Hoxha i guximshëm dhe atdhedashës Garib Efendi Beadini (Molla Garipi)

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Në vitet prej  kur unë e mbaj mend Garib Efendiu ka qenë ligjërues në xhaminë e Çarshisë së Epërme në Tetovë. Para asaj ka shërbyer edhe në xhaminë Muharemçe, poashtu në Tetovë. Gjatë muajit të Ramazanit shpesh shkoja të dëgjoj ligjëratat e tij në xhami, qysh si fëmijë, së bashku me gjyshen time.  Toni i ligjëratës, mënyra se si pa pasur fare drojë i sqaronte çështjet fetare e tregonin qartë guximin dhe karakterin e fortë të Garib Efendiut ose të Molla Garipit siç e njohin tetovarët. Më vonë, kah viti 1983, pasi që e përfundova hifzin pranë Mahmud efendi Asllanit, me sugjerim të tij, vajta për të marrë mësimet e para në gjuhën arabe sipas metodave klasike tek Garib Efendiu. Mahmud efendiu kishte respekt dhe dashuri të pashoq ndaj hoxhës së vet Garib Efendiut. Shpeshherë si fëmijë kënaqesha me qëndrimin gatitu dhe dorë mbi dorë të hoxhës tim Mahmud efendiut në praninë e Garib Efendiut. Edhe pse asokohe Mahmud Efendiu e pinte duhanin dhe ishte pesëdhjetëvjeçar, ai asnjëherë nuk e ndezte cigaren para hoxhës së tij, Garib Efendiut. 

Pothuajse çdo ditë, veçanërisht në pushimet verore, shkoja për ta falur namazin e drekës te xhamia e Çarshisë së Epërme dhe pas namazit ulesha pranë Garib Efendiut për të mi sqaruar rregullat e gjuhës arabe që më pas unë duhej t’i mësoj përmendsh. Unë mësimet i ndiqja vetë, pasi një grup i shokëve pak më të vjetër kishin vajtur në shkollë të mesme në Damask të Sirisë, ndërsa unë ende isha në klasë të shtatë fillore. Garib efendiu ulej këmbëkryq, mbështetej në mur në skajin e djathtë të xhamisë dhe më sqaronte shtjellimin e foljeve në gjuhën arabe nëpërmjet ilustrimit të foljes nesare/ndihmë. Edhe pse ishte me karakter të sert dhe mjaft nervoz, asnjëherë nuk sillej me ashpërsi ndaj meje. Herë pas here unë kisha dëshirë, duke e shfrytëzuar inteligjencën fëmijërore, që të hapi ndonjë muhabet në lidhje me periudhën kur ka qenë i aktivizuar si ushtar i Ballit kombëtar kundër partizanëve komunistë, por as që lejonte të them ndonjë fjalë më tepër. Unë e dija nga gjyshi im se Garib Efendiu në vitet e luftës së dytë botërore së bashku me Hafiz Abdullahun e Zhelinës kanë qenë ushtarë aktiv të Ballit kombëtar dhe kanë luftuar në pjesën e  Dervenit. Gjithashtu në vitin 1945 ai ka qenë anëtar aktiv në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH). Ai së bashku me Molla Hajdarin, Shaban Efendinë dhe hafiz Abdulla Abdullaun, iu kundërvunë fuqishëm projektit pansllavist të klikës komuniste jugosllav-maqedonase, i cili parashihte dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi, Si pasojë e kësaj edhe janë burgosur dhe kanë dergjur vite me rradhë në burgjet komuniste sllave. Por ai nuk e hapte atë bisedë. Edhe më vonë asnjëherë nuk e kam dëgjuar që të bëjë letërsinë e vuajtjeve të tij ose të krenohet me atë se ka luftuar. Me siguri e konsideronte si diçka të zakonshme, si me ngrënë bukë e me pi ujë, prandaj edhe nuk bënte letërsi rreth asaj. Vetëm një herë e pata pyetur se te cilët hoxhallarë kishte mësuar? Ai më tha: Unë mësimet teologjike i kam marrë tek Xhemil Efendi Jusufi, ndërsa hoxhallëkun e kam kryer në burg, pranë hoxhës Fettah Efendi Rauf të Shkupit, i cili gjithashtu kishte qenë në mesin e të burgosurve. Kjo ka qenë fjala e vetme e tij në lidhje me burgun dhe veprimtarinë e tij atdhetare.

Garib Efendiu ishte shumë i guximshëm. Asnjëherë nuk nguronte ta thotë atë që është e drejtë edhe nëse dikujt nuk i pëlqente. Kurrë nuk përkulej para pushtetarëve dhe njerëzve pa dinjitet që kishin ndonjë pozitë në shoqëri. Më kujtohet ishim njëherë në një mexhlis ku kishte të pranishëm edhe persona që kishin kryer shkollë. Një pjesë e këtyre personave me shkollë asokohe hobi kryesor e kishin që të tallen me hoxhallarët dhe t’i zënë ngushtë duke u bazuar në disa rezonime logjike shumë pa shije. Sidoqoftë, njëri prej të pranishmëve, iu drejtua hoxhës, Garib Efendiut, dhe i tha: Ju hoxhallarët i keni fajet që nuk jemi shkolluar ne si popull! Ju nuk na keni lejuar që të shkojmë në shkollë..! Ndërsa, Garib Efendiu me diskursin e tij që shpesh e përdorte kur nervozohej iu përgjigj: Mirë be rezil! Ne u kemi thënë edhe të falni namaz por ju nuk falni, ne u kemi thënë të agjëroni Ramazanin, por ju nuk e agjëroni, ju kemi thënë që të jepni zekat por ju nuk e jepni, ju kemi thënë që alkooli është i ndaluar ndërsa ju e pini, ju kemi thënë që komunizmi është pafesi, murtedllëk/herezi por ju krejt e keni përqafuar. Në krejt këto çështje nuk na keni dëgjuar fare e na paskeni dëgjuar që të mos shkoni në shkollë! Mos gënje!. Në dhomë mbretëroi qetësi e madhe derisa u dëgjua zëri i nikoqirit: Hajde bujrum, sofra është hazër. U mahnita nga përgjigja dhe guximi i hoxhës, pasi personin që e parashtroi pyetjen e njihja, ishte i fortë me pushtetin, por Garib Efendiu as që e kishte dert këtë punë.

