Sureja Nas
Ne, dy-tre javë me rradhë folëm për ajetet e para të sures së fundit të Kur’anit Adhimushan, të sures Nas. Është një sure e cila edhe nga aspekti i përbërjes fizike por edhe nga aspekti i shifrës metafizike kuptimore neve na mbron prej të gjitha të këqijave që kanë mundësi të na bien mbi kokë nga aspekti kuptimor. (Unë edhe në ligjëratën e ditës së xhuma e përmenda se muslimanët kryesisht në shekullin e fundit kanë bërë shumë kozmologji, janë marrë shumë me prezencën e Zotit në kozmos, me argumentimin e ekzistencës së Zotit në gjithësi, mirë po shumë pak kanë bërë antropologji, shumë pak janë marrë me prezencën e Zotit në njeriun dhe bashkësinë e njeriut me Zotin në proçeset shoqërore njerëzore). Kjo është një dobësi, posaçërisht e shekullit të fundit, prandaj edhe ndodh një fenomen që nuk kemi mundësi ta kuptojmë, p.sh. kemi njerëz që sot më tepër i lexojnë librat, e lexojnë përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, e kuptojnë prej gjuhës shqipe, mirë po janë më pak musliman se gjyshi im para 100 viteve që nuk ka patur dituri dhe nuk ka ditur të lexojë, domethënë është më pak fetar dhe kjo është një çështje të cilën ne duhet ta analizojmë . Duhet ta shohim pse ndodh kjo? Fakiri mendoj se kjo ndodh për shkak se ne kryesisht jemi marrë me argumentimin dhe prezencën e Zotit jashtë neve, e shumë pak jemi marrë me prezencën e Zotit brenda në ne, me antropologjinë islame.
Ky është një libër i fundit i fakirit ( Bëhet fjalë për librin “ Në fillim ishte vetëm dashuria”) që është botuar para dy muajve dhe brenda tij ka një tekst në lidhje me antropologjinë e përshpirtshmërisë islame, antropologjinë e kuptimit të njeriut, e manevijatit të njeriut. Edhe kjo sure është një çels, është një shifër, e cila ka mundësi që ti pengojë disa elemente që mund ta pengojnë përshpirtshmërinë tonë.
E dini pse e përmenda këtë? Nga shkaku se kohëve të fundit është bërë edhe një sektor i ri ku njerëzit, Kur’anin e përdorin për çdo gjë, vetëm për shkakun që ka zbritur nuk e përdorin. Ky problem nuk paraqitet vetëm tek njerëzit të cilët nuk merren me teologji, por paraqitet edhe tek njerëzit të cilët e studjojnë teologjinë. Kur’ani, duhet ta dijmë ne, në esencë është shërim i zemrave prej blesfemisë, prej pabesimit, prej veseve të këqija. Shërimi i Kur’anit është për këtë dimension, esenca e Kur’anit është shërimi fetar dhe jo biologjik ose psikologjik. Para së gjithash Kur’ani është libër fetar i cili neve na tregon lumturinë në këtë dhe në botën tjetër. Nëse veprojmë në bazë të Kur’anit atëherë do të jemi të lumtur në këtë dhe në botën tjetër. Pas përmasës fetare të Kur’anit kemi mundësi t’i diskutojm përmasat tjera të Kur’anit, që janë shumë më sekondare se kjo të cilën e përmendëm.
