Sureja Mesed
Para dy javëve ne filluam me suren Mesed, një prej sureve të shkurtëra të Kur’anit a.sh.. Suret e shkurtëra kanë një karakteristikë. Pjesa dërmuese e tyre i ka zbritur Pejgamberit s.a.v.s. përderisa ai ka qenë në Mekë dhe kryesisht i diskutojnë çështjet që kanë të bëjnë me besimin dhe imanin, ndërsa suret e gjata të Kur’anit janë të zbritura në periudhën e Medines dhe pak më tepër kanë të bëjnë me përmasat shoqërore, relacionet ndërnjerëzore në shoqërinë e Medines, në shoqërinë e Pejgamberit s.a.v.s.. Në këtë sure Allahu xh.sh. neve na informon për një rast të posaçëm, domethënë për një arketip të një personi i cili është prej familjes së Pejgamberit s.a.v.s., bëhet fjalë për axhën e tij Ebu Lehebin. Ai që nga fillimi, kur Pejgamberi a.s. proklamoi haptaz thirrjen në fé duke dalur në kodrën Safa, u ngrit në mesin e familjarëve të tij dhe tha “T’u thafshin duart o djali i vëllaut tim o nipi im, a për këtë gjë të kotë na ke thirrur neve” (t’u thafshin duart në gjuhën arabe e ka kuptimin u shkatërrofsh, mos ngelsh mbi faqen e dheut) dhe Kur’ani a.sh. si përgjigje ndaj kësaj fjale të Ebu Lehebit e ka zbritur këtë sure. Çdo sure e Kur’anit ka një shkak të zbritjes pse ka ardhur dhe shkaku i zbritjes së kësaj sureje janë këto fjalë të Ebu Lehebit. Nëpërmjet të këtyre ajeteve të Kur’anit Allahu xh.sh. neve na lajmëron se Ebu Lehebi për shkak se e pengon të mirën, hakikatin edhe brenda kësaj bote do të ballafaqohet me dënimin dhe ndëshkimin e Allahut xh.sh.. Ta dini çdoherë, personat të cilët nuk besojnë ka mundësi të mos besojnë, ka mundësi të mos e përjetojnë dënimin e mosbesimit të tyre në këtë botë, ama personat të cilët përpiqen që ta pengojnë të vërtetën, ata ballafaqohen me dënimin e Allahut xh.sh. që në këtë botë. Ebu Lehebi ka vdekur pas luftës së Uhudit dhe kufoma e tij 3 ditë ka ngelur jashtë në nxehtësinë e shkretëtirës dhe më vonë nuk kanë patur mundësi që ti afrohen për ta varrosur, mezi prej së largu e kanë hapur një gropë dhe aty e kanë hudhur kufomën e Ebu Lehebit. Pra, kjo është edhe një mrekulli e Kur’anit që lajmëron për shkatërrimin që në këtë botë të Ebu Lehebit. Ebu Lehebi nuk ishte një person i rëndomtë, ishte një aristokrat i Mekes, ishte një person që kishte pasuri edhe në ajet thotë që “Atij nuk i solli aspak dobi as pasuria e tij, as atë që ai e fitonte” për shkak se kur Pejgamberi s.a.v.s. i thirri në fé atëherë ky doli dhe tha “Kjo që thotë nipi im nuk është e vërtetë; nëse vërtetohet kjo që thotë nipi im, atëherë unë me pasurinë time do t’u shpëtoj prej dënimit të tij”. Mirëpo Allahu xh.sh. i thotë “Ma agna anhu maaluhu vema keseb” – “Atij nuk i ndihmoi as pasuria e as ajo që e fitonte ai”. Këtu Allahu xh.sh. neve na e tërheq kujdesin për pasurinë e vërtetë. Pasuria e vërtetë e njeriut nuk është pasuria materiale, edhe pozita e vërtetë e njeriut nuk është pozita materiale. Pasuria e vërtetë e njeriut është platforma shpirtërore e njeriut ku ka mundësi të vendoset ajo pasuri, për këtë çështje Ebu Lehebit i thotë “Kot e ke sepse ty nuk do të të ndihmojë pasuria jote, si nuk do t’i ndihmojë edhe të gjithë njerëzve kur të bëhet kijameti i madh”; kur flet për kijametin e madh/shkatërrimin e botës Allahu xh.sh. në suren Zilzal