Tregohet se një herë Rabia el-Adevijje, një zonjë e përkushtuar plotësisht në Krijuesin, agjëroi shtatë ditë e shtatë net, pa fjetur fare, por duke u falur për çdo natë. Ajo gati sa nuk po vdiste nga uria, kur dikush erdhi duke sjellë shumë ushqime. Ajo shkoi të kërkonte një llambë, por duke ardhur pa se macja e kishte përmbysur tasin. “Unë po shkoj të kërkoj një shtambë uji për të prishur agjërimin”, tha ajo. Gjatë kohës që ajo po kërkonte shtambën, llamba u fik. Ajo u përpoq të pinte ujë në errësirë, por shtamba i ra nga duart dhe u thye. Ajo filloi të rënkonte dhe të psherëtinte: O Zoti im! Çfarë më bën Ti mua, që jam një e mjerë?” Në ajo atë çast dëgjoi një zë që i tha: “Në të vërtetë, nëse dëshiron, Unë do të jap pasurinë e gjithë botës, por do të ta heq nga zemra jote dashurinë që ke për Mua, sepse dashuria qiellore dhe pasuria tokësore nuk mund të bashkëjetojnë në një zemër. O Rabia, ti ke një dëshirë dhe Unë kam një dëshirë. Unë dhe dëshira jote nuk mund të qëndrojnë së bashku në një zemër të vetme.” Rabia tha: “Kur e dëgjova këtë gjë, unë e shkëputa zemrën time nga çdo shpresë e kësaj toke. Gjatë tridhjetë viteve unë u fala sikur çdo falje që kryeja të ishte falja ime e fundit. U largova aq shumë nga njerëzit, saqë nga frika se dikush mund ta shkëpusë shpirtin tim nga Zoti, unë thirrja në agim: “O Zot! Mundësomë që kohën time ta kushtoj Ty, në mënyrë që ata të mos më bëjnë që kohën time t’ua kushtoj atyre.”
Nëse analizohen hollësisht ajetet në lidhje me agjërimin, do të shihet se përmasa e tretë e besimit në Zotin është veprim sipas kërkesave të besimit. Që besimi në Allahun të rrënjoset në zemra dhe të zgjatet në të gjitha fushat e jetës duhet të jetësohet si që e meriton. Ngase, besimi në Allahun nuk është i përbërë vetëm prej pranimit për Një të individualitetit, emrave, cilësive dhe veprave të Allahut, besim nga zemra në Të dhe deklarimit me gojë të këtij besimi. Ky është vetëm besim në hyjninë e Allahut. Ndërsa, që besimi të trajtësohet në jetë dhe të arrijë pjekurinë, duhet që ibadeti dhe përkushtimi të jetë vetëm për Allahun dhe besimi të bartet në jetë nëpërmjet sjelljeve të njeriut. Dialogu ndërmjet Muadh b. Xhebelit dhe Profetit Muhamed në luftën e Tebukut, kur ishin afër njëri tjetrit është ilustrim i mirë i këtij realiteti. Muadhi tha: “O Pejgamber i Allahut, më thuaj një vepër me të cilën do të kem mundësi të hyj në xhennet dhe nuk do të pyes asgjë tjetër”. “Të lumtë, më pyete një pyetje shumë të rëndësishme. Kjo, është e lehtë për personin që e ka për qëllim kënaqësinë e Allahut” , tha Profeti Muhamed. dhe e përsëriti tri herë këtë thënie. Profeti Muhamed në raste të tilla e përsëriste tri herë thënien që të kuptohet më mirë. Pastaj urdhëroi: “Të besosh në Allahun dhe ditën e ahiretit, të falësh namazin, ta bësh ibadetin pa i bërë shok Allahut dhe të jesh në këtë gjendje deri në vdekje”. Pastaj Muadhi tha: “O i Dërguari i Allahut, a ka mundësi ta përsëritni edhe një herë?”, ndërsa Profeti Muhamed pasi që e përsëriti tri herë, shtoi: “O Muadh, nëse ke dëshirë, të flas pak për kokën, shtyllën dhe kulmin e kësaj