Një Hoxhë pedant dhe me delikatesë Hafiz Mahi efendi Mehmedali

Hafiz Mahi ef. Mehmedaliun  e kam parë ndoshta një a dy herë kur ende isha fëmijë dhe shkoja në xhamitë e ndryshme të Tetovës për të ndjekur ligjëratat ose për ta falur namazin e teravisë. Nga imagjinata ime fëmijërore Hafiz Mahiu, më ka ngelur si një imazh pedant dhe përplot me delikatesë. Ndërsa, më tepër për të kam dëgjuar prej familjarëve të tij, veçanërisht vëllaut të Hafizit, Haxhi Nesetit dhe djalit të tij Zijad Mehmedaliut që edhe e kam mik shpirti. Gjithashtu emri i Hafiz Mahiut shpesh përmendej edhe në mexhliset fetare të xhamisë  së Tabhanes të Tetovës. Xhemati që i kishte ndjekur ligjëratat e tij fliste me entuziazëm dhe kishte një konsideratë si ndaj udhërrëfyesit për të. Veçanërisht në lagjen e Tabhanes kishte një ndjekës të rregullt të namazeve në xhami, Haxhi Ismeti, ai çdo herë kur hapej biseda për ndonjë çështje fetare në mexhlis, thoshte: Ah! Hafëz Mahi, Ah! Dhe më pas e tregonte atë që i kishte ngelur në kujtesë prej ligjëratës së Hafiz Mahiut.

Hafiz Mahi ef. Mehmedaliu i takon gjeneratës së hoxhallarëve tetovarë që janë shkolluar në medresetë e Tetovës ndërmjet dy luftërave botërore. Ka qenë nxënës i Xhemil ef. Jusufit dhe vëllaut të tij Bedaet Ef. Jusufit, Idris Efendiut, etj. Hafiz Mahiu ka pasur dashuri të flaktë, veçanërisht, ndaj Bedaet Efendiut, i cili edhe në kujtesën e tetovarëve të vjetër njihet si njeri shumë i përkushtuar dhe i dijshëm. Ai, madje ditët e ftohta të dimrit, sipas asaj që Hafiz Mahiu i ka rrëfyer vëllaut të vet Haxhi Nesetit, është zgjuar herët para namazit të sabahut dhe e ka ndezur koftorin që kur të vijnë nxënësit klasa të jetë e ngrohtë.

Para se të punësohej në Tetovë, Hafiz Mahiu, në vitin 1941, për muaj të Ramazanit ka qenë i angazhuar në Shkodër ku imam i xhamisë ka qenë hoxha Hafiz Maliqi. Hafiz Mahiu me entuziazëm I ka përmendur iftaret e këndshme në shtëpinë e Hafiz Maliqit, ose siç ka thënë shpesh ai: “Iftaret në shtëpinë e tij sikur zbritnin prej qiellit”.

Nga gushti i vitit 1944 është emëruar si imam dhe ligjërues në xhaminë e Tabhanes ku ka vepruar deri në vitin 1977, kur edhe ka kaluar në ahiret. Hafiz Mahiu namazet me zë i ka falur me hatme, që do të thotë se ka filluar prej ajetit të parë të sures Bekare dhe për çdo namaz me zë ka kënduar ajetet që pasojnë dhe kështu deri në suren Nas. Hafiz Mahiu, gjithashtu, një hatme të Kuranit e ka bërë edhe rrugës prej shtëpie deri në xhaminë ku ka shërbyer.

Çdo ditë kur është kthyer nga falja e namazit të sabahut prej xhamie janë ulur me babain e tij Haxhi Hamdiun, i cili poashtu ka mësuar hifz por e ka ndërprerë atë për shkak të varfërisë dhe ka vajtur në gurbet në Stamboll ku ka punuar në një furrë në vitet e fundit të shtetit osman. Pasi që e kanë pirë kafen është tërhequr në dhomën e vete ku ka lexuar vazhdimisht dhe shpesh herë e ka marrë gjumi me libër mbi gjoks.