thotë “Atë ditë kur do të dridhet toka me dridhjen e fortë dhe toka do t’i nxjerr në mejdan/sipërfaqe të gjitha pasuritë për të cilat kanë luftuar njerëzit, margaritarët, diamantin, arin, argjendin. Njerëzit do të thonë ma leha/çfarë dobie kemi ne prej këtyre tash?” Por, e njëjta pasuri nëse brenda kësaj bote i ka shërbyer të mirës dhe të vërtetës, atëherë ajo pasuri është së bashku me personin i cili e ka harxhuar në rrugë të drejtë dhe në rrugë të së mirës. Për atë pasuria e Ebu Lehebit e cila është harxhuar ose do të harxhohej për ta penguar të vërtetën, nuk ka mundësi t’i ndihmojë atij që e harxhon; ky është një sugjerim, një konstatim, një identifikim i Allahut xh.sh.. E kundërta e kësaj është pasuria e cila harxhohet për t’i ndihmuar të vërtetës, ajo pasuri është e përhershme, ajo ka mundësi që personit t’i sjell dobi. Kur them pasuri (shumica prej jush e dini, por ka edhe të rinj) botëkuptimi i fakirit për pasurinë nuk janë vetëm paratë e një të pasuri. Botëkuptimi i fakirit për pasurinë është sakrifica e personit me atë që e ka, domethënë, bujarë nuk duhet të jenë vetëm pasanikët. Cilësia e bujarisë është cilësi e të gjithë njerëzve. Dikush ka mundësi të ndajë dy orë prej kohës së vet që të bisedojë me mua që kam probleme të jetës, ai tjetri ka mundësi me fuqinë e tij t’më ndihmojë kur do ta pastroj oborrin, ai tjetri ka mundësi 15 minuta ta merr një fëmijë dhe t’ia sqarojë gjuhën angleze se nesër ka provim…të gjitha këta janë elemente të bujarisë. Edhe ata hoxhallarë (kolegë tanë) të cilët bujarinë dhe ndarjen në rrugë të Allahut xh.sh. e ngushtojnë brenda ndarjes së pasurisë, bëjnë gabim të hatashëm. Prandaj platforma shpirtërore në të cilën do të qëndrojë pasuria është e dobishme për ne. Çdo vdekje nga aspekti material i botës është një kijamet; në ajet thuhet që kur do të bëhet kijameti do të dalin pasuritë në mejdan/sipërfaqe por, për ne, për shembull, në momentin ne kur do të vdesim, nëse duhet le ti tubojnë tërë pasuritë e botës dhe të na i sjellin neve para nuk kanë vlerë më për ne, aspak nuk kanë vlerë; në këtë moment ka vlerë vetëm ajo platforma e ndihmës së hakikatit “Ai gjithsesi do të hidhet në një zjarr që ka flakën e tërbuar”. Ebu Lehebi përveç këtyre fjalëve që i bënte, në të jëjtën kohë së bashku me zonjën e tij Umu Xhemilin hudhte mbeturina dhe degë të drunjve të thata në rrugën ku kalonte Pejgamberi s.a.v.s., me qëllim që ta pengojë dhe ta torturojë Pejgamberin s.a.v.s.. Allahu xh.sh. u thotë që këta degë të thata të cilat janë hudhur përpara Pejgamberit a.s., do të bëhen lëndë djegëse e zjarrit i cili do ta djeg Ebu Lehebin. Këtu zjarri është një metaforë. Kur’ani në disa vende për xhehhennemin përdor disa sinonime, ku në mesin e tyre është edhe nari (zjarri). Zjarri në realitet është metaforë e shqetësimit dhe ky zjarr ka mundësi ta djeg njeriun që në këtë botë, nëse nuk është koncepti i Ibrahimit a.s. në brendinë e njeriut . Nuk është e rastit që Ibrahimi është hudhur në zjarr, se Ibrahimi konsiderohet si baba i përmasës shoqërore të fesë, se prej te Ibrahimi a.s. feja e fillon përmasën shoqërore, dimensionin shoqërorë dhe Ibrahimin nuk e djeg zjarri. Secili prej nesh ka një Ibrahim brenda dhe është i rrethuar me zjarr dhe