Ligjërata e 15 nga Prof.Dr.Metin Izeti

Sureja Ihlas

Ne jemi duke biseduar në lidhje me suren Ihlas të Kur’anit a.sh, në të cilën All-llahu xh.sh neve na e tregon mënyrën se si duhet ta njohim All-llahun xh.sh.. Ne në këtë kontekst folëm për cilësitë e All-llahut xh.sh, folëm për cilësitë qenësore ose dhatije të Zotit, (ata të cilët kanë mësuar në ilmihal te hoxha kryesisht i kanë ndarë në dhatije dhe thubutije) cilësitë dhatije ose cilësitë që flasin për qenien e Zotit. Ka një thënie, porosi e Pejgamberit a.s që thotë : “Mendoni meditoni në lidhje me krijesat e Zotit, por mos meditoni dhe mos mendoni në lidhje me vet Zotin”. Këtë disa herë edhe e kanë keqinterpretuar disa prej teologëve të cekët e jo ato të thellët (ato të thellët nuk e kanë keqinterpretuar, por disa teologë të cekët që ndalen në dimensionin skriptual të tekstit kuranor, në dimensionin bukfal të tekstit kuranor), e kanë keqinterpretuar dhe kanë thënë që “kur vjen puna të mendohet për personin (dhatin) e Zotit, aty nuk ke punë më, nuk duhet të mendosh”. Nuk është e vërtetë. Pse e them këtë? Për shkak se në Islam asnjë çështje nuk është tabu. Tabu a e dini çka është? Tabu, do të thotë gjë e paprekshme, të cilën nuk ke mundësi ta prekësh. Ja do t’iu jap një shembull konkret me krishterizmin. Nëse një prift krishter e pyetni se si ka mundësi që Jezu Krishti të jetë edhe biri edhe vetë zoti, ai iu thotë që është sekret, domethënë, nuk hyn në analizën e kësaj çështjeje, ndërsa te muslimanët nuk ka asnjë çështje e cila është tabu, të cilën ne nuk mund ta prekim, po edhe Zoti është brenda kësaj. Vetëm ka një element i cili është potencuar me të madhe nga ana e Pejgamberit a.s.,  por jo edhe nga ana e Kur’anit, është që mos të mendohet për fizionominë e Zotit, domethënë në moment kur mendoni për fizionominë e Zotit atëherë shkoni në shirk (politeizëm), atëherë duhet ta pikturoni, atëherë duhet ta fotografoni, t’ia bëni skulpturën dhe kjo çon në politeizëm. Politeizmi ka qenë një sëmundje e keqe e botës kur ka ardhur Pejgamberi a.s.. Ndërsa, Kur’ani, për shembull,  nuk i ka ikur të përdor termet me të cilat e përngjason Zotin me elementet e njeriut, Kur’ani nuk i ka ikur, për shembull ka thënë:  “Ata që të zotohen ty, në të vërtetë ata i zotohen All-llahut, se dora e All-llahut është mbi duart e tyre. E kush e thyen (zotimin), ai e thyen vetëm në dëm të vetin, e kush e zbaton atë që i është zotuar All-llahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh.” (Fet’h,10), ama e ka përdorur  termin dora e Zotit, që në koment, nuk do të thotë se Zoti ka dorë, kuptohet që Zoti, fuqia e Zotit është mbi ju (këtë kuptim e ka) mirëpo Kur’ani nuk i ka ikur ta përdor fjalën, dorë; ose thotë për ditën e kijametit/katastrofës/kataklizmës: “Veç All-llahut mos adhuro ndonjë zot tjetër, s’ka të adhuruar tjetër veç Tij. Çdo send zhduket e Ai jo. Vetëm Atij i takon gjykimi dhe te Ai do të ktheheni!” (Kasas,88). Në këtë ajet të Kur’anit është përdorur fjala vexhh që në përkthim bukval domethënë fytyrë. Edhe  në letërnjoftimet, në pasaportat nuk i nxejrrin edhe këmbët e njerëzve, por e nxjerrin kryesisht pjesën e sipërme që e identifikon personin. Edhe në ajet thotë që çdo gjë përveç personit, vexhhi këtu e ka kuptimin e personit të Zotit, dhatit të Zotit, do të shkatërrohet. Prandaj edhe ne nuk kemi të drejtë imagjinatën tonë ta pragmatizojmë, nga aspekti i fizionomisë së Zotit, në imagjinatë secili e përjeton Zotin , mirë ama nëse kjo bartet në dimensionin fizik atëherë bëhet shirk/politeizëm dhe Islami këtë rreptësisht e ka ndaluar.

