Përdorimi i metaforës, që është e pranishme në të gjitha artet, ka një kuptim të vetin, por ama ky kuptim është i unët/i pangopur përderisa nuk shfrytëzohet për një qëllim të caktuar. Në këtë mënyrë do të arrijmë në reduktimin e paqartësive dhe dilemave. Në konkluzionin teorik, përmes semantikës dinamike, vepruesi e zbulon situatën aktuale ose, më mirë thënë, situatën për të cilën ai mendon se është aktuale dhe i margjinalizon përshkrimet që nuk përputhen me të.
Shkruan: Metin IZETI, Shkup
Në kornizat e dinamikës semantike prej subjektit nuk kërkohet që kuptimin ta mendojë vetëm si lidhje midis botës dhe vargut/pikturës/këngës. Kuptimi më tepër ka domethënie të rezultatit nga procesi hermeneutik. Nëse do të flasim në trajtë metaforike, hermeneuti ka para vetes forma të ndryshme konkurrente midis vetes, edhe pse jo i njohur me të gjitha ato, për të cilat ka konkretësinë e fjalive ose vargjeve dhe ai – përmes procesit hermeneutik – përpiqet t’i fusë në relacion të drejtë fragmentet dhe tërësinë e rrëfimit. Në këtë proces i shmang të gjitha format që nuk përputhen me tërësinë dhe e vazhdon hapësirën dhe kohën e fragmentit të paraqitur, i cili pret prej tij dinamikën hermeneutike për ta vazhduar jetën. Sa më shumë forma dhe fotografi të ngelin jashtë komentimit dhe qasjes së tij, kjo nënkupton aq më pak informata të përdorura në dhënien e kuptimit të fragmenteve. Format e mbetura e përbëjnë kontekstin për hapin e ardhshëm të procesit të interpretimit. Vargu ose fjalia, rrjedhimisht teksti, është e vërtetë në kuadër të kontekstit nëse konteksti nuk është i zbrazur dhe në qoftë se fjalia nuk ka fuqi për të eliminuar madje as edhe një formë nga tërësia e formave.
Fjalitë, në kuadër të vlerës semantike, përfitojnë vlerë vetëm nëse janë tejkalim i gjendjes statike të kontekstit. Si rrjedhojë fjalia ose interpretimi mund të ketë katër vlera semantike:
- Është e pranuar në të kaluarën dhe e pranueshme tash;
- E papranuar në të kaluarën dhe e pranueshme tash;
- E papranuar në të kaluarën dhe e papranueshme tash; dhe
- E pranuar në të kaluarën dhe e pranueshme tash.
Si rrjedhojë e këtyre vlerave semantike lidhshmëria e sistemit e bën të domosdoshme që konkluzioni të mos shtojë asgjë në relacion me premisat në kuadër të përbërjes së zakonshme, ndërsa ripërtëritja të modifikohet në metaforë sipas së cilës konkluzioni nuk do të shmangë asgjë, pasi që premisat ta kenë kryer punën e tyre.
Ta imagjinojmë në këtë kontekst figuracionin gjeometrik në një numër të madh të objekteve fetare islame në të gjitha hapësirat ku jetojnë muslimanët. Ky figuracion gjeometrik e paraqet shpirtin e ledhatuar të njeriut, i cili përmes metaforave është shndërruar në kënde, të cilat nuk hasen fare në burimet ekzistente të të madhërishmes në ekzistencë. Ky figuracion mund të përdoret për ta paraqitur qëndrimin se si besimtari duhet të vendoset juridikisht në relacion me dëshirat e tij, nga njëra anë, dhe me detyrimet si njeri ose si besimtar, nga ana tjetër. Pra, lirisht mund të themi, siç do të kishte thënë edhe Witgenstein-i, se figuracioni është radikal i fjalisë.
Përdorimi i metaforës, që është e pranishme në të gjitha artet, ka një kuptim të vetin, por ama ky kuptim është i unët/i pangopur përderisa nuk shfrytëzohet për një qëllim të caktuar. Në këtë mënyrë do të arrijmë në reduktimin e paqartësive dhe dilemave. Në konkluzionin teorik, përmes semantikës dinamike, vepruesi e zbulon situatën aktuale ose, më mirë thënë, situatën për të cilën ai mendon se është aktuale dhe i margjinalizon përshkrimet që nuk përputhen me të. Në këtë trajtë shuma e informatave e zvogëlon përqindjen e dilemave dhe dymendësive praktike. Interaksioni midis konkluzionit teorik dhe atij praktik tregohet në mundësinë për ripërtëritjen e gjendjes së motivimit/hal, në të cilën qëllimi A është i pranueshëm, ndërsa qëllimi B jo.
