Nëse empatia është e lidhur me zhvillimin e qëndrimeve dhe praktikave të shëndosha morale, pyetja e parë që lind është se si t’u shmangemi vendosjes së parimeve morale dhe ta inkurajojmë zhvillimin e empatisë sa më pak ndërhyrëse, madje edhe në trajtë sa më indirekte?
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Veprat e ndryshme të artit kanë potencial të ndryshëm për identifikimin e audiencës me përmbajtjen. Ky potencial, që mund të zgjidhet me qëllim autori ose qasjeje, nga ana tjetër, si pasojë e korrelacionit të paparashikuar, shpesh interpretohet dhe analizohet si një mesazh moral edukativ. Përveç animacionit medial (që varet nga trajnimi individual dhe koha), identifikimi e ngërthen edhe një komponent tjetër – empatinë (pasionimin, ndjeshmërinë). Empatia, nga njëra anë, është gjendje emocionale, që, kur bëhet fjalë për perceptimin e mediave, e përfshin edhe karakterin e individit që qëndron përballë. Përveç estetikës, empatia është studiuar veçanërisht edhe në psikologjinë sociale, pasi besohet se e favorizon zhvillimin e qëndrimeve dhe sjelljeve shoqërore. Në të vërtetë, shumë studime të mëparshme të fenomenit të empatisë zbulojnë se ajo lidhet pozitivisht me zhvillimin e ndjeshmërisë tek fëmijët. Kur është fjala për proceset edukative me qëllim të vendosjes së empatisë, filmi në masë të madhe ka ndikuar në identifikimin e shikuesve me heronjtë e pëlhurës së bardhë dhe në fokusimin e vëmendjes së tyre në riprodhimin e realitetit filmik në përditshmëri.
Nëse supozojmë se empatia, si kusht i afrimit afektiv me heroin, domethënë tjetrin, favorizon zhvillimin ose forcimin e përjetimeve të tjera bashkëpunuese, altruiste, jonxitëse dhe lehtësuese në mbrojtjen e të tjerëve, mebujarinë dhe mirëkuptimin ndaj tjetrit, atëherë është e qartë se pse Mc Collough e ka krahasuar empatinë me “imagjinatën morale”, që edukimi duhet ta promovojë dhe qytetarët ta kenë kulturë politike dhe shoqërore. Një numër i madh i eksperimenteve të Batsonit tregojnë se empatia të inkurajon t’i ndihmosh të tjerët jo nga aspiratat egoiste, por nga ato altruiste. Njeriu i thellë shpirtërisht, në empati e sheh predispozitën biologjike për sjellje altruiste, ndërsa përmes empatisë, si burim moral praktik, theksohet edhe njohja e parimeve abstrakte morale.
Nëse empatia është e lidhur me zhvillimin e qëndrimeve dhe praktikave të shëndosha morale, pyetja e parë që lind është se si t’i shmangemi vendosjes së parimeve morale dhe ta inkurajojmë zhvillimin e empatisë sa më pak ndërhyrëse, madje edhe në trajtë sa më indirekte? Studimet kanë provuar se fëmijët u përshtaten më shpejt atyre vlerave që i shohin te modelet e tyre. Janë këta mësuesit a artistët që i preferojnë ose personat ndaj të cilëve ndiejnë dashuri dhe respekt. Ka shumë të drejtë Gadameri kur thotë se “gjatë leximit të Shekspirit apo Platonit, nuk shikohet në atë çka ata kanë thënë, por në atë çka ilustron teksti i tyre”. Me rëndësi të madhe është që, në një kontekst të caktuar, didaktika nuk duhet ta ngulfat veprën artistike dhe as vepra artistike didaktikën. Pra, thënë shkurtë, për të pasur efekt më të mirë në procesin e formimit të qëndrimeve të dëshirueshme morale, ato nuk duhet të imponohen, por – nëpërmjet të veprimit artistik – duhet të riprodhohet realiteti ekzistencial, të trajtësohen modele të kapshme dhe auditori të ketë mundësi të identifikohet me heroin e preferuar.
Për specifikat e filmit si medium i bartjes së porosisë është shkruar shumë. Burch-i, për shembull, ka thënë se filmi ka “forcë diegjetike”, domethënë është i aftë të provojë një realitet përmes krijimit të katarzës së përbashkët, në fotografi, muzikë dhe nëpërmjet kualiteteve artistike. Por, ama, ndoshta, një prej problemeve kryesore është se si të ndërtohet rrëfenja filmike në atë mënyrë që të jetë në funksion të shtytjes së empatisë dhe si rrjedhojë,e zhvillimit të qëndrimeve morale. Duke u bazuar në analizat empirike psikologjike, Propp-i, duke i analizuar përrallat, ka prezantuar simbolet dhe elementet universale të cilat ka mundësi të barten prej një përralle në individin pa ndonjë modifikim shumë ekstrem. Në analizën e përrallës ose rrëfenjës i rëndësishëm është detajimi dhe funksionalizimi i aksionit, duke e veshur atë me teshat e aktualitetit dhe jo përmasa kategorike e saj.
