Ligjërata e 73-të nga Prof.Dr.Metin Izeti

SUREJA ASR

Sonte do të flasim pak për pjesën e fundit të sures Asr. Allahu xh.sh si cilësi të katërt që njeriu mos ta përjetojë humbjen si materiale po edhe shpirtërore në këtët botë e preferon sabrin. Ne edhe kur e kemi filluar këtë sure e kemi përmendur se sabri, në tërë literaturën islame, nuk e ka vetëm kuptimin e durimit, nuk e ka kuptimin e durimit pasiv,d.m.th. kur ballafaqohemi me ndonjë fatkeqësi, pa marrë parasysh se çfarë fatkeqësie, ne pasivizohemi, t’i ngrejmë duart dhe të durojmë. Jo, përkundrazi sabri në fenë islame, në tërë literaturën islame, edhe në ajetet e Kur’anit edhe në hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. ka të bëjë me qëndresën ose fakiri e përdori shpesh një term sabër aktiv, jo sabër pasiv. Ky është elementi i parë shumë i rëndësishëm që duhet ta mbajmë mend. Dallimi ndërmjet durimit pasiv dhe durimit aktiv është në atë që në durimin pasiv tërhiqeni dhe thoni: atë që e ka shkruar Zoti  ajo le të bëhet, ndërsa në durimin aktiv ju përpiqeni që mos të ndodhë ajo fatkeqësi që do të ndodhë. Ashtu siç thotë edhe Allahu xh.sh. në Kur’an: fe idha azemte fe tevekkel ala Allahi, pasi që e tregoni zellin tuaj në lidhje me një punë, atëherë mbështetuni në Allahun. Pra,  sabri kërkon prej nesh që të mundohemi deri në maksimum, t’i bëjmë përpjekjet që i kemi ne në dorë, si nga aspekti shqisor, si nga aspekti racional, si nga aspekti shpirtërorë. Kjo çështje në botën bashkëkohore është një problem që diskutohet me të madhe. Këtu bëhet fjalë për kategorinë e Zotbesimit tonë, jo të vetbesimit por të Zotbesimit, që neve na e shton vetbesimin, që neve na përforcon që të shkelim ashtu si duhet. Ne shpesh herë në lutje, i lutemi Allahut xh.sh. me lutjen ve thebbit akdamena, na i përqëndro këmbët tona, na ibën këmbët tona që të shkelim fortë. Kjo shkelja e fortë  ka mundësi të bëhet në të gjitha veprimet, edhe në punë, edhe në studime, në jetë në përgjithësi, por edhe në dimensionin e fetarsisë është kështu. Shkelja e fortë dhe e sigurtë  bëhet vetëm kur e keni shpinën e fortë, shkelja e fortë bëhet atëherë kur jeni të sigurtë që nuk do të vdisni. Shkelja e fortë është vetëm atëherë kur jeni të sigurtë se me mendësinë që e keni gjithsesi do të jeni të suksesshëm. Ndërsa ky element i mundësohet njeriut vetëm me besimin dhe nënshtrimin Zotit. Vetëm njeriu që beson si duhet, i është nënshtruar si duhet Zotit, ka mundësi që të shkelë si duhet. Të gjitha gjërat tjera të kësaj bote, njeriut i japin siklet të madh. Nëse kur shkon në punë, qëllim kryesor e ka që të fitojë para, atëherë nuk shkel sigurtë, ta dini, nëse shkon në një mjedis, ka dëshirë të bëjë aty famë, nuk shkel sigurtë, nëse në një mjedis shkon që ti kënaq epshet e veta, edhe aty nu shkel sigurtë. Mirëpo, nëse të gjitha këto i shërbejnë nënshtrimit ndaj Allahut xh.sh. atëherë ka mundësi që të shkelë me hapa të sigurtë drejt realitetit.