Për shembull, ndalimi i pikturës në fillim te muslimanët,  që edhe sot e kësaj dite për shembull i hasni disa prej kolegëve tanë të cilët nëse i pyetni se a mund të pikturohet në Islam, u përgjigjen që është haram, e ndaluar duke u nisur nga një hadith i Pejgamberit a.s ku thotë: “Zoti i mallkoftë ata të cilët i japin formë gjërave (musavvirin)”, nuk thotë piktorët. Shikoni në shkencë, posaçërisht në shkencat të cilat janë shoqërore, janë shumë të rëndësishme termet. Ai thotë : “Zoti i mallkoftë ata të cilët i japin formë gjërave” qëllimin direkt e ka për personat të cilët kanë bërë skulptura të idhujve që u kanë bërë ibadet politeistët e Mekkes dhe aty ka të drejtë; nëse dikush bën skulpturë për ti bërë ibadet dikush, atëherë kjo është e ndaluar në Islam; edhe nëse bën pikturë që ta vendos diku edhe atij ti bëjnë sexhde njerëzit edhe kjo është e ndaluar në Islam. Unë edhe studentëve të mi u kam thënë çdoherë, personi i cili nuk di të bëjë transfer të diturive (ja mbajeni në mend edhe ju, e ju më të rinjtë, posaçërisht), personi i cili nuk di dituritë të cilat i merr në kuzhinë ti përdor në universitet, nuk mund të bëhet i suksesshëm në jetë, domethënë transferi i diturive është esenca e suksesit në jetë, atë që e dini prej kuzhinës, atë duhet ta përdorni edhe në universitet, ku do t’iu ligjëroni studentëve, për atë këto çështje duhet të krahasohen.

Për shembull njësoj është edhe mishi i lopës. Mishi i lopës a është hallall për ne? Po hallall është. Nëse e pret një krishter, nëse e pret një çifut, nëse e pret një musliman është hallall mund ta hamë ne, por nëse e pret një budist është haram për ne. Pse? Edhe ajo që e pret budisti  lopë është. Pse kur e pret budisti është haram, për ne? Për shkak se kryesisht budisti lopën e pret me qëllim që ta sakrifikojë për Budën, ndërsa krishteri, hebreji dhe muslimani e presin për nevoja të jetës, do me thënë nuk ka ideologji pas asaj; për shkak se nuk ka ideologji, mishi që e pret krishteri dhe hebreji ne mund ta hamë, por mishin që e pret një budist nuk mund ta hamë, për shkak se ka ideologji pas. E njëjta është edhe me pikturën edhe me muzikën. Shikoni, me të madhe sulmohet muzika nga një pjesë e njerëzve të cilët nuk kanë thellësi në shkencat fetare, në përjetimin e shkencave fetare.  Shpeshherë njerëzit kundërshtohen me gjenin e tyre metafizik për shkak të normave juridike të cilat duhet të analizohen nga aspekti i shkaqeve të vendosjes dhe kohës e hapësirës së vendosjes, nëse në trajtë decide nuk janë të përcaktuara në Kur’an. Domethënë që nuk është ashtu; shpirti njeriut i tregon se nuk është ashtu si mendon, por në mënyrë artificiale mundohet të vendos bariera. Njerëzit e dobët janë diskualifikues, ta dini; krejt personat që iu thonë ai s’bën, ky nuk bën,ai nuk bën, këto persona janë të dobët, këto nuk janë gati të ballafaqohen me shoqërinë, edhe nga aspekti fetarë është ashtu. Personat të cilët iu thonë që ne duhet ti përkdhelim të gjithë, ta dini që këto janë të fortë, se nuk kanë frikë.

