Ramazani është fenomen i veçantë i botëkuptimit qytetërimor të Islamit. Ai ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë nga njëra anë në ndërtimin shoqëror të njerëzimit, ndërsa nga ana tjetër në qetësinë psikologjike të individit.
Ramazan është term që rrjedh nga fjala “ramada“ që do të thotë skuqje, fërgim, pjekje e gurëve të rërës shkretinore nga nxehtësia e madhe e diellit. Si rrjedhojë, edhe vendit të skuqur nga nxehtësia e diellit i është thënë “ ramda“. Gjithashtu një nga kuptimet e kësaj fjale është edhe “djegie e këmbëve duke u ecur në rërën e nxehtë të shkretëtirës. Muaji i ramazanit është rëra e skuqur që i djeg mëkatet, ligësitë, të metat e njeriut dhe, duke e pastruar atë, ia hap rrugën të njerëzishmes dhe plotnisë ontologjike. Me fjalë të tjera, është proces lehtësues për ndërtimin njeriun e plotë.
Një pjesë e dijetarëve myslimanë janë të mendimit se Ramazani është një nga emrat e bukur të Allahut xh.sh., i pasqyruar në imanencë. Taberiu ka përcjellë prej Imam Muxhahidit, një dijetar i shquar i periudhës së tabiinëve, se ka thënë: “Të keni kujdes dhe mos të thoni vetëm “Ramazan”, por bashkëngjitjani edhe fjalën “Muaji”, për shkak se nuk e dimë me saktësi se çfarë thellësie kuptimore ka ai. Shpresohet që “Ramazani” është një nga emrat e bukur të Allahut”.
Njeriu ideal i qytetërimit islam është njeriu i plotë. Procesi edukativ lëndor dhe kuptimor i Islamit ka për qëllim kultivimin e njeriut të plotë. Si pasojë e domethënies që e ka, Ramazani është një ambient i përgatitur nga Allahu për të jetuar nën kontrollin e Tij. Është djegie dhe pastrim nga të gjitha toksinët biologjikë dhe psikologjikë.
Ramazani është pasqyrim i pandërprerë i arenës parazanafillore të babait të njerëzimit Ademit a.s. në xhennet. Babai, Ademi, dhe nëna jonë, Havva, ishin sprovuar me ndalesën nga ngrënia e një frute të caktuar. Ne e përjetojmë sprovën e njëjtë gjatë Ramazanit. Përballemi me sfidën “a do ta zgjedhim qytetërimin e egos apo do ta zgjedhim qytetërimin e zemrës?”. Në të parin njeriu e ndjek unin e vet, i realizon kërkesat e epshit të tij dhe kujton se do të bëhet më i lumtur, ndërsa në të dytin u del para të gjitha lakmive të egos që e njollosin zemrën, i djeg ata në rërën e skuqur dhe pastruese të shfaqjes së emrit të Allahut dhe angazhohet në rrugën e plotnisë.
Agjërimi nuk është i barabartë me urinë. Ai është një iradet (adhurim), është përkushtim, shkrirje në rrugën drejt të Madhit. Sa bukur ka thënë Pejgamberi i nderuar: “Ka shumë njerëz që prej faljes së namazit u ngel vetëm lodhja , ndërsa prej agjërimit vetëm uria”. Si rrjedhojë, nuk mund të thuhet se agjërimi është i barabartë me urine. Uria është vetëm një përmasë e këtij ibadeti. Imam Gazaliu në “Ihjau ulumi’d-din” thotë që uria dhe etja janë vetëm “agjërim i lukthit”. Ndërsa të ngriturit agjërojnë me të gjitha organet e trupit. Ata agjërojnë nga e liga, nga dëmtimi, nga përgojimi… ata përpiqen të agjërojnë edhe me shpirt, do të thotë, t’i largojnë të ligat jo vetëm prej organeve biologjike, por edhe prej thellësisë kuptimore, me fjalë tjera as mos e mendojnë të keqen, mos ta ndiejnë aspak atë…
Poeti nga Shkupi, Jahja Kemal Bejatli, ka një poezi në të cilën me gjuhë shumë elokuente dhe poetike e ka sqaruar botën e ëmbël dhe të ndritur të fukarenjve nga një lagje e Stambollit, I ka paraqitur besimet dhe emocionet e bukura të tyre. Poezia e ka titullin “Atik Valde’den Inen Sokakta/Në rrugën që zbret nga Atik Valde”. Jahja Kemali, krahas poetit, është edhe një sufi. Titulli i poezisë flet për ecjen e tij në një rrugë që zbret prej një lagjeje të Stambollit, por në esencë ai flet për zbritjen e njeriut nga esenca, ai flet për zbritjen e gjinisë njerëzore nga ahsen-i takvimi/krijimi i bukur dhe i përkryer në esfel-i safilin/niveli më i ulët. Atik Valde, po, është emri i një lagjeje të Stambollit, por kuptimin gjuhësor e ka Nëna e vjetër, e parë, burimi i pjellorisë, logos spermecus.