Por, në raste të caktuara dinte edhe të heshtë. Ishte shumë i matur. Pasi që e përfundova hifzin e patëm shtruar një drekë në shtëpi. Garib Efendiu nuk shkonte shumë në mexhlise, por tek unë kishte vendosur të vijë. Në shtëpi kishte edhe shumë hoxhallarë të tjerë, edhe prej gjeneratës së re, që e kishin kryer fakultetin jashtë vendit dhe ishin kthyer, edhe prej gjeneratës së vjetër. Njëri prej hoxhallarëve të gjeneratës së re filloi të diskutojë për një çështje fetare duke përdorur edhe disa terme filozofike dhe në mes fjalëve i kritikonte hoxhallarët e vjetër. Diskutonte në trajtë tejet të pahijshme. Ne vetëm pritnim kur Garib Efendiu do të pëlcasë dhe do t’ia tregojë vendin atij. Mirëpo, ai me një urtësi dhe me zë të butë i tha: Zoti ta shtoftë diturinë or bir! Vetëm mos haro se edhe Ebu Xhehli ishte i ditur, para ardhjes së Pejgamberit a.s. ishte quajtur Ebu’l-Hikem/Baba i urtësisë, por për shkak se nuk përfitoi prej moralit dhe sjelljes së Pejgamberit a.s. bota e njeh me emrin Ebu Xhehl/Baba i injorancës…!

Ditën e fundit të çdo Ramazani, në ligjëratën pas namazit të drekës, Garib Efendiu, e zhvillonte temën për kalimin në ahiret të Pejgamberit a.s.. Shumica e besimtarëve të Tetovës këtë ditë tuboheshin në xhaminë e Çarshisë së Epërme për ta dëgjuar këtë ligjëratë. Garib Efendiu gjatë tërë ligjëratës qante duke e sqaruar në mënyrë shumë emotive largimin e Pejgamberit a.s. prej kësaj bote. Rrëfente për bijën e Pejgamberit a.s. Hazreti Fatimenë e cila me lot në sy i lutej babait të vet, Pejgamberit a.s.: O baba! Shpirt baba, më lejo që unë të bëhem kurban në vendin tënd!  Se si ajo pas kalimit në ahiret të Pejgamberit a.s. nuk kishte qeshur fare dhe si edhe ajo, duke mos dashur të jetojë në këtë botë pa babain e saj, pas gjashtë muajve ishte larguar prej kësaj bote. Në mënyrë mahnitëse e përshkruante gjendjen shpirtërore, në çastet e fundit të jetës së Pejgamberit a.s., të Ebu Bekrit dhe Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy). Kur fliste për Omerin, për guximin, trimërinë e tij, nxjerrjen e shpatës dhe bërtitjen: Kush më thotë se ka vdekur Muhammedi do t’ia hjek kokën!, sikur e përjetonte me ashk personalitetin e Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe i tëri bëhej Omer. Edhe xhemati, pa përjashtim, e dëgjonte me përkushtim dhe lotët u rridhnin fytyrës.

Garib Efendiu ishte edhe person shumë i shoqërueshëm dhe shpesh dinte të bëjë edhe shaka të lezetshme me miqt e tij. Pas namazit të sabahut me një grup të xhematit dilte në një çajtore për të pirë çaj dhe për të biseduar për çështje të ndryshme. Njëherë, njëri prej miqve të tij, duke bërë shaka, i kishte thënë: Hoxha efendi, nesër do të dalim në çajtore por çajat do t’i paguash ti. Garib efendiu i kishte thënë: Dakord, nesër çajat prej meje! Të nesërmen pas namazit të sabahut kanë dalë në çajtore dhe Garib Eendiu e ka thirrur kamarierin dhe i ka thënë: Pyete secilin çka do të pijë, sot unë paguaj. Secili ka marrë diçka për të pirë dhe kanë kaluar pesë-gjashtë minuta askush nuk ka folur gjë. Shoku i tij që i ka thënë se nesër do të paguash ti hoxha efendi, ka thënë: Hoxha Efendi na trego ndonjë muhabet se shumë qetësi u bë. Ndërsa Garib Efendiu, me buzëqeshjen e tij karakteristike dhe të ëmbël, i është përgjigjur: Eeee sot unë paguaj ju do të folni!. Të gjithë kanë filluar të qeshin dhe pas kësaj përsëri hoxha e ka vazhduar bisedën si çdo herë. Ishte një hoxhë që, në fjalë dhe vepër, me guxim e përfaqësonte idealin e tij fetar dhe atdhedashës. Zoti e pranoftë në audiencën e Tij të lartë dhe na shoqëroftë me të edhe në botën tjetër.