Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Njëri nga lajmet që më tepër më ka prekur në jetën time ka qenë lajmi i hidhur në ditët e nxehta të gushtit në vitin 2013, kur Husein efendi Rizai më telefonoi dhe më tha: Efendi, Emin abija, ka ndërruar jetë! Mbeta i shtangur disa çaste në telefon! Më pas, pa një pa dy, u nisëm drejt shtëpisë së tij për t’i ngushëlluar familjarët.
Muezzini me zë kumbues i Eski Xhamisë në Tetovë Haxhi Emin Sherifi ka lindur në vitin 1950 në Tetovë dhe është djali i imamit të Xhamisë së Çarshisë dhe më vonë Xhamisë Eski, Hafiz Ibrahim efendi Sherifit. Mësimet fetare i ka marrë prej te babai i tij dhe për shkak të zërit dhe leximit shumë të bukur të Kuranit që nga mosha e re ka qenë i preferuari i tetovarëve në mexhliset e ndryshme fetare. Haxhi Emini në fillim nuk ka qenë i punësuar si muezzin në xhaminë Eski, por ai një periudhë ka punuar jashtë vendit në Gjermani. Më vonë, pas insistimit të nënës së tij, e ka lënë Gjermaninë dhe ka hapur një dyqan për riparimin e televizorëve në Tetovë. Haxhi Eminin e kam njohur mirë dhe shpesh jemi takuar. Ai ishte një person me respekt të thellë ndaj njerëzve dhe në veçanti ndaj prindërve dhe hoxhallarëve. Kur patëm vajtur për ta vizituar babain e tij të sëmurë, Hafiz Ibrahimin, ai na priti te dera dhe gjatë tërë kohës sa ne ishim brenda në dhomë ai qëndroi te dera në këmbë në shenjë respekti, edhe pse ishte shumë më i vjetër se ne. Dhe një fjalë e nënës së tij ka mjaftuar që ai ta lë Gjermaninë dhe të kthehet në vendlindje.
Në vitet 1975-76, pasi që ka ndërruar jetë muezzini i Xhamisë Eski, Mulla Refeti,, mexhlisi i Xhamisë Eski ka kërkuar prej Hafiz Ibrahimit që djali i tij Haxhi Emini ta merr përsipër detyrën e muezzinit. Hafiz Ibrahimi e ka informuar Haxhi Eminin për këtë çështje dhe i ka treguar që dëshira e tij është që ta pranojë këtë detyrë. Haxhi Emini, pa një pa dy, e ka respektuar dëshirën e babait të tij dhe ka pranuar që të shërbejë si muezzin në këtë xhami qendrore të Tetovës.
Haxhi Emini kishte zë tenori, bariton dhe burrëror. Kur ai lexonte Kuran, pjesë nga mevludi ose ndonjë ilahi/këngë fetare kumbonte hapësira prej basit në zërin e tij. Krahas asaj që zëri i tij ishte tejet burrëror, ai me zërin e tij i përkëdhelte shpirtërat e njerëzve dhe dinte të depërtojë në të gjitha poret e qenies së besimtarëve. Ai e këndonte me një melodi të veçantë për të Kuranin dhe Mevludin. Në mexhliset fetare në Tetovë, hoxhallarët, pjesët e fundit të Mevludit, veçanërisht pjesën e cila e përshkruan ngritjen e Pejgamberit a.s. në Miraxh, ia lenin ta këndojë Haxhi Emini dhe këndimi i tij ishte si ajkë e tërë manifestimit fetar. Ai kur këndonte Kuran dhe Mevlud kalonte në dalldi dhe me tërë qenien e ti shkrihej në kuptimin dhe domethënien e tekstit që e këndonte. Shumica prej nesh ende i kemi të freskëta këndimet e këndshme të Haxhi Eminit.
Haxhi Emini, gjithashtu, në trajtë fenomenale e këndonte edhe ezanin duke pasur kujdes që në secilën kohë të namazit ta këndojë ezanin sipas një makami/modi adekuat për atë kohë të namazit. Zëri i tij kumbues dëgjohej në të katër anët e qytetit dhe i kënaqte të gjithë, edhe ata që faleshin por edhe ata që nuk faleshin. Disa herë edhe maqedonasit ndaleshin në rrugë dhe e dëgjonin ezanin që e këndonte Haxhi Emini në Xhaminë Eski në Tetovë.
Krahas zërit të bukur, Haxhi Emini, ishte edhe një njeri shumë i pjekur dhe me respekt të madh ndaj hoxhallarëve. Ne ishim shumë më të ri në moshë se ai, por, çdo herë kur do të hynim në dhomë ose në ndonjë hapësirë tjetër ku kishte manifestim fetar, ai çohej në këmbë, na e lironte vendin dhe sillej në trajtë të përkryer. Disa herë i kam thënë që kjo sjellje modeste e tij na shqetëson, por ai as që dëshironte ta dëgjojë këtë fjalë dhe pa thënë gjë e vazhdonte sjelljen e tij të ndritur.
Kushtet e vështira të periudhës së rinisë së tij nuk i kanë lejuar që të arsimohet dhe të sistematizojë talentin e rrallë të tij muzikor. Sikur ta kishte këtë mundësi, jam i bindur, se ai do të ishte në mesin e këndonjësve më me zë të Kuranit dhe këngëve fetare në botë.
Ai, në Xhaminë Eski, pas namazeve i tubonte rreth vetes disa djem të ri dhe i ushtronte të këndojnë bukur Kuranin dhe Mevludin. Si rrjedhojë e kësaj pune disa prej tyre aktualisht janë ndër këndonjësit më të mirë të Kuranit në rajonin e Tetovës.
Zemra e tij u ndal së rrahuri, papritmas, me 20 Gusht të vitit 2013 dhe u përcoll tek i Dashuri me prezencë të madhe të besimtarëve nga Tetova dhe më gjerë.
Zoti e dashtë dhe e miqësoftë me të mirët.