Sureja Maun
Të respektuar miq, sonte do të flasim pak për suren Maun. Bën pjesë në suret e shkurtëra të Kur’anit Famëlartë. Juve u kujtohet prej ditëve të para kur kemi filluar me tefsirin kemi thënë që suret e shkurtëra kryesisht i kanë zbritur Pejgamberit a.s. në periudhën e Mekes dhe më tepër kanë të bëjnë me përgaditjen besimore me itikadin e muslimanëve të parë; përmbajnë elementet thelbësore bazike të fesë Islame dhe nëpërmjet të tyre është bërë përpjekje që mentaliteti paraislamik i arabëve të kthehet drejt besimit në Allahun xh.sh., padyshim që kjo nuk është e lehtë. Shpeshherë ju e dëgjoni termin xhahil, xhahilijeti i arabëve, në realitet fjala xhahilijet nuk e ka kuptimin e injorantit. Kur’ani a.sh. për arabët paraislamik e përdor termin xhahil jo për shkak se ata nuk kanë qenë të ditur, po për shkak se nuk e kanë patur të hapur përmasën e perceptimit të zemrës. Sot në mesin e njerëzve që janë shumë intelektualë, shumë të ditur, ka shumë xhahila me konotacionin e Kur’anit. Ebu Xhehli, ju e keni dëgjuar që njëri prej emrave të tij ka qenë Ebu’l- Hakem, para islamit është baba i diturisë/mençurisë, ndërsa pas ardhjes së Pegamberit a.s. ai është emërtuar si Ebu Xhehl/baba i paditurisë, baba i injorancës, por në këtë rast xhehli/xhahilijeti nuk e ka kuptimin e xhahilijetit nga aspekti i dijes e cila përfitohet në këtë botë, por ka të bëjë me një dije ndaj të cilës sytë e një pjese të konsiderueshme të mushrikëve/ politeistëve të Mekes kanë qenë të mbyllura, ky është konotacioni i vërtetë i xhahilijetit. E dini pse ua përmenda këtë? Për shkak se një pjesë e madhe e terminologjisë së Kur’anit është terminologji e veçantë vetëm për Kur’anin dhe atëherë kur nuk e bartim atë term kuranor si duhet, na dalin kuptime të gabuara në lidhje me konkluzat fetare. Kur bisedoni me njerëzit iu thonë që arabët kanë qenë analfabet, arabët nuk kanë ditur asgjë kur ka ardhur Pejgamberi a.s., madje edhe për Pejgamberin a.s. thonë që ka qenë analfabet në trajtë mosdijes së shkrimit, leximit dhe në këtë mënyrë e përkthejnë termin ummi të Kur’anit. Umm në arabisht i thonë nënës, ndërsa ummi do të thotë njeri i cili nuk është i ndikuar prej asnjë ideologjie tjetër, domethënë është term të cilin Pejgamberi a.s. e sqaron me fjalën “Eddebeni rabbi fe ahsene te’dibi” / “Mua më ka edukuar, më ka arsimuar Zoti im, sa edukim të mirë që më ka dhënë”. Pejgamberi a.s. është personi i cili fitratin/natyrshmërinë (ummi është vazhdimësia shoqërore e termit fitrat) e ka pasur të pastër. Për foshnnjën e posalindur Pejgamberi a.s. thotë “Çdo foshnje e posalindur lind me natyrë të pastër për ta pranuar Islamin. Më pas prindërit e tij atë e bëjnë hebre, të krishterë ose e bëjnë zjarradhurues” ndërsa ummi është vazhdimësia e fitratit, e këtij karakteri të pastër brenda shoqërisë. Pejgamberi a.s. ka qenë i tillë dhe karakterin e tij të pastër e ka vazhduar deri sa i ka ardhur shpallja, kur i ka patur 40 vjet, Pejgamberi a.s. e ka vazhduar këtë pastërtinë edhe brenda shoqërisë. Nga një aspekt fjala ummi është sinonim i fjalës hanif në Kur’an (Kur’ani e përdor edhe një term hanif) dhe me termin hanif paraqiten të gjithë personat të cilët i kanë besuar Allahut xh.sh. që nuk e kanë