në atë moment kur brendia jonë do të shëndërrohet në Ibrahim, atëherë asnjë zjarr nuk ka mundësi që ta djeg Ibrahimin. Po ky zjarr çka mund të bëhet? Zjarri i njëjt që duhej ta djegë Ibrahimin, i doli përpara edhe Musait në shkretëtirë. Edhe Musai a.s. pasi që u martua me vajzën e Shuajbit dhe ktheheshte përsëri në Egjipt për ta shpëtuar popullin e vet e humbi rrugën në shkretëtirë dhe kur e humbi rrugën larg diku pa një zjarr, në suren Taha Allahu xh.sh. thotë: “I tha familjes së vet, zonjës së vet: ti prit këtu se unë do të shkoj të shoh se mos vallë e gjej rrugën prej këtij zjarrit”. Ky zjarr i cili përmendet për Ebu Lehebin këtu, nar, të njëjtën fjalë Allahu xh.sh. e përdor edhe për zjarrin që e pa Musai a.s. në shkretëtirë edhe për zjarrin i cili nuk e dogji Ibrahimin a.s.. Kur erdhi pranë zjarrit, kur u afrua te zjarri atëherë Allahu xh.sh. prej atij zjarri të drurit tha : “Unë jam Zoti yt, zbathi këpucët se ti je në një arenë të shenjtë . Pra, shikoni zjarri për Ebu Lehebin është siklet, ama për Musain a.s. është udhërrëfim. Për atë në disa raste, ne shpeshherë, nuk e duam sëmundjen, sikletin, brengën, ama në disa raste stresi, depresioni, brenga njerëzve u bëhet sebep (shkak) për të shkuar në hidajet, për ta gjetur rrugën e vërtetë. Shpeshherë njerëzit kur sëmuren fillojnë ta përkujtojnë Allahun xh.sh., përderisa janë të fortë, nuk kanë asnjë sëmundje, nuk e shohin se janë duke shkuar kah ahireti, shumë pak e përkujtojnë Allahun xh.sh.. Për atë disa herë sikletet ka mundësi që të jenë shkak, platformë, që njerëzve t’ua tregojnë rrugën e drejtë. Për Ebu Lehebin, Allahu xh.sh. thotë që ai do të digjet edhe në këtë botë, po do të digjet edhe në botën tjetër. Paramendoni Ebu Lehebi prej një aristokrati i cili ka qenë në udhëheqësinë e Mekes, (për shkak se zonja e tij Ummu Xhemili është motra e Ebu Sufjanit, kryetarit të Mekes) për 10 vjet të themi është kthyer në një person i cili ka qenë më i nënçmuar si familje në Meke. Pse? Për shkak se është kundërshtuar me të vërtetën. E njëjta gjë vlen edhe për ne. Ky është kundërshtu me të vërtetën e besimit, të vërtetën absolute, por në të shumtën e rasteve njerëzit vetëm për ta kënaqur egon e tyre, kundërshtohen me të vërtetat të cilat janë pak më parciale të jetës sonë dhe kjo është një cilësi, karakteristikë shumë e ligë e njeriut i cili nuk është në gjendje edhe nëse e sheh se e vërteta është në anën e kundërt, mos ta pranojë këtë dhe kjo nuk është cilësi e besimtarit; personi i cili thotë që është besimtar në vendin ku e sheh të vërtetën, asaj i bashkangjitet. Imam Shafiu është një prej imamëve të mëdhenj, themelues i medh’hebit shafii e thotë një fjalë: “Nëse e gjeni një argument në Kur’an ose në hadithet e Pejgamberit a.s. i cili kundërshtohet me mendimet e mia, atëherë ta dini që medh’hebi im, rruga ime është në atë hadith dhe ajet të Kur’anit, ai është medh’hebi im ndiqeni atë” dhe nuk është një person i thjeshtë/rëndomtë, por është një person që konsiderohet prej dijetarëve më me influencë dhe më të fortë pas gjeneratës së as’habëve dhe tabiinëve. Qëllimin e kam që për të qenë besimtarë i vërtetë, për të qenë njeri (ja ta lëmë besimtarin) të vërtetën nëse e shohim diku duhet mos ta pengojmë për shkak