Shkruan Prof.Dr.Metin Izeti “NË FILLIM ISHTE VETËM DASHURIA…”

Unë jam ndjekës i mënyrës së besimit të Ibrahimit a.s., thotë Mevlana Xhelaluddin Rumiu, ai nuk i donte gjërat që perëndojnë e që humben”(En’am, 6:76). Personaliteti dhe filozofia e tij kuptimore ishin të orientuara drejtë amshueshmërisë dhe eternitetit. Për te jeta e kësaj bote, begatitë e saj si dhe çdo gjë që ngjanë në të ishte e përkohshme, ndërsa shpirti dhe rrethimi i tij ishin të përhershme dhe me vlerë reale. Pikërisht për këtë njeriu jetën e tij nuk duhet ta harxhojë në ndjekje të hamendjeve kalimtare, thotë Mevlana, por duhet të koncentrohet në shpirtin dhe në vlerat eterne.

Hazreti Mevlana në letërsinë dhe veprimtarinë e tij praktike e tregon rrugën e dashurisë së përjetshme dhe i hap dyert e zemrës së tij bujare në praninë e tërë njerëzimit duke thënë: Nëse ti e don veten duhet ta dashurosh edhe Krijuesin tënd, ndërsa kur të dashurohesh në Krijuesin do ti duash edhe krijesat e Tij. Ja pra ky ishte caku përfundimtar të cilin e dëshironte inkuadrimi hyjnor në gjithësi. Nëse dija dhe besimi ynë na kahëzojnë drejtë këtij realiteti atëherë jemi të denjë dhe me dinjitet i përkushtohemi Zotit.

Zhvillimi marramendës i teknologjisë dhe zbulimi i përditshëm i çështjeve të reja materiale nga njëra anë ia lehtëson jetën njeriut brenda kufijve botërore, mirëpo nga ana tjetër ia harron dhe ia neglizhon veten e tij. Njeriu përballë makinave të llojlloshme dita ditës zvogëlohet dhe e humb peshën e tij. Për pasojë e tërë filozofia jetësore e njeriut është e koncentruar në përkapjen dhe mësimin e drejtë të drejtimit të makinerisë fizike për kontrolimin e botës. Vlerat, pa të cilat dikur as që mund të mendohej jeta dhe të cilat e stolisnin shpirtin dhe etikën e njeriut, siç janë: feja, poezia, etika, muzika, u hodhën në plan të dytë dhe të pakta janë zërat të cilët pëshpërisin për to. Një praktikë e tillë shoqërinë njerëzore e shndërroi në vend të padurueshëm për jetë, ia humbi karakterin humanitetit dhe dashurisë ndërnjerëzore.

Në këtë situatë njeriut i nevojitet të mësojë deshifrimin e topografisë së brendshme të tij dhe duke fituar forcën prej brendie ta rikthejë vetëbesimin dhe të bëhet zotërues i unit të vet. Hazreti Mevlana njeriut ia tregon rrugën drejtë origjinës së tij dhe nëpërmjet të saj e afron në dashurinë ndaj Zotit. Nëpërmjet dashurisë së vërtetë i mundëson të shohë tërësinë dhe të mos humbet në pjesën. Ai si një mjeshtër i mirë e jep planin e bashkimit të pjesëve të ndara, dhe i pajton “un”-ët e ndara. Ai në veprën e tij në mënyrë fascinante i paraqet pikat e përbashkëta të njerëzve dhe nëpërmjet të stërvitjes kuptimore u mundëson të mos mendojnë për dallimet dhe mëngësitë e tjetrit. Një botëvështrim i tillë përgatit fushën e mirëkuptimkit të ndërsjellë në shoqërinë e gjithëmbarshme njerëzore.

Nëse shëtitemi në faqet e veprave të shkruara nga ana e Mevlanës do të shohim se secila prej tyre paraqet një disiplinë ose art në vete, ndërsa ajo që i bashkon të gjitha është sfondi i shëndoshë filozofik-teologjik dhe sistematik. Vet ai në Mesnevi thotë kështu:

Sekreti im, nuk është larg prej rënkimit tim

Mirëpo nevojitet dritë në sy që ta sheh, aftësi në vesh që ta dëgjojë”.

