarim-i ahlak). Me ty Allahu i Lartmadhëruar përsosi begatinë e Tij për njerëzimin.
Ti je ai që e bëre të kuptimtë botën tonë. Nëpërmjet teje, o i Dashuri i Allahut, njerëzimi mori kuptim. Ti je ai që solle Librin Fisnik (Kur’an-i kerim) që është gjallëri për ne. Së bashku me Librin solle edhe drejtësinë (dallimin mes gjërave/furkan), peshoren (mizan) dhe urtësinë (hikmeh). Ti e shpjegove Librin me shembëlltyrën tënde. Ti e bëre atë të mundur për të jetuar sipas tij. Ti na le një rrugë të ndritur, që edhe natën e ka dritë. Fjalët plot urtësi dhe sjelljet e tua shembullore u bënë hadith dhe sunet, që i treguan rrugën njerëzimit. Fjala dhe tradita jote (hadith/sunet) na mundësoi vazhdimësinë historike. Ti vendose unitetin e dijes, ndjenjës dhe mënyrën e sjelljes, dhe për rrjedhojë bashkove zemrat dhe shpirtrat tanë. Ti trashëgove shekullin e lumtur të sunetit dhe hadithit në të gjitha periudhat.

Selam për ty, o Lajmëtar (Nebi)!

Dijetarët e umetit tënd flijuan jetën e tyre për të përcjellë te brezat e ardhshëm biografinë tënde (sijer), traditën (sunneh) dhe fjalët (hadith) e tua. Përmbledhjet e haditheve, të njohura si musned, sunen, xhami, mu’xhem dhe musannef i mblodhën në një vend hadithet/porositë e tua. Biografitë (sijer) dhe luftëpërshkrimet (megazi) përkufizuan për ne jetën tënde shembullore. Veprat delail, shemail dhe hilje (libra që flasin për cilësitë fizike dhe etike të Pejgamberit a. s. – sh.p.) na njohën me cilësitë tua. Na’tet, kasidetë dhe mevludet shprehën dashurinë dhe ashkun që kemi për ty. Sa e sa vepra autoriale dhe përmbledhje u shkruan vetëm për të bërë të njohur personalitetin tënd! Për ty u thurën kompozime të shumta, u kënduan ilahi, u shkruan poezi (divane) dhe mesnevi (vepra poetike dyvargëshe), të cilat u filluan me emrin tënd. Kaligrafët e qëndisën emrin tënd nëpër shumë e shumë tablo e vende të ndryshme. Ngado që të hedhim shikimin ka një gjurmë tënden, o Lajmëtar! Ngado që u kthyem, të pamë ty, o Lajmëtar!
Mirëpo as gjuhët nuk patën mundësi që të të shprehin siç je, dhe as penat nuk ia dolën të të përshkruajnë në tërësi!
Selam për ty, o Lajmëtar!

Në Hutben e Lamtumirës, që duhet shkruar me germa të arta në historinë e njerëzimit, iu drejtove sahabëve të tu: “A e kumtova të plotë fenë e – Allahut?” (أَلاَ هَلْ بَلَّغْتُ) Sahabët e tu të zgjedhur u përgjigjën: “Po. Të plotë e kumtove, o i Dërguar i Allahut!” (قَالُوا نَعَمْ)

Edhe ne e themi me modesti: “Po, e kumtove , o i Dërguar i Allahut! Po, me të vërtetë që e kumtove!”

Selam për ty o Lajmëtar!

Në Hutben e Lamtumirës, përsëri iu drejtove sahabëve: “Të pranishmit le t’ua kumtojnë atyre që nuk janë të pranishëm atë që e dëgjuan prej meje, me shpresën që ata që nuk janë të pranishëm mund ta kuptojnë më mirë se ata që janë të pranishëm! (فَلْيُبَلِّغِ الشَّاهِدُ الغَائِبَ، فَرُبَّ مُبَلَّغٍ أَوْعَى مِنْ سَامِعٍ)

Edhe ne duam që njeriu i kohës sonë të takohet me thirrjen tënde; ta kuptojë ftesën tënde. Duke pasur këtë qëllim dhe këto mendime iu përveshëm punës me shpresë të madhe. Edhe ne shpresuam se ata që nuk janë afër nesh do ta kuptojnë më mirë se ata që kemi afër.

O Lajmëtar, edhe ne i duam ato të mira që ti kërkon prej Allahut xh. sh.! Ti kërkove mirësinë, bukurinë dhe begatinë në këtë botë dhe në tjetrën. Ti kërkove dashurinë e Allahut, dashurinë e atyre që e deshën Allahun dhe sjelljet e qëndrimet që e bëjnë të mundur dashurinë e Tij. Ti kërkove që të futesh në Xhenet dhe t’i bësh ato vepra që ta mundësojnë atë.