Një element tjetër që kam dëshirë ta ndajë me ju, që besojë se shumica prej jush nuk ka pasur mundësi ta dëgjojë është çështja se sabri, durimi në fenë islame nuk kërkohet vetëm kur kemi fatkeqësi. Ne kryesisht e sqarojmë sabrin, durimin se ka të bëjë me rastet kur na bjen mbi kokë një fatkeqësi dhe duhet të durojmë. Jo, durimi për të cilin flet islami, pothuaj se në të gjitha ajetet e Kur’anit ka të bëjë me durimin të cilin duhet ta tregojmë për derisa e bëjmë një punë. Ta dini që si në biznes, si në shkollim, edhe në familje, gjëja më e rëndësishme është që të duroni derisa të kryhen proceset që i keni filluar. Edhe në tesavuf është kështu, edhe në fe është kështu. Te ne në tesavvuf p.sh. ka një proces edukativ që quhet sejr-i suluk, te ndonjëri mund të zgjasë një vit, te ndonjë tjetër 10 vite, e te ndonjë tjetër deri në vdekje, dhe ky proces kërkon durim. Brenda këtij procesi njeriu përjeton transformime të ndryshme brenda vetes. Shpeshherë uni i tij i dikton që të kalojë sa më shpejtë në shkallën tjetër, mirëpo durimi brenda punës të cilën është duke e bërë edhe nga aspekti shpirtërorë, i mundëson që aty ku është, në atë platformë ku është, aty të shkelë si duhet. P.sh. përderisa është në platformën e tokës, aty të shklelë si duhet, më vonë ka mundësi të depërtojë në platformën e ujit, aty nuk mund të shkelë, mirpëpo duhet të di të notojë, nëse pa e ditë notin ai hudhet në platformën e ujit, atëherë mbytet. Edhe në shpirtëri është e njejta gjë.

Ky është elementi sa i përket jetës në përgjithësi, edhe i shpritërisë edhe i dimensionit fizik të jetës. Për atë, sabri, më së tepërmi e ka kuptimin e procesit, d.m.th. ta durojmë, e  mos të rrimë duarkryq, sidomos në proceset që janë të mëdha. Nuk ka proces më të madh jetësorë se sa ti shërbesh Zotit, nuk ka gjë më të komplikuar, nuk ka gjë e cila do të sjellë sukses më të madh se ti shërbehet Zotit si duhet, ti nënshtrohesh si duhet Allahut xh.sh. Pra, kjo kërkon një durim të caktuar. Shpeshherë ndodhë që njerëzit e presin kundërvlerën e besimit të tyre menjëherë. Asesi,  asnjëherë mos mendoni se nëse e falë namazin të gjitha punët do të shkojnë në rregull, nuk është e vërtetë, ndoshta bile ka mundësi të të shtohet edhe pak sikleti. E dini pse të shtohet sikleti? Të shtohet sikleti për shkak se namazi të bartë në një atmosferë tjetër, ku duhet të përballesh me atributet e Allahut, me fuqinë e Allahut xh.sh, me prezencën, praninë e Allahut xh.sh. dhe aty paraqiten kënaqësi të reja. Por ky siklet me namaz, fillon të bëhet një qëllim i ekzistencës tënde, bëhet derman, bëhet shërim i dertit tënd, për shkak se fillon ti nënshtrohesh dhe të lidhesh në hallkën kryesore të ekzistencës. Pra, gjithnjë sabrin duhet ta kuptojmë në këtë mënyrë.

P.sh. një ajet që e përdorim më së tepërmi në lidhje me sabrin janë ajetet 155 dhe 156 të sures Bekare thuhet:Vele nebluvenekum bi shejin min havfi ve’l- xhui ve naksin mine’l-emvali vel enfusi ve themerat ve besshhiri’s- sabirin. Eledhine idha esabet-hum musibetun kalu inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun. “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”