se na bëhet zjarr, na djeg si Ebu Lehebin; t’ia hapim dyert që ajo neve të na e tregojë rrugën dhe ajo që është më e rëndësishmeja ti bashkangjitemi, për shkak se jeta ka vlerë vetëm nëse jetohet së bashku me të vërtetën. “Bashkëshortja e Ebu Lehebit do të mbajë dru” pak më parë e përmenda se ata së bashku me Ebu Lehebin për t’ia zënë rrugën Pejgamberit s.a.v.s. kur ai shkonte në shtëpinë e Erkam Ibn Erkamit (iu fola në ligjëratën e kaluar se muslimanët në fillim tuboheshin në shtëpinë e tij dhe aty Pejgamberi a.s. ua sqaronte fenë në fillim) i hudhnin drunj. Shikoni, ajeti të cilin tash e përmendëm e potencon edhe zonjën e Ebu Lehebit. Më parë kur e përmendi Ebu Lehebin edhe familjen e tij, aty nënkuptohet që bën pjesë edhe zonja e tij, mirë ama e potencon edhe njëherë zonjën/gruan/bashkëshorten e Ebu Lehebit dhe ka një hikmet (urti) pse e përmend edhe njëherë atë, për shkak se të gjitha ndryshimet dhe zhvillimet shoqërore filllojnë nga nënat. E dini pse muslimaënt janë shumë të dobët momentalisht në botë? Për shak se fizikisht 50% e tyre nga aspekti i prezantimit të fesë është jashtë loje, për shkak se femrat muslimane janë jashtë loje fizikisht 50% ndërsa esncialisht 70% , për shkak se ata kanë 20% më tepër hise në përgaditjen e gjenaratave të ardhshme. Më kujtohet një tregim i një autori/shkrimtari të Turqisë kur flet për shehidët/dëshmorët të cilët kanë rënë në luftë. Kryesisht në traditën e vjetër ushtarët kur i kanë dërguar në luftë ua kanë lyer flokët me kánë edhe një nënë e ka dërguar djalin e vet, ia ka lyer flokët me kánë edhe kur ka shkuar para komandantit (flitet për periudhën osmane) i ka thënë pse je lyer kështu me kánë, ka filluar të qeshet. Ushtari i ka thënë: “Te ne kur e bëjnë gati kurbanin për ta prerë e lyejnë me kánë, do të thotë, që unë kam ardhur të vdes për këtë të vërtetë (pa marrë parasysh cilën të vërtetë e ka mbrojtur)”. Është kthyer prej lufte. Kur është kthyer prej lufte te dera e ka pritur nëna e vet. Ai komandanti i asaj aradhe ka ardhur me ushtarin ta sjell atë deri në shtëpi. Me të hapur derën, pa e parë 10 vjet ende pa e përqafuar e pyet “Mos i ke lënë shokët vet?”. Autori konstaton në fund që ata njerëz nuk janë të fortë pse janë vet të fortë, por janë të fortë për shkak se i kanë të forta nënat që i kan lindur ato. Për atë, nëna posaçërisht femra muslimane është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e të vërtetës në mesin e muslimanëve. Hegjemonia e mashkullit, posaçërisht në shekujt e fundit disa herë edhe me imponime nga jashtë, ka ndikuar që ne ende sot e kësaj dite femrën ta nxjerrim jashtë loje që është një prej gabimeve të mëdhaja. Këtu jepet një shembull shumë adekuat për femrën e cila ka luajtur rol negativ në këtë dimension, Ummu Xhemili ka luajtur rol negativ në përhapjen e fesë islame, posaçërisht Allahu xh.sh. e përmend emrin e saj në ajetin kuranor : “Ajo në qafë do të ketë një qafore prej zjarri” për shkak se edhe në jetën reale ajo ka patur një qafore e cila ka qenë shumë e çmueshme dhe ka thënë “Edhe unë do t’i ndihmoj burrit tim, do ta shes këtë qafore vetëm që mos të lejojmë këto “budallaki” që i flet Muhammedi, të fillojnë ta zënë vendin e vet në shoqërinë tonë”; Allahu xh.sh. thotë që ajo do të ketë një qafore prej zjarri në ahiret për shkak të këtyre fjalëve.
