Hoxha me kulturë të thellë shpirtërore i Eski Xhamisë së Tetovës Abdurrahim efendi Ibrahimi

Shkruan: Hafiz Metin Izeti

Xhamia Eski e Tetovës është një ndër xhamitë më të vjetra në trojet tona dhe si e tillë ka një vend të rëndësishëm në kulturën shpirtërore të myslimanëve të Tetovës. Xhamia Eski është edhe xhamia ku unë i kam falur namazet e para si fëmi për shkak se ishte përballë shtëpisë sime, e cila u rrënua nga sistemi komunist, së bashku me shumë shtëpi të tjera të myslimanëve, dhe aty u ndërtua posta e qytetit të Tetovës.

Abdurrahim Efendiu ka qenë ligjërues në xhaminë Eski deri në sëmundjen e tij aty kah viti 1970-71 dhe tetovarët gjithnjë atë e kanë përmendur me respekt dhe konsideratë të madhe. Abdurrahim Efendiu ka lindur në vitin 1909 në fshatin Sllatinë të Tetovës, aty i ka marrë mësimet e para fetare, ndërsa më vonë ka ardhur në medresesenë e Xhemil efendi Jusufit ku edhe e ka përfunduar të njëjtën duke marrë ixhazet/diplomë nga Xhemil efendiu. Më vonë sistemin e mësimit klasik Abdurrahim Efendiu e ka vazhduar edhe vetë dhe një periudhë të caktuar pas luftës së dytë botërore, një pjesë e hoxhallarëve të Tetovës si Garib Efendiu, Hafiz Selmani, Hafiz Abdullahu, kanë ndjekur mësimet tek Abdurrahim efendiu.

Gjyshja ime në lidhje me çështjet fetare gjithnjë është konsultuar me Abdurrahim efendiun. Shtëpitë i kemi pasur afër, por edhe kishim afërsi farefisnore. Unë nuk e mbaj mend Abdurrahim efendiun, për shkak se kam qenë shumë i vogël kur ka ndërruar jetë, por ama metafizikisht atë e njoh nga rrëfimet që m’i tregonte gjyshja për të. Veçanërisht në çastet shumë të rënda për gjyshen time në vitin 1971, kur edhe ka ndërruar jetë babai im shumë i ri, biseda me Abdurrahim efendiun dhe zonjën e tij kanë qenë ngushëllimi i vetëm për te.

Për shkak se ishim fis me familjen e Abdurrahim efendiut, pasi që e përfundova medresen dhe isha në fakultet, djali i Abdurrahim Efendiut Haxhi Abdurrahmani, më premtoi se do të m’i jepte disa libra të tij të cilat i kishin ngelur në shtëpi, pasi pjesën më të madhe, më herët, ia kishin dhuruar Rafiz efendi Hoxhës. Ashtu edhe ndodhi, një ditë vajta dhe i morra librat e Abdurrahim efendiut, në mesin e tyre ishte edhe ixhazetnameja/diploma e tij e shkruar me një shkrim të bukur dhe artistik.

Unë nga më të moshuarit, si dhe nga Garib Efendiu i cili kishte qenë nxënës i Abdurrahim efendiut, kisha dëgjuar për te, mirëpo kur i pash se cilat libra i kishte lexuar atëherë e kuptova edhe më mirë përgatitjen profesionale dhe ngritjen shpirtërore të tij. Në mesin e librave që i mora ishin tefsiri Ruhu’l-bejan/Shpirti i sqarimit i Ismail Hakki Burseviut, një koment mahnitës i bërë nga dijetari i famshëm i Bursës, në periudhën e shtetit Osman, që edhe sot e kësaj dite ka vlerë të madhe në fushën e sqarimit të kuptimeve të ajeteve kuranore. Në mesin e librave ishte edhe një tefsir tjetër që nuk e kisha dëgjuar më parë, i shkurtë dyvëllimësh, por ama shumë i këndshëm dhe decid, El-Fevatihu’l-ilahijje ve’l-mefatihu’l-gajbijjeh/Hapjet hyjnore dhe çelësat e metafizikës,  e shkruar nga një autor me origjinë nga provinca Nahxhuvan e Azerbejxhanit të sodit që quhet Nimetullah Nahxhuvani (920/1514). Ky tefsir i shkruar në shekullin e XV dhe jo shumë i njohur në trojet tona edhe sot e kësaj dite ishte në mesin e librave të Abdurrahim efendiut. Ta them të drejtën u fascinova. Ky tefsir është koment me përshpirtshmëri të thellë. Në sqarimin e ajeteve janë të përdorura edhe mendimet e Abdulkadir Gejlaniut si dhe të Muhjuddin Ibn Arabiut. Ndërsa ajo që ishte më e rëndësishme, Abdurrahim efendiu, kishte bërë shënime anësore dhe prej aty i kishte deduktuar një numër të caktuar të ligjëratave të tij. Shënimet anësore ishin tejet të këndshme, veçanërisht në fund të çdo shënimi e kishte shkruar Subhanallah/i madhëruar je o Allah, si shprehje e mahnitjes nga përjetimi i konceptit të fjalëve të Zotit.