Allahu xh.sh. thotë, Ne juve do t’ju sprovojmë me gjëra të ndryshme brenda kësaj jete. Tash shikoni mendësinë e ajetit. Tash shikoni ndërtimin e ajetit, nuk ka nevojë të dini shumë rreth fesë, edhe pse nuk duhet të flisni kur nuk dini, mirëpo tash po bisedojmë dhe po e analizojmë ajetin. Allahu xh.sh. thotë juve gjithsesi se do t’ju sprovojë. Brenda sprovës, kur sprovohemi me diçka, a është durimi pasiv apo është qëndresa aktiv? Është qëndresa aktive, për shkak se kur sprovohemi me diçka, ne duhet ta tregojmë forcën tonë që të veprojmë kundër asaj fatkeqësie që të qëndrojmë në këmbë, përndryshe na merr përpara dhe na humb. Vele nebluvennekum bi shejin min havf, do t’ju sprovojë me frikë. P.sh. frikën nuk mund ta duroni, frikës vetëm mund ti qëndroni përballë. Thoshte një profesor i im, frika është një sëmundje që nuk mund ta shërojë asnjë mjek, nëse je frikacak, është shumë vështirë të shërohesh, është një veti e brendshme që s’mund të e shërojë asnjë mjek. Për atë Allahu xh.sh. thotë, Unë juve do t’ju sprovojë me frikë, vel xhui, me uri do të ju sprovojë. Paramendoni ta duroni urinë, do të thotë duhet të vdisni, d.m.th. e kundërta e urisë është që ju të përpiqeni të mos mbeteni të pa ngrënë. Pra, brenda atij procesit derisa ta fitoni atë kafshatë që ta ngopni veten, duhet ta perceptoni edhe durimin e urisë, ama të qëndroni kundër asaj, të përpiqeni të mos jetë ashtu. Ve naksin mine’l- emvali, do t’ua marrë edhe pasurinë tuaj. Paramendoni të duroni kur të humbni një pasuri të madhe. Si është durimi kur të humbësh një pasuri të madhe? Durimi i vetëm kur e humbni një pasuri të madhe është që të thuani, patjetër, unë e kam fituar këtë edhe prap do ta fitojë nëse ma mundëson Zoti. Pra, elementi që ka mundësi ta rehabilitojë, resocializojë njeriun, është që vetes ti thojë, unë përsëri kam mundësi ta fitojë këtë pasuri. Vel enfusi, paramendoni qëndresën kur ju vdes dikush. Nëse e paramenedojmë si një durim pasiv, vetëm të tërhiqemi dhe të themi, ndodhi kjo dhe mbaroi puna, atëherë nuk kemi mundësi të jetojmë pas kësaj. Mirëpo ne, një javë apo 10 ditë pasi të kalojnë, pa marrë parasysh sa ka qenë i afërm i jonë i ndjeri, ne përsëri i kthehemi jetës. D.m.th. vdekjes i përballemi nëpërmjet të përpjekjes. Dhe në fund Allahu xh.sh. thotë ve beshshiri’s- sabirin, përgëzoj ata të cilët janë durimtarë.