Tash gjithsesi se Kur’ani është shembull për ne dhe çdo personazh i cili përmendet në Kur’an neve nuk na bartet vetëm nga aspekti historik. Të gjithë ata që mendojnë se duhet të flasin për Kur’anin dhe për islamin nga aspekti historik, ata ia bëjnë dëmin më të madh fesë. Përderisa nuk kemi mundësi ta bartim dhe ta aktualizojmë, ta zbërthejmë Ummu Xhemilin në shoqërinë tonë, ta zbërthejmë Ebu Lehebin në shoqërinë tonë, ta zbërthejmë Pejgamberin s.a.v.s. në shoqërinë tonë, atëherë ta dini që ne nuk ia kemi arritur qëllimit në prezantimin e vërtetë të fesë. Feja, Kur’ani/shpallja, jeta e Pejgamberit s.a.v.s., sunneti/ tradita konstituive e Pejgamberit a.s. janë universale edhe nga aspekti i hapësirës edhe nga aspekti i kohës, ata janë prezente në të gjitha kohërat dhe të gjitha këto personazhe të cilat përmenden edhe në suren Mesed neve na japin nga një shembull se si duhet të sillemi. Për shembull qaforja kryesisht simbolizon diçka, simbolizon prangat të cilat nuk e lejojnë njeriun të veprojë si duhet. Me çka udhëhiqeshte Ebu Lehebi dhe Ummu Xhemili? Ata nuk kishin dertin/brengën e fesë, as shoqëria e Mekes për shkak se ata kishin 360 zotra. Atyre sikur Pejgamberi a.s. t’iu kishte thënë “Vazhdojeni ju jetën kështu sikur jeni duke e jetuar; vazhdojnei shoqërinë skllavopronare, Bilalli përsëri do të bëhet rob; familjet pasanike do t’a mbajnë tregtinë në duart e veta, do t’i varrosim të gjalla vajzat të cilat do të na lindin, pasanikët do të kenë mundësi t’i përdorin robërit si të duan vetë” jam i bindur që Mekasit nuk do të kundërshtoheshin me atë, por Pejgamberi s.a.v.s. depërtonte në dimensionin e jetës së tyre dhe i hiqte prej shpirtit ato prangat e nefsit/epshit/egos së njeriut. Qaforja në qafën e Ummu Xhemilit i paraqet të gjitha dëshirat tona të përkohshme. Të gjitha dëshirat tona të përkohshme neve na largojnë prej dëshirave të përjetshme. Nëse ata neve na e vëndojnë kërpeshin (ta them kështu) dhe na tërheqin kah duan ata neve, atëherë s’ka dyshim që dëshirat e përjetshme pengohen. Për ta arritur përjetshmërinë, nevojitet pengimi i disa dëshirave të cilat janë të përkohshme dhe nëpërmjet të kësaj ne arrijmë që ta përfitojmë edhe dimensionin njerëzor, se njeriu është njeri për shkak se ka mundësi të rezonojë, ka mundësi me arsye të vendos për çështje të caktuara dhe atëherë kur vendos me arsye, atëherë paraqitet dimensioni i tij njerëzorë. Përderisa lejon që emocionet, ndjenjat, intuita e tij, instiktet e tij t’ia tregojnë rrugën, atëherë nuk ka mundësi ta përjetojë të njerëzishmen. Vetëm feja ka mundësi që njeriut t’ia vë nën kontrol emocionet, ndjenjat, epshet, intuitën. Përveç fesë, përveç lidhjes direkte të njeriut me Zotin asgjë tjetër nuk ka mundësi; shumë mund të jetë i arsyeshëm njeriu, por përsëri nuk ka mundësi që t’i kufizojë ose t’i orientojë drejt të mirës emocionet dhe ndjenjat e tij. Vetëm feja, vetëm linku me Allahun xh.sh., vetëm mbështetja në Allahun xh.sh. ka mundësi që njeriut t’ia orientojë drejt të mirës se ata nuk janë të liga, por përderisa lihen bosh ka mundësi të ligësohën. Për shembull (shembuj të tillë ka shumë) ndoshta shumë kafshë të egra do të