“Zemra e besimtarit nuk qetësohet derisa ta
Lë pas shpine frikën prej xhehennemit”
Muadh bin Xhebel
Të dëshmohet dhe të hulumtohet Tesavvufi dhe mendimi i dikujt në këtë, ose në ndonjë kontekst tjetër, është pothuajse një punë e pashmangshme e atij përcaktimi i cili në paktën për vete dëshiron ta kuptojë traditën, me qëllim që të bëhet i njohur. Madje as edhe vërejtja në atë angazhim nga të kuptuarit deri te interpretimi nuk zë vend të parëdësishëm. Me hedhjen e vështrimit mbi tekstet rreth Tesavvufit vetëm rallë herë haset në vazhdimin e dëshmuar dhe deri në fund personal e të urtë të hapërimit. E shpeshtë është ecja hap pas hapi, ndërsa edhe më e shpeshtë ngecja pas traditës. Vula e bashkëkohësisë thjesht e zgjat edhe ashtu harkun e thyeshëm të vuajtjes hapësirore, dhe për aq sa harku bëhet më i gjërë, për aq lidhjet e të kuptuarit janë më të holla. Prandaj nuk habit mbylltësia e hapur e domethënies së fjalëve nga të cilat janë të krijuara pohimet. Përmes tyre kisha dëshiruar ta njoh mendimin. Sa më tepër mund që investoj, ajo që më është dukur e thjeshtë gjithnjë e më tepër më ndërlikohet. Përkundër kësaj, nuk kam të drejtë t’i hesht përvojat e mia. Këto studime dëshmojnë përpjekjen e një studiusi të Tesavvufit.
Ekziston një numër i konsiderueshëm pyetjesh të cilat që nga fillimi i ezistencës në këtë botë janë parashtruar dhe prezentuar në sferat e religjionit, filozofisë dhe disiplinave të ndryshme shkecore. Kështu për shembull njeriu shpeshherëështë përballur me sprovën e të menduarit, ç’është domethënia e jetës, nëse ajo ekziston në të vërtetë apo jo – harresa e qenies; qëllimi i botës, a ka relitet qenësor procesi historik; ndarja e qenësisë në materialen dhe shpirtëroren dhe relacionin midis tyre; përsosuria e njeriut; relacioni midis Krijuesit dhe Botës, Krijuesit dhe krijesave; çështjet e etikës së përgjithshme; problemi i së mirës dhe të keqes; arbitrimi spekulativ ose revelues në vendosjen e këtyre dy kategorive, etj., janë çështje të një hermeneutike filozofike e teologjike.
Islami si një lëvizje e gjërë teologjike, ideore, qytetëruese, kulturore dhe si mënyrë e jetës, ka pasur nevojë t’u përgjigjet një numri të konsiderueshëm të këtyre pyetjeve dhe të ndërtojë institucione dhe organizma të cilët në mënyrë pragmatike do t’i zbërthejnë nevojat e individit dhe të shoqërisë. Një pjesë e instiutcioneve të nevojshme për mënyrën e jetës dhe botëkuptimin islamik janë të themeluara në kohën e Pejgamberit a.s., pjesa tjetër në periudhën e katër halifeve të drejtë, ndërsa pjesa tjetër është sendërtuar në periudhat e mëvonshme. Klasifikimi dhe kodifikimi i disiplinave dhe shkencave islame, si tefsiri, kelami, historia islame, kiraeti, tesavvufi kanë filluar në fillim të shekullit II/VIII ndërsa diskutimi shkencor, filozofik dhe teologjik i tyre ka vazhduar në të gjitha periudhat e mëpasme, herë me intensitet më të madh e herë me ergji më të zbehtë. Edhe Tesavvufi si shkencë ose disiplinë e posaçme e proviniencës islame, është zhvilluar paralelisht me shkencat tjera dhe ka arritur deri në ditët e sotme.
Nëse parashtrohet pyetja se si ka mundësi që të jetësohet Islami ose feja në sistemin e ri botëror, atëherë njëra prej çështjeve që duhet diskutuar në përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje është edhe botëkuptim sufik, gjegjësisht mistik dhe vendi i praktikës dhe përvojës mistike në jetën e njeriut të sotshëm. Në realitet një problem i këtillë ka ekzistuar edhe në të kaluarën, mirëpo sot kur ndihet nevoja për rindërtimin dhe risistematizimin e jetës fetare dhe shoqërore të muslimanëve kjo çështje ngërthen rëndësi të posaçme për ata që mundojnë t’i nxjerrin parimet e vërteta të udhërrëfimit fetar në shoqërinë njerëzore. Në të kaluarën e afërme prezentimet e fesë janë bërë kryesisht nga aspekti juridik dhe ekzoterik, duke mos u ndalur aq sa duhet në anën e përvojës shpirtërore dhe përmasës ezoterike të shpalljes dhe teksteve tera fetare. Largimi prej ezoteres nuk ka qenë domosdoshmëri fetare por më tepër psikologjike dhe sociologjike.
Shpeshherë përleshet që janë bërë në relacionin sheriat-tarikat, dhahir (ekzoterikë) – batin (ezoterikë), sufi-ulema kanë qenë përleshje me prapavijë të mbizotrimit shoqëror ose subjektiv. Përderisa ulematë përfaqëuesit e Tesavvufit i kanë konsideruar si tepër subjektivë dhe të dhënë pas brendësisë së shpalljes, që në të shumtën e rasteve e ka vështirësuar arbitrimin në mesin e atyre që janë të vërtetë dhe atyre që keqpërdorin qëllimmirësinë e ithtarëve të vet, sufijtë për ulematë kanë pohuar se janë tepër skriptualë dhe ngecja në fjalëpërfjalshmërinë e tekstit, e sidomos nëse bëhet fjalë për tekstet hyjnore, ka bërë që të mos i zbulojnë karakteristikat reale të brendësisë së shpalljes. Aspak nuk ka dyshim se në të dyja anët ka vlerësime të cilat kanë qenë tepër subjektive, por ka edhe relaitete që nuk mund të mohohen.
Pikërisht për këtë Islami duhet të diskutohet si një tërësi shpirtërore-materiale e cila mund të sendërtohet vetëm nëpërmjet karaktersitikave thelbësore të këtyre dy elementeve përbërëse dhe disiplinave të cilat janë të prezentuara si vazhdimësi e tyre.
Kultura e një populli vlerësohet sipas vetëdijësimit të individëve ndaj ngjarjeve dhe vlerave të prezantuara gjatë historisë. Tesavvufi është disiplinë e cila është zhvilluar, ka ekzistuar dhe zë vend edhe sot ne të gjitha trojet ku jetojnë muslimanët, e si pjesë përbërëse e tyre edhe në Ballkan dhe tek shqiptarët.
Kjo vepër ka për qëllim që në bazë të specifikave shkencore të prezentojë edhe përvojat e mistikëve të Tesavvufit, zhvillimin historik dhe pasqyrimin e tij në viset ballkanike, me theks të posçëm për praninë e tij në mesin e shqiptarëve. Si një ndër veprat e pakta të këtij lloji në gjuhën shqipe dhe si studim i një nënqielli të posaçëm edhe në letërsinë e gjithëmbarshme të Tesavvufit, shpresojmë se do të hapë rrugët e studimit dhe analizës thelbësore të këtij fenomeni me të gjitha pasqyrimet e tij në shoqëri, i cili ka qenë i pranishëm në shoqërinë e muslimanëve, e si pjesë përbërëse e tij tek shqiptarët që nga ditët e para të pranimit të Islamit.