Ne sabrin e kemi përkthyer se ka të bëjë me durimin pasiv, tërheqje, jo. Ky botkuptim aspak nuk ekziston në Kur’an dhe në fenë islame, po thotë ve beshshiri’s- sabirin, do ti përgëzosh ata që janë durimtarë, eledhine idha esabethum musibetun kalu inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun, ata të cilët kur ballafaqohen me një ngjarje thonë inna lilahi ve inna ilejhiu raxhiun. Musibetun e kemi përkthyer si fatkeqësi, esabe/jusibu në gjuhën arabe e ka kuptimin edhe të një ngjarjeje e cila ka mundësi të mos jetë fatkeqsi, ka mundësi të jetë edhe një ngjarje kënaqësie, p.sh. edhe kur e mbaron fakultetin, edhe të punësohet njeriu duhet të thotë inna lilahi ve inna ilejhi raxhiun, jo vetëm kur i vdes dikush. Inna lilahi ve inna ilejhi raxhiun, ne jemi të Zotit dhe Zotit do ti kthehemi, e tregon qarkullimin e pandërprerë sferik, qarkullimin dhe riqarkullimiin e përhershëm shpirtërorë.  D.m.th. fillon prej lartë, zbritje prej Zotit poshtë, pastaj prej këtu poshtë, ku jemi ne tash, ngritje përsëri te Zoti, dhe kjo vazhdimisht është një qarkullim i përhershëm në gjithësi me të cilën ne ballafaqohemi. Prandaj, sabrin duhet ta kuptojmë në këtë mënyrë, edhe në çështjen ve tevasau, sikur që thoshte ju të bëni testament në lidhje me hakikatin, me të vërtetën, në të njejtën mënyrë duhet ti jepni vasiet, testament njëri tjetrit edhe në lidhje me qëndresën. Qëndresa është shumë e vështirë kur jeni vetëm, qëndresa më e fortë është qëndresa kur jeni me shokë, qëndresa kur jeni me miq. Prandaj në qëndresë është e domosdoshme miqësia, shoqërimi. Piksëpari miqësia dhe shoqërimi me Allahun xh.sh., njeriu për të qëndruar ndaj të gjitha elementeve të cilat paraqiten në jetë, pa marrë parasysh janë siklete ose janë rehati, duhet të jet mik me Zotin, duhet të jetë evlija. Jo evlija si e kuptojmë ne, tradicionalisht te ne kur thuhet evlija, do të thotë një person që është tërhjekur prej kësaj bote, nuk ka lidhje me këtët botë, është i lidhur me Zotin, vetëm bënë ibadet. Evlija është çdo njeri i cili ka dëshirë të vendosë miqësi me Allahun xh.sh., velijullah do të thotë miku i Zotit. Çdo person i cili ndien nevojën që të vendosë miqësi me Allahun xh.xh. të jeni të sigurtë se Allahu xh.xh. vendosë miqësi me atë person. Disa herë nëpërmjet të shenjave Allahu xh.sh. e shpreh miqësinë që e ka me njerëzit. E njejta gjë ka ndodhur edhe në shoqërinë e Pejgamberit a.s. Ka posaqërisht një grup të porosive profetike të cilat quhen takriratuhu. Takrirat do të thotë gjërat të cilat i ka pëlqyer Pejgamberi a.s., p.sh. ka ndodhur një ngjarje në mesin e njerëzve dhe Pejgamberin a.s.  e kanë pyetur “ja Resulallah, kështu ka bërër filani”, ai ka heshtur. Kjo është pjesë e sunetit të Pejgamberit a.s. Heshtja ose ndonjëherë sjellja e Pejgamberit a.s. në shoqëri, p.sh. hz. Hasani dhe hz. Husejni, nipat e Pejgamberit a.s., kur Pejgamberi a.s. ka falur namaz, i kanë hipur në qafë. Paramendoni tash një person që ka fillu të falë namaz me 300 kilogram arrogancë që e ka, ti dalë një fëmijë përpara, ndërsa ka hadithe që tregojnë, Pejgamberit a.s. kur ka dalur imam në xhami, hz. Hasani dhe hz. Husejni i kanë hipur në qafë. Do të thotë e tregon relacionin e Pejgamberit a.s. që e ka pasur me fëmijët. Pra, nëpërmjet të shenjave Pejgamberi a.s. e ka edukuar shoqërinë e vet, ashabët e vet, jo gjithherë nëpërmjet të fjalës. Sa më shumë njerëzve do tu jepni nasihat me fjalë, ta dini që aq më shumë i humbni vlerat te ata njerëz. Njerëzit këshillat duhet ti marrin prej sjelljes së personit prej të cilit duan të marrin këshillat, prej mënyrës së veprimit të tij, prej shoqërimit të tij, prej ndejës me të. Në këtë mënyrë vendoset miqësia, sepse nëse këshillat jepen vetëm me fjalë, atëherë dita ditës do të fillojë të të bjerë vlera. Pra, në trajtë të natyrshme duhet të ecë procesi i edukimit. Për atë në tesavvuf në masë më të madhe, këshillat të cilat u jepen personave që kanë dëshirë të edukohen shpirtërisht, u jepen nëpërmjet të shenjave ose nëpërmjet të sjelljes së shejhut apo murshidit, udhërrëfyesit shpirtërorë dhe kështu sufijtë hyjnë në lidhje organike me udhërrëfyesin e tyre dhe çdo lëvizje të tij e kuptojnë se çfarë shenje është, ku e kishte fjalën, e kështu me radhë. Pra, ky element i edukimit që na e bën Allahu xh.sh. nga aspekti i durimit, nga aspekti i sabrit, nga aspekti i qëndresës, shpesh herë neve na bëhet me dije nëpërmjet shenjave., por shenjat duhet të lexohen. Përderisa nuk i lexojmë shenjat, ne i kuptojmë si rastësi, atëherë kemi probleme, atëherë nuk kemi mundësi që të zbrapsemi prej gabimeve. Nëse shenjat të cilat na vijnë, fillojmë ti kuptojmë si realitete, atëherë ka mundësi që gabimet të cilat i kemi ti evitojmë.

