E KALTRA E SHPIRTIT… (Prof.Dr.Metin Izeti)

E kaltra është ngjyra e melekëve/engjëjve… është ngjyra e qiejve dhe e detit… e lartësisë dhe e thellësisë… e simbolizon besnikërinë, përkushtimin, urtinë, vetëbesimin… e kaltra konsiderohet e dobishme  për shkak se e ngadalëson metabolizmin e njeriut dhe e qetëson shpirtin… e kaltr është fuqimisht e ndërlidhur me paqën dhe qetësinë…

E kaltra është sunduese në dekorimet murale të objekteve shpirtërore muslimane, në veçanti në shekullin e XIX… e kaltra është metaforë e vetmisë sufike dhe qëndrimit në shoqërim me Krijuesin.. është ngjyrë e halvetit… është ngjyrë e shtëpisë së Fatimesë në kompleksin Harabati Baba Teqe në Tetovë.

Fatimeja ishte vajza e sëmurë nga kjo botë dhe e tërhequr në të kaltërtën e shpirtit në shtëpinë e saj, brenda kompleksit Harabati… ajo ishte një femër me pjellorësi shpirtërore si edhe motrat Mansure dhe Hurshide që dy shekuj më parë kishin shkruar emrin e tyre me shkronja të arta në ndërtimin e xhamisë së larme (Alaxha ) në Tetovë. Ata ndërtimin e xhamisë e kishin bërë me paratë e ndara për prikën/ çejizin e martesës. Shtëpia e kaltërt e Fatimesë gjithashtu ishte prika/ çejizi i saj. Ata së bashku sikur e përjetonin natën e  e gjerdekut në takimin me të Dashurin e vërtetë. E përjetonin me dashuri sheb-i arusin/natën e gjerdekut të Mevlanasë.

Sheb-i Arus, i thotë Mevlana, natës së takimit me të Dashurin e përjetshëm të tij, me Zotin, i thotë vdekjes. Ata të gjithë së bashku vdisnin për të jetuar…

E kaltra është edhe iniciativë e ikonografisë së shekullit të XV… modeste por vepër e një vullneti të pakrahasueshëm…

E një vullneti që e  din se çka dëshiron të thotë…

Si rrjedhojë është e përdorur edhe në dekorimin mural të Harabatit, por edhe në pjesë të caktuara të xhamisë së Larme… vepra të amshueshme të Rexhep dhe Abdurrahman Pashës.

Nuk ka mundësi të hapëroni përreth këtyre ndërtesave dhe të mos e dëgjoni atë përpjekje dhe heshtje shpirtërore të sufijve dekorues në të kaltërtën qiellore të Harabatit dhe Xhamisë së Larme..

Heshtjen shpirtërore të Abdurrahmanit/robit të Mëshirbërësit, që bën zë edhe sot e kësaj dite…

Kjo e kaltër sa bukur do t’u qëndronte melekëve!!?

Por t’i lëmë pak ngjyrat, por edhe përvojat e perspektivës dhe sfondeve mjeshtërore… shikoni ju lutem ngjyrat esenciale… xhamia e Larme dhe Harabati janë të tëra në ngjyra dhe dritë.. njeriu smund të vendos a janë më të mira ngjyrat ose drita që bie në to… sikur bartet në platformën e metaforave platoniane me piktorët kinez dhe grekë… muret e tyre sa të bukura i kanë ngjyrat aq edhe më të bukura i kanë murret që janë të pastruara me dhikrin/përkujtimin e Zotit… dhe çdo dritë që bie në këto murre reflektohet si më e bukur… ndoshta murret edhe nuk janë prej materiali ndërtimor… ndoshta janë zemra të adhuruesve  dhe frymës së tyree që në ditë të ftohta ka avulluar në trajtë të huuuuuuuuuuu-së

E në ditët e vapës si haaaajjjjjjjjjj…

E kaltra ndonjëherë na e përkujton edhe lulet që në pranverë e gëlltitin nga qielli dhe së bashku me të kuqen e vete e përfitojnë ngjyrën vjollce… vjollcë si qielli por e thellë edhe si deti.

Vjollca është si Fatimeja, si Hurshideja, ndoshta edhe si Mevlana që ka dëshirë të shihet nga të njëjtit si vetja… ajo është një piktore, një qendisëse, një  sufi…

E kaltra dhe dekorimet në të na flasin edhe për plotninë që mund të arrihet me bashkimin e aftësisë, përpjekjes nga njëra anë dhe përkushtimit ndaj Zotit, duasë/dhikrit nga ana tjetër…

“ Njerëzve t’ua përkujtojmë të njerëzishmen…” do të thoshte Naimi, por edhe Junus Emre’ja… Arti është mjet për këtë ndjeshmëri…

Në të vërtetë kjo e kaltër ishte mbretëruese edhe në “Avatar”in e James Cameron’it…

Ata krijesa të çuditshme, mbrojtëse të të natyrshmes, të karakterit dhe të njërës nga karakteristikat më elokuente të kategorive estetike , të madhërishmes…

Në anën tjetër instikti shkatërrues i ego’s, i qibrit , i smirës… ka harruar se për të qenë i aftë duhet të jetë besimtar…

Të besojë në diçka jashtë vetes. Jashtë dhe mbi veten… Si Fatimeja… si Mevlana… vetëm kështu do të ketë mundësi ta përjetojë të kaltërtën e Harabatit dhe të Divan’it…

…ta dijë se kushti i parë i artit është liria e artistit… arti është vepër e shpirtrave të lirë… të lirë në arenën e lirisë absolute… në praninë e origjinës së krijimit…

… ta dijë se duhet të jetë i pafajshëm… si një foshnje…pikërisht për këtë edhe gjithnjë kujton se është ndotur… pendohet/estagfirullah…

Mirësia e tij është, jo vetëm në veten e tij, kudo , në qytet, në mal, në treg…

Vetëm atëherë të kaltërtën mund ta shohim në esencë…

//Huazuar nga revista mujore SHENJA www.revistashenja.com//