Ishim në një simpozium një herë me profesorin Ferid Muhiç në lidhje me globalizmin (ai ka një tekst të mirë në lidhje me ndikimin e globalizmit në gjenin e njeriut) edhe unë dola në një teori të kundërt, që globalizmi muslimanëve nuk iu bën dëm. Globalizëm e dini çka do të thotë? Globalizëm thjeshtë do të thotë që krejt ne duhet të veshim jeans, krejt duhet të hamë qen të nxehtë (hot dog); krejt në të njëjtën mënyrë të hamë, krejt në të njëjtën mënyrë të vishemi, në të njëjtën mënyrë të mendojmë, kjo është globalizim. Ku është dëmi? Dëmi është se kulturat të cilat ngelin brenda, e humbin identitetin e tyre me globalizimin; vetëm se kulturat e dobta humben ta dini, kulturat të cilat kanë ideologji dhe platformë të fortë, ata nuk humben asnjëherë. Për atë, për islamin globalizimi nuk është i rrezikshëm, për muslimanët po, ama për islamin nuk është aspak i rrezikshëm. Do t’iu jap një shembull nga historia që është shumë i rëndësishëm.

Ju keni dëgjuar për Xhingis Kanin, Kubilaj Kanin. (Kishte një serial shumë të mirë, më përpara serialet ishin shumë didaktike, shumë mësimdhënëse. Ishte një serial në lidhje me Marko Polo-n e mbani mend, më herët e kemi parë edhe tash e jep një serial të karakterit të ngjashëm  Sitel 3, bile unë në vitet ’88 kam patur një diksutim në gazetën “Flaka e vëllazërimit” me disa profesorë këtu në lidhje me një serial “Shogun”, Richard Chamberlain e luan rolin kryesorë, është një serial shumë i mirë).

Keni dëgjuar për mongolët,  kanë patur ushtri shumë të fortë, por edhe shumë barbare edhe ku kanë shkelur, kanë vrarë, kanë prerë. Kanë ardhur në Bagdad, dhe historianët musliman thonë që lumenjtë në Bagdad, Tigri dhe Eufrati kanë rrjedhur gjak prej gjakut të muslimanëve, sa kanë vrarë, e kanë vrarë çdokend që e kanë gjetur në rrugë. Mirë ama, ata mongolë të fortë ku janë sot, a e dini, a ekzistojnë? A i keni dëgjuar sot? Ja po u tregoj 95% të atyre mongolëve që kanë qenë me Xhingis Kanin janë bërë muslimanë sot. Do të thotë që qytetërimi dhe kultura e fortë e ka mbisunduar forcën fizike; për atë globalizimi nuk është problem për Islamin, është për muslimanët; mirëpo për islamin si fé nuk është aspak problematike. Do të thotë që te ne muslimanët, e filluam bisedën pej te tabu-ja,  nuk ka asnjë temë e cila nuk mund të preket, çdo temë preket.