Një mëngjes, kur si zakonisht, pinin kafe me babain e tij, në vitin 1951, nga dera e avllisë kanë hyrë dy policë civil me sheshir dhe kanë bërtitur me zë të lartë: “Ajde so nas/ ec me ne”. Hafizi është ngritur e ka marrë pallton Kronbi, që një mik i tij ia kishte sjellur prej Çekie dhe ka vajtur. Atë e kanë burgosur së bashku me Xhemil Efendiun dhe Ali Efendiun për shkak se e kanë kundërshtuar vendimin e pushtetit për heqjen e burkës/peçes dhe aty janë maltretuar shumë. Sipas asaj që ka rrëfyer Hafiz Mahi efendiu, netët kanë qenë të ftohta, ndërsa Ali Efendiu i dobët me shëndet dhe ka pasur të ftohtë në burg. Ndërsa Hafiz Mahiu e ka mbështjellur atë me pallton e tij të leshtë!

Hafiz Mahiu ka qenë i njohur në Tetovë me pedanterinë e tij dhe veshjen me delikatesë. Ai, çdoherë kur ka vajtur në xhami ka qenë i hekurosur dhe i rregulluar mirë. Gjithashtu edhe sarëkun e tij të bardhë e ka pastruar për çdo javë dhe e ka lidhur sërish. Këtë pedanteri ai e ka zbatuar edhe në xhaminë ku ka vepruar. Haxhi Shabani, që ka qenë xhemat i rregullt i Hafiz Mahiut, shpeshherë, pas kalimit të tij në ahiret, e përmende atë duke thënë:  Ah! Të ishte Hafiz Mahiu nuk do ta lente kështu xhaminë të tollovitur!.

Ai rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe shkollimit. Është përpjekur që t’i shkollojë fëmijët e vet si dhe i ka këshilluar njerëzit që t’i shkollojnë djemt dhe vajzat e tyre. Djali i hafëz Mahiut, Mensur Mehmedaliu ( Zoti e mëshiroftë), ka punuar si profesor i historisë në shkollën e mesme bujqësore në Tetovë. Gjithashtu ka insistuar tek vëllau i tij që ta shkollojë vajzën  e cila kishte qenë shumë inteligjente dhe e zgjuar.

Vëllezërit e tij kishin vendosur që të marrin një dyqan me qira për të hapur ëmbëltore në qytetin e Makarskës në Kroaci dhe kishin vajtur për t’u këshilluar me hoxhën. Ndërsa ai u kishte thënë që të presin disa ditë dhe do t’ju tregojë se çka të bëjnë. Pas disa ditëve i kishte thirur dhe u kishte thënë se mund ta hapin dhe se do të jetë në favor të tyre. Ai ka vepruar sipas traditës pejgamberike, pasi që i ka analizuar shkaqet i është lutur Zotit që ta udhëzojë për të konstatuar drejtë. Ka bërë istihare. Pra, ai krahas delikatesës në dukje ka pasur edhe pedanteri dhe delikatesë shpirtërore.

Hafiz Mahi ef. Mehmedaliu ka pasur dashuri të flaktë ndaj Pejgamberit a.s.. Sa që, sipas asaj që më ka rrëfyer Hafiz Elmazi nga Poroji i cili ka qenë nxënës i tij, çdo hadis që e ka hasur në ndonjë tekst të ndonjë libri fetar e ka mësuar përmendsh dhe ka ditur përmendsh numër të madh të hadiseve të Pejgamberit a.s.. Këtë dashuri është përpjekur ta manifestojë në të gjitha segmentet e jetës. Disa herë kur është kthyer në shtëpi pas namazit të jacisë ka bërë ndeshje në mundje (pehlivanllëk) me fëmijët. Kur  e  kanë pyetur se pse e bënte këtë? Ai është përgjigjur: Pejgamberi a.s. shpesh ka dalë pehlivan me nipat e tij Hazreti Hasanin dhe Hazreti Huseinin dhe unë për atë e bëj!

Hafiz Mahiu ka mësuar edhe nxënës sipas metodave të medreseve klasike, të cilët më vonë kanë shërbyer si hoxhallarë në katundet e Tetovës. Në mesin e tyre bëjnë pjesë: Hafiz Elmazi nga Poroji, Molla Baftijari nga Shipkovica, Molla Latifi poashtu nga Shipkovica, etj.

Hafiz Mahiu është larguar nga kjo botë në moshë relativisht të re, në 9 Maj 1977, ndërsa xhenazja në përcjellje të numrit të madh të besimtarëve i është falur në xhaminë Çarshisë së Epërme. Zoti e shpërbleftë me të mirat e xhenetit…