Është namaz i cili kryhet në mbrëmjet e muajit të Ramazanit. Transmetohet se Muhammedi alejhis-selam i ka çmuar lartë ato namaze, por gjithashtu ka tërhequr vërejtjen se ato nuk duhet të bëhen të obligueshme. Konsiderohet se Umeri r.a. i ka tubuar pas një kariu (lexuesi të Kur’anit) ata që individualisht apo në grup faleshin në xhaminë e Medines. Gjithashtu rrëfehet se përparësi i jepte pjesës së parë të natës për këtë lloj namazi. E drejta islame parasheh që teravija të falet menjëherë pas namazit të jacisë. Ai përbëhet nga dhjetë taslime, secili prej të cilëve ka dy rekate; pas çdo katër rekatesh ka pushim, prej nga edhe emërimi “pushim”, teravih. Namazi i tera¬visë mund të falet individualisht por më e preferueshme është që të kryhet në grup (xhemat). Duke mos u thelluar në interpre¬timet e ndryshme medh’hebike teravih namazin ne e falim siç u tha më lart, d.m.th., 20 rekate. Kjo traditë e rrënjosur në kulturën muslimane edhe të hapësirës sonë shqiptare kërkon që meqë është muaji i zbritjes së Kur’anit, në të sa më shumë të lexohet Kur’ani, natyrisht duke pasur parasysh që mos të paraqitet mundim ose lodhje tek muslimanët. Kjo nuk do të thotë se gjatë teravih namazit duhet lexuar shpejtë e vetëmse ajete të shkurta, gjë që për fat të keq është dukuri e përhapur tek ne. Tek ne ka qenë praktikë që të ketë xhami të caktuara ku gjatë muajit të bekuar në teravih namazin të lexohet i tërë Kur’ani, pra të kryhet një hatme. Familjet muslimane disa herë kanë shkuar bashkërisht në xhami për teravih namazin, duke i marrë edhe fëmijët me vete. Natyrisht se gjatë kësaj krijohet një atmos¬ferë familjare fetare, prej asaj sjelljes së nje¬rëzve të pjekur e deri te loja e fëmijëve. Për çdoherë muaji i Ramazanit ka bërë që xha¬mitë tona të jenë të mbushura me xhemat.
/Marur me leje të autorit
Prof.Dr.Ismail Bardhi
nga Ramazani pa mileniume/