prish besimin e tyre në shoqëritë ku ka pasur besim të devijuar. Një prej këtyre hanifëve që ka qenë prezent në kohën e Pejgamberit a.s. është Veraka Ibn Neufel; Veraka Ibn Naufel është axha i Hz.Hatixhes (zonjës së Pejgamberit a.s.). kur i ka ardhur Pejgamberit a.s. zbulesa “Ikra bismi”, ai është kthyer në shtëpi dhe së bashku me Hatixhen kanë shkuar te Veraka dhe atij ia ka treguar momentin që ka përjetuar: Më erdhi një melek i cili kur i hapi krahët e mbuloi tërë qiellin dhe më tha Ikre/lexo. Unë nuk e dëgjova edhe i thash “Ma ene bi kariin / “Çka të lexoj, nuk jam unë prej atyre që lexoj” atëherë më shtrëngoi dhe dy-tre herë më tha lexo në emër të Zotit. Veraka i ka thënë: “Betohem në Allahun që ai është Namusi (Namus në Tevrat emërtohet Xhebraili a.s.) po më vjen shumë keq që banorët e Mekës ty do të të dëbojnë prej Mekes, ndërsa unë nuk do të jem në mesin e atyre që do të të mbrojnë, se unë do të vdes deri atëherë”. Edhe fjala maun është një term i posaçëm kuranor që shumë pak keni mundësi ta hasni si term në gjuhën arabe. Maun në arabisht ose ma’n do të thotë çanak (pjatë). Kryesisht të varfërit më përpara, si tash që kan qese për ti vendosur paratë, kanë patur pjata dhe kur kanë ecur rrugës njerëzit nuk kanë patur t’iu japin para, më së tepërmi u ka dhënë ushqim edhe në atë pjatë 3-4 persona që kanë qenë duke ngrënë prej hajes vete i kanë dhënë edhe atij (të varfërit) . Kjo në traditën e tasavvufit islam ka kaluar edhe me një enë tjetër që quhet keshkyl (në tasavvuf ka një grup të dervishëve të cilët kanë qenë dervish udhëtues dhe në shpinë e kanë patur të varur një çanak, ata kryesisht kanë bërë ibadet, rrugës ku kanë gjetur diçka kanë ngrënë) edhe mauni e ka këtë kuptim. Ajeti kuranor kryesisht këtë çështje të çanakut (pjatës) e ka parashtruar si çështje të dhënies në rrugë të Allahut xh.sh.. Mauni në këtë ajet kuranor, në fillim të shpalljes paramendoni, në brendi të vete e ka zeqatin, sadakatul fitrin, e ka sadakanë në përgjithësi që njeriu ia jep dikujt, i ka të gjitha format e dhënies së pasurisë në rrugë të Allahut xh.sh.. Shoqërinë e Pejgamberit a.s., Pejgamberi a.s. dhe edukata hyjnore e ka përgadit dalë ngadalë për disa gjëra të rëndësishme shoqërore. Ajeti i parë i cili ka ardhur në lidhje me çështjen e dhënies në rrugë të Allahut xh.sh. (ndihma e te tjerëve) është ky mauni dhe ka hikmet të madh në të, prandaj edhe rendi i zbritjes së ajeteve është i rëndësishëm. Ka libra të posaçme në historinë e tefsirit që janë shkruar për rendin e zbritjes së ajeteve, janë diskutur ajetet në bazë të rradhës si kanë zbritur edhe rendi i zbritjes së ajeteve është i rëndësishëm për ta parë gradualitetin e thirrjes islame, dhe si duket na e tërhjek kujdesin që “fëmijës 5 muajsh nuk duhet t’i japësh të hajë mish të pjekur, se e mbyt atë, duhet të pijë qumsht”. Rendi i zbritjes së ajeteve na tregon neve mënyrën e gradualitetit/tedrixhi të thirrjes dhe ftesës të cilën ia ka çuar Allahu xh.sh. Pejgamberit a.s.. Ajeti i dytë është “Jes’eluneke ma dha tunfikun.” / “Ty të pyesin çka të ndajmë në rrugë të Allahut xh.sh? Kuli-lafv është përgjigja. Për shembull, kulil afv nëse e merrni ta përktheni bukfalisht prej arabishtes e ka kuptimin e faljes, ama