çështjeje”. “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut, të qofshin falë babai dhe nëna ime!”, tha Muadhi. Ndërsa Pejgamberi a.s. urdhëroi: “Koka e kësaj çështjeje është të besosh se nuk ka zot tjetër dhe mos t’i bësh shok Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe pejgamber i Tij. Shtylla e kësaj çështjeje është të falësh namaz dhe të japësh zekat, ndërsa kulmi i saj është lufta/përpjekja në rrugë të Allahut. Unë jam i urdhëruar që të bëj përpjekje me njerëzit derisa ata ta falin namazin, ta japin zekatin, të besojnë se nuk ka zot tjetër, përveç Allahut, dhe mos t’i bëjnë shok Atij dhe të dëshmojnë se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Allahut. Nëse i kryejnë këta obligime, jeta dhe pasuria e tyre, nëse nuk ka ndonjë shkak të arsyeshëm, është e mbrojtur. Ndërsa llogaria për gjërat (që i kanë fshehur) do t’i ngelë Allahut”. Siç shihet edhe nga hadithi i Pejgamberit, besimi e arrin pjekurinë nëpërmjet veprave dhe rruga e ngritjes në kulmin e besimit është e mundshme vetëm me ibadet dhe ortopraktikë fetare. Ndërsa, në një rast tjetër, Pejgamberi a.s. iu drejtua Muadhit: “O Muadh b. Xhebel!”. Ndërsa Muadhi me përkushtim të plotë iu përgjigj: “Urdhëroni, o i Dërguar i Allahut!” “Po mirë, a e di se çka është e drejta e njerëzve tek Allahu?”, pyeti Pejgamberi a.s.. Ndërsa Muadhi përsëri u përgjigj si më lart: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë” dhe filloi të përgatitet për përgjigjen që do ta jepte Pejgamberi a.s.. Atëherë Pejgamberi a.s. e dha sihariqin me këto fjalë: “Të mos i dënojë dhe t’ua mundësojë xhennetin atyre që do t’i përkushtohen dhe nuk do t’i bëjnë shok Atij”.
Përkushtimi ndaj Zotit që të jetë i përsosur dhe i sinqertë duhet të jetë i flaktë. Ashtu edhe praktikimi i fesë që të jetë i përsosur duhet të jetë i pastër. Fakti i të qenit tonë është adhurimi dhe ai na obligon me lutjen, për pasojë mund të themi, siç thotë Frithjof Schuon-i: “Jam, do të thotë lutem – Sum ego oro”. Ekzistenca në natyrën e saj është dydimensionale dhe prej aty ne na obligon në dy mënyra me adhurimin, në këtë rast me agjërimin: së pari, me cilësinë e logosit dhe shprehjes hyjnore dhe, së dyti, me përmasën shkatërruese shoqërore në mosrespektimin e shprehjes hyjnore.
Ramazani dhe agjërimi në antropologjinë kulturore të muslimanëve është i bartur me qëndrimin mburrës, që në një mënyrë e shpreh insistimin e Krijuesit për vendzënie krenare në mjedisin që e rrethon. Në disa mjedise është prezantuar me koloritin e folklorit si metaforë e mikrokozmosit që populli e përjeton në shpirtin e vet të frymëzuar nga pafundësia. Diku në qendër të vëmendjes e ka imanencën dhe sikur dëshiron të afrohet sy në sy me shoqërinë.
Besimtari është i impresioniuar prej personit fiziko-kuptimor të Ramazanit, mirëpo ndjenja për të ka karakter ekspresionist të prezantimit të brengës për përfaqësimin e përhershmërisë së të mirës dhe të bukurës. Ekspresionizmi i agjërimit është shprehur nëpërmjet krenarisë së gjeneratës së artë për ta bërë të duhurën, por njëkohësisht edhe brengës për pamundësitë reale të veprimit shoqëror.