Edhe pse, me siguri, edhe filmi eksperimental ose dokumentar, ka mundësi ta zgjojë ndjenjën e empatisë, por është fakt se ndikimin më të madh e ka filmi artistik (i metrazhit të shkurtër ose të gjatë) dhe pa pasur rëndësi se cilit zhanër i takon ai. Në këtë rast ndoshta shumë i rëndësishëm është konteksti se si filmi i prezanton edhe konceptet metafizike, të cilat njëkohësisht paraqesin edhe shembullin kryesor të burimit moral dhe të identifikimit me mënyrën e edukimit. Filmi arrin që këtë imagjinatë pozitive, që e krijon konceptin e empatisë, ta konkretizojë.
Njeriu nuk mund të jetojnë pa nocione dhe imazhe. Përvoja individuale dhe e përbashkët e njeriut tregon se njerëzit kanë një nocion ose një imazh të çdo ideje, sado që ajo është abstrakte. Imazhet janë të bazuara në përvojën personale dhe janë të lidhura shpesh me njohuri të caktuara. Për shembull, “shëmbëllimi i Perëndisë”, veçanërisht në traditën islame, nuk i referohet fotografive, por është fakt që njeriu – përmes rrëfenjës së afërt me karakterin e tij – e formëson nocionin mendor, të ndërgjegjshëm ose subkoshient të Perëndisë. Imazhi ynë i Perëndisë është i ndikuar nga fotot imagjinative jo të trajtësuara, që ne i shohim në aktualitetin e shoqërisë, madje edhe më fort se përvojat e ndryshme pozitive dhe negative me njerëzit dhe ngjarjet, si dhe nga mësimet fetare, ato na mundësojnë që Zoti të ndjehet dhe ta kuptojmë misterin e fshehur në çdo fjali, madje edhe në atë më abstrakte.
Njeriu ka disa imazhe të zakonshme për Perëndinë: Perëndia, si Zotërues i energjisë për gjallërinë dhe i pranishëm kudo që vepron çdo gjë, me të Cilin ka mundësi që të vendoset kontakti nëpërmjet të adhurimit dhe i cili mund të jetë mbilëndor. Tash të themi që ky është koncepti më i favorizuar për imazhin e Perëndisë tek ne. Atëherë si ta shprehim këtë koncept në pëlhurën e bardhë që të ketë mundësi të ndikojë në ndërtimin e individit dhe ta edukojë atë moralisht? Para së gjithash duhet të kihet parasysh përkthimi audio-vizual i imazhit të Zotit tek njeriu. Gjithsesi kjo mund të bëhet përmes leximit artistik të tekstit të shpallur, gjegjësisht të Kuranit. Teksti i shpallur është një medium i rëndësishëm, përmes të cilit mund të përqendrohemi në imazhin e vërtetë të Allahut xh.sh.. Fakti se filmi është shumë i fuqishëm në shoqërinë moderne, kjo është e dokumentuar nga rritja e madhe e dëshirës për filmin në të katër anët. Filmat janë tërheqës për shkak të mundësisë teknike për ta bartur shikuesin në trajtë mrekulluese në një botë imagjinare. Në kuadër të ndikimit reciprok teknologjia dhe filmi bashkëpunojnë në realizimin, zhvillimin dhe importimin e emocioneve dhe të dashurisë, që – e shprehur përmes muzikës dhe ngjyrave të natyrshme – ka mundësi ta bart shikuesin në një skenë të gjallë në imagjinatën e tij. Shikuesi, në film, e transferon veten e tij në karakterin e protagonistit në një mënyrë shumë të veçantë. Sa më shumë që një film i stimulon proceset e tilla, aq është më i suksesshëm nga aspekti artistik. Por, ama, nga ana tjetër, aq më tepër edhe e shtyn personin drejt edukimit moral dhe identifikimit të personit me të mirën dhe të bukurën, merret vesh nëse filmi e ka këtë qëllim. Ndërkaq, nëse qëllimin e ka në drejtim kundërt, atëherë ndodhë e kundërta. Si rrjedhojë, personaliteti i aktorit ëndrrat e shikuesit i bën të vërteta. Gjithashtu filmi e mundëson që shikuesi ta ndiejë veten të rëndësishëm në kuadër të asaj që ai e parashikon në rezultatin e rrëfenjës, e cila gjithashtu sjell kënaqësi të veçantë. Kur personi ndërfutet në gjuhën e filmit, aty fillon funksionimi i një sistemi të degëzuar dhe të ndërlikuar i dijes shoqërore. Filmi mishëron konfigurime të veçanta të dijes shoqërore dhe krijon një varg të marrëdhënieve retorike dhe narrative midis koncepteve. Nga njëra anë, filmi shkakton problemin e konfrontimit në mes të llojeve të ndryshme të njohurive shoqërore, mendimeve ose besimeve, ndërsa – nga ana tjetër – ai e ngre çështjen e realizimit të tekstit në të cilin është bazuar. Pikërisht për këtë teksti – në një mënyrë – duhet të jetë gjaku i cili do rrjedhë dhe do ta mbajë të gjallë ngjarjen dhe do të sjellë një freski të re në shikuesin.