Poeti një ditë ramazani para iftarit shkon në lagjen “Atik Valde”. Ai shpesh i vizitonte lagjet ku jetonin të varfrit në Stamboll, edhe pse vetë nuk jetonte në to. Ai kishte dëshirë ta përjetojë atmosferën shpirtërore të lagjeve të banuara me të varfër, pasi që një atmosferë të tillë nuk kishte në lagjet moderne ku banonte ai vetë. Jahja Kemali me ekzaltim i sodiste njerëzit besimtar që agjëronin në lagjen “Atik Valde”. Për shkak se ata, krahas pamundësive dhe varfërisë që e kishin, prapëseprapë ishin të lumtur dhe lumturia u shihej nga fytyra. Ja si e përshkruan këtë poeti nga Shkupi:
Lagjen Atik Valde, para iftarit, sot e vizitova
Sa herë kam kaluar nga këto rrugica, sot përsëri kalova
Heshtje. Por ama shpirtëria e Ramazanit
Në pritje të ëmbël e kishte shndërruar qetësinë.
Njerëzit agjërues të lagjes me fytyra të zbehura
Pa bërë zë kthehen në shtëpitë e tyre, një nga një
Gocat e varfra që pritnin para bakallit
Pak a shumë e lajmëronin topin e iftarit.
Pas ushtimës së topit askush nuk ngel në rrugë. Të gjithë vrapojnë drejt shtëpive të tyre nga qerpiçi, ndërsa njerëzit e zbehur të lagjes kaplohen nga një hare e ndritshme. Për shkak se ata janë të ekzaltuar nga pasioni, lumturia, qetësia dhe prehja e përkushtimit ndaj Krijuesit të tyre. Për shkak se edhe atë ditë kanë kaluar vështirësitë e agjërimit dhe në shpirt e zemër u ka ngelur shpërblimi, shija dhe bukuria e tij. Jahja Kemali vazhdon me këto fjalë:
Në shesh nuk ngeli askush , nuk ka njeri
Me ushtimën e topit, në këtë bregdet, dita mbaroi
Nga çasti kur gjëmoi topi dhe e prishën agjërimin
Një hare drite i kaploi shtëpitë nga qerpiçi.
Poeti, nga njëra anë, është tepër i gëzuar për atmosferën e pastër që e përjeton në këtë lagje të vjetër, por nga ana tjetër është i dëshpëruar për gjendjen e lagjes ku jeton ai vetë. Rrugët e lagjes së tij nuk e kanë këtë hare me nur. Brenga e qëndrimit larg nga iftari i popullsisë në shpirtin e tij ka krijuar turbulenca të mëdha. Kultura e thellë shpirtërore e poetit, siç thotë edhe ai vetë, buron nga çastet e ëmbla të fëmijërisë:
“Asokohe, si fëmijë, unë jam rritur duke i dëgjuar ezanët që dëgjoheshin nga minaret e larta të xhamive të Shkupit. Në momentin kur fillonte ezani në minaret e xhamive, shtëpia shndërrohej e tëra në heshtje shpirtërore. Si duket edhe në rrugët e Shkupit frynte një puhizë e ngjashme dhe i tërë qyteti shndërrohej në heshtje të ngjashme si në faltore. Dëgjoheshin vetëm zërat e ezanëve. Buzët e nënës sime e pëshpëritnin pandërprerë lafz-i xhelalin (emrin Allah). Ezani që Muhammedi a.s. e kishte dëgjuar, një mijë e treqind vjet më parë, nga Bilali i Etiopisë, tash, shekuj më vonë, ishte shndërruar në melodi fetare dhe kombëtare e nënqiellit tonë. Në ato momente e ndjeja faljen dhe mëshirën e Zotit në trajtë të një zëri që buronte nga metafizika… Unë edhe në ditët kur kam qenë në Paris, në veshët e mi e kam dëgjuar tingëllimën e zërave të ezanit nga minaret e Shkupit”.
Po, këtë herë, përhitjet e mia të bukurisë së Ramazanit ishin të ngjashme me të Jahja Kemalit. Kështu zgjatet dhe zgjerohet bota kuptimore e fjalëve dhe përjetimeve të Ramazanit. E kanë pyetur Konfuçien: “Si ta ndryshojmë botën?”, ka thënë: “ Ndryshoni fjalët.”