Vetëm se te ne shqipëtarët ka një dobësi të madhe, më parë kemi patur më tepër pseudo-intelektualë, mirëpo, tash ka ra intenziteti, tash kemi pseudo-fetarë. 10-15 vite më para kishim pseudo-intelektualë që kishin dëshirë me nofullën e fëmiut të hanë mish me koc, nuk mundet pa ditë asgjë për fenë të diskutohet për problemet më të sofistikuara metafizike. Personi rrinte dhe fliste për fenë e kur e pyesje se sa faqe ka lexuar prej Kur’anit, përgjigjej se asnjëherë nuk e ka parë si duket Kur’ani. Nuk mundet njeriu të flet, të analizojë një fé, një ideologji, çfarëdo që të jetë, përderisa nuk ka të lexuar diçka prej saj. Domethënë, te ne tabu nuk ka, por nuk do të thotë që secili ka mundësi të diskutojë çështje shumë të larta, jo nga aspekti fetarë, por nga aspekti intelektual, nuk ka të drejtë ti diskutojë. Tash personi i cili nuk i di gjërat e thjeshta, i cili nuk është i udhëzuar për gjërat e rëndomta të fesë, nuk ka mundësi të diskutojë gjëra shumë të larta filozofike.

Për atë edhe tradita e Pejgamberit s.a.v.s është që atë që e mësojmë, atë ta praktikojmë në jetë; kur të fillojmë ta praktikojmë, atëherë të kërkojmë të mësojmë ende më shumë, e përderisa nuk e praktikojmë atëherë çdo mësim i yni bëhet si mësim i jahudive. Pejgamberi s.a.v.s thotë që hebrenjtë nga aspekti ideologjik e diskutoj, ata nga aspekti fizik, botërorë mund të jenë shumë të suksesshëm, nuk e diskutojmë këtë dimension, por nga aspekti ideologjik/shpirtëror janë shkatërruar, thotë Pejgamberi a.s., për shkak të  “kilu kal ve kethretis-sual”- “ Hebrenjtë janë shkatërruar për shkak të bisedave të kota (arabisht bisedave të kota kilu kal i thonë) edhe kethreti sual- prej pyetjeve të shumta”. Personat të cilët pak punojnë, shumë pyesin, ta dini që çdoherë kanë ankesë (behane) për diçka. Në Islam tabu nuk ka, por nuk do të thotë që ne duhet ti diskutojmë çështjet shumë të larta ende pa i vendosur themelet e çështjes si duhet. Në anën ka disa persona që kanë dëshirë vetëm me fjalë të bukura ta jetojnë fenë dhe përkushtimin ndaj Zotit. Për shembull e duan Mevlana’in, kemi disa njerëz të cilët merren me art,kanë dëshirë të bëjnë mëkate, të mos i poërkushtohen me ibadete Allahut dhe sipas tyre, Mevlana ka shumë tolerancë, thotë  çka do që të jesh eja. Po, ama Hz.Mevlana nuk e ka vetëm këtë tolerancë, edhe pse unë fjalën tolerancë nuk e përdor, e përdori termin, mirëkuptim; se të tolerosh dikë do të thotë të shkelësh principet tua; ne nuk i shkelim principet tona,ne mund ta mirëkuptojmë dikë që nuk sillet si ne, nuk është në pajtim me mendimin tonë, ama ta tolerojmë që ai të na shkel neve, jo. Po Hz.Mevlana ka mirëkuptim për krejt njerëzit, i thërret të gjithë, mirë ama Hz.Mevlana, a e dini që ka falur edhe 100 rekate namaz në ditë, domethënë, nuk duhet ta duam vetëm atë rrotullimin e Hz.Mevlanës, e tash këtu ka muzikë, ritmi i mirë, ka qenë kompozitor i mirë, ka qenë mirëkuptues, tolerant, a ky qenka i mirë për ne , dhe hajde po pijmë raki. As raki ka patur, as zina ka patur. E dini që në makamet e tasavuffit shpirtërisë pas disa periudhave më filloni mos të bëni dallim në mes gjërave dhe lëndëve fizike, për shkak se një natë e tha një aktor (këtyre djemve ua tregova mbrëmë), në platformën e sjelljes normale fetare, pasuria ime është pasuria ime, pasuria yte është pasuria yte; në platformën pak më të lartë të shpirtërisë, pasuria yte është pasuria yte, pasuria ime është pasuria yte; në platformën e hakikatit realitetit, as pasuria ime është e imja as pasuria yte është e jotja; në platformën e njohjes së thellë marifetit, as ti je ti as unë jam unë, ekziston vetëm Zoti, për atë nuk ka elemente të tilla. Hz.Mevlana, po, por ai person i lartë, a e dini sa e ka qëndrimin me Zotin? Dervishët mevlevi, për shembull,  1001 ditë e kanë edukimin shpirtëror pa u parë me askënd, vetëm me ibadet dhe me një copë buke në ditë dhe në një dhomë ; do me thënë ky person nuk është ai që ne do ta kemi argument për të bërë qejf këndej, e pastaj do të themi, ne jemi me Hz.Mevlanën, ose jemi me Junus Emren, ose jemi me Naimin.