Si pasojë, një përkthim audio-vizual i tekstit i zgjeron mundësitë e gjallërisë së tekstit ose “në qoftë se detyra e përkthimit të një teksti të caktuar korrespondon me forcimin e mesazhit të tekstit”, ka edhe efekt praktik shoqëror. Për rrjedhojë, është e rëndësishme të bëhen përpjekje për ta kuptuar se si teksti mund të riformulohet audio-vizualisht, por duke qenë besnik në dy drejtime: në burimin e tij dhe për pranuesit e tij “. Numri i problemeve mund të rritet për shkak të faktit se lidhja ndërmjet tekstit të shpallur dhe interpretimit audio-vizual të tij është intersemiotike dhe transformimi është i përfshirë, duke shkaktuar shenja gjuhësore, të cilat interpretohen përmes një sistemi të shenjave jogjuhësore. Ne mund të shohim se ka tri lloje të sfidave që lidhen me mundësinë e përkthimit të teksteve të shpalljes, gjegjësisht Kuranit, në tekste audio-vizuale. Problemi i parë, i cili është veçanërisht i rëndësishëm, ka një natyrë semantike dhe i referohet zgjerimit semantik të elementeve dhe të faktit se ata janë të pamundur për të kuptuar vetëm në një mënyrë. Problemi i dytë është semiotik dhe i referohet objektivave komunikuese të vetë tekstit. Kjo do të thotë se çdo tekst përmban një lloj të caktuar të qëndrimit, i cili duhet të ruhet në mënyrë që të mbetet besnik ndaj tekstit. Problemi i tretë është pragmatik: se çdo tekst është krijuar për publikun në bazë të formave të sakta të përdorimit, që e bën atë të domosdoshëm në bartjen e tekstit në pëlhurë. Në kuptimin radikal të fjalës, për ta përkthyer atë do të thotë se duhet ta rilexojmë. Në nivelin semantik, për ta përkthyer atë, duhet ta bartim si një plejadë të kuptimit në një tjetër botë brenda kodit të njëjtë, duke pasur parasysh se çdo përkthim besnik është pjesërisht edhe i pabesë. Përveç kësaj, ekziston barra e historisë, e cila duke e ndryshuar mënyrën e përdorimit, gjithsesi se do të sjellë karakteristika të reja në qendër të vëmendjes.
Nëse do ta pranojmë si të vërtetë faktin se arti i shtatë është një pasqyrë e kohës, mund të thuhet se besimtari bashkëkohor duhet të merret intensivisht me përkthimin audio-vizual të tekstit të shpallur dhe, si rrjedhojë, t’i krijojë heronjtë e moralit, të së bukurës dhe vlerës së bazuar në Kuran. Kjo mënyrë do të sigurojë që shikuesi, nga njëra anë, të emocionohet përshpirtshmërisht, ndërsa – nga ana tjetër – emocionalisht të përfshihet në histori. Nëse me vëmendje e analizojmë prezencën e fesë në masmediume, do ta shohim se feja shpesh shfaqet ose në një mënyrë stereotipike dhe si modë e vjetruar dhe, si e tillë, reflektohet në perceptimet e një audience të përgjithshme, e cila shumë pak është e njoftuar me traditat fetare. Sot, edhe për shkak të idesë së besimit, por edhe për të krijuar një botëvështrim të mbështetur në metafizikë, është e rëndësishme të krijohet një kulturë filmike e përsosur artistikisht për edukimin moral nëpërmjet identifikimit me heronjtë e shpalljes.