E dini çka ndodh me neve? Shpeshherë na ndodhë që Kur’ani diskutohet me dimensionin shkencor, me dimensionin linguistik, e me qasje të ndryhme, mirë po, ajo përmasë e Kur’anit që ka të bëjë me fetarsinë nuk është aspak prezente. (Do t’ju jap një shembull konkret: çdoherë ligjëratat fetare kanë më shumë xhemaat se sa dëgjimi i Kur’anit në xhami.) Nga aspekti fetar, në afrimin me Zotin, ta dëgjosh Kur’anin është më sevap se sa të më dëgjosh mua ose ndonjë ligjërues tjetër. Ta dëgjosh ose ta lexosh Kur’anin vetë është një lidhji cili vendoset me All-llahun xh.sh. A e dini si vendoset? Vendoset dalndagalë. Nuk mundet përnjëherë ta përjetojmë shijen dhe lezetin e përshpirtshmërisë. Ta hapim Kur’anin dhe menjëherë ta përjetojmë kënaqësinë shpirtërore nga leximi i tij. Si rrjedhojë të mendojmë: “ unë e lexova por nuk ndjeva asgjë nga leximi”. Jo, ai është një proçes që dalngadalë depërton në njeriun dhe krijon kondicion shpirtërorë. Kondicioni shpirtëror është identik me kondicionin trupor, nuk mund të vraponi maraton përnjëherë, por kërkon një përgatitje për këtë maraton. Edhe nga aspekti shpirtëror është njëlloj. Maratoni shpirtëror nuk vrapohet menjëherë, por kërkon dalngadalë, për atë dhe nevojitet një udhërëfyes i cili do ta pergatitë njeriun që në këtë maraton dalngadalë të shkojë, dhe të mos ketë ndezje të muskujve shpirtëror.
Kjo është shumë e rëndësishme. Pak më parë i thash edhe një shokut tuaj që feja është përafërsish si arti jo si shkenca. Arti mësohet prej organizmit të gjallë, nëse nuk keni një mësues të mirë, të gjallë, i cili do t’ua tregojë mënyrën se si luhet me violinë, atëherë shumë pak keni mundësi të bëheni një virtuoz në violinë, duhet dikush t’ua mësojë. E dini pse? Sepse arti manifestohet nëpërmjet të gjallërisë hyjnore. Është si lulja, përderisa e keni në oborr lulen, ajo është e bukur, këputeni lulen prej oborrit dhe lëreni në një skaj, do e shihni që e njëjta lule e që para dy-tre orëve u ka dhënë kënaqësi, më nuk ju kënaq, për shkak se vyshket. Pse vyshket? Për shkak se humb linkun me gjallërinë gjithësore , me All-llahun xh.sh. Në gjithësi çdo gjë gjallërinë e merr nga Al-llahu xh.sh.. Kështu është gjendja edhe në artet edhe në fenë.
Kur’anit gjallërinë ia jep Pejgamberi a.s.. Pejgamberi a.s ia jep Kur’anit gjallërinë e vërtetë dhe për atë gjithnjë ka nevojë feja për një udhërrëfyes, për një mësues të mirë, i cili do ta tregojë rrugën e vërtetë, për atë thash edhe më lartë se kjo sure përveç kuptimit racional që e ka edhe nga aspekti shpirtëror është një shifër që i pengon disa të liga që i mund ta godasin njeriun në këtë botë.
Ne i diskutuam disa ajete dhe ngelëm më duket te ajeti El-ledhi juves visu-fii sudurin-nas. Më lartë patëm thënë se me këtë sure njeriu kërkon mbrojtjen e All-llahut xh.sh. prej vesveseve cytjeve, zërave që i ka në brendi. Njeriu nëse arrin që ta kryej punën me brendinë e vet atëherë nuk ka problem me anën e jashtme asnjëherë. Për shkak se brendia e tij është një pasqyrë nëpërmjet të cilës ai e sheh botën e jashtme, njeriu është pasqyra në të cilën reflektohen dritat e ekzistencës dhe në bazë të atyre ai e sheh ekzistencën. Ju, mua nuk më shihni si jam në esencë, por më shihni nëpërmjet të paragjykimeve, paradigmave të cilat i keni për mua, nëpërmjet të stereotipeve,domethënë, varësisht se si i keni informatat në lidhje me mua, në atë mënyrë edhe më perceptoni, prandaj mos mendoni se njeriu e vlerëson atë që ekziston jashtë në bazë objektive. Pikërisht për këtë objektivizmi absolut është i pamundur në botë, shkenca bashkëkohore kryesisht flet për objektivizëm, por është e thelluar në subjektivizmin lëndor, do të thotë që është nën paradigmën e shqisave të cilat gjithnjë kanë mundësi ta mashtrojnë.
