Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Periudha e pas luftës së dytë botërore dhe vendosja e pushtetit komunist në trojet tona është ndër periudhat më të vështira për gjenin fetar të popullatës shqiptare myslimane. Sulmi kryesor i pushtetit komunist ka qenë në ndërprerjen e traditës shekullore të jetësimit të paradigmës së fetarisë së pastër dhe edukimit të brezave me sherbetin e Kuranit dhe porosive të gjalla të Pejgamberit a.s.. Pushteti komunist-sllav dëshironte që ta fikë dritën e Allahut, siç i paraqet edhe armiqtë e fesë Kurani Famëlartë, duke e penguar edukimin e brezave me sjelljen shembullore të Pejgamberit a.s. dhe gjeneratave të arta të shoqërisë myslimane. Mirëpo, Allahu xh.sh. dritën/nurin e Tij, siç edhe premton në Kuran, do ta plotësonte krahas asaj që armiqtë e të vërtetës nuk e pëlqenin atë.
Vazhdimësia e dritës së Kuranit dhe sjelljes pejgamberike në trojet tona është siguruar nëpërmjet të disa hoxhallarëve që, krahas presioneve të njëpasnjëshme të pushtetit dhe duke e rrezikuar veten dhe familjet e tyre, vazhdimisht e kanë bartur këtë dritë në gjeneratat e reja. Shumica prej tyre kanë qenë të pazëshëm, por ama idealizmin e tyre e kanë bartur nëpërmjet të veprës së tyre. Pjesa dërmuese e tyre nuk kanë qenë as edhe të punësuar, asokohe, në Bashkësinë Islame, por shtëpitë e tyre i kanë shfrytëzuar për t’ua mësuar Kuranin dhe porositë pejgamberike të rinjve myslimanë shqiptarë.
Molla Ismeti i Porojit, padyshim, është njëri prej këtyre hoxhallarëve që pa bërë shumë zë ka edukuar fetarisht një numër të madh të të rinjve, veçanërisht në fshatrat Poroj, Xhepçishtë dhe Gjermë në vitet pas vendosjes së pushtetit komunist në hapësirat tona. Unë e mbaj mend Molla Ismetin që nga fëmijëria, pasi dajallarët i kam në Poroj dhe shpeshherë kur shkoja te dajët e takoja në rrugë, pasi shtëpia e tij ishte aty afër shtëpisë së dajallarëve të mi. Si sot më kujtohet veshja e tij pedante me jelek, me sahatin me qystek në xhepin e jelekut dhe gjithnjë me sarëkun e pastër në kokë. Shpeshherë për të më ka folur edhe daja im Molla Rufati i cili kishte respekt ndaj tij veçanërisht për shkak se ua kishte mësuar leximin e Kuranit dhe rregullat themeltare/ilmihalin fetare një numri të madh të fëmijëve në kohët më të vështira.
Molla Ismetin e kam takuar edhe më vonë, pasi që e kam kryer medresen dhe fakultetin, dhe shpeshherë e kishte traditë të më thotë: Me dajxhën, caullët t’i mësoni ta lexojnë Kuranin/me dajën fëmijëve t’ua mësoni leximin e Kuranit. Asokohe, si entuziast dhe i ri, unë mendoja se për arsimimin fetar të brezave të ri nevojitet të përqendrohemi më tepër në bartjen e kuptimeve të Kuranit dhe ta them të drejtën nuk pajtohesha shumë me fjalët e tilla të hoxhallarëve tonë të vjetër. Mirëpo, tash e kuptoj dhe e ndjej shumë mirë brengën e tyre. Ata përpiqeshin që ta mbanë të gjallë flakën e fenerit të shpalljes, jo vetëm me përmasën e sqarimit të kuptimeve të fjalës hyjnore, por edhe nëpërmjet ibadetit duke e lexuar Kuranin. Kurani është fjalë e Zotit dhe leximi i tij paraqet komunikimin më të çiltër me Krijuesin e gjithësisë.
Molla Ismeti dhe brezi i hoxhallarëve që në kushte shumë të vështira e ruajtën idealin e bartjes së fjalës së Zotit në brezat e ri janë të dekoruar me fjalët e Pejgamberit a.s. i cili urdhëron: Më i miri në mesin tuaj është ai që e mëson vetë dhe ua mëson të tjerëve Kuranin. Për një besimtar myslimanë nuk ka titull më të lartë se sa të jetë në mesin e të dekoruarve prej Pejgamberit a.s..
Molla Ismeti gjatë periudhës kur i ka mësuar fëmijët të lexojnë Kuranin është përballur me bastisje të shpeshta nga ana e inspektorëve të policisë dhe është marrë në pyetje nga shërbimi sekret jugosllav. Mirëpo, ai ishte prej besimtarëve që i përkuleshin vetëm Krijuesit dhe në asnjë mënyrë nuk ka hequr dorë nga puna dhe ideali i tij. Një numër i madh i fëmijëve të asaj kohe në fshatrat Poroj, Xhepçisht dhe Gjermë leximin e Kuranit, mënyrën e faljes së namazit, kushtet e Islamit i kanë mësuar pranë tij dhe kjo ishte kënaqësia që e bënte edhe më të fortë Molla Ismetin si dhe një numër të madh të hoxhallarëve të rrethit të Tetovës në këtë periudhë.
Molla Ismeti nxënësit e vet i ka edukuar si të krijojnë edhe familje të fortë dhe me moral të lartë. Më kujtohet një rast kur ishim te daja dhe dikush kishte ardhur te daja për ta pyetur në lidhje me një vajzë prej fshatit të cilin kishte dëshirë ta kërkojë nuse për djalin e tij. Ndërsa, daja i pati thënë: Aha, po e di, ajo ka qenë nxënëse/talebe e Molla Imsetit, lype se e mirë është.
Shembullin e familjes së guximshme dhe me moral të lartë, Molla Ismeti, e ka prezantuar edhe në edukimin e fëmijëve të vet. Njëri prej djemve të Molla Ismetit, Selman Nuhiu, në vitin 2001, edhe pse me punë në Zvicër, e ka lënë Zvicrën dhe i është bashkangjitur Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për t’u siguruar ditë më të mira gjeneratave të ardhshme. Ai e kishte ndjekur idealin e mbjellur në të nga babai i tij dhe kishte rënë dëshmorë në luftë. Zoti e shpërbleftë atë dhe babain e tij me begatitë e audiencës së Tij. Ta them metaforikisht, Selmani për Molla Ismetin, ishte si Ismaili për Ibrahimin a.s.. Ai me përkushtimin dhe nënshtrimin më të përkryer e flijoi jetën për të mbijetuar e vërteta dhe drejtësia. Edhe djali tjetër i Molla Ismetit Burhaneddini iu bashkangjit luftëtarëve për liri duke mos synuar poste dhe privilegje, por vetëm me dëshirë që t’i shërbejë Zotit duke i shërbyer të mirës dhe të drejtës në shoqëri. Ai, pas lufte u burgos nga ana e policisë dhe pa fakte u dënua me burg të përjetshëm. Ai ende e vuan burgun në pritje se do të shqyrtohet me drejtësi lënda e tij. Në një mënyrë Burhaneddini për Molla Ismetitn është si Jusufi për Jakubin a.s.. Inshallah Zoti i Madh e shpëton edhe atë ashtu siç e shpëtoi Jusufin a.s. prej burgut të zullumqarëve.
Molla Ismeti është një shembull i përsosur si duhet të edukohen brezat për të qenë të përkushtuar në çështjet dhe idealet e larta. Zoti e shoqëroftë me të mirët në botën tjetër.