fjala afv është term kuranor që nuk mund ta hasni askund tjetër. Fjala afv do të thotë që ju duhet t’iu ndihmoni të afërmve tuaj dhe kërkesa e parë e dhënies nga ana e Allahut xh.sh. ka qenë që njerëzit të kenë konsideratë për të afërmit e vet. Edhe Pejgamberit a.s., Allahu xh.sh. i ka thënë “Pikë së pari thirri të afërmit farefisin tënd” e dini pse? Jo për shkak të tyre, por për shkak të thirrësit, se personi i cili nuk ka auoritet në familjen e vete, nuk ka mundësi t’i thërret të tjerët, se familja e vet e di trungun e tij të zhvillimit edhe kjo është çështje shumë e rëndësishme; vet Pejgamberi a.s., në personalitetin e vet, neve na e ka treguar këtë. Si afvi ashtu edhe mauni e ka konotacionin e dhënies në rrugë të Allahut xh.sh. si një term i përgjithshëm, po e ka prezantuar nëpërmjet të asaj pjate (çanakut) për shkak se pa marrë parasysh si do t’i ndani begatitë e kësaj bote ata janë për gjallërinë e njeriut në këtë botë. Pa marë parasysh, ju a do të fitoni 100 miljon euro ose do të fitoni 100 euro, të dyja juve iu nevojiten deri ne momentin e varrit dhe që të dyja janë si ai çanaku (pjata) që të mban ty gjallë një periudhë të caktuar, vetëm se nga aspekti jonë botërorë, ajo që e ke më tepër do të mbajë pak më gjatë ama nga aspekti i ahiretit hiç nuk ka asnjëfarë dallimi prej atij ushqimit që do e hash për një kohë të caktuar.
Për shkakun e zbritjes së kësaj sureje në tefsiret përmenden tre raste dhe përcillet se ka zbritur për shkak të tre personave (ka rivajete të ndryshme). Njëri prej këtyre personave është As Ibn Vail, ka qenë njëri prej personave i cili e ka mohuar ditën e gjykimit. Besimi në ditën e Ahiretit së bashku me besimin në Allahun xh.sh. janë dy elementet më të rëndësishme të besimit. Në suren Bekare Allahu xh.sh. thotë “Elif Lam Mim. Dhalikel kitabu la rajbe fih, huden lil muttekin”/ “Elif Lam Mim. Ky është një libër në të cilin nuk ka aspak dyshim është udhëzues për të devotshmit”, “Elledhine ju’minune bil gajbi ve jukimunes salate ve mimma razaknahum junfikun” / “Të cilët besojnë në çështjet tejlëndore, të padukshme, të panjohura për ne, e falin namazin dhe prej asaj që Unë ua kam dhënë, ata e ndajnë”, “Velledhine ju’minune bi ma unzile ilejke ve ma unzile min kablike ve bil ahireti hum jukinun” / “Ata besojnë në atë që ty ta kemi shpallur dhe atë që e kemi shpallur para teje dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin)”. Shpeshherë te ne gajbi konsiderohet se është çëshjte e fshehur, e panjohura nga aspekti shqisorë, mendohet se është çështja më e rëndësishme e besimit ama në këtë kategorizim Allahu xh.sh. më të rëndësishme e bën Ahiretin se gajbin, për shkak se njeriu e ka shumë vështirë logjikisht ta kuptojë ringjalljen. Janë dhënë argumente të ndryshme për ringjalljen, mirëpo në ringjalljen dhe në Zotin vetëm mund të besohet, kjo është rregull, për atë thotë “ve bil ahireti hum jukinun”/ “ata janë të bindur në Ahiretin” dhe mushrikët (pabesimtarët) dhe besimet e kota gjatë historisë (besimet batil) në të shumtën e rasteve e kanë sulmuar besimin në botën tjetër. Fé pa besim në botën tjetër nuk mund të ekzistojë. Një ndër karakteristikat e të gjitha feve është edhe besimi në botën tjetër, po a ka fé