Në të kaluarën, mesjeta, antika, kryesisht ka qenë, ndoshta nga aspekti i ideve, subjektive, nga aspekti i intuitës në disa raste subjektive, por bashkëkohësia ka një subjektivizëm lëndor domethënë, vetëm atë që e sheh e pranon si ekzistente. Nuk është ashtu. Ky libër që e kam në dorë nuk duket si është vet por duket si e shihni ju. Secili prej jush këtë libër e sheh në mënyrën e vet. Ka një psikolog turk i cili është në Universitetin Washingtonit në Amerikë, Profesor i psikologjisë, Dogan Cuceloglu, ka disa vepra të rëndësishme. Unë mendoj që i ka edhe në anglisht, por fakiri i ka lexuar në turqisht. Ata që do të kenë rast të shkojnë ndonjëherë në Turqi mund t’i gjejnë librat e tij, janë libra të lehtë me shembuj të mirë, ka një p.sh. (“ Iyi düşün doğru karar ver”- “ Mendo mirë dhe vendos drejtë”, e ka një libër “ Prej njeriut në njeriun” – “Insandan insana”, ka një vepër tjetër “Yeniden insandan insana” – “Përsëri prej njeriut në njeriun”) . Ai kur flet për paradigmën në psikologji (E dini çka është paradigma? Janë syzat nëpërmjet të cilave ne i shohim gjërat, paragjykimet të cilat ne i kemi, dijet që i kemi të mëparshme dhe në bazë të tyre i shohim gjërat. Ai e jep një shembull për paradigmën, thotë që: Merrni dhe në një skaj të dhomës vendosni 3 mace të vogla. Pastaj i merrni një grup të fëmijëve të vegjël me vete dhe u thoni: Shikoni atje në skaj të dhomës ka tre mace të zgjebosura, mos iu afroni atyre. Çka do të bëjnë këto fëmijë? Fëmijët do të mundohen të gjejnë mënyrën se si macet t’i largojnë prej vetes. Por, nëse i leni të njëjtat mace dhe e merrni një grup tjetër të fëmijëve dhe u thoni atyre që në skaj të dhomës ka tre mace të bukura, fëmijët do të përpiqen si t’ju afrohen atyre.
Prandaj problemi është në brendi, atëherë kur do të arrijmë që ta pastrojmë punën me vetveten, dhe këtë mund ta arrijmë, atëherë nuk kemi probleme me njerëzit jashtë.
Kur e ka mallkuar Zoti shejtanin e mallkuar, ai ka kërkuar vetëm një gjë: Ka thënë që: “Kërkoj prej teje (Zotit) që njerëzit kur t’i hapin sytë, të shohin përballë, mos të shohin kah vetvetja” dhe e shihni edhe vetë, sa i hapni kapakët e syve menjëherë e shihni atë që e keni përballë, shumë lehtë është të flisni për mangësitë e njërit që e keni përballë, shumë vështirë është që ti zbrisni sytë dhe t’i shihni mangësitë tuaja. Ndërsa, besimtari i vërtetë, muslimani i vërtetë, kryesisht merret me mangësitë e veta, asnjëherë nuk merret me mangësitë e të tjerëve. Nëse flet për mëngësitë që njerëzit i kanë atëherë është gibet/ përgojim dhe është rreptësisht i ndaluar në fenë islame. Si rrjedhojë, besimtari i vërtetë, njeriu i vërtetë, sepse të jesh besimtar i mirë do të thotë të jesh njeri i mirë, asnjëherë nuk merret me të tjerëz por vetëm me vetveten. Të jeni të bindur se personi që në mjedisin ku jeton nuk arrin të krijojë energji pozitive dhe të ketë shokë, është asocial, nuk merret me njerëzit, nuk mund të jetë besimtarë i mirë. Prandaj kjo energji pozitive e krijimit të njeriut të mirë kalon nëpërmes rrugës së besimit, ku me rëndësi të veçantë është rregulli i brendshëm i njeriut.
