Hoxha i Tetovës i gatuar me tharmin fetar Hafiz Selman efendi Selmani

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Emrin e Hafiz Selmanit e kam dëgjuar për herë të parë, qysh si fëmijë, kur me gjyshen time shkonim në shtëpinë e Abdurrahim efendiut të ndjerë kryesisht pas dite për të bërë muhabet gjyshja me zonjën e Abdurrahim efendiut. Aty shpesh qëllonte edhe i biri i Abdurrahim efendiut, Haxhi Abdurrahmani, i cili shpesh i përmendte tre hoxhallarët e njohur Garib efendiun, Hafiz Abdullahun dhe Hafiz Selmanin. Ndërsa zonja e Abdurrahim efendiut, pasi që ishte nga Reçica ku edhe vepronte si hoxhë Hafiz Selmani, e përforconte edhe më bisedën. Më vonë Hafiz Selman efendi Selmanin e kam takuar në mexhlise të ndryshme së bashku me Garib efendiun dhe Hafiz Abdullahun. Hafiz Selmani ishte pak më i heshtur se Garib Efendiu dhe Hafiz Abdullahu, por ama kishte raste kur nuk pajtohej me diçka dhe atë e shprehte pa menduar shumë.

Hafiz Selman efendi Selmani ka lindur në vitin 1914 në fshatin Miletinë të Tetovës. Aty e ka përfunduar edhe hifzin tek hoxha i fshatit Reshad efendi Shasivari. Më pas, për të vazhduar mësimet, ka ardhur në Tetovë dhe një periudhë i ka ndjekur mësimet tek Ali efendi Abazi e më vonë, së bashku me Garib Efendiun dhe Hafiz Abdullahun tek hoxha i nderuar tetovar dhe imami e ligjëruesi i xhamisë Eski të Tetovës, Abdurrahim efendiu.

Pas përfundimit të mësimeve ai është punësuar si imam dhe vaiz në xhaminë e Reçicës dhe në Tetove më tepër ishte i njohur si Hafiz Selmani i Reçicës edhe pse me origjinë ishte nga Miletina e Tetovës. Pas pensionimit, një periudhë ka mbajtur ligjërata edhe në xhaminë e Gam-Gamit në Tetovë.

Hafiz Selmani ka qenë një hoxhë me dije të kompletuar dhe njohës i mirë i jurisprudencës islame/fikhut, morfologjisë dhe sintaksës arabe, por që është më karakteristike ai e ka ndjekur stilin e Abdurrahim efendiut në komenmtimin e ajeteve prej tefsireve me thellësi shpirtërore. Abdurrahim Efendiu në ligjërata shumë e ka shfrytëzuar tefsirin/komentin e Kuranit Fevatihu’l-ilahijje/Hapjet hyjnore të shkruar nga Nahxhuvaniu si dhe tefsirin Ruhu’l-bejan/Shpirti i sqarimit të shkruar nga Ismail Hakki Burseviu. Unë këtë e kam vërejtur në shënimet anësore që i ka bërë Abdurrahim Efendiu në këto libra, pasi që disa prej librave të tij, djali dhe zonja e Abdurrahim efendiut m’i patën dhuruar mua. Pra, Hafiz Selmani e ka vazhduar këtë traditë të komentimit dhe shpeshherë në mexhliset kur përmendej ndonjë ajet, atë e citonte në tërësi Hafiz Abdullahu, ndërsa Hafiz Selmani e sqaronte kuptimin e tij dhe më vonë hapej bisedë në lidhje me dispozitat fetare juridike që deduktohen nga ajeti ose hadisi në fjalë.

Hafiz Selmani është përpjekur maksimalisht për inkuadrimin e konceptit të mësim besimit fetar nëpër mektebet e xhamive. Periudha e parë e hekurt e komunizmit jugosllav e ka penguar këtë gjë, ndërsa hoxhallarët tonë të vjetër maksimalisht janë përpjekur që mësim besimin islam ta bëjnë pjesë të aktivitetit të imamaëve dhe hoxhallarëve në rajonin e Tetovës. Falë përpjekjeve të tyre mësim besimi fetar në rajonin e Tetovës ka qenë i pranishëm çdo herë dhe si pasojë shumica e fëmijëve e kanë mësuar këndimin e Kuranit dhe kushtet themelore të fesë islame.

Si sot më kujtohen fjalët e tij në një mexhlis në fshatin Gorancë në kufirin Maqedoni- Kosovë , ku kisha vajtur me tre hoxhallarët Garib efendiun, Hafiz Abdullahun dhe Hafiz Selmanin, si hafiz i ri dymbëdhjetëvjeçar. Ishte hapur biseda në lidhje me aktivitetin e xhamive në fshatrat e Hanit të Elezit dhe Ferizajit që kufizoheshin me Maqedoninë. Hafiz Selmani pa një pa dy pati pyetur se a u mësohet fëmijëve mësim besimi në këto xhami ose jo? Përgjigja ishte se jo! Atëherë e pati përmendur ajetin 9 të sures Hixhr të Kuranit: Ne e kemi zbritur Kuranin dhe Ne do ta mbrojmë atë, pastaj në komentin tha: Allahu xh.sh. është mbrojtës i fjalës së Tij, por ne duhet të jemi ata që do e bëjnë këtë punë që të nderohemi me titullin që Pejgamberi a.s. ua jep mbrojtësve të Kuranit. Pejgamberi a.s. thotë që : Fisnikët e ummetit tim janë bartësit/mbrojtësit e Kuranit. Përderisa të gjithë ne ishim duke dëgjuar me seriozitet, aty kishte edhe disa imamë të atyre katundeve, Hafiz Selmani, na u drejtua të gjithëve dhe na tha: Nëse nuk e bën ndonjë prej juve të rinjve këtë punë, mësimin e Kuranit, atëherë do të vij unë dhe do të qëndroj një periudhë këtu që t’i mësoj fëmijët këndimin e Kuranit.

Hafiz Selmani ka investuar edhe në edukimin dhe fisnikërinë e familjes dhe djemve të tij. Në mesin e trashëgimtarëve të tij ka disa hoxhallarë dhe persona të ndershëm që gjithnjë, në mënyra të ndryshme janë përpjekur për ngritjen e vlerave të Islamit. Të tillë janë djemtë e tij, por edhe nipat dhe mbesat.

Zoti e miqësoftë me të mirët në ahiret.