Përgjegjësia e njeriut

Veprat e njeriut janë dy llojesh:
E para veprat të cilat realizohen me krijimin e Allahut jashtë dëshirës së njeriut, siç është: dridhja e dorës me rastin e ndonjë sëmundjeje, funksionimi i zemrës, qafa e gjatë apo e shkurtër etj. Njeriu për këto vepra nuk është përgjegjës, pasi që këto realizohen drejtpërsëdrejti me dëshirën dhe krijimin e Allahut.
E dyta janë veprat të cilat realizohen me dëshirën e njeriut dhe me krijimin e Zotit, siç janë: ulja, ngritja, ecja, veprimet që bëhen me dorë apo me organet tjera. Njeriu ndaj këtyre veprave është përgjegjës pasi që i realizon me dëshirën e tij dhe me krijimin e Allahut.
Allahu është ai i cili çdo gjë e përcakton dhe e krijon. Mirëpo për realizimin apo mosrealizimin e ndonjë vepre njeriut ia ka falë vullnetin e lirë, do të thotë lirinë e të zgjedhurit. Njeriu me vullnet zgjedh të vepruarit mirë dhe për ta realizuar këtë, nëse e përdor fuqinë, Allahu e krijon mirësinë. Nëse njeriu zgjedh të veprojë keq dhe, nëse e përdor edhe fuqinë për ta bërë atë, atëherë Allahu e krijon të keqen. Shihet qartë se Allahu e krijon atë që dëshiron ta bëjë njeriu. Ky është kuptimi i fjalës “Hajri dhe sherri janë prej Allahut” d. m. th. “E mira dhe e keqja realizohen me krijimin e Allahut xh. sh.”
Shkaku që njeriu të merret si (konsiderohet) përgjegjës për veprat që ka bërë, është pikërisht se zotëron lirinë e të zgjedhurit dhe përdorimin e fuqisë për ta realizuar atë që dëshiron ta bëjë. Pikërisht për këtë arsye çdo njeri është përgjegjës për veprat të cilat i ka bërë me dëshirën e tij. Nëse ka vepruar mirë, do të shpërblehet, ndërsa nëse ka vepruar keq do të dënohet. E gjithë kjo në një formë të çiltër është shprehur në shartet e imanit – “Amentu bil-lahi”. Çdo musliman duhet t’i mësojë përmendsh shartet e imanit bashkë me kuptimin e tyre dhe kohë pas kohe duhet t’i lexojë ato.
Shqiptimi: “Amentu bil-lahi ve melaiketihi ve kutubihi ve rusulihi ve’l –jevmil-ahiri ve bil-kaderi hajrihi ve sherrihi minellahi teala. Ve’l-ba’thu ba’de’l-mevti hakkun. Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu enne Muhammden abduhu ve resuluhu. ”
Kuptimi: “Unë i besoj Allahut, melekve të tij, librave të tij, pejgamberëve të tij, ditës së ahiretit, Kaderit, pra besoj se e mira dhe e keqja ndodh me krijimin e Allahut dhe besoj se ringjallja pas vdekjes është e vërtetë.
Dëshmoj se nuk ka zot tjetër, përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhammedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij”.

/Teksti është marur me leje të përkthyesit nga libri :
UDHËZUES I IBADETIT
Nga: Sejfetin Jazëxhë
Përktheu: Selver Xhemaili/