Njëherë në një shkollë të Indisë, një i huaj ka kaluar pranë shkollës, ka hyrë brenda dhe ka vërejtur se ka një ceremoni, manifestim, të ndarjes së diplomave-ixhazeteve. Ka hyrë brenda, është ulur në një vend dhe i ka vështruar fizionomitë e personave që i marrin diplomat-ixhazetet. Ka vërejtur se ato përjetojnë një kënaqësi aq të madhe, sa që drita prej kënaqësisë së tyre , shpërndahej në të katër anët e objektit ku kanë qenë. Është habitur. Ka shkuar afër njërit ta sheh se çka ka në atë diplomë. Kur e ka hapur, e ka parë që nuk ka asgjë, është e zbrazur, është letër boshe. Ka shkuar tek mjeshtri, tek shejhi, i asaj shkolle, i ka thënë : Në këto letra nuk ka asgjë të shkruar, këto diploma janë boshe, pse janë kaq të fascinuar këta persona që e marrin diplomën? Shejhi i ka thënë: Duhet të vish të ndjekësh proçesin arsimor , ta marrish diplomën edhe ti si ato dhe do ta kuptosh emocionimin e tyre. E ka pranuar. Ka qëndruar 4 -5 vjet, ose 10 vjet sa është dashur të qëndrojë në atë shkollë, e ka kryer shkollimin dhe kur ia kanë dhënë ixhazetin-diplomën, edhe ky e ka përjetuar të njëjtën kënaqësi dhe e njëjta dritë-nur ka dalë edhe nga trupi i tij. E dini çka ka parë në diplomë? Në diplomë ka parë letër të bardhë, e cila ka qenë pasqyrë dhe në këtë pasqyrë e ka parë vehten, domethënë ka arritur brenda asaj periudhe ta njohë vetveten. Junus Emre-ja, një poet mistik, sufi, që ka shkruar në turqisht, mirë po është një prej poetëve kryesorë prej të cilit janë inspiruar poetët tonë bejtejxhinj shqiptarë, ai thotë : “ Ilim ilim bilmektir, ilim kendin bilmektir, sen kendini bilmessen, bu nice okumaktir” – “ Dije do të thotë ta njohësh vetveten, ti nuk e njohe vetveten, atëherë si ke lexuar, si ke mësuar”.
Besimtarit i urdhërohet të mësojë dije, por për ta bërë njeri. Dija është vetëm mjet që na çon sa më shumë t’i përkushtohemi Zotit. Nëse dija do të na largojë prej Zotit, nuk na duhet, p.sh. Nëse do të mësojmë dije të bëhemi mjek, që nesër të marrim ryshfet edhe me atë ryshfet të pasurohemi, atëherë kjo dije nuk na duhet, për shkak se kjo dije do të na largojë prej Zotit.
Dija është me rëndësi për besimtarin vetëm për shkak se e afron me Zotin. Dija që e afron me Zotin e bën atë njeri. Kjo dije është e obligueshmë për besimtarin-farz si edhe namazi, por edhe qëllimi është si i namazit, për t’u afruar te Zoti. Edhe namazin nëse e falim vetëm për namazin, atëherë edhe namazi na bëhet idhull. Namazi nuk falet për namazin, namazi falet vetëm që ti përkushtohemi dhe t’i nënshtrohemi si duhet All-llahut xh.sh.. Nëse namazi falet vetëm për namazin, vetëm që të thuhet se ne e falim namazin, atëherë kjo na largon prej All-llahut xh.sh.. Allahu xh.sh. në Kur’an thoë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet, të cilët duan vetëm që të duken” (Maun, 4,5,6).
Namazi duhet të depërtojë në gjenet tona, në thellësinë tonë dhe të krijojë një personalitet adekuat i cili do të ketë fytyrën e bardhë dhe ballin e pastër për t’iu afruar All-llahut xh.sh..
