Një alim/dijetar i Tetovës Rafiz Efendi Hoxha

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Rafiz efendi Hoxha ishte imam dhe ligjërues në xhaminë Eski të Tetovës. Unë qysh si fëmijë kam pasur një ndjenjë të veçantë shpirtërore me këtë xhami. Shtëpia ime ka qenë karshi xhamisë, ku aktualisht është posta e Tetovës. Në vitin 1975, duke i paraqitur si arsye planet urbanistike dhe modernizimin e qytetit, pushteti komunist i ka rrënuar të gjitha mëhallat myslimane. Këtë fat e ka pasur edhe xhamia e Çarshisë në Tetovë  e cila është rrënuar në vitin 1965 dhe në vend të saj është ndërtuar pallati i kulturës në Tetovë. Fatin e njëjtë e kishin edhe shtëpia ime dhe e fqinjëve të mi, të cilat u rrënuan në vitin 1975. Pra, unë si fëmijë deri në moshën pesëvjeçare, kam qenë komshi me xhaminë Eski, prandaj edhe emocionalisht kam qenë dhe jam i lidhur me të. Këto vite ishin edhe vitet kur në xhaminë Eski si imam ishte caktuar Rafiz Efendiu. Ai me origjinë ishte nga fshati Rashçe, nga Shkupi, mirëpo pasi kishte ndjekur mësimet fetare tek një dijetar, hoxhë shumë i ngritur i asaj kohe, Ali Efendi Metoshehu, ishte i familjarizuar me Tetovën. Ali Efendi Metoshehu ka qenë një intelektual dhe largpamës. Ai ka insistuar në vitet e pasluftës së dytë botërore që fëmijët e myslimaneve të shkollohen sa më shumë. Por, është fakt që si pasojë e largpamësisë së tij ka pasur edhe shumë probleme dhe thashethemet e prodhuara nga letargjia dhe personat që e kanë mbrojtur këtë letargji të popullsisë sonë, asokohe.

Rafiz Efendiu, në xhaminë Eski, e ka trashëguar Abdurrahim Efendiun. Abdurrahim Efendiu ka qenë gjithashtu një hoxhë shumë i devotshëm dhe i përpiktë në detyrën e tij. Si fëmijë i kam ndjekur vazhdimisht ligjëratat e Rafiz Efendi Hoxhës në xhaminë Eski. Ai kishte një zë të ëmbël karakteristik dhe shumë më pëlqente mënyra se si e fillonte ligjëratën me një klishe që edhe sot e kësaj dite më pëlqen shumë. Pasi që e lexonte ajetin kuranor, në lidhje me temën që e kishte, e lexonte një lutje në gjuhën arabe, ku thoshte: Sadekallahu’l-adhim, ve bel-legena resuluhu’n-nebijju’l-kerim ve nahnu ala ma kale halikuna ve razikuna… ( Drejtë foli i Madhi Allah, dhe na e kumtoi këtë Pejgamberi i Tij fisnik, ndërsa ne qëndrojmë në atë që thotë Krijuesi dhe Furnizuesi jonë…). Unë qysh si fëmijë e kisha mësuar përmendsh këtë tekst të lutjes që hoxha i nderuar e lexonte në fillim të çdo ligjërate.

Ligjëratat e Rafiz Efendiut nuk ishin ligjërata të zbukuruara me ngjarje të ndryshme përmes të cilave do të frikësohej ose joshej xhemati në lidhje me çështjet fetare. Ai ishte didaktik, në ligjërata i diskutonte çështjet që ishin të rëndësishme për jetën e një besimtari mysliman. Rafiz Efendiu ishte njohës shumë i mirë i fikhut/jurisprudencës islame, veçanërisht çështjeve që kanë të bëjnë me ibadetet. Këtë e pranonin edhe një numër i madh i hoxhallarëve të asaj kohe. Pikërisht për këtë edhe në ligjëratat e tij kishte mundësi të mësohen shumë gjëra në lidhje me parimet fetare. Hoxhallarët tonë të periudhës së shekullit njëzet më tepër kanë qenë të përqendruar në çështjet e fikhut (jurisprudencës islame) veçanërisht atij të mez’hebit hanefi. Si rrjedhojë, ata i kanë ditur në gishta çështjet, madje edhe më të imtat, në lidhje me ibadetet.

