O Zot! Ç’po ndodh kështu me mua?
Gjysmën e zemrës, trupit dhe shpirtit tim
gjithmonë e lëndoj…
Ndonëse më së shumti e dua…
Gjithnjë pas dore e lë,
Në rend të dytë e kam çdo herë
Gjakun e zemrës ia kam bë vrerë!
O Zot! Ç’po ndodh kështu me mua?
Arsyetime e shfajësime gjithmonë bëj
Ndërsa kohë e mënyrë për kompenzim
Kurrë s’gjej…
Po ç’vlerë kanë fjalët që i shkruaj
Ato fjalë dashurie?
Kur atë që shpirtin lë pas meje
Unë e bëj të vuajë
Pa pikë mëshire…!
O Zot! Ç’po ndodh kështu me mua?
Shumkujt shërbime e mirsi i bëj
E shpirtin tim as që e kujtoj
O tmerr, o mëkat!
O trishtim, o lëngatë!
O nefsi im i prishur, ndalu njëherë
Dhe shih kah ke dalldisur…
Si s’ke turp e s’ke fytyrë!
Nga pakujdesi e shpërfillja
Gjysmën tënde, Jetën tënde
E ke bërë mynxyrë!
O sa mjerim për mua
Që s’di as të dua!
O sa poshtrim për mua
Që dhe dashurinë as që di ta ruaj!
Po ç’të vlejti fjala, ç’të vlejti dhe vepra
Kur me meritë tënden
Gjysma e jetës të është gjallë
Por e vdekur është tjetra?
O Zot! Ç’po ndodh kështu me mua?
As respektin më të vogël s’e kam
Për atë që e dua…
O Zot! Të lutem, më mëso e më udhëzo
Nga injoranca e çmenduria
më ruaj e më mbro!
Nëse dënohem e vuaj, s’më brengos fare
E pësoj me meritë
Por dertin e kam te shkëlqesia e saj,
Te drita e syve të mi…
Se për dëmin e dënimin tim
Atë do ta tretin mërzitë!
O Zot! Sa i mbrapshtë që jam
Sa i pashpirt e i pabesë…
Dhimbja dhe vuajtja
gjer në palcë le t’më presë!
Por, të lutem, o Zot, më bëj një derman!
Mos lejo që ta humb Yllin e jetës sime
E pastaj të tërbohem e të çmendem krejt!
Mos o Zot! Mos lejo
Që vlerën dhe dashurinë
Dashurisë sime t’ia mësoj e kuptoj
Pasi më të mos e kem…!
O Zot! Po ç’po ndodh kështu me mua?
Të lutem, Zot, më ndihmo
Se nga mend po luaj…!
Nuri