El-ledhi juvesfisufi sudurin-nas, domethënë kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga vesveset dhe cytjet që janë në brendi të njeriut, janë në gjoksin e individit, në gjoksin e personit. Në këtë ajet është përdorur gjoksi, sadr. Gjuha arabe ka shumë sinonime, është një gjuhë shumë metaforike, që në të shumtën e rasteve nuk arrijmë t’i përkthejmë, ose ne nuk e dimë mirë shqipen që ti përkthejmë në mënyrë adekuate. Mirë po sadr e ka kuptimin e një zemre, e një gjoksi, të një krahërori që është i gjërë dhe këto mënyra të perceptimit të brendshëm, të cytjeve djallëzore e ngushtojnë. All-llahu xh.sh. në një ajet Kur’anor thotë: “A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të kenë zemra me të cilat do të kuptojnë, dhe veshë me të cilat do të dëgjojnë? Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor”. (Haxhxh, 46)
Disa elemente të shpirtit nuk kemi mundësi t’i shohim me sytë që i kemi në kokë, por kemi mundësi t’i shohim me sytë që i kemi në zemër. Kjo zemër, ky krahëror është shumë i rëndësishëm dhe gjithsesi duhet të jetë i pastruar ose i lustruar prej të gjitha anomalive, prej lakmive, prej epshit, prej nefsit të njeriut që e hjek nga kënaqësitë e kësaj bote.
Minel xhin-neti ven-nas ajeti i fundit thotë: “Kërkojmë ndihmën e Zotit, strehohemi te Zoti prej xhinëve dhe prej njerëzve”. Në të vërtetë, sonte e kisha ndërmend të flaspak më tepër në lidhje me xhinët. Xhinët ose exhinet, si emërtohen në popull, janë krijesa shpirtërore që nuk janë të dukshme nga aspekti fizik, nuk kemi mundësi ti shohim. Janë krijesa tek të cilat ne e kemi të domosdoshme, si musliman, të besojmë se ekzistojnë, ashtu si melekët që ekzistojnë. Mirë po xhinët si edhe melekët e kanë botën e vet. Njerëzit, gjatë historisë kanë arritur grada shpirtërore të caktuara, thuhet që kanë patur kontakte me xhinët edhe sot do të hasni njerëz të cilët thonë se kanë kontakte me xhinët.
Ky relacioni i kontaktit të njeriut me xhinët është diçka abstrakte, për të cilën nuk kemi mundësi që të themi se nuk ka kontakt, as nuk kemi mundësi që të themi se ka kontakt.
Mirë po duhet ditur qartë se personi që në mënyrë direkte në bazë të kësaj që u tha në suren më lartë, ka lidhje me Zotin dhe e ka kështu të pastruar brendinë e vet, nuk ka mundësi asgjë të hyëj në mes tij dhe Zotit, asgjë nuk ka mundësi atë ta dëmtojë. Por nëse kjo brendi që ka nevojë për përshpirtshmërinë, ka nevojë për ushqim të caktuar shpirtëror, është e ngulfatur me elemente vetëm të kësaj bote atëherë hapet mundësia e depërtimit dhe intervenimit të huaj në brendinë njerëzore, si rrjedhojë edhe e xhinëve. Ku është problemi? Problemi paraqitet atëherë kur kjo mënyrë e kontaktit bëhet shkak për zhvillim të biznesit. Kohëve të fundit, për shkak të dobësisë shpirtërore të njerëzve, për shkak të dobësisë fetare të njerëzve, për shkak të dobësisë së kësaj lidhjeje në mes All-llahut xh.sh. dhe krijesës, paraqiten njerëz të cilët kanë dëshirë që nëpërmjet të formave ,bestytnive të ndryshme, t’i riparojnë këto lidhje. Lidhjet me Zotin nuk riparohen në këtë mënyrë. Personi i cili 20 vjet, 30 vjet, 40 vjet, 50 vjet nuk ka vendos lidhje me All-llahun xh.sh. dhe nuk e ka bashkuar shpirtin e tij me All-llahun xh.sh. nuk ka mundësi me një të fryrë, ose me një hajmali, ose me një kasetofon t’ia lëshoni (i keni dëgjuar këto raste që ndodhin kohëve të fundit) dhe këtë ta bëni të devotshëm, ose t’i thoni “ ti fali namazet dhe do të relaksohesh”. Jo, por nevojitet një proçes pak më i gjatë, por më e rëndësishme është që ne ta ushqejmë shpirtin tonë përderisa nuk është paraqitur problemi. Nëse nuk e ushqejmë, shpirti bëhet bëhet vatër e sëmundjeve të ndryshme, depresioneve të ndryshme, streseve të ndryshme të cilat pastaj shumë vështirë shërohen. Vështirë shërohen për shkak se një gisht e theni, dhe çdoherë kur prishet koha u dhemb gishti, e paramendoni t’i theni mendtë, ta theni shpirtin, kjo nuk riparohet lehtë, por çdoherë lë gjurmë që do të bartet prej viti në vitin tjetër.
