Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Hafiz Muhammed ef. Jumniu ka lindur në vitet e fundit të shekullit të XIX, më saktë në vitin 1895, në Tetove në një familje fisnike dhe dijetarësh. Babai i tij ka qenë Haxhi Hafiz Jumni efendi Bajraktari i cili hifzin dhe shkollimin e kishte kryer në Stamboll. Hafiz Muhammedi hifzin e ka filluar tek babai i tij, por pasi që ai është ndarë nga kjo jetë shumë i ri, e ka vazhduar hifzin tek babai i Hafiz Sulejman Shagos ( i shpërngulur në Turqi, të cilin e kam takuar edhe unë vetë gjatë studimeve , aty kah viti 1994-95) dhe pranë tij edhe e ka kryer. Hafiz Muhammedi ka qenë prej hafizëve të rrallë kurra në rajonin e Tetovës. Hafiz kurra do të thotë hafiz i Kuranit i cili fjalët e tekstit kuranor di t’i lexojë në trajta të ndryshme, mvarësisht nga dialekti arab i kohës së Pejgamberit a.s., së bashku me vargun e përcjellësve të asaj trajte të leximit). Pas kryerjes së hifzit dhe arsimimit fetar pranë disa hoxhallarëve të njohur të asaj kohe, si Hafiz Sali efendi Damati, Hafiz Idris efendiu, Hafiz Bedaet efendiu, është punësuar si ligjërues për ditën e xhuma në xhaminë Eski në Tetovë. Krahas ligjërimit të premteve, Hafiz Muhammedi, e ka ligjëruar edhe lëndën e fesë dhe etikës islame në shkollat shtetërore në periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë.
Unë, Hafiz Muhammedin, e mbaj mend mirë, pasi që në vitet kur kam ndjekur mësimet e para në mektepin e xhamisë Eski ai ishte ende gjallë dhe ditët e premte djali i tij Haxhi Saliu, e nxjerrtë për dore në xhami, pasi që nuk shihte mirë. Ishte një hoxhë i ndriçuar me nurin e Kuranit. Si sot më kujtohet fizionomia e tij me mjekër të bardhë, sarëk të pastër dhe veshje tejet pedante. Ai është ndarë prej kësaj bote në vitin 1983.
Hafiz Muhammedi ka qenë shumë shpirtgjerë. Përderisa ka qenë hatib në xhaminë Eski ai e ka marrë që të bëhet imam në këtë xhami Hafiz Abdulfetah Qylxhiun, një hafiz me zë mahnitës dhe vajtues. Pas kalimit në ahiret të Hafiz Abdylfetahut dhe prishjes së xhamisë së Çarshisë, në xhaminë Eski ka insistuar që të punësohet si imam Hafiz Ibrahimi, i cili deri atëherë kishte qenë imam i xhamisë së Çarshisë.
Hafiz Muhammedi ka qenë edhe shumë preciz dhe i kujdesshëm në sjelljet dhe veprimet e tij. Zemërgjerë, i matur, fjalëbutë dhe mendjendritur. Çdo herë kur ka vajtur, rrëfen djali i tij Haxhi Saliu, në ndonjë mexhlis fetar të duasë së hifzit ose të ngjashme, para se të niset u ka sjellur familjes dhe fëmijëve të tij ushqim prej çarshie që edhe ata të hanë atë ditë ëmbëlsirë dhe gjellë më të mirë, pasi ai vetë do të drekonte në vendin ku organizohej mexhlisi. Shpesh janë takuar edhe me dy hoxhallarët e njohur të Tetovës që kanë qenë burra të motrave të tij, Hafiz Hifzi efendiun dhe Haxhi Aliriza efendiun dhe kanë polemizuar në lidhje me shumë çështje aktuale fetare. Posaçërisht bisedat me Haxhi Aliriza Efendiun (ligjëruesin në xhaminë e Gam-gamit në Tetovë) kanë qenë shumë të këndshme pasi Haxhi Aliriza efendiu ka qenë edhe shumë elokuent dhe bisedat i ka mbështetur me shembuj të këndshëm.
Hafiz Muhammedi ka pasur zë shumë të këndshëm dhe Kuranin e ka lexuar me shumë kujdes në shqiptimin e germave dhe me zë të hollë. Shpeshherë, sipas rrëfimit të familjarëve të tij, në vitet e fundit kur është sëmurë, edhe në shtëpi, është zgjuar natën dhe ka lexuar Kuran. Kurani ka qenë jeta e tij dhe deri në çastet e fundit të jetës gjuha e tij ka qenë e angazhuar me leximin e ajeteve të Kuranit. Ai ka përgatitur edhe hafiza të cilët më vonë kanë shërbyer në vende të ndryshme në hapësirat shqiptare. Në mesin e tyre janë: Hafiz Ameti (i shpërngulur më vonë në Turqi), Hafiz Halidi nga fshati Xhepçishtë ( Hafiz Halidin e kam takuar në vitin 1986 përderisa isha në praktikë gjatë muajit të Ramazanit në Ohër dhe një muaj e kemi kaluar bashkë. Ishte shumë njeri i mirë dhe medresen e kishte të kryer në Shkodër aty kah vitet 1940-41), Hafiz Xhaferi dhe shumë të tjerë.
Hafiz Muhammedi ka qenë shumë i respektuar në mesin e tetovarëve. Atë e kanë respektuar edhe të krishterët dhe çdo herë kur e kanë takuar rrugës janë përkulur në shenjë respekti ndaj Hafizit.
Ai i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe arsimimit të brezave. I ka arsimuar maksimum, sipas kushteve kohore kur ka jetuar, fëmijët e tij. Prej tre djemve të tij zotni Nizameddini (rahmet pastë) ka qenë një nga arsimtarët e vyeshëm të gjuhës shqipe në shkollën fillore Migjeni në Tetovë. Edhe zotni Nizameddini ishte shumë njeri i veçantë dhe unë e kam takuar shpesh aty kah vitet 1997-2000 në ndejat e ndryshme me xhematin e xhamisë Eski. Djali tjetër është doktor Mahmudi, njëri prej pediatërve të parë shqiptarë në Tetovë. Pjesa dërmuese e fëmijëve tetovarë janë rritur nën kujdesin e tij. Edhe unë si fëmijë shpesh kur jam sëmurë jam kontrolluar nga ana e tij (Zoti e mëshiroftë). Djali i tretë është Haxhi Saliu, një plak shumë i lezetshëm, i devotshëm maksimalisht, i butë, i matur, i thellë (Zoti i dhashtë shëndet).
Zoti e mëshiroftë dhe e shpërbleftë Hafizin me të mirat e Tij.