Një kontekst të tillë të semantikës dinamike e shohim shpesh në diskursin që e ka përdorur edhe Kafka. Ai në Procesin e tij e ka paraqitur një dialog midis piktorit dhe Zonjës K. Duke parë pikturën, thotë Kafka, u duk sikur iu kthye dëshira për të punuar, përveshi mëngët e këmishës, mori në duar ngjyrat e pastelit dhe K-ja vëzhgoi sesi, nën majën që dridhej të lapsave, rreth kokës së gjykatësit u formua një lloj hijeje e kuqërremtë, e cila, duke rrezatuar, shkrihej drejt anëve të pikturës. Dalëngadalë kjo lojë me hijen e rrethoi kokën si një lloj zbukurimi ose si ndonjë nderim i lartë. Ndërsa rreth figurës së Drejtësisë sfondi mbeti i mbështjellë me një ton të pakapshëm, por të qartë, dhe mes kësaj qartësie figura dukej sikur kishte dalë më tepër në pah, po nuk i ngjante më as hyjneshës së Drejtësisë dhe as asaj të Fitores; tani i ngjante më tepër hyjneshës së Gjuetisë. Puna e piktorit po e tërhiqte më tepër nga se duhej K-në; më në fund u kujtua që kishte shpenzuar tërë atë kohë aty, pa arritur asgjë për punën e vet.
Ky aspekt i diskursit të Kafkës është i përqendruar në vrullin si pasojë e dinamikës semantike. Ai mund të analizohet në një faktor letrar dhe një faktor shoqëror, të cilët punojnë së bashku dhe përforcojnë njëri-tjetrin. Sa më shumë që të lexosh ose, në rastin e veprës artistike të përshpirtshme, sa më shumë ta përjetosh, aq më shumë dëshiron që të vazhdosh në veprimin e tillë. Çdo pasazh bën të lindë brenda soditësit ose lexuesit një nxitje të përfytyrimit për ta vazhduar soditjen ad infinitum. Çdo varg i recituar është një pistë nisjeje, nga e cila imagjinata merr vrull e niset për të fluturuar në hapësirën e pafund, perceptimi i së cilës shkakktohet nga vargu/vepra në fjalë. Këtë gjendje të dinamikës semantike e ka përshkruar në trajtë shumë të përsosur, duke e dhënë shembullin nga vetja e tij, autori i veprës Thellësitë e Imagjinatës, Ahmed Hilmiu, në hyrjen e veprës Beşeriyetin Fahr-i Ebedisi Nebimizi Bilelim/Ta njohim krenarinë e përhershme të njerëzimit, Pejgamberin tonë, ka shkruar një pjesë të titulluar si “Hallqarje” dhe në te për veten ka thënë: “Kishte një kohë kur bregdeti i shpëtimit, besimi, mua më dukej si një platformë e mjerë dhe kontradiktore, në të cilin ishte e pamundshme të qëndrohet. U çova dhe e hedha veten në detin e skepsës dhe të hulumtimit të hollësishëm. Notoja pandërprerë në detin e hulumtimit që e kishte ujin më të hidhur edhe se helmi, duke e konsideruar si të bukur satanën dhe kuçedrën e skepsës dhe, si pasojë, isha thelluar në pashpresë dhe pa ushqim shpirtëror. Në fund isha bezdisur në tërësi edhe nga jeta. (…) Notova, u rrotullova goxha shumë në këtë det dhe ndoshta i lodhur edhe do të mbytesha në të. Në fund fryu puhiza e fatit, u valëzua deti, dallgët sërish më hodhën në bregdetin ku isha më parë. Ah, (…) o vendvajtje hyjnore! Unë nuk e kisha ditur vlerën e saj dhe nuk mundja as ta di. Për ta ditur vlerën e saj, duhej të përpëlitem në atë det dhe ta kuptoj natyrën e ishujve që ishin në të. (Beşeriyetin Fahr-i Ebedisi Nebimizi Bilelim/Ta njohim krenarinë e përhershme të njerëzimit, Pejgamberin tonë, Stamboll, 1331/1915, f. 4)
Ka edhe një personalitet tjetër i rëndësishëm që në veprën e tij e bashkon autorin me protagonistin dhe ai është sufiu dhe dijetari i madh, Imam Gazaliu. Ai në veprën e tij El-Munkidhu mine’d-dalal’i/Shpëtimim nga njimtimi e tregon se si ka filluar të dyshojë nga gjërat për të cilat ka menduar se ka njohuri: “Në fillim kisha dëshirë që t’i mësoj realitetet e gjërave. Si pasojë ishte e pashmangshme që ta studioj realitetin dhe natyrën e dijes. Në fund e kuptova se dija, që është në gradën e bindjes, është ajo që dihet, pa pasur kurrfarë dyshimi brenda saj, të cilës nuk mund t’i atribuohet kurrfarë gabimi dhe hipotetike dhe dija për të cilën zemra është e bindur se nuk është gabim. (…) Atë që nuk e di në këtë trajtë dhe së cilës nuk mund t’i bindem në thelb është vetëm dije e pabesueshme dhe të cilës nuk mund t’i dorëzohem. Çdo dije të cilës nuk mund t’i mbështetesh, nuk mund të konsiderohet si dije bindëse. (…) Më pas i analizova