Prandja, sureja Nas është një sure për të cilën Pejgamberi s.a.v.s. së bashku me suren Felek , thotë që kur do t’i lexoni këto sure (por me sinqeritet) atëherë do t’i largoni të gjithë ata që ua duan të keqen juve.
Minel xhin-neti ven-nas, domethënë jo vetëm prej xhinëve. Ta dini qartë se shumë më pak xhinët kanë mundësi të ju bëjnë dëm se njerëzit. Njerëzit mund t’ju bëjnë më tepër dëm, në të vërtetë të na bëjnë të gjithëve, p.sh. Njeriu të bën dëm edhe pa i dhënë mundësi, por xhini pa i dhënë mundësi nuk të bën dëm. Mundësia i jepet atëherë kur qëndrojmë larg prej përshpirtshmërisë dhe fillohet pastaj me një letërsi që është duke u bërë kohëve të fundit, është letërsi artificiale. Prandaj po ju them që kjo sure është edhe një shifër që nëse e lexojmë, nëse me sinqeritet i besojmë, prej nesh do t’i largojë të gjitha elementet që kanë mundësi të na sjellin ndonjë të keqe gjatë jetës. Por, gjithsesi, ne duhet pandërprerë të jemi të përgaditur që mos të lejojmë, mos t’ia hapim krahërorin atyrë gjërave që janë të liga dhe janë të këqija tek ne.
Kur’ani është një tërësi. Një prej dëmeve më të rëndësishme që i bëhet islamit është parcializimi, pranimi i pjesërishëm i ajeteve të Kur’anit. Edhe sureja Nas është si një tërësi, fillon me , O Zot, njëherë fillon me një dialog të cilin e kemi me Zotin, Ai neve na thotë Kul, i thotë Pejgamberit a.s., por na thotë edhe neve Thuaj që unë mbështetem në All-llahun xh.sh. kërkoj ndihmën e All-llahut xh.sh., që është edukues i njerëzve, domethënë është edukues i imi është Ai që ma tregon se si duhet ta jetojë unë jetën; Melikinnas -është sundues i njerëzve edhe sundues i imi. Unë do të kërkoj ndihmën e Atij edhe prej gjërave që më pengojnë në rrugën për t’iu afruar Atij; Ilahin-nas – është Zot i njerëzve po është Zot edhe i imi; kërkoj ndihmë për të më mbrojtur Min sher-ril vesvasil han-nas- prej të këqijave, sherrit të cytjeve, fjalëve, vesveseve që i kemi brenda në krahërorin tonë, domethënë, edhe unë që i kam në veten time, jo vetëm tjerët që m’i bëjnë.
Nëse në këtë mënyrë, me këtë rend e pranojmë suren, atëherë All-llahu xh.sh.nuk lejon asgjë të na del para dhe të na e pengojë rrugën. Për atë thash edhe më lartrë se Kur’ani është një tërësi dhe duhet me të gjitha elementet të cilat i ka ta pranojmë si një tërësi.