Organikja e tërë është e formuar nga një “domosdoshmëri e brendshme”, e cila lind nga “dinamika e brendshme e atmosferës së situatës”. “Imazhi”, kësisoj, është i skalitur në ritmin e domosdoshmërisë dhe jo në atë të “imagjinatës”. Kjo mund paksa të duket e habitshme për ne kur dihet fakti se njeriu bashkëkohor e ka bindjen se imazhi do të duhej të jetë në mendjen e njeriut. Por, imazhi gjithmonë para-ekziston në formën preliminare (primordiale) – ose ajo vjen nga shpirti – dhe që është njëherazi e prodhuar nga akti spiritualo-artistik. Pikërisht për këtë gjuha më e mirë dhe më ekzaltuese është gjuha me të cilën flet adhurimi, në këtë rast agjërimi. Është kështu për shkak se bukuria e adhurimit konceptin e vet e ka të ndërtuar me shijet dhe gjykimet impresive të individëve dhe shoqërive në kuadër të universalitetit hapësinor dhe kohor. Ajo në memorien e saj imagjinative, siç do të thoshte Kanti, në arsyen praktike, e ka të qëndisur tërë përvojën antropologjike kulturore të gjinisë njerëzore.
Agjërimi, jo vetëm si e bukur egzoterike, por edhe si dëshmitare e ndjenjave dhe imagjinatës së shumë të dashuruarve, poetëve që surealizmin e tyre do ta shprehin nëpërmjet të personit metafizik të Ramazanit, si i tillë është shndërruar në subjekt sui generis të vërshimit shpirtëror të njerëzve të ndritur..
Sa me përkushtim dhe përgjërim do t’i thur vargjet Pejani Mehmet Akif gjatë një Ramazani:
O Zot, për hir të këtij ramazani të madhëruar,
Hiqe nga mesi pengesën e bashkimit të penguar;
O Zot, të mos shtypet më ummeti nga kjo përçarje
Që vazhdon me shekuj, të mos mbet’ i pashpresuar!
Meqë na dhe neve një shpirt të ri,
O Zot, një frymë e re mbështetjeje të zbresë përsëri!
Ndërsa në disa vargje tjera ka thënë:
“… etuhlikuna bima feale’s-sufehau minna…”
Ramazani erdhi në kohë këtë vit, lavdi qoftë!
Ai ndoshta i pakëson ca dhimbjet e hequra:
Sëmundje, tërmete, zjarre, trazira, ngushticë buke,
Islamin e shtypin mijëra mynxyra të tjera.
“Populli u azdis, prandaj kaq shumë bela…” – Thonë;
A s’ka të paazdisur? A të gjithë agjëruesit, të shfrenuar?
Kushdo që të jetë, mëkatarët, mos i lër pas dore, o Zot!
Ndryshe, një popull të pafajshëm mos e lër ndër këmbë!
Agjërimi e gjeneron qetësinë dhe muzikalitetin e harmonisë së sferave, ndërsa qetësia dhe çiltërsia e saj në shpirtin e njeriut është pasqyrim i muzikës së qetësisë gjithësore, siç do të thoshte Pitagora. Ramazani, në bartjen e realitetit të agjërimit në përbotshmërinë bën një impresionizëm subjektiv, për shkak se mbresat e tij i bart në laboratorin e brendshëm dhe i nxjerr me finesën e shpirtit krijues të besimtarit.
Besimtari vetëm në platformën ideore është i impresionuar me Ramazanin, por në zhvillimin kompozicional të jetës së tij, ai shpërndahet në shpirtin e përgjithshëm të gjithësisë dhe në një mënyrë, si në traditat e lashta, shumësia shkrihet në Njëshin. Ramazani është muaji ku besimtarët muslimanë duhet të bëjnë ibadet, mirëpo edhe më tepër të mendojnë për prapavijën dhe mesazhin e ibadeteve dhe Fjalës Hyjnore. Logosi hyjnor krijon tipologji të veçantë kulturore, qytetëruese, shkencore, shoqërore dhe e potencon energjinë pozitive në të gjitha fushat e jetës. Edhe vetë ajeti kuranor me të cilin obligohen besimtarët për agjërimin e Ramazanit mbaron me konkluzë, që njeriu të humanizohet, të bëhet njeri. Koha e agjërimit prej syfyri deri në iftar duhet të motivohet prej pakohësisë dhe amshimit, ndërsa hapësira e faltores prej pakufishmërisë dhe eternalitetit.
/Marur me leje nga Revista Shenja
http://shenja.mk/index.php?news=12498 /