Për shembull te ne Naim Frashërin e kanë bërë komunist. Naimi nuk ka asnjë poezi ku nuk përmendet Zoti, a e dini? Për shembull ka një poezi “O Eros” Naimi, në greqisht e ka shkruar; Naimi ka qenë aq i fortë sa që ka shkruar poezi në greqisht, persisht, turqisht edhe në shqip; për shembull ka një vepër që e kemi përkthyer në shqip, të cilën e ka shkruar në persisht “Tehajjulat”-“Ëndërrime”.O eros” është poezi e cila flet për një dashuri që nuk ka kundërvlerë fizike, materiale, nuk ka objekt;

Poezia ose poema “O eros” e Naim Frashërit është poema e njëjtë si Lejla dhe Mexhnuni e Fuzuliut, domethënë, flet për dashurinë ndaj Zotit e cila nuk ka kundërvlerë fizike/materiale ama e ka vlerën e vet shpirtërore. Për atë them që sa më shumë që thellohemi dhe i analizojmë çështjet, aq më shumë na duken ata të këndshme, por duhet të kemi një parim posaçërisht ju që  jeni bashkë me mua, ne askënd nuk e shajmë, nuk merremi me analizën e besimit të askujt, ne merremi me mënyrën e besimit tonë, me mënyrën e praktikës fetare tonë, e analizojmë më së tepërmi vetveten dhe që është më e rëndësishmja, kur dëgjojmë një fjalë për diçka nuk e nxjerrim përgjigjen prej barkut, mbajeni në mend këtë fjalë, kjo fjalë është e profesor Ismail Bardhit, po prej atij kam marr leje unë, ai thotë fjalët e mia mund ti përdorësh si të tuat, prej barkut kur vjen ndonjë fjalë i vjen era se e dini çka ka në bark, fjalën nxernie prej zemre, fjala që del prej zemre ka erën e mirë, ka dashuri, fjala që del prej barku  e ka erën e keqe. Domethënë, për atë, asnjëherë për diçka mos konstatoni menjëherë.

Filluam prej te tabu, islami nuk ka tabu, për atë ne folëm për cilësitë e All-llahut xh.sh të cilat tregojnë se çfarë karakteri ka Zoti te ne, çka është karakteri i All-llahut xh.sh te ne. Ne folëm për vuxhudin-Zoti ekziston, kidem-Zoti është i përhershëm pa fillim, beka-Zoti është i përhershëm pa mbarim, folëm për vahdanijet dhe thamë që një prej elementeve të besimit në Zotin është të besohet në njëshmërinë e Zotit dhe sikur në gjithësi të kishte dy zotra ose tre zotra atëherë do të shkatërroheshte gjithësia. Për shembull analizojeni mitologjinë greke, ata që pak kanë lexuar prej mitologjisë greke e dijnë se zotrat, ta lëmë leximin tash mos të lodhemi!!!, me siguri shumica prej jush e ka parë filmin me Brad Pitt’in “Troja” (A e keni parë? Kush nuk e ka parë shiqojeni se është film i mirë.) aty shihet se si zotrat njëri me tjetrin copa bëhen edhe nëse zotrat fillojnë të grinden në këtë mënyrë, zoti e humb karakterin e të qenurit zot.