Kemi një transmetim prej hz. Omerit të cilin e transmeton edhe hz. Mevlana në Mesnevi. Njëherë një person ka biseduar me shtëpinë e vet dhe i ka thënë, ti je shtëpi e vjetër, e di që do të rrënohesh një ditë, mirëpo, nëse ka mundësi që para se të rrënohesh, që të mos më zesh mua përfundi, është mirë që të më tregosh, që unë të largohem dhe të bëjë një shtëpi tjetër. Kështu që kanë kaluar disa vite, ka ra një tjegull e shtëpisë në tokë, ky e ka marrë dhe e ka vendosur në vend. Një ditë tjetër bjen një pjesë e murit që ka qenë prej balte, ky përsëri e ka marrë dhe e ka rregulluar murin. Një ditë tjetër është prishur një dollap, pastaj dita ditës prishje tjera, dhe një ditë si ishte duke fjetur, e zen shtëpia. Ky i thotë shtëpisë, si u bë kjo, a nuk u morëm vesh që të më tregosh para se të rrënohesh.  Shtëpia i thotë, mu më ra një tjegull, ti e vure në vend dhe vazhdove, e kuptove si rastësi këtë çështje, më ra një pjesë e murit, ti e rregullove dhe prap vazhdove si më parë, pastaj mu prish një dollap, ti e rregullove dhe prap vazhdove si përpara, këto janë informatat të cilat ti dhash ty për atë që së shpejti do rrënohem. Edhe njeriu është i tillë. Allahu xh.sh. gjatë jetës ia tërheq kujdesin disa herë, disa herë humbja e pasurisë, disaherë paraqitja e momenteve të streseve, depresioneve të ndryshme. Këto janë tërhjekje e kujdesit se ne duhet të merremi me realitetin jetësor. Këtë realitet jetësorë nëse e kuptojmë si duhet, këtë shenjë të cilën na e jep Allahu xh.sh nëse e kuptojmë si duhet, atëherë kjo shenjë është pozitive dhe na ndërton neve. Shenjat të cilat i jep Zoti, nuk kanë konotacion negativ, njerëzit disa herë i kuptojnë se e bëri këtë haram dhe ja kjo i ndodhi. Zoti nuk e jep shenjën për shkak të haramit, e jep shenjësn për shkak të shpëtimit të personit, për ate e ka konotacionin pozitiv. Për atë, shenjat gjatë jetës duhet ti konsiderojmë si elemente që do të na afrojnë me Allahun xh.sh.

Fakiri e kam një trajtë të mendimit në lidhje me jetën , ndoshta disa herë dukem si idealist, por kjo është përvojë e jetës time, nuk jam idealist, nuk jam utopist, jam realist. Ju betohem në Zotin, asnjë fjalë të cilën ua them juve, nuk e konsideroj se nuk mund të jetësohet dhe përpiqem maksimalisht që unë ta kem, çdo fjalë të cilën ua them. Për atë asnjëherë mos të mendojmë se gjërat e tilla janë të pamundshme. Njerëzit kanë mundësi të bëjnë lëshime në jetën e tyre, kanë mundësi të bëjnë gabime, kanë mundësi të kenë qasje të ndryshme gjatë jetës, mirëpo gjithnjë qëllim të jetë shërbimi Allahut xh.sh., në të gjitha sferat e jetës. Familja duhet ti shërbejë Allahut xh.sh., puna duhet ti shërbejë Allahut xh.sh., shoqëria duhet ti shërbejë Allahut xh.sh., përndryshe nuk kemi mundësi ta jetësojmë të njerëzishmen brenda nesh. Posaçërisht në botën bashkëkohore, kjo kërkon një qëndresë të hatashme që disa herë edhe na sfidon neve. P.sh. ka një hadith të Pejgamberit s.a.v.s. i cili thotë: men rea minkum munkeren feljugajirhu bi jedihi fein lemjestati fe bilisanihi fe in lem jestati fe bi kalbihi ve dhalike adaful iman, kush e sheh një të keqe prej jush, atëherë duhet këtë ta largojë me dorë, nëse nuk ka mundësi atëherë duhet të flasë kundër saj, nëse nuk ka mundësi edhe këtë ta bëjë, atëherë duhet së paku mos ta pëlqejë me zemër, mirëpo kjo është një prej shkallëve më të dobëta të imanit. E keni dëgjuar këtë hadith me siguri edhe më parë, mirëpo nuk e keni dëgjuar ndoshta asnjëherë që ky hadith ka të bëjë me sabrin.  Një prej ashabëve kaardhur te Pejgamberi a.s. dhe i ka treguar që ka problem me zonjën e vet dhe Pejgamberi s.a.v.s. ia ka thënë këtë hadith. Domethënë ka të bëjë me qëndresën, flet për një ngjarje sociale. Ngjarja në familje është një ngjarje shoqërore, flet për shoqërinë. P.sh. globalizmi, globalizmi është ide, kësaj nuk mund ti kundërviheni me fuqi, as me vrasje e as me prerje, ngase globalzmi na ka hy në gjak neve, duhet ta vrasësh djalin tënd, ka hy te ne brenda, edhe për atë pandërprerë e potencojë çështjen, se çdo kush që thotë le të kthehemi në kohën e Pejgamberit a.s. vetëm se mashtron. Se as unë s’mund ta kthej djalin tim e as ti s’mund ta kthesh djalin tënd atje. Mirëpo platëformën, mendësinë e Pejgamberit s.a.v.s. kemi mundësi ta bartim në kohën tonë, kjo nuk ka asnjë problem. Forma nuk do të thotë që duhet të jetë e njejtë, mirëpo esenca ka mundësi të jetë e njejtë. Prandaj, kur themi ta largojmë me dorë e ka kuptimin që të kemi përpjekje dhe qëndresë për të arritur deri te suksesi, për shmangien e një elementi që mendojmë se është i keq dhe i rrezikshëm për njerëzimin në përgjithësi. Mjet i fundit është arma, ta dini, posaçërisht në fenë islame. Po nuk mundët ta bëni këtë, atëherë duhet t’iu flisni njerëzve. Por kjo e folme nuk ka të bëjë me atë, ta marrish njërin në rrugë edhe ti thojmë, shiko se nuk është mirë, ose të hyjni në një mexhlis ku njerëzit nuk janë të gjithë fetarë dhe për ta prishur mexhlisin të filloni  të flisni për fenë. Nuk ka të bëjë me këtë bisedë. P.sh. për teologët, ka të bëjë me atë se elementi kryesorë është që të shkruajnë, d.m.th. që ti kundërvihesh një ideje që ekziston me të cilën ti nuk pajtohesh, kërkon që të shkruash, e jo ti ikësh analizës së çështjeve shoqërore. Momentalisht ne kemi një pjesë të madhe të çështjeve shoqërore për të cilat teologët gjithsesi duhet të shkruajnë, e askush nuk shkruan. Vetëm dalin në youtube dhe tregojnë derse, por në youtube edhe nëna ime plakë kallzon derse. S’ka problem, ti marrë problemet e jetës dhe të dalë në youtube dhe të tregojë deri në mëngjes. Pra, atë që e thua në youtube, shkruaje ta shohim si do të dalë, që njerëzit ti marrin fjalët një nga një dhe ti analizojnë se çka ke thënë.