Do t’ju tregoj një rast me të cilën edhe do ta kryej.
Njëherë një miku ynë që aso kohe ishte pak si ateist, por ateistët shqiptarë nuk janë shumë të rrezikshëm, a e dini pse? Sepse ateistët shqiptarë janë injorant, ateistët në perëndim vërtetë ju drejsitin ,ndërsa ateistët tonë janë ateist që nuk kanë njohuri. Kur i pyetni, pse jeni ateist? Nuk e dijnë. Nuk ka lexuar as për ateizmin as për fenë. Kisha një profesor në Izmir, Mehmet Ajdin, një profesor shumë i mirë në Turqi. E tregonte një rast kur ai ka studiuar në Edinburg në Angli. Kanë qenë në një ligjëratë ku profesori ka ligjëruar për fetë dhe në veçanti për pozitën e Jezu Krishtit në Krishterim. Profesor Mehmet Ajdin’i ka qenë student i doktoraturës së bashku me disa studentë postdplomik të tjerë, në mesin e të cilëve ka qenë edhe një prej ateistëve pa dije nga Turqia. Profesori ka folur për ateizmin dhe ka konstatuar se ai vetë është ateist për shkak se logjika etij e pastër nuk mund ta pranojë inkarnimin dhe antropomorfizimin e Zotit sic ndodh me trinitetin tek krishterët. Pastaj i ka pyetur studentët se a ka në mesin e tyre ateistë? Atëherë ky studenti nga Turqia ka thënë që edhe ai për të njëjtat shkaqe lështë ateist. Nga përgjigja e tij shihet se ai nuk ka aspak njohuri për fenë e tij, nuk e din se në Islam nuk ka as antropomorfizëm e as trinitet.
Prandaj edhe këtu tek ne, ata që thonë jemi ateist, ose kështu pak në formën më moderne, e përdorin tash termin agnostikë. Një prej këtyre tash është besimtar, tash falet 5 kohë namaz, shyqyr Zotit, është më i moshuar se ne, një ditë më tha: “Hoxha efendi (isha imam atëherë, imam i ri ): Ekam parë në Kur’an diku se në xhennet do të ketë lëng rrushi.? I thashë: Gabim e ke parë, nuk është ashtu. Kur’ani thotë se në Kur’an do të ketë verë, se vërtetë ashtu thotë hamr që domethënë verë. Pastaj i thash që ky ajet për të cilin ti flet është në suren Muhammed që është në pjesën e fundit të Kur’anit, ndërsa i njëjti Kur’an në pjesët e para , në xhuzin e shtatë, thotë se pikërisht ajo verë është e ndaluar për muslimanët në këtë botë. Pra si arrite ta shohësh se në xhennet do të ketë verë, tekst që është në pjesën e fundit të Kur’anit dhe nuk e vërejte se është e ndaluar për këtë botë , tekst që gjindet në suret e para të Kur’anit. Pra gjithsesi se Kur’ani duhet të merret parasysh si një tërësi edhe nga aspekti i tekstit, por edhe nga aspekti i shifrës metafizike.
Nëse keni dëshirë që as xhinët, as njerëzit, mos munden të na bëjnë dëm, atëherë duhet të jemi bashkë me këtë sure pandërprerë, jo vetëm ta lexojmë natën kur do të frigohemi në ëndërr, por pandërprerë të jëmi bashkë me këtë sure dhe të jemi bashkë me All-llahun xh.sh.. Vetëm kjo është mënyra që neve do të na mundësojë ta perceptojmë si duhet Kur’anin dhe ta bartim atë në jetën tonë. Nëse këto fjalë që i bisedojmë, arrijmë ti bartim në jetën tonë, atëherë ta dini që asgjë nuk mund të na bëj dëm. Edhe atëherë kur diçka do të na bëj dëm, ne do ta dijmë që nuk mund të na bën dëm dhe është sprovë nga ana e All-llahut xh.sh.. Falemnderit