E ngjashme është gjendja edhe në traditën hebreje; te hebrenjtë pejgamberët nuk janë të pagabueshëm; për shembull te ata Jakovi e ka vrarë Isavin dhe ia ka marrë të drejtën për tu bërë pejgamber (a e keni parë filmin me Ibrahimin a.s dhe bijtë e tij) ose mosmarrëveshjet të cilat i tregon në filmin, sipas dimensionit hebrej, ndërmjet Ismailit që është biri i Haxheres prej Ibrahimit a.s., një robëreshës dhe Is’hakut që është biri i Sarës, gruas së Ibrahimit a.s, ka një kacafytje të madhe se kush do të bëhet pejgamber. Domethënë kjo është e palogjikshme,  ky është pejgamber i Zotit, nuk është me dëshirën e vet, se ka pyet  kush a don të bëhet pejgamber, por është me zgjedhjen e Zotit. Për atë edhe një pjesë e madhe e atyre të cilët e analizojnë islamin thonë që vetëm islami nga aspekti i platformës i ka të gjitha karakteristikat e fesë së vërtetë. Shpeshherë sulmet që i bëhen islamit, i bëhen për shkak të komenteve në kohë të caktuara, që disa herë kanë të drejtë. Domethënë në periudha të ndryshme janë bërë komente të cilëve u është zgjatur afati; komenteve nuk u zgjatet afati, fetva ne që u themi, fetvasë nuk i zgjatet afati. Fetvaja, një vendim në lidhje me një çështje fetare e ka kohën e caktuar. Arabisht i thonë el mahdud biz-zamaan vel mekan-ështëe kufizuar me kohë dhe në vend.

Për shembull do t’ua tregoj një shembull në lidhje me vendet tona. Në vitin 1878 pas Kongresit të Berlinit , kur Bosna dhe Hercegovina aneksohet nga ana e Austro-Hungarisë, i merret shtetit Osman dhe i jepet Austro-Hungarisë. Atëherë  Osman ef.Karabeg, është myfti i Mostarit, së bashku me dijetarët e Mostarit e sjellin një fetva, thonë që: “çdo gjë që do të na vijë prej perëndimit neve, ne nuk do ta pranojmë”; kjo është politikë konservative, që në raste të caktuara mund të bëhet, për shkak se në atë kohë Austro-Hungaria ka depërtuar në Bosnjë kryesisht me amoralitet dhe  e ka futur me të madhe alkoolin dhe te boshnjakët alkooli dhe sjellja më liberale nga aspekti i moralit që ka qenë, është prej kësaj kohe ; ata jo se kanë qenë të pamoralshëm, por kanë qenë pak më liberal. A e dini që kjo fetva është sjellur për 10 vjet, domethënë deri në vitin 1900. Problemi ka ndodhur kur këtë fetva, e kemi zgjatur deri në 1980 ne këtu; këtu hoxhallarët tanë deri në 1980-n kanë thënë që prej perëndimit çka vjen nuk është e mirë edhe automatikisht është bërë konfrontimi me realitetin shoqëror. Do të thotë që e njëjta ka mundësi edhe në fetva të tjera.

Elementi i njëshmërisë së Zotit (vahdanijet) është i rëndësishëm. E thash edhe javën tjetër, por po ua përkujtoj edhe një herë që tash ne nuk kemi politeizëm klasik më, ne kemi politeizëm të fshehtë/shirk të fshehtë. Për shembull ne nuk e marrim një idhull edhe ti bëjmë ibadet, shumë pak ka më në botë një sjellje të tillë, mirë ama ne kryesisht kemi idolizime tjera.

