Ah…, sa dua të vuaj e të dergjem i tëri,
Të përgjërohem qenësisht…
Sa më vuan ky shpirti im,
Vetëm për një vuajtje…
E zemra gjak më pikon,
Veç për një të rrahur të fortë!
Ndërsa trupi i tëri më është ligështuar
Atë vuajtje duke e kërkuar…
Edhe sytë më janë shtrydhur krejt
Vetëm për një të qarë të përgjakur…
O Zot! O i Madhi Zot!
O Dritë! O Nurë!
O Jetë! O Gjallëri!
O Mëshirë! O Dashuri!
M’a thuaj qoftë vetëm edhe një fjalë
Dhe më afro tek Ti…!
Mos më lë të vuaj për vuajtje, jo!
Më bëj të vuaj vetëm për Ty…!
O Shpikësi dhe Krijuesi
i vuajtjes dhe i dashurisë,
i dhembjes dhe i mëshirës!
O Shpikësi i dëshpërimit dhe i shpresës,
i humbjes dhe i shpëtimit!
O Krijuesi i gjiçkaje që e shohim e s’e shohim me sy
Dhe i asaj që e dime e që s’e dime!
Krijues i gjithçkaje që e dëgjojmë e s’e dëgjojmë!
O Shpikës, Një dhe I Vetëm,
i gjithë asaj që mund e që s’mund ta marrim me mend!
O Ti Krijuesi dhe Shpikësi i krijimit dhe shpikjes!
O I Gjithmundëshmi e I Gjithmëshirshmi!
M’i bëj të njejtë diamantin me gurin e arin me zallin!
M’i bëj të njejta shpellën me pallatin
e shkretëtirën me sarajin!
Ma bëj të njejtë nefsin me hijen time!
Që të mos ndjej gjë kur t’ma shkelin të tjerët
apo kur ta shkeli vetë!
Që edhe nëse gjithmonë nefsi t’më ndjek nga pas,
i shkelur nga gjithkush dhe përtokë të jetë!
M’i ul të gjitha pasionet e stolitë e kësaj bote!
M’i ul të tëra përtoke,
në daç edhe tokë m’i bëj!
Vetëm shpirtin, zemrën, dashurinë dhe vuajtjen jo!
Vetëm këto m’i ruaj e m’i lartëso o Zot!
M’i ruaj e te Madhëria Jote m’i afro!
Vetëm këto m’i mëshiro Zot!
Lutjen e vetme te Madhëria Jote
Vetëm për këto katër gjëra e kam!
Katër, sa Fjalët e Tua të Mëdha.
Ndaj, i Përgjërohem Lartëmadhërisë Tënde
deri në Amshim…,
ma dëgjo këtë lutje dhe ma prano:
Shpirtin e kam nga Ti e zemrën e kam për Ty!
Edhe dashurinë e kam nga Ti, ndaj vuajtjen e kam për Ty!
M’i mbaj gjallë këto katër,
pastaj në daç më bëj një hiç!
O Zot! Pashë më të shtrejtin hatër,
për këtë lutje, më jep një sihariq!
AMIN!
Nuri