që s’kanë besim në botën tjetër? Po, ka. Për shembull, fetë të cilat janë të themeluara nga njerëzit si budizmi, hinduizmi, shintoizmi, konfuçionizmi, janë fé që nuk kanë besim në botën tjetër, ama kanë një besim tjetër që e zëvendëson besimin në botën tjetër edhe ai është reinkarnacioni. Reinkarnacioni ose metempsikoza do të thotë transferim i shpirtit prej një trupi në trupin tjetër. Sipas besimit të tyre njeriu në këtë botë nëse është i mirë, trupi i tij do të shkatërrohet ndërsa shpirti do të kthehet përsëri në këtë botë, por do të kalojë në një prej shtresave shoqërore më të larta (të themi nëse ka qenë rob, do të bëhet zejtarë; nëse ka qenë zejtarë, do të bëhet ushtarak; nëse ka qenë ushtarak, do të bëhet prift; nëse ka qenë prift do të bëhet engjull; nëse ka qenë engjull do të bëhet zot; ose nëse ka qenë njeri i keq atëherë, nëse ka qenë rob do të bëhet mace; nëse ka qenë mace do të bëhet bretkocë; nëse ka qenë bretkocë, do të bëhet krimb e kështu me rradhë). Qëllimin e kam që njeriu nuk mund të ekzistojë realisht pa besim në botën tjetër. Edhe te ato që nuk ka besim në botën tjetër, kryesisht është imagjinuar diçka në bazë të cilës jeto nuk do të mbaroj me këto 50-60 vjet që do të jetojmë, po nevojitet edhe një dimension tjetër në të cilën ne do ta marrim shpërblimin ose dënimin e kësaj që ka ndodhur këtu. Ahiretin të kuptimshëm nga aspekti i besimit e bën kjo çështje. As Ibni Vail ishte një prej personave që e mohonte ditën e Gjykimit dhe përcillet që Allahu xh.sh. e ka zbritur suren Maun në lidhje me të. Një rivajet tjetër është që ka zbritur për shkak të Velid Ibni Mugires, është një prej kundërshtarëve kryesorë të Pejgamberit a.s., është prej personave i cili është vrarë në Luftën e Bedrit, edhe Maverdi një prej autorëve që unë shumë e dua (posaçërisht ju që lexoni nga pak arabisht është mirë ta lexoni veprën “Edebu’d-Dunya ve’d-Din” të Maverdi, është një autor fenomenal), është prej personave të parë në historinë e jurisprudencës i cili ka shkruar vepër në lidhje me historinë e relacioneve ndërshtetërore dhe ndërkombëtare, “Ahkam sulltanijje. Maverdi thotë që kjo sure ka zbritur në lidhje me Ebu Xhehlin. Një ditë Ebu Xhehli ia ka marrë teshat një jetimi, babai i atij i paska patur borxh Ebu Xhehlit dhe e le jetimin pa tesha. Mushrikët kur e kanë parë rrugës kanë filluar të qeshen me të dhe i kanë thënë me tallje “Shko të të bëjë shefaat (të të ndërmjetësoj) Muhammedi” me qëllim që do të shkojë te Muhammedi edhe do të tallet me të. Edhe fëmiu si fëmijë ka shkuar te Pejgamberi a.s., Pejgamberi a.s. e ka veshur edhe i ka thënë “Eja se shkojmë ne bashkë te Ebu Xhehli” (kjo është periudha e parë e Mekes kur ende muslimantë kanë qenë shumë të dobët). Shkojnë të dy bashkë te Ebu Xhehli, trokasin në derë, del Ebu Xhehli dhe Pejgamberi a.s. thotë: “Kemi ardhur ta marrim hakun e këtij jetimi”. Ai ka hyrë brenda, i ka marrë teshat) dhe ia ka dhënë. Krejt janë habitur me atë se si ka mundësi Ebu Xhehli të vepojë ashtu, atëherë ai u ka treguar shokëve të vet (mekasve) “Në moment kur e pash Muhammedin dhe tha që tia jap hakun djalit të vogël kishte dy luanë që i qëndronin mbi supe Muhammedit dhe vetëm ishin duke pritur që unë t’i them jo dhe