Unë mësimet e para për leximin e Kuranit i kam filluar tek Rafiz Efendiu, por shumë shkurt pas kësaj si mual-lim në xhaminë Eski u emërua Neshat Efendi Xheladini dhe pastaj vazhdova pranë tij, ku edhe e kam mësuar leximin e Kuranit. Në periudhën pas përfundimit të hifzit, regjistrimit në medrese dhe në periudhën e studimeve, shumë shpesh takoheshim me Rafiz Efendiun nëpër mexhlise të ndryshme në Tetovë. Ai çdoherë përpiqej që ta shfrytëzojë pozitivisht kohën e ndejës dhe gjithsesi në çdo rast tregonte diçka që kishte lexuar ose që ishte e rëndësishme nga aspekti fetar. Disa herë njerëzit që ishin të pranishëm edhe bezdiseshin, ai ishte shumë inteligjent, e shihte këtë, i shihte edhe shenjat me sy e me vetulla të tyre, por fare nuk i kushtonte rëndësi asaj dhe vazhdonte të sqarojë atë që e kishte në plan ta sqarojë. Ta them të drejtën, prej bisedave që i ka zhvilluar Rafiz Efendiu nëpër mexhlise, në të cilat shumë shpesh kam qenë i pranishëm edhe unë, unë e kam ditur 60 % të materialit në lidhje me provimet e jurisprudencës islame gjatë studimeve. Dhe në çdo çast e kam falënderuar dhe jam lutur Zotit për hoxhën e nderuar i cili nuk ia ka varur veshin bezdisjes së njerëzve por i ka sqaruar gjërat që ka menduar se janë të rëndësishme.

Që në titullin e këtij shkrimi e kam thënë që ai ishte alim/dijetar. Një herë ishim në një mexhlis, në Tetovë, ndërsa unë sa isha kthyer për pushimet verore nga Izmiri, ku isha duke i ndjekur studimet. E kisha kryer vitin e tretë, semestrin e  gjashtë, ku në mes tjerash e kisha dhënë edhe provimin e të drejtës trashëgimore islame/feraizin. Sa u ulëm në shtëpinë ku ishte mexhlisi, Rafiz Efendiu, si çdo herë, më tha: Hajde Hafëz a ke diçka për të pyetur? Unë pa menduar shumë e hapa bisedën për pjesën e pasurisë që duhej t’i takojë nipit prej trashëgimisë së gjyshit në rastet kur i ka vdekur babai. Dhe kështu e filluam bisedën dhe mendoj se biseduam afro dy orë në lidhje me këtë çështje. Unë i kisha të freskëta njohuritë nga provimi, por hoxha i thoshte në detaje të gjitha problemet dhe mënyrat e zgjidhjeve të tyre. Hoxha efendiu ishte kënaqur dhe emocionuar shumë nga kjo bisedë, veçanërisht për shkak se kishim biseduar një çështje paksa më të komplikuar që kërkonte performancë pak më ndryshe. I emocionuar me lot në sy më përqafoi dhe iu lut Zotit që të më jep shëndet.

Krahas asaj që ishte njohës shumë i mirë i çështjeve fetare Rafiz Efendiu ishte edhe njeri i devotshëm. Në vitin 1999, kur për herë të parë vajta në haxh, edhe Rafiz Efendiu ishte në mesin e haxhinjëve. Ai, nga dita që kemi vajtur në Medinë, tërë kohën e kalonte në xhaminë e Pejgamberit a.s., duke lexuar Kuran, duke falur namaze dhe duke u lutur. E njëjta situatë ishte edhe pasi që vajtëm në Mekë. Rafiz Efendiu vazhdimisht qëndronte në Qabe/bejtullah dhe lutej. Asokohe edhe nuk ishte shumë mirë me shëndet dhe disa herë i thoja: Hoxha Efendi mos e lodh shumë veten se do të dobësohesh edhe më. Ndërsa ai më thoshte: Hafëz më vjen mirë këtu dhe sikur nuk i ndjej dhimbjet fare.

Rafiz Efendiu, gjithashtu, ka pasur edhe nxënës nga fshatrat e Tetovës, të Shkupit, Gostivarit, të cilët i ka mësuar sipas metodologjisë së medreseve klasike. Një pjesë e konsiderueshme e atyre sot janë hoxhallarë me peshë në hapësirat tona. Ai ka pasur një bibliotekë shumë të pasur me libra të ndryshme. Që është edhe më e rëndësishme, Rafiz Efendiu, i ka tubuar edhe librat prej familjeve të hoxhallarëve më të vjetër dhe i ka klasifikuar në bibliotekën e tij. Si rrjedhojë, biblioteka e tij, që tash është trashëguar nga i biri Muhammedxhemil efendi Hoxha, është shumë e pasur dhe vlen të analizohet dhe të shihen librat që janë aty. Gjithashtu mendoj se është shumë e rëndësishme që të nxirren në të pastër edhe shënimet anësore që i ka bërë hoxha efendiu gjatë leximit të librave, apo fletoret ku ai i ka mbajtur shënimet për ligjëratat dhe kështu të mund të bëhet edhe një monografi e mirë për mendimet dhe konstatimet fetare të Rafiz Efendi Hoxhës.

Allahun e kam dëshmitar, unë e kam dashtë shumë hoxha efendiun, inshallah Zoti e mbulon me nimetet e Tij dhe na e mundëson takimin nën hijen e Arshit…