I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Një njeri tha: “Do të jap sadaka.” Doli dhe e dha sadakanë në dorë të një hajni. Të nesërmen të tjerët thoshin: “Dje ky njeri i ka dhënë sadaka hajnit.” Ai tha në vetvete: “O Zoti im! Vetëm Ty të takon falënderimi! Unë prapë do të jap sadaka.” Del nga shtëpia dhe i jep sadaka një prostitute. Të nesërmen njerëzit thoshin se ky njeri i ka dhënë sadaka prostitutës!” Ai tha në vetvete: “O Zoti im! Vetëm Ty të takon falënderimi! Unë prapë do të jap sadaka.” Kështu që del nga shtëpia dhe i jep sadaka një të pasuri. Të nesërmen njerëzit thoshin se ai i ka dhënë sadaka një të pasuri. Ai tha në vetvete: “O Zoti im! Vetëm Ty të takon falënderimi, për atë që i kam dhënë sadaka: hajnit, prostitutës dhe të pasurit!” Atij pastaj i paraqitet (në ëndërr) një zë duke i thënë: “Sadakaja e jote e dhënë hajnit ndikoi që ai të largohet nga vjedhja; sadakaja e jote e dhënë prostitutës ndikoi që ajo të largohet nga prostitucioni; sadakaja e jote e dhënë të pasurit ndikoi që ai të ketë në konsideratë, dhe të shpenzojë (t’u japë të tjerëve) prej asaj çka i ka dhënë Allahu.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)