Mirëpo nëse edhe këtë nuk e bëjmë dot, së paku duhet mos ta pëlqeni me zemër. Ky është proces i cili është në rreth e nuk është në vijë të drejtë. Mos pëlqimi me zemër ështëedhe në pjesën e parë hadithit, kur do ta shihni  ndonjë të keqe edhe atëherë nuk duhet ta pëlqeni me zemër. Kjo do të thotë, ju duhet ta edukoni së pari veten tuaj. Përderisa duhet ta sulmoni një gjë të cilën e doni vet ju, ajo është problem, kjo ndikon te tjerët, ose, nëse do të folni kundër diçkaje që e keni te vetja, edhe kjo fjalë nuk ndikon te tjerët.  Pra siç e shihni  elementi i sabrit dhe i qëndresës fillon prej zemrës dhe në trajtë sferike kalon në aktivitetin tonë shoqërorë.D.m.th. intervenimi me dorë është aktiviteti jonë shoqërorë, ndërsa me gjuhë ta largoni diçka d.m.th. ju të qëndroni në prezentimin e ideve të vërteta të shpalljes nëpërmjet të shkrimit, nëpërmjet të kaulit që nuk e ka vetëm kuptimin e të të folurit, por e ka kuptimin edhe të analizave të cilat duhet të bëhen në lidhje me elementet e përgjithshme të ekzistencës.

Pra, nëse e bëni një testament reciprok në lidhje me dhënjen dhe marrjen e testamnetit me qëndresën, atëherë ka mundësi që ti shpëtojmë humbjes. Nuk bëhet fjalë që ti shpëtojmë tjerët, por ta shpëtojmë veten prej humbjes. Ka mundësi të themi, vallahi unë s’mund ta ndërrojë botën. si ta thoni këtë, nuk kemi dinjitet për të qenë njeri. Ka mundësi edhe këtë ta themi, vallah unë s’mund të ju hyj telasheve, do të rri në shtëpi. E humbni dinjitetin njerëzorë, sepse duke ndejtur në shtëpi, kjo e keqja do të vijë edhe në shtëpinë tënde. 

Me këtë edhe do ta mbarojmë suren Asr, inshallah prej javës tjetër do të vazhdojmë me suren Tekathur.

Falemnderit!