Ti kërkove që e drejta të frymëzohet në zemër dhe të mbrohesh nga ligësitë e unit. Edhe ne e duam këtë, o Lajmëtar!
Ashtu siç ti e kërkove që Allahu të ta përqendrojë zemrën te Islami, të mos rrëshqasin këmbët nga rruga e drejtë (sirat-i mustakim), të jesh këmbëngulës në fe dhe i vendosur në drejtësi – edhe ne e duam këtë, o Lajmëtar!
Ashtu siç ti kërkove që Allahu të të dhurojë zënien e dijeve të dobishme, dijet e fituara të jenë mirësi për ty dhe të ta shtojnë urtësinë – edhe ne e duam këtë, o Lajmëtar!

Së bashku me dijen ti kërkove butësinë dhe seriozitetin – edhe ne e duam këtë, o Lajmëtar!

Ti kërkove përudhjen (hidajet), përkushtimin (takva), nderin dhe shpirtgjerësinë.

Ti kërkove përmendjen e Allahut, falënderimin për begatitë e Tij dhe zbatimin e bukur të ibadeteve.

Ti kërkove një gjuhë të sinqertë, një zemër të shëndoshë dhe një moral të qëndrueshëm.

Ti kërkove që Allahu të ta zbukurojë sjelljen, ashtu siç të ka zbukuruar krijimin tënd.

Ti kërkove falje dhe shëndet për fenë, për dynjanë, familjen dhe pasurinë tënde.

Ti kërkove pasuri hallall. Ti kërkove të dobishmet ndër ato gjëra që dëshirohen: kërkove të dobishmen nga lutjet, veprat, mirësitë dhe shpëtimet. Edhe ne i dëshirojmë këto, o Lajmëtar!

Ti i kërkove Allahut që të ta pastrojë zemrën nga lëshimet dhe të të largojë nga mëkatet, siç ka larguar Lindjen nga Perëndimi – edhe ne e kërkojmë këtë, o Lajmëtar! Ti kërkove falje dhe mëshirë nga Allahu.

Ti kërkove një jetë të qëndrueshme, një vdekje të pastër dhe daljen faqebardhë para Zotit.

Ti kërkove të mirën e kësaj jete dhe të vdekjes – edhe ne e duam këtë, o Lajmëtar!

Edhe ne i duam të gjitha ato që ti kërkove prej Allahut, o Lajmëtar!

Selam për ty, o Lajmëtar!

I kërkojmë strehim Allahut nga ato të liga për të cilat i kërkove edhe ti, o Lajmëtar! Ti u strehove te kënaqësia e Tij nga hidhërimi i Tij; te falja nga dënimi i Tij; u strehove tek Ai nga Ai. Ti u strehove tek Ai nga zemra e papërkushtuar, nga uni i pangopur, nga dija e padobishme dhe nga lutja e papranuar. Edhe ne kërkojmë strehim, o Lajmëtar!

Ti u strehove tek Ai nga e liga, dëshpërimi, paaftësia, përtacia, frika, koprracia dhe matufepsja.

U strehove nga zemërngurtësia, neglizhenca, varfëria, skamja, përçmimi, meskiniteti, tirania dhe shtypja – edhe ne lypim strehë, o Lajmëtar!

Ti u strehove tek Ai nga e liga e veshit, syrit dhe zemrës tënde.

U strehove tek Ai nga sjellja e keqe, nga veprat e liga dhe nga dëshirat e shëmtuara. Ti u strehove tek Ai nga jeta e keqe, nga shpifjet e zemrës, nga dënimi i varrit dhe nga cytjet e unit. Edhe ne duam strehë, o Lajmëtar!

Ti u strehove tek Ai nga e liga e sprovave dhe e fatkeqësive; u strehove nga punët e nëpërkëmbura, nga borxhi që s’mund të kthehet, nga humbja përballë armikut dhe nga fatkeqësitë që i sjellin gëzim armikut. U strehove nga sherri i atyre veprave që ke bërë dhe nga ato që nuk ke bërë. U strehove nga e liga e jetës dhe e vdekjes, e kësaj dhe e botës tjetër. Kërkove strehë prej Tij nga Xhehenemi dhe nga veprat që të zvarrisin drejt Xhehenemit. Edhe ne ecim në rrugën tënde dhe strehohemi tek Allahu xh. sh. nga të gjitha këto të liga, o Lajmëtar!

Selam për ty, o Lajmëtar!

Ti iu lute pa pushim Allahut për umetin tënd. Umeti ishte gjithnjë në gjuhën dhe në zemrën tënde. Jemi me fat që jemi pjesë e umetit tënd. Jemi të nderuar që jemi në shërbimin tënd. Ti deshe që t’i shohësh ndjekësit e tu, ata që do vijnë pas teje, ata që do të ndjekin pa të parë, të cilët i quajte “vëllezërit e mi”. Na prano edhe ne në mesin e vëllezërve të tu dhe na prit para burimit të Kevtherit në Xhenet, o Lajmëtar!

Selam për ty, o Lajmëtar!

Selam për ty, o i Dërguar!

Të gjitha përshëndetjet të takojnë vetëm ty, o Ahmed Mustafa (i zgjedhuri)!

Çdo respekt për ty, o zotëria i të gjitha botëve!

Faleminderit.