kishin mundësi të jenë të dobishme për njeriun, më të dobishme se lopa, por lopa për shkak se është e butë, ka hyrë brenda kornizave të caktuara, udhëhiqet sipas rregullave të caktuara, ne arrijmë që atë ta shfrytëzojmë si duhet. Ndoshta në mal, në mesin e therrave keni mundësi të hasni një pemë që është shumë më e këndshme se sa ato që i mbjellim ne në oborr, mirë ama bukurinë e kopshtit dhe shfrytëzimin prej fruteve të pemëve, ne kryesisht e bëjmë prej atyre vendeve ku ata janë të kultivuara. Edhe njeriu atëherë kur do të kultivohet, posaçërisht në suaza të fesë, atëherë ka mundësi që ta përjetojë të njerëzishmen si duhet, atëherë ka mundësi që të jetë i dobishëm për shoqërinë në të cilën jeton, përndryshe nuk do të ketë asnjëfarë dallimi prej gjallesave tjera; këtë e thotë edhe Kur’ani : “Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehennem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët. ( A’raf/79).
Pra, sureja Mesed, neve na jep një shembull të një familjeje se si shkatërrohet duke luftuar kundër të vërtetës, se si shaktërrohet duke luftuar kundër Zotit. Familje të tilla sikur të Ebu Lehebit ne kemi shumë. Persona të tillë të cilët kanë patur autoritet në periudha të caktuara kohore, por për shkak të luftës që e kanë bërë me Zotin, janë shëndërruar në mizeri gjatë jetës së tyre. Shembuj të tillë kemi shumë në shoqërinë tonë, prandaj ne si besimtarë duhet të jemi të mençur dhe të mësohemi prej shembujve të të tjerëve, posaçërisht prej shembujve të cilat i përmend Kur’ani, për shkak se ne jemi të bindur në fjalën e Kur’anit dhe shembulli i cili prezantohet në Kur’an për ne është një e vërtetë absolute se si duhet të veprojmë në raste të caktuara ose se si nuk duhet të veprojmë në raste të caktuara.
Edhe një element do ta përmend edhe do ta kryej. Kryesisht njerëzit kanë frikë prej gjërave që nuk i dinë edhe nga aspekti pozitiv edhe nga aspekti negativ. Nëse kemi dëshirë ta humbim frikën, atëherë duhet t’i analizojmë gjërat. Gabimin të cilin e ka bërë Ebu Lehebi dhe familja e tij është edhe gabim për shkak se është sjellë në kundërshtim ndaj një çështjeje të cilën nuk e ka ditur. Ebu Lehebi nuk e ka ditur se për çka bën fjalë Pejgamberi a.s., se sikur ta dinte nuk do të silleshte ashtu. Doli në kodër Pejgamberi a.s. dhe iu tha “Nëse iu them që vjen një aradhë me kalorës t’iu sulmojë juve a më besoni?” ata i thanë “Po të besojmë sepse ti nuk na ke gënjyer asnjëherë”; “Ja po iu them që Zoti është një dhe Pejgamberi i Tij jam unë” automatikisht e kundërshton Ebu Lehebi “Jo, nuk mund të jetë ashtu”. domethënë e kundërshton me injorancë dhe një prej mosbesimeve/qufreve më të rrezikshme është qufri inadi/mosbesimi prej inatit. As e mira, as e keqja nuk ka mundësi të bëhet për inat. Edhe në rastin e Ebu Lehebit ka një kundërshtim të një çështjeje të cilën nuk e di, të cilën nuk e ka të njohur si duhet. Për atë, gjërat të cilat nuk i dimë, nuk ka nevojë të na frikësojnë neve; nëse mendojmë se duhet, duhet t’i analizojmë mirë dhe pastaj të vendosim pro ose kundër asaj. Një prej gabimeve që bëri Ebu Lehebi ishte ajo se u soll në mënyrë kundërshtuese ndaj një elementi që në këtë rast ishte i vërtetë, për të cilën nuk kishte aspak njohuri. Faleminderit.