Fakiri ka një tekst në lidhje me idolizimin e interesit, për shembull, një idhull i yni është interesi; në njërën anë vëndojeni Zotin e në anën tjetër interesin, popullata në botën bashkëkohore 90% do ti nënshtrohen interesit se sa Zotit, atë të interesit nuk e arsyetojnë a këtë të Zotit e arsyetojnë. Domethënë, interesin e nxjerr para Zotit, kjo është një lloj politeizëm (tash nuk dua ta bart në të gjitha segmentet tjera të jetës). Për shembull këndej ke mundësi të sillesh, të fitosh me hallall, ti e zgjedh të fitosh me haram edhe pse e di që Zoti e di  këtë, e di çka bën ti, është duke të ndjekur ty; do të thotë krejt këto janë elemente të shirkut të brendshëm ose për shembull idolizimi i disa objekteve të cilat nuk janë shumë të rëndësishme.

Shiqoni, për fat të keq unë e kuptoj që ne kemi nevojë për relaks, për çdo gjë, por nuk duhet ta sjellim deri në atë gjendje që të bëhet idol i yni. Për shembull një çështje është  elementi i sportit, e kemi idolizuar sportin që disa herë ka kaluar edhe në zhargonin e bisedës; për shembull te turqit me të madhe thotë “En bűyűk Galatasaray”-“Më i madh është Gallatasaraj”. Te ne en bűyűk-më i madh përdoret për Zotin, All-llahu ekber. Kjo nuk është shirk, nuk del prej imanit ai që e thotë këtë, por e shihni se është idolizuar merret prej fjalëve, se gjuha është pasqyra më e mirë e asaj që mendoni. Pastaj këngëtarët e ndryshëm, nuk jam kundër, ju e dini që edhe unë dëgjoj muzikë, mirë ama nuk ka nevojë të idolizohen aq tepër sa që njerëzve t’iu dalin mendtë. Ne atë dashurinë, duhet ta shprehim ndaj All-llahut xh.sh, ndaj Pejgamberit a.s, ndërsa këto të tjerët duhet të jenë vetëm si çështje të cilat s’ka fjalë që do të na relaksojnë neve. Për muzikën mbrëmë e dëgjova e një fjalë shumë të mirë një profesor tha: “Muzika, përkujtuesit të All-llahut ia shton zikrin, ndërsa atij që bën punë të këqija, fasikut ia shton fiskun/prishësinë”; domethënë të mirit ia shton mirësinë, të prishurit ia shton prishësinë.

Element shumë i rëndësishëm te vahdanijeti është që ne përveç Zotit në gjithësi, mos të pranojmë ekzistencë tjetër, mos ta pranojmë realisht edhe ekzistencën tonë. Atëherë kur pranojmë se ne jemi ndonjësend (“Ej, unë jam”), ta dini që aty shkatërrohet puna, ekzistencë reale ka vetëm Zoti; edhe kur të flisni dikush ka para, dikush ka pasuri, dikush ka mend, dikush është intelektual mos mendoni se i ka prej vetes, i ka prej Zotit. Për atë çdoherë kur do të shohim në dorën tonë një sukses, duhet ti ngrejmë duart dhe të themi “Ja Rabbi, faleminderit të qoftë ty, se sikur mos të ishe Ti, unë nuk do ta kisha arritur këtë” domethënë, kjo na e shton edhe pasurinë edhe dijen edhe të gjitha gjërat tjera.

Javën tjetër inshallah pak do të flasim për dy cilësitë e fundit edhe me këtë do ta kryejmë me Ramazanin. Ditën e shtunë në mbrëmje është Nata e Kadrit, inshallah atë natë, ne në xhaminë e Saatit në Tetovë  do të këndojmë ilahije, do të bëjmë pak zikër aty në xhami, pak ligjëratë do të ketë dhe do ta bëjmë një natë të mirë, inshallah edhe ju vini. Faleminderit.