Në shënimet anësore/havamish në lidhje me ajetin e 255 të sures Bekare, Abdurrahim efendiu kishte shënuar: Nahxhuvani është tretur në detin e njëshmërisë dhe komentet e tij janë vetëm se stërpikje për tu freskuar nga pikat e të vërtetës dhe njohjes së thellë shpirtërore të tij. Ata që do të ecin në këtë rrugë do të nderohen me thesaret më të çmueshme të zemrës. Allahu e shpërbleftë me xhenet.

Në fillim të çdo surje autori ka shkruar një Hyrje/Fatiha  dhe një Përfundim/Hatime.  Në Hyrjen janë paraqitur njohuritë e përgjithshme dhe simbolika e thellë e ajeteve të sures gjegjëse, ndërsa në Përfundim çështjet të cilat mund të deduktohen nga ajetet e sures në fjalë. Abdurrahim efendiu në secilën prej këtyre hyrjeve dhe përfundimeve kishte bërë shënime anësore duke e dhënë mendimin e tij në lidhje me çështjen e paraqitur. Sa për ilustrim do ta paraqesë shënimin e tij në lidhje me suren Fatiha:  O ndjekës i Muhammedit a.s. që je drejtuar në Allahun dhe njëshmërinë e Tij. Ty të nevojitet që: shtatë ajetet e Fatihasë t’i kuptosh si shtatë dete të dijes së mrekullueshme të Allahut xh.sh.. Sipas numrit të ajeteve të kësaj surje janë të krijuara edhe shtatë qiejt dhe shtatë bashkësitë e yjeve. Shtatë ajetet e eFatihasë janë shtatë dete metafizike prej të cilave mund të nxirren margaritarë të shumtë.

Unë këtu i përmenda vetëm dy tre shembuj të sqarimeve të Abdurrahim efendiut, por ata janë të shumta në faqet e këtyre librave.

Krahas tefsireve në mesin e librave kishte edhe tre vëllime të komentit të Mesnevisë të Mevlana Xhelaluddin Rumiut,  e bërë nga komentatori shumë i njohur i Mesnevisë, Ismail Rusuhi Ankaravi. Ismail Rusuhi Ankaraviu ka jetuar në gjysmën e dytë të shekullit të XVI dhe fillim të shekullit të XVII dhe për dallim nga komentatorët tjerë të Mesnevisë, ai vargjet e Mesnevisë i ka sqaruar me ajete të Kuranit dhe hadise të Pejgamberit a.s.. Abdurrahim efendiu edhe në këta libra kishte bërë shënime anësore. Veçanërisht përreth ajeteve dhe hadiseve kishte shtuar edhe ajete dhe hadise të tjera që kishin të bëjnë me subjektin e diskutuar në vargjet e tregimit gjegjës të Mesnevisë.

Ta them të drejtën isha edhe më tepër i fascinuar nga librat që i kishte lexuar dhe mund ta them lirisht përtypur Abdurrahim Efendiu. Nga shënimet shihet qartë se ai e ka njohur shumë mirë arabishten persishten dhe turqishten e vjetër.

Abdurrahim efendiu ka ndërruar jetë në vitin 1972,  por ama emri i tij vazhdon ende të përmendet në Tetovë dhe më gjerë.

Allahu e dashtë!