dituritë e mia dhe konstatova se nuk kam asnjë dije që i ka këto cilësi dhe se ata që i kam janë vetëm se ndjesi dhe domosdoshmëri. ( …) Pasi që më lindën në brendi, këto cytje filluan të zënë vend edhe në zemrën time. Fillova të kërkoj rrugë për të shpëtuar nga këto mendime, por nuk ishte punë e lehtë. Për shkak se kjo ishte e mundur vetëm me prezantimin e provave. Ndërsa prova mund të arrihej vetëm nëpërmjet dijeve evidente. Pa u pranuar kjo çështje nuk është e mundur që të prezantohen argumentet. Kjo gjendje ma breui dy muaj me radhë brendinë time. Shpesh për shkak të gjendjes në të cilën isha thellohesha edhe në mendime të kota, por nuk kisha guxim t’ia them askujt.“
Ahmed Hilmiu këtë dinamikë semantike e ka shprehur edhe përmes disa vargjeve që i ka thurur në gjuhën e Ajnali Babait dhe ku thotë:
Me mësim-marrje vëzhgoje këtë botë të përkohshme o shpirt,
Shmangu neglizhencës, nuk është boshe kjo hapësirë
Ku mbeti Sulltan Sulejmani dhe ku është Leka i Madh,
Bilbili i lumtur me fat ta kalojë jetën, me lumturi, madje një çast
As lulja dhe as bilbili janë të përhershëm, ndërsa syri im kopsht i botës
I dashur i kujt u bë? Me dëshirën e vet, gjithësia e kalimit të kohës,
Të përsosurit nuk iu dorëzuan kënaqësive të botës
E dinin thelbin e saj, ishte vetëm hije, lojë dhe fantazi
Kjo botë ishte pasion dhe ilustrim për ëndrrën;
E arriti takimin me të Madhin njeriu, me rrokjen e skajit të dashurisë.
Ndërsa kryeprotagonisti i veprës Raxhiu, kur flet për përvojën e tij të thellimit në esencën e ekzistencës, thotë: “E vërejta se isha në një hapësirë që nuk ngjante me mjedisin tonë. Hapësira ishte e shtruar me një lloj të bimëve që nuk i kisha parë kurrë. Në mesin e kullosave të gjata që u ngjanin xunkthoreve tona shëtisnin kafshë të llojllojshme, disa nga ata ishin përbindësh grabitqarë, por unë nuk kisha aspak frikë nga ata. Pa asfarë droje e vazhdoja rrugëtimin tim. Kisha edhe një bashkudhëtarë që herë pas here bisedonte me mua. Por, nuk kisha mundësi që ta shihja trupin e tij, ndërsa kur kisha dëshirë ta pyes diçka, e pyetja dhe më përgjigjej.
Ecëm me orë të tëra. E pyeta bashkudhëtarin tim që më shërbente se ku jemi dhe ku jemi duke vajtur. “Jemi në Indi, jemi nisur për në majën e Hiç-it”. E vazhdova rrugën në trajtë të qetë.
Pas një kohe të caktuar na doli përpara një mal. Ishte i lartë, shumë i lartë. Pasi që ecëm edhe ca arritëm tek ai mali, bashkudhëtari im më tha që të shkoja drejt kasolles që gjendej përreth një lumi që shndriste si argjendi. Shkova në kasolle. Brenda kishte një njeri që ishte ende i ri:
– Çka dëshiron?, më tha ai.
Unë nuk e dija se çka kërkoja. Bashkudhëtari u përgjigj: E solla në vizitë të majës së Hiç-it.”
Edhe Titus Bruckhardt-i në “Simbolikën e Shahut“ e ka theksuar këtë dimension të interpretimit, duke u përqendruar në simbolikat e lojës së shahut. Ai thotë: “Nëse kuptimi i figurave të ndryshme transpozohet në rrafshin shpirtëror, atëherë mbreti bëhet zemër ose shpirt, ndërsa figurat e tjera bëhen aftësi të ndryshme të shpirtit. Veç kësaj, lëvizjet e tyre, të paraqitura në fushën e shahut, u përgjigjen mënyrave të ndryshme realizuese të mundësive kozmike: atje ka lëvizje boshtore të “kështjellave” ose kalorësve, lëvizje diagonale të oficerëve ose elefantëve, që ndjekin një ngjyrë të vetme dhe lëvizje komplekse të kuajve. Lëvizja boshtore, e cila “kalon” përmes “ngjyrave” të ndryshme, shfaqet mjaft logjike dhe e fortë, ndërsa lëvizja diagonale i përgjigjet kontinuitetit ekzistencial. Kërcimi i kuajve i përgjigjet intuitës. Ajo që më së tepërmi e fascinon njeriun nga kasta fisnike dhe luftarake është raporti ndërmjet vullnetit dhe caktimit. Kjo është ideja, pra, që në mënyrë të qartë është ilustruar me anë të lojës së shahut, duke qenë se lëvizjet e tij përherë mbeten inteligibile (të kuptueshme), pa qenë të kufizuara në variantet e tyre”.
Sistemi semantik, i përfaqësuar në shembujt e mësipërm, e mundëson hulumtimin e mëtutjeshëm të orientuar në ndërtimin e sistemit dinamik të logjikës praktike, duke i inkuadruar imperativët, por edhe interrogativët në kuadër të kornizës së përfituar.