D.t.th. se ai në veprimtarinë e tij ka të fshehur një sfond mendor dhe artistik që në vargjet e mësipërme është e shprehur me simbolet e syrit dhe të veshit. Mirëpo kuptimi dhe pranimi i këtij sekreti, mesazhi ose ndjenje është i kushtëzuar me aftësinë e shikimit dhe dëgjimit të shëndoshë.

Në brendinë e shprehjeve të Mevlanës ka një kuadro mjaft të pasur të mendimtarëve të cilët janë të prezentuar në role të ndryshme por në hijen e sistemeve të tyre filozofike. Ai Pitagorën, Platonin, Galenin, Feriduddin Attarin, Raziun dhe fytyra tjera të perëndimit e të lindjes i përmend si personalitete mjaft të njohura për të. Ndërsa numri i filozofëve, poetëve dhe dijetarëve që ua ka prezentuar vetëm mendimet është shumë i madh. Thënë shkurt ai veten e prezenton brenda brumit teleologjik artistik-filozofik të kohës kur ka jetuar dhe më parë. Ai thotë kështu:
“Mu si kompasi, ne njërën këmbë e kemi të ngulur në fe
ndërsa këmba tjetër i shetit shtatëdhjetë e dy besime e mendime
”.

Krahas kësaj nuk duhet të harrohet se Mevlana padyshim në veprat e tij frymëzimin më të thellë e ka marrë prej shpalljes. Djali i tij Sulltan Veledi për Mevlanën dhe mistikët e ngjashëm me të thotë: “Poezia e miqve të Zotit nuk është asgjë tjetër përveç se sqarim i sekreteve të shpalljes. Ata e shkrijnë unin e tyre dhe ekzistojnë me Zotin”. Shpallja në poezinë dhe veprën e Mevlanës gjithmonë e ruan dydimensionalitetin e saj. Ai asnjë shtresë të qenësisë nuk e nxjerr jashtë kapshmërisë së revelatës. Në veprën e tij Fihi Ma Fih në lidhje me shpalljen ai thotë: “Kur’ani ka dy anë. Disa e diskutojnë njërën kurse disa të tjerë tjetrën. Që të dyja janë të vërteta dhe të drejta, meqë Zoti i Lartë ka dëshirë që të dyja palët të shfrytëzojnë atë. Për shembull, nëse një grua ka burrin dhe një foshnje në gji, gruaja prej të dyve ndjen kënaqësi por në forma të ndryshme. Kënaqësia e foshnjës është në qumshtin e nënës, ndërsa kënaqësia e burrit në bashkëshortësinë. Njerëzit janë ithtarë të një rruge. Secili ka mundësi të kënaqet me dukshmërinë e Kur’anit dhe të pijë qumësht prej tij. Vetëm për të pjekurit në kuptimet e Kur’anit ka një kënaqësi të posaçme dhe atë e kuptojnë vetëm ata”.

Simbolet e prezentuara në veprën e Mevlanës i përfaqësojnë pothuajse të gjitha traditat intelektuale dhe religjioze të kohës së tij dhe më parë. Si pasojë Mevlana në veprën e tij tregon në mënyrë mjaft artistike se të menduarit nuk është tubim i diturive prej vendeve të ndryshme dhe prezentim i tyre në letër, me vërejtje se bleta nuk ka mundësi të bëjë mjaltën pa i shëtitur disa kopshte me lule të ndryshme. Njëlloj siç bleta nektarin e tubuar prej luleve të ndryshme e transformon në mjaltë, ashtu edhe mendimtari atë e bën me mendimet, thotë Mevlana.

Kopshtet me lule të shëtitura nga ana e Mevlanës janë shumë, por edhe lulet brenda tyre janë të shumëllojshme. Mevlana si bleta e tubon nektarin prej luleve të ndryshme dhe njerëzimin i paraqet mjaltën shëruese dhe të këndshme të humanizmit teocentrik.

Këtë ese te shkurter kam deshire ta përfundoj me disa fjale te amshueshme te Mevlana Xhelaluddin Rumiut qe asnjehere nuk e kane humbur aktualitetin e vet:

Bëhu si lumi në bujari dhe ndihmë,

Bëhu si dielli në zemërgjerësi dhe mëshirë

Bëhu si nata në mbulimin e mëngësive të tjetrit,

Bëhu si i vdekuri në hidhërim dhe kërcënim,

Bëhu si dheu në modesti,

Bëhu si deti në mirëkuptim,

Si do që të bëhesh,

Ose duku ashtu si je

Ose bëhu ashtu si dukesh.