t’më vërsulen, për atë pa thënë asnjë fjalë ia dhash, të ma kërkonte edhe shtëpinë do t’ia jepja” . Ky rast është një rast se sa Pejgamberi a.s. i ka kushtuar rëndësi hakut të jetimit. Jetimi (bonjaku) në Islam është personifikimi i të shtypurit, personi i cili nuk ka mbështetje shoqërore. Pejgamberi a.s. çohet madje e prezanton edhe një muxhize (muxhizet krejt pejgamberët i kanë paraqitur atëherë kur kanë patur ndonjë rast shumë të rëndësishëm) për ta treguar rëndësinë dhe vendin që e ka jetimi, por jo vetëm për atë se nuk ka prindër, po jetimin për shkak se e paraqet një kategori shoqërore e cila është e shtypur. Çështja që Islami më së tepërmi e sulmon është që njerëzit për shkak të kafshërisë së tyre t’i shtypin të tjerët, se të kesh fuqi fizike është kafshëri (kafshët në të shumtën e rasteve lavdërohen me fuqinë e muskujve të tyre). Për këtë çështje edhe Allahu xh.sh. i ka zbritur këto ajete të sures Maun. Mirë, çka thotë në suren Maun Allahu xh.sh. ? Fillon “Ere’ejtelledhi jukedhdhibu biddin”- re’a në gjuhën arabe do të thotë të vëzhgosh, analizosh, sodisësh diçka (varet në cilën lëmi e bën çështjen), ka për qëllim që të qëndrosh para diçkaje dhe të thellohesh në mendime për të. Re’a /ja nuk e ka vetëm kuptimin e pamjes dhe shikimit shqisorë, po e ka kuptimin edhe bartjes të këtij shikimi drejt mendjes. E dini se edhe ru’jetun e ka kuptimin e të pamurit, që është i thellë, nuk është vetëm pamje shqisore; për shembull kur përmendet se do të shihet Allahu xh.sh. në Ahiret, atëherë principi është ru’jetullahi fil ahireh – të pamurit e thellë të Allahut xh.sh. në Ahiret, ndërsa kur thuhet që nuk mund të shihet atëherë përdoret ebsar “La tudrikuhul ebsar ve huve judrikul ebsar/Atë nuk e përkapin sytë ndërsa ai i përkapë të gjith ata”. Për atë në kategorizimin e Kur’anit, secila fjalë e ka kuptimin e vet. Për shembull për njërën e përdor “Atë nuk mund t’a perceptojnë sytë”, ndërsa kur e ka kuptimin e ru’jetullahit – të pamjes së Allahut xh.sh. edhe kur e kërkon Musai a.s. që ta sheh dhe i thotë “Erinii en endhur ilejk/Tregoma veten të të shoh”. Pse nuk thotë për shembull “Erinii en erake”? Jo, por i thotë “Ma paraqit veten ashtu si duhet metafiziksht që unë të të shoh” edhe Allahu xh.sh. i thotë “Ti Mua metafizikisht ke mundësi të më shohësh, a me këto sytë e dynjasë nuk ke mundësi të më shohësh. Ky është një problem tjetër që nuk dua t’i hyj ama “Ere’ejtelledhi” Pejgamberit a.s. edhe neve kur e lexojmë këtë ajet, na thotë “Ju këto që i shihni, a i mendoni ndonjëherë?”, jo vetëm çështjet të cilat kanë të bëjnë me astronominë, shkencën. Këtu nuk ka të bëj me shkencën, kjo sure nuk flet për shekncën, kjo sure flet për relacionet ndërnjerëzore, për relacionet shoqërore flet, flet për hakun e jetimit, për namazin i cili falet me qibër/për sy e faqe edhe flet për dhënien në rrugë të Allahut. Cila prej këtyre është shkencë? Asnjëra. Ne çka kemi bërë? Kryesisht kur kemi folur për Zotin, krejt hoxhallarët u bënë si Isak Njutni; krejt shkencat natyrore i futëm në qyrsi, edhe pse ajo është element shumë pak i potencuar në Kur’an. Në këtë sure flitet për një dukuri shoqërore dhe Allahu xh.sh. i thotë Pejgamberit a.s. por na thotë edhe neve besimtarëve “Ere’ejtelledhi” / “Ti a ke menduar dhe atë që e ke parë në shoqëri a e ke marrë ta analizosh”. Pak më parë isha duke lexuar një hadith të Pejgamberit s.a.v.s. në të cilën ai flet për disa anomali shoqërore dhe thotë “O Zot, unë strehohem te ti nga përtacia, kopracia, dija e cila nuk më sjell dobi, nga haku i tjetër kujt” dhe shikoni Pejgamberi madje këto anomali shoqërore të cilat ne me të madhe i kemi në shoqërinë tonë, përveç përpjekjes për t’i eliminuar nga aspekti shoqërorë, e përmend edhe lutjen, përkushtimin ndaj Allahut xh.sh. edhe pse është pejgamber. Asnjëherë nuk largohen anomalitë të cilat i ka njeriu pa lutje te Allahu xh.sh., ne e kemi ngritur lutjen. Tregoni cili prej nesh kur kthehet në shtëpi, ulet dhe i lutet Allahut xh.sh. “O Zot, ma bën hidajet (ma rregullo) djalin tim”; 100 herë i flasim atij ama asnjëherë nuk na kujtohet që kur të vetmohemi me Zotin të themi “Ja Rabbi ndihmoje djalin tim”. Si ka ndodhur në histori? Jusufi a.s. kur i është afruar Zulejha, me ndihmën e Allahut xh.sh. ka arritur që t’a tejkalojë momentin e takimit me Zulejhën, për shkak se ka thënë “Unë kam frikë prej Allahut xh.sh.” dhe është strehuar te Allahu xh.sh.. Për atë kur thotë “Ere’ejte”, ka shumë ajete të cilat fillojnë në këtë mënyrë edhe me rea / të pamurit, mirëpo që në brendinë e vete e ka një të pamur që bartet prej shqisave në zemrën dhe në shpirtin e njeriut. Pejgamberit a.s. në këtë ajet, Allahu xh.sh. i thotë “A e pe, a e analizove, a e vlerësove personin i cili (jukedhdhibu biddin) gënjen, mashtron për dinin”. Komentet e Kur’anit këtë e kanë përkthyer kështu “A nuk e sheh personin i cili e ka mohuar ditën e Gjykimit” mirëpo Allahu xh.sh. thotë “A nuk e vlerëson pak personin i cili gënjen, mashtron për dinin”. Tash për shkak të kësaj që e thamë deri tash se për cilin shkak ka zbritur ajeti, mufessirët kanë konstatuar se bëhet fjalë për ditën e Gjykimit (mendimi kryesorë është se ka zbritur për As Ibn Vailin, ka qenë mohues i ditës së Gjykimit), por ka edhe mufessirë që thonë se këtu nuk ka të bëjë me personat që e mohojnë ditën e gjykimit, por ka të bëjë me personat të cilët gënjejnë për fenë, se kjo sure flet për muslimanët, jo për jomuslimantë; ky ajet flet për ato të cilët dalin para njerëzve edhe gënjejnë për fenë. E dini çka do të thotë të gënjesh për fenë? Do të thotë të tjerëve t’u thuash bëjeni e vet mos e bësh. Për atë ajeti, në mënyrë kategorike për personat të cilët sa hyjnë në xhami, pas 5 orëve janë muslimanët më të mirë në botë edhe me krejt familjen grinden pse janë bërë muslimanë, por edhe vet ata deri para 5 orëve nuk janë falur. Do të thotë që elementi kryesorë te feja është që mos të gënjejmë në emër të fesë. Çka do të thotë mos gënjejmë në emër të fesë? Mos gënjejmë në emër të fesë do të thotë që pikë së pari t’u folim të tjerëve vetëm për ato çështje të cilat i bëjmë vet, ato çështje që nuk i bëjmë vet, pa marrë parasysh se jemi hoxhallarë; jemi hoxhallarë ama nëse ne nuk japim zekat, atëherë nuk duhet t’iu themi të tjerëve të japin zekat (nuk duhet ta përdorim këtë), nëse ne nuk japim sadaka,n uk duhet të tjerëve t’iu themi të japin sadaka, nëse ne nuk agjërojmë, nuk mund t’iu themi të tjerëve të agjërojnë. Kjo