Shkruan: Hafiz Metin Izeti
Hafiz Sali efendi Damati ka lindur në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të XIX në një familje të vjetër tetovare e cila ka banuar pikërisht në qendër të Tetovës. Që në moshë të re ka vajtur në Stamboll ku e ka kryer hifzin dhe më pas edhe shkollimin. Në Tetovë është kthyer në vitet e para të shekullit të XX dhe ka filluar me punë si ligjërues në xhaminë e Çarshisë në Tetovë.
Gjyshi im, rahmet pastë, kur e përmendte emrin e Hafiz Saliut çohej në këmbë dhe i rridhnin lotë prej syve. Ai pjesën më të madhe të ditës e kishte kaluar në çajtoren e gjyshit tim dhe kishte pasur një vend të veçantë pikërisht nën shkallët e galerisë së çajtores ku ishte ulur. Për çdo ditë, siç rrëfente gjyshi im, ai do të vijë në çajtore dhe do të ulet në vendin e vet, ndërsa tetovarët dhe fshatarët e fshatrave përreth që kishin diçka të konsultohen për çështje fetare kanë ardhur dhe e kanë takuar aty Hafiz Sali efendiun.
Ai ka qenë shumë mendjendritur, i mençur, dijetar por njëkohësisht ka qenë edhe njeri i përkushtuar me plotëkuptimin e fjalës në fenë e Allahut xh.sh.. Sali Efendi Damati ka gëzuar autoritet të madh në mesin e tetovarëve si njeri i sinqertë dhe i cili nuk ua bën qejfin njerëzve në rastet kur bëhet fjalë për parimet fetare, pikërisht për këtë edhe shumica e tetovarëve, krahas asaj që në këtë periudhë në Tetovë ka shumë hoxhallarë të njohur, çështjet fetare i kanë konsultuar me Hafiz Sali Efendiun.
Hafiz Sali Efendiu nuk është martuar fare. Gjyshi im disa herë e ka pyet se pse nuk jeni martuar? Ndërsa ai i është përgjigjur: Unë jam i martuar me çështjen dhe idealin tim, nuk kam vend në zemrën time për të dashuruar dikë tjetër. Ai pjesën më të madhe të ditës e ka kaluar duke lexuar dhe duke i udhëzuar njerëzit për parimet islame , por njëkohësisht edhe për edukimin, organizimin shoqëror dhe vendzënien reale të tyre në hapësirat tona.
Ai është marrë edhe me poezi dhe, në bazë të asaj që më ka rrëfyer gjyshi, ka shkruar shumë poezi të bukura të cilat ia ka lexuar gjyshit tim në çajtore kur nuk ka pasur njerëz. Mirëpo, për fat të keq ne sot nuk kemi asgjë në dorë nga shkrimet e tij.
Hafiz Sali efendi Damati ka qenë ligjërues në xhaminë e Çarshisë në Tetovë. Çamia e Çarshisë e ka ruajtur kontekstin e xhamive të mëdha/selatin të shtetit osman dhe si rrjedhojë në te vazhdimisht janë ndërruar ligjëruesit. Veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit, pas namazit të drekës ka pasur ligjërues tjetër, ndërsa pas namazit të iqindisë ligjërues tjetër. Sali efendi Damati i ka mbajtur ligjëratat pas namazit të iqindisë dhe në ligjëratat e tij xhamia ka qenë përplot, siç rrëfen Haxhi Saliu, i biri i Hafiz Muhammed Jumniut, i cili si fëmijë ka vajtur të ndjekë ligjëratat e tij në xhami. Një ditë, thotë Haxhi Saliu, shkova në xhaminë e Çarshisë për të ndjekur ligjëratën e Sali efendi Damatit, dhe e takova te dera e oborrit të xhamisë. Përderisa bashkë me të ishim duke ecur drejt xhamisë, ai i vërejti zonjat se si ishin ulur përreth xhamisë, tek dritaret, për ta dëgjuar ligjëratën për shkak se brenda nuk kishte vend. Ai u ndal dhe iu drejtua atyre me këto fjalë: Obligim i juaji është që këshillat e Pejgamberit a.s. t’i mbjellni tek fëmijët tuaj dhe ta përcjellni këtë dritë të bekuar në gjeneratat e ardhshme. Fetarisht nuk është me rëndësi vetëm të flitet dhe të dëgjohet për fenë, por gjërat që fliten dhe dëgjohen duhet të bëhen pjesë e jetës tonë të përgjithshme.
Sali efendi Damati ka qenë njeri pragmatik dhe më tepër i ka kushtuar rëndësi edukimit shpirtëror dhe platformizimit të besimtarit me parimet fetare se sa bisedave shterpe rreth çështjeve fetare. Ai në një mënyrë, siç më rrëfente gjyshi, ka zhvilluar një proces edukativ shpirtëror me njerëzit të cilët i ka mbajtur pranë, por edhe me personat që kanë vajtur tek ai për ta pyetur për diçka.
Sali Efendi Damati ka qenë edhe trim dhe i guximshëm. Në vitet ndërmjet dy luftrave botërore një polic serb ka hyrë në çajtore dhe pa e pyetur askënd është ulur në vendin ku gjithnjë është ulur hoxha. Sa do që, gjyshi im, është përpjekur që ta pengojë mos të ulet, ai nuk e ka dëgjuar. Më pas në çajtore ka hy hoxha dhe e ka parë policin me uniformë se si është ulur në vendin e tij. Pa një pa dy e ka kapur për jake dhe e ka hedhur jashtë duke i thënë: Kushtet/shartet e Islamit janë pesë, i gjashti është ta dishë ku e ke vendin, ndërsa i shtati, nëse dikush nuk e di ku e ka vendin atëherë t’ia tregosh atij vendin.
Gjyshi im thoshte që Sali efendi Damati ka agjëruar saum-i davud/agjërim të Davudit a.s., domethënë tërë jetën ka agjëruar një ditë po dhe një ditë jo. Ndërsa pas hyrjes së tre muajve të bekuar, ata i ka agjëruar në tërësi. Një ditë, tregonte gjyshi im, përderisa Sali Efendiu ishte agjërueshëm, dikush nga esnafët e qytetit e ka parë se si ai kalon përreth dyqanit të tij dhe e ka thirë që të pijë një kafe me to. Sali efendiu i ka thënë se është në ngutje dhe se nuk ka kohë. Mirëpo, esnafi ka insistuar duke i thënë: Për ashk të Allahut! Eja e pije një kafe me ne! Atëherë, hoxha efendiu është ndalur e ka pirë kafen dhe i ka këshilluar që mos të insistojnë në këtë mënyrë për shkak se nuk dihet se në çfarë gjendje janë njerëzit. Ai e ka prishur agjërimin vetëm për shkak se ka qenë duke agjëruar nafile dhe nuk ka pasur dëshirë që të kuptohet se agjëron si dhe për shkak se ata i kanë thënë, për ashk të Allahut! Më pas e ka agjëruar atë ditë sërish, siç është edhe rregulli fetar kur prishet agjërimi nafile.
Sali efendi Damati ka qenë kundërshtarë i përbetuar i komunizmit dhe shpeshherë i është lutur Zotit që mos të lejojë ardhjen e tyre në pushtet. Ai ka vdekur në ditët e para të themelimit të shtetit të Jugosllavisë komuniste. Në këtë periudhë ka vdekur edhe një hafiz shumë i njohur i Tetovës, Haxhi Hafiz Hivzi Efendiu.
Zoti i shpërbleftë dhe i shoqëroftë me të mirët.