mënyrë e bisedës, pa e bërë vet t’iu thuash të tjerëve, është mënyra e veprimit të rabinëve jahudi edhe këto neve Allahu xh.sh. në Kur’an na i përmend, po i përmend edhe Tevrati. A thotë Allahu xh.sh. në Kur’an “E te’murune’n-nase bil-birri ve tenseune enfusekum / “A i udhëzoni ju jerëzit në të mirë dhe e harroni vetveten. A aspak nuk mendoni për këtë?”, “Ja ejjuhelledhine amenu lime tekulune ma la tefalun/ O ju që keni besuar, pse u folni njerëzve për gjërat që nuk i bëni vet”. Është siklet i madh (brengë) te Zoti që të folish për ato çështje që nuk i bën vet. Një prej bazave të tasavvufit është që mos të flasësh asgjë pa e bërë vet, por kjo është edhe baza e fesë. Gjithsesi njerëzit duhet të mësohen duke parë, e jo duke degjuar prej të tjerëve, kryesisht duke e përjetuar një çështje. Ka edhe një mendim, Zemahsheriu thotë që kjo sureja është Medeni (në Medine ka zbritur) edhe ka zbritur në lidhje me Abdullah Ibn Ubej Bin Selul, njëri prej dyfytyrëshve kryesorë. Për atë edhe është shumë e rëndësishme, të respketuar miq (me këtë edhe do ta kryej) që ne ndoshta nuk do të bëjmë shumë ibadet, ama gjëja më e rëndësishme është që atë ibadet që e bëjmë, ta mabjmë për vete, mos shesim çallam me ibadetin, nuk ka më turp se të shesish çallam me ibadetin edhe njerëzve tjerë t’u flasim vetëm për ato gjëra të cilat ne i bëjmë edhe atë me një gjuhë e cila nuk do t’i mashtrojë njerëzit. Ta dini që kohëve të fundit në këtë islamin e protestantizuar të shekullit të XX kemi brenga të mëdhaja. Kemi njerëz të cilët presin që dikush t’i lus që të japin në rrugë të Zotit edhe kemi njerëz të cilët kryesisht bisedën fetare e kanë rreth ndihmave për këtë ose për atë. Një pjesë e konsiderueshme e grupacioneve të ndryshme fetare, elementin kryesorë e ka si të mbledh para prej njerëzve, a njerëzit kryesisht janë të koncentruar që sa më shumë t’u lypet dhe pastaj të japin. Nuk është kjo karakteristikë e besimtarit. Karakteristikë e besimtarit, muslimanit të vërtetë është ta bëjë punën e vet pa i thënë. Ja edhe një rast po ua transmetoj, një hadith: Ka një prej fisnikëve të Medines, Sa’d Ibni Ebi Ubade; Sa’d Ibni Ubade është personi që më vonë ka dashur të bëhet halife para Ebu Bekrit. Sa’di ka qenë duke shkuar në haxh me Pejgamberin a.s.. Pejgamberit a.s. ka qenë me Ebu Bekrin, të dytë i kanë pasur teshat në një deve dhe u ka humb deveja e tyre. Atëherë Sa’di së bashku me djalin e vet e ka marrë deven e vet, e ka ngarkuar me ushqim edhe ia ka çuar Pejgamberit a.s.. Pejgamberit a.s. i është bërë qejfi shumë edhe i ka thënë “Zoti të bekoftë ty edhe familjen tënde ej Sa’d për shkak se ti je një fisnik i vërtetë, unë pa të kërkuar gjë ti erdhe e solle këtë deve”. Aty ka qenë edhe një prej poetëve të asaj kohe dhe e ka thurrur një poezi për Pejgamberin a.s.. Sa’di ishte i tillë edhe para ardhjes së Islamit, kur kanë patur nevojë ai i ka ndihmuar dhe Pejgamberi a.s. thotë që njerëzit që kanë qenë të mirë para ardhjes së Islamit, janë të mirë edhe pas ardhjes së Islamit dhe Sa’di si përgjigje e përdori një fjalë shumë të mirë (mbajeni në mend) “: Ja Resulullah, atë pasuri që ta kemi dhënë ty, për ne është më e vlefshme se ajo